Performancë artistike e FEMEN që e thumbon Donald Trump (VIDEO)

Një aktiviste nga grupi FEMEN sot ka realizuar intervenimin e saj të radhës, para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Ukrainë.

Aktivistja ka bartur me vete një pankartë ku shkruhet “nuclear football” ndërsa pati të shkruar fjalët “Mr Big Button” në gjoksin e saj. Të premten, aktivistja ishte e tëra e zhveshur.

FEMEN ka reaguar kësisoj pas fjalëve të rënda dhe diskursit plot urrejtje me të cilin i pari i ShBA-ve, Donald Trump, i drejtohet Kimg Jong-ut nga Korea e Veriut.

“Dua ti dërgoj të fala Donald Trump dhe sistemit të tij patriarkal. Matja mes dy liderëve duhet të marrë fund” ka thënë aktivistja pasi ka realizuar performancën e saj në të ftohtin e së premtes, shkruan RT.

FEMEN është themeluar në Ukrainë në vitin 2008 ndërsa gjithmonë realizon performanca e intervenime artistike rreth prostitucionit, të drejtave të grave dhe komunitetit LGBT, kundër fashizmit dhe mungesës së tolerancës ndërfetare. / KultPlus.com

Urime viti i ri 2018-të nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus

Viti 2017-të, ishte një vit shumë i suksesshëm për gazetën online për art dhe kulturë KultPlus.

Ky vit, numëroi disa të reja që erdhën përmes kësaj gazete e themeluar katër vite më parë si e vetmja në Kosovë dhe rajon, nga kryeredaktorja Ardianë Pajaziti. KultPlus, në vitin 2017-të bëri një ri-brendim të sajtit duke sjellë të reja për lexuesit e tij, të cilët vazhdojnë të motivojnë stafin e kësaj gazete përmes komenteve, kritikave dhe dashnisë që shprehin për KultPlus.

Përveq kësaj, KultPlus, në vitin 2017-të solli edhe ciklin e parë të rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, me dy artistë kosovarë me karrierë tashmë ndërkombëtare si Sislej Xhafa dhe Imer Kutllovci.

KultPlus, në vitin 2018-të premton se do të vazhdoj të sjellë intervista, rrëfime, ngjyrime nga ngjarjet e ndryshme në Kosovë dhe jo vetëm, video e padyshim edhe poezi të ndryshme. Kur jemi te poezia, KultPlus, shumë shpejtë sjellë edicionin e dytë të festivalit të poezisë “KultStrofa”.

Me gjithë këto të reja, e më këmbë të mbarë, KultPlus u uron të gjithë lexuesve të vetë, vitin 2018-të. Urojmë që ky vit të ju sjellë shëndet, suksese e mbi të gjitha më shumë dashni për artin dhe kulturën.

Me shumë dashni nga stafi i KultPlus: Ardianë Pajaziti, Arbër Selmani, Sarandë Selimi, Jeta Zymberi, Liridona Spahiu dhe Gili Hoxhaj./ KultPlus.com

KultPlus, pjesë e Forumit Global “Truth, Justice and Remembrance” në Berlin

Organizuar nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung, po mbahet në Berlin Forumi Global “Truth, Justice and Remembrance” – E vërteta, drejtësia dhe kujtesa. Pjesë e këtij Forumi është edhe KultPlus – e para gazetë shqiptare që trajton vetëm artin dhe kulturën.

Redaktori Arbër Selmani, si alumni ( ish pjesëmarrës ) i Seminarit të Berlinit në vitin 2014-të, është ftuar të jetë një nga 120 pjesëmarrësit në Forum, nga Brazili, Franca, Gjermania, Serbia, Argjentina dhe rreth 35 shtete tjera.

Selmani gjatë ditës së djeshme e ka ndihmuar debatin mbi drejtësinë dhe të vërtetën në Serbi, debat i moderuar nga Milia Kostiq nga Humanitarian Law Center në Serbi.

Forumi në fjalë mbledhë aktivistë, gazetarë, politikanë dhe antarë të shoqërisë civile të cilët punojnë në temën e kujtesës kolektive, drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, brenda shoqërive pas konflikteve, luftërave dhe gjenocidit.

Mbrëmë në një nga kinematë e Berlinit, në kuadër të Forumit, u transmetua filmi “Year Zero36”, ku tregohet krijimi i një trupe teatrale cirku me të rinjtë e Kamboxhias. Aktori shqiptar Arben Bajraktaraj ishte pjesë e filmit si një mësues i të rinjve drejt suksesit dhe paraqitjeve në shtetet tjera.

Ky është edicioni i parë i Forumit, që nisi me 15 nëntor dhe përfundon sonte. KultPlus edhe në të kaluarën, por edhe tani dhe në të ardhmen publikon shkrime të ndryshme që kanë të bëjnë me kujtesën kolektive, memorialet, statujat, ballafaqimin me të kaluarën dhe luftën në Kosovë. / KultPlus.com

Kam qarë aq shumë, me lot të hidhur

Poezi e shkruar nga Gertrud Kolmar.

Gabohesh. A mendon ti se ngaqë je larg
e që unë po vdes nga etja, dhe s’mund të të gjej ?
të mbërthej me sytë e mi,
me këta sy që secili strehon terr dhe yll.
të tërheq nën qepallë,
e mbyll dhe brenda je ti.
E si kërkon t’iu ikësh shqisave të mia, rrjetë gjahtari
ku asnjë bishë ska mundur të shpëtojë ?
mos më lësho më nga dora
si një buqetë të vyshkur,
që sillet poshtë në rrugë, e shkelur
para derës, e shpërhapur nga të gjithë.
Të kam dashur. Shumë të kam dashur
Kam qarë aq shumë… me lot të hidhur
dhe të dua ende më shumë sepse jam e lidhur me ty nga vuajtja,
e nga pena jote asnjë letër, ti s’më shkruan kurrë.
Kam pyetur miqtë, zotërinjtë dhe rojen e fanarit
të ishullit aq të vogël si një vizë,
kopshtarin tënd të pemëve të mia,
dhe me mijëra qenë të urtë e asnjëri s’qe i drejtë.
Thuajse s’e kisha ndjerë që strofka ime e paqes ishte prishur,
ajo që mbante rininë time – dhe diej të vegjël,
që kishin pikuar në rërën që i ka bërë të shkrijnë.
Jam ngritur dhe të kam shikuar.
Kalimi yt mbetet në ditët e mia
si një parfum që mbetet i varur në një rrobë,
sepse ajo s’e njeh më, s’e llogarit më, ajo thjesht e pret
për të vazhduar gjithmonë ta mbajë

Valbona Selimllari tregon pse e përjashtuan nga shkolla

Valbona Selimllari njihet si “Missi pa moshë”, për shkak të pamjes së saj të pandryshuar ndër vite, në mos të përmirësuar.

Missi i parë shqiptar, është ndër të paktat vajza që ka rrëmbyer kurorën dhe vijon të jetë po aq e pëlqyer sa në fillimet e saj.

Përveç përfshirjes në biznes prej kohësh, ajo është angazhuar si pjesë e jurisë së spektaklit të kërcimit “Dance with me”, i cili transmetohet çdo të hënë.

Por pas spektaklit të mbrëmjes që lamë pas, Bobi, siç e thërrasin miqtë e saj është zgjuar herët sot në mëngjes, pasi ishte e ftuara e radhës në emisionin “Wake Up në Top Channel.

Ajo ka treguar se ka problem me zgjimin, madje për këtë arsye e kanë përjashtuar nga shkolla.

“Kur kam angazhime, nuk e kam problem orarin por kur nuk kam, më pëlqen ta zgjas pak atë gjumin e mëngjesit. Më kanë përjashtuar nga shkolla, kam një vit të humbur prej gjumit të mëngjesit. Është gabim i madh”, tha ajo.

Po ashtu, Valbona tregoi se fle vonë natën dhe se kjo është një arsye që e pengon në zgjimin herët. Ish-Missi ka zbuluar edhe moshën e saj, duke thënë se është 45 vjeçe. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com

KultPlus dhuron 6 bileta për premierën e filmit “Mother” në Cineplexx

Trilleri psikologjik nga Darren Aronofsky është pa dyshim filmi më i diskutueshëm prej “A Clockwork Orange” nga Stanley Kubrick. Me aktorë të mrekullueshëm si Jennifer Laërence, Javier Bardem (secili fitues i çmimit kryesor të Oscars), Michelle Pfeiffer dhe Domnhall Glesson, filmin “Mother!”, mund ta shihni si premierë me 28 shtator në Cineplexx.

Për këtë premierë, Cineplexx dhuron 6 bileta për lexuesit e KultPlus. Të gjithë ju që dëshironi të merrni një biletë falas për të shikuar filmin “Mother”, këtë mund ta bëni me vetëm tri veprime. Like faqen e KultPlus.com si dhe Like dhe Share shkrimin. Loja fillon nga tani dhe zgjatë deri nesër, datë 27 shtator në ora 21:00. Fituesit do të zgjedhën në mënyrë automatike.

Cineplexx, edhe për këtë film, ka organizuar ngjarjen “Premier Night”, ku të gjithë të pranishmit do të shoqërohen me pije falas.

Nga trailer-i i postuar në faqe të Cineplexx Events, duket se ky film pa dyshim do të jetë një ndër filmat më artistik të sezonës së vjeshtës në Cineplexx. / KultPlus.com

Pse është harruar poeti ynë i madh, Mirko Gashi?

Shkruan: Tefik Selimi

Kaluan shumë kohë nga vdekja e poetit, Mirko Gashi dhe askush nuk bën asnjë fjalë asnjë shkrim për te. Pse, athua? Kjo dhemb. Dhemb për faktin se ai ishte njeri i madh në jetë. Kjo është një “dhimbë” për njeriun si njeri, por edhe për krijuesin e madh të anës së Malësisë së Karadakut jetik.

Siç dihet, Mirko Gashi jetoi më pak në vendlindje, Selishtë, e më shumë jetoi në Prishtinë. Këtu edhe vdiq, më (1995). Vdiq dhe sikur u harrua përgjithmonë. Prishtinas, ia keni borxh këtij shoku e kolegu tashmë të ndjerë, Mirko Gashit një përvjetor. Ai nuk e meritoi këtë “harresë” kaq të gjatë. Nuk e meriton këtë “largim” nga mendja Mirkoja ynë i madh. Ai më nuk është në mesin tonë. Por, me ne jeton vepra e tij madhore.

Mirko Gashi ishte nga një familje me tradite atdhetare. Është i lindur më 2 janar të vitit 1939 në Kralevë të Serbisë. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse gjimnazin në Gjilan. Kreu edhe shkollën e gazetarisë. Një kohë punoi si mësues në fshatin Caravajkë, komuna e Preshevës. Pastaj punoi si gazetar në Radio Prishtinë, në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë dhe më në fund punoi në gazetën “Kosova” derisa u pensionua. Jo vetëm kaq..

Ai la vepër të pavdekshme. Për sa kohë jetoi, la një krijimtari të dalluar dhe të veçantë në letërsinë tonë shqipe. Për sa kohë ishte gjallë, ai botoi disa vepra letrare, si janë: “Në vorbullën e ujit”, Prishtinë,1972, “Netët e bardha”, Prishtinë- 1975, “Gjarpri i shtëpisë”, Prishtinë -1980, “Arbror vitae”, Prishtinë -1988, “Plagë uji” Prishtinë -1990.

Ky autor është përkthyer në disa gjuhë, frëngjisht, serbokratisht, gjermanisht, arabisht, sllovenisht, anglisht, turqisht dhe maqedonisht. Është i prezantuar në disa antologji të autorëve të ndryshëm. Ai ka kontribuar në përkthimin e disa veprave nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Ka përkthyer poezitë e A. Podrimjes, Din Mehmetit, Qerim Ujkanit, Sabri Hamitit, Ibrahim Kadriut etj. Mirko Gashi, pas një veprimtarie të begatshme letrare, vdes në vitin 1995 në Prishtinë. Dhe, jo vetëm kjo.

Vdekja e tij është plot dhimbë. Dhimbë për njerëzit që e kanë dashur dhe njohur njeriun e krijuesin e madh. Ai jetoi jo vetëm si të gjithë njerëzit, por jetoi dhe ajo “jeta” e tij është paksa më e veçantë se e të tjerëve. Pse po e themi këtë? Fakt është. I madh e i vogël i Malësisë së Karadakut e njohin dhe e nderojnë poetin e kësaj ane, i cili, sa jetoi, krijoi vargje me vlera të larta letrare e artistike.

Ai qe një krijues i madh i artit. Arti për Mirko Gashin ishte një gjë e “shenjtë”, sepse atë art e deshi me thellësi të shpirtit e të zemrës. Ai poezinë e kuptoi si diç që “flet” dhe kjo madhështi sikur në shpirtin e tij të madh zuri “vend”. Ai ishte një shpirt i ndjeshëm dhe i fuqishëm prej poeti. Sikur vokacioni i tij poetik ka një ndjeshmëri edhe sot.
Mirko Gashi ka një jetë që do të duhej të shkruanin të tjerët shumë për te. Shpirti i tij, edhe si njeri, por edhe si poet, ishte një bohem që la gjurmë prej krijuesi të madh.

Ishe jo i hajthëm si Migjeni, por më i ndjeshëm se shumë të tjerët. Pos veprave letrare, Mirko Gashi, ai la edhe “vepra” tjera në jetë. Ishte një artist i madh i skenës së filmit. Si i tillë, ai jetoi jo vetëm me vargun poetik, të cilin e deshi shumë, por jetoi edhe me rolet që i luajti në jetë. Biografia e tij është shumë interesante. Ai ka qenë një njeri i lindur i artit e i skenës. Sikur ky art e “pushtoi” dhe e mori para kohe. Nuk deshëm me këtë shënim të bëjmë ndonjë analizë për veprën e tij letrare, por deshëm t”ia përkujtojmë lexuesve dhe miqve të tij se Mirko Gashi është i harruar prej shokëve, miqve e krijuesve. Është harruar qe sa kohë. Nuk përmendet e as që shkruhet. Pse?

Ai nuk meriton të harrohet. Ai meriton të nderohet dhe të shkruhet më shumë se disa të tjerë. Nuk harrohet vendi ku ai gjithnjë ka pirën e ka ndejtur. Edhe sot shokët dhe kolegët e tij të çmuar e nderojnë vendin e tij dhe e quajnë: “Vendi i Mirkos”. Ja vetëm një argument e shtuam, por sa e sa argumente të tjera janë për Mirkon e nderuar dhe shumë të çmuar.

Do të ishte mirë që të afërmit e tij, që sot jetojnë në Gjilan, Zhegër e në vendlindje, Selishtë, ta ngritin zërin për një Akademi përkujtimore për të madhin, Mirko Gashi. Ai ka merita të mëdha në jetë jo vetëm si krijues, por edhe si njeri dhe si artist i jetës… E meriton një shënim pak më të gjatë apo më shumë se ky që sot vetëm e zumë në fjalë. Besoj… / KultPlus.com

Zbulohen pagat e aktorëve të Game of Thrones

Derisa Daenerys Taragaryen dhe Jon Snow i bashkojnë forcat kundër Cersei Lannisterit për Iron Throne, duket se aktorët që luajnë këto role janë duke e bërë një jetë luksoze jashtë serisë së famshme.

Në një raport të revistës së njohur amerikane “Variety” zbulon se aktorja britanike Emilia Clarke, Kit Harington dhe Lena Headey fitojnë nga 500 mijë dollarë për episod.

Në listën e pagave të majme janë edhe Nikolaj Coster-Waldau dhe Peter Dinklage që kanë të njëjtën pagë. Revista e njohur raporton se nuk ka dallime në paga sa i përket gjinisë.

Pesë aktorët, të cilët kanë qenë pjesë të serisë që kur filloi të transmetohej për herë të parë në vitin 2011, janë në krye të listës si më të paguarit në këtë seri. / KultPlus.com

Tri këngëtare shqiptare dhe këngët që kanë të njëjtin titull – “Shko” (VIDEO)

Një fjalë që tingëllon keq kur thuhet në jetën e përditshme, e shumë më keq nëse thuhet në dashuri, fjala “Shko” si e tillë nuk duhet e keqe për tekstshkruesit shqiptarë.

Madje, tri këngëtare shqiptare kanë këngë që mbajnë të njëjtin titull. Të tria këngët i takojnë një pop-kulture më të vjetër, secila e realizuar gati dhjetë vite më përpara.


Adelina Thaqi – SHKO
Një prej këngëve më të mira të Adelinës ndër vite është kënga “Shko”. E vjetër më shumë se një dekadë, refreni i saj nuk është aspak i ri për gjeneratën që është rritur me këtë këngë dhe këtë këngëtare. Adelina në këtë kohë do të ishte në kulmin e karrierës së saj ndërsa kënga “Shko” është padyshim një melodi e veçantë e Adelinës.


Eliza Hoxha – SHKO
Eliza Hoxha i tha fjalët “Shko” kur e solli këtë këngë në Festivalin Kënga Magjike para disa vitesh. Kënga ka marrë pëlqimin e shqiptarëve asokohe kur edhe e pozicionoi mirë Elizën brenda këtij festivali. Kënga është realizuar në vitin 2008.


Adelina Ismaili – SHKO
Tjetra Adelinë që nuk e thotë me shumë gëzim fjalën “Shko” është edhe Adelina Ismaili. Kënga “Shko” e Adelinës është ndoshta himni i saj, balada më e mirë e realizuar nga ajo dhe madje së cilës i është bashkangjitur një videoklip ku Adelina e vajton shqiptimin e kësaj fraze ndaj dashurisë së saj.

Selena Gomez i rikthehet aktrimit, bashkëpunon me regjisorin Woody Allen

Këngëtarja njohur amerikane dhe ish ylli i Disney, Selena Gomez, ka vendosur zyrtarisht t’i rikthehet aktrimit, duke luajtur në filmin ardhshëm të fimbërësit të njohur amerikan Woody Allen, shkruan ‘Variety’, përcjellë KultPlus.

Krijuesja e hitit ‘Fetish’ lajmin për rikthimin e saj në aktrim e bëri të ditur gjatë një paraqitjeje për ‘iHeartRadio’, por pa dhënë shumë detaje mbi filmin.

‘Ka diçka lidhur me aktrimin, por nuk jam e lejuar të flas më shumë. Nuk mund të them as po as jo’, tha Gomez pasi u pyet për rolin e ri.

Ende nuk dihet titulli i filmit të ri të Woody Allen. Deri më tani është raportuar për vetëm për aktorët e këtij filmi, ku përveç Selena Gomez do të luajnëw edhe aktorët e njohur amerikanë Timoteu Chalamet dhe Elle Fanning.

Hera e fundit kur Selena Gomez ka luajtur në një film ka qenë në vitin 2012 në filmin ‘Spring Breakers’ të regjisorit të njohur amerikan, Harmony Korine. /KultPlus.com