Hapet ekspozita “Trashëgimia në ngjyrë”, sjellë një homazh të fuqishëm për vlerat, historinë dhe identitetin kombëtar

Vjollca Duraku

Artistet Qëndresa Krasniqi dhe Elvira Shyti-Kasapolli sot kanë hapur ekspozitën “Trashëgimia në ngjyrë” në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me motive nga trashëgimia kulturore si një homazh i fuqishëm për vlerat dhe historinë të cilat e përbëjnë identitetin kombëtar shqiptar.

Në 10 punime me dimensione të ndryshme janë të paraqitura xhubleta me elemente përbërëse të saj, si një veshje tradicionale shqiptare që mishëron historinë dhe identitetin shqiptar, si dhe qilime me detaje si simbol tradicional shqiptare që pasqyron jetën e zakonshme familjare të një familje tradicionale. Teknika e punës e përdorur në këto piktura është akrilik dhe pëlhurë ne vaj.

Pikturat përmes linjave të ndërlikuara, ngjyrave të ndezura, elementeve të çrregullta dhe abstrakte e tejkalojnë kuptimin parësor të paraqitjes si vlera kulturore duke të ftuar në një reflektim mbi lidhjet e kohës së tashme me ta kaluarën.

Folësi në këtë kspozitë Agim Krasniqi në fjalën e tij në ceremoninë hapëse ka thënë se kjo ekspozitë është një ftesë për të eksploruar trashëgiminë kulturore, përmes gjuhës universale të artit, duke i rikthyer në vëmendje vlerat që përbëjnë identitetin tonë kombëtar.

“Çdo vepër është një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, një përpjekje për të mbajtur të gjallë kujtesën kolektive dhe për t’i dhënë një frymë të re trashëgimisë sonë kulturore. Xhubleta, e njohur ndërkombëtarisht nga UNESCO, na kujton rëndësinë e ruajtjes së identitetit tonë dhe vlerave që na bashkojnë.Qilimi, simbol i ngrohtësisë dhe familjes tradicionale shqiptare, shfaqet këtu si një urë mes brezave, duke na kujtuar se arti ka fuqinë të mbartë emocione dhe mesazhe që mbeten të freskëta në çdo kohë”, ka thënë Agim Krasniqi.

Krasniqi më tej ka thënë se kjo ekspozitë na fton të reflektojmë dhe të ndiejmë, por mbi të gjitha, frymëzon të vlerësojmë dhe të ruajmë pasuritë tona kulturore.

“Përmes këtyre veprave, artistet jo vetëm që kanë sjellë një interpretim të veçantë të trashëgimisë sonë, por gjithashtu na kanë dhënë një perspektivë të re për ta parë artin si një mënyrë për të ndërlidhur të kaluarën me të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë botë të ndryshueshme, arti mbetet një forcë e qëndrueshme që na kujton se kush jemi dhe nga vijmë. Në emër të të gjithë të pranishmëve, dua të falënderoj artistet për këtë punë të jashtëzakonshme dhe për pasionin me të cilin ato kanë sjellë në jetë trashëgiminë tonë. Na kanë dhënë një dhuratë të vyer – një udhëtim emocional përmes ngjyrave dhe motiveve që përfaqësojnë identitetin tonë”, ka thënë Krasniqi më tej.

Ndërsa, profesoresha Tolinda Gojani ka thënë artistët duhet ta interpretojnë artin e tyre edhe përmes trashëgimisë që stërgjyshet i kanë lënë si pasuri shpirtërore, më shumë se sa si pasuri materiale.

“Në ndërkohë po mendoja sa mirë kanë bërë gjyshet tona që i kanë angazhuar edhe burrat për të krijuar arkat, kutitë prej druri, e prej arome molleje që t’i ruajmë si vlera që sot ne po i trashëgojmë. Xhubleta përveç që përfaqëson një pasuri materiale unë e shoh më shumë si një pasuri shpirtërore, sepse aty është derdhur komplet një jetë e tërë, një cikël i jetës së tërë, një psikologji botëkuptimesh të shekujve të shtresuara njëra mbas tjetrës me të gjitha ato peripeci që ato i kanë kaluar. Kemi të bëjmë me figura mitike, kozmike, gjeometrike antromomorfe, zoomorfe, florale të gjitha këto janë pasuri të cilat ne po i trashëgojmë pas qindra vitesh si një pasuri shpirtërore”, ka thënë profesoresha Gojani.

Ndërkaq, artistja Qëndresa Krasniqi ka thënë punimet e saj janë punuar për një kohë shumë të shkurtër me një pasion të jashtëzakonshëm.

“Kam përzgjedhur motivet e xhubletës duke përfshirë, spiralen, shqiponjën gjarprinjtë motive gjeometrike, drejtkëndësha me vijëzime të cilat ka domethënie dhe mesazhin e vet duke përfshirë këtu besimet, statusin e femrës për kulturën, traditën shqiptare. Pres që vizitorët të informohen, të vlerësojnë kulturën traditat vlerat kulturore sepse me të vërtetë është shumë e pasur, ka thënë artistja Kraniqi.

Kurse, artistja tjetër Elvira Shyti-Kasapolli ka thënë se ideja për realizimin e kësaj eskpozite ka ardhur krejt natyrshëm, dhe si e tillë ka filluar të realizohet edhe me hapa konkret.

“Ideja për hapjen e ekspozitës së përbashkët me Qëndresën ka lindur nga një takim krejt i rastësishëm. Kemi parë që i kemi mendimet e përbashkëta, punën e njëjtë dhe fakti që shkojmë shumë mirë njëra me tjetrën. Ideja për ekspozitë ka ardhur në shtator, prej aty kemi filluar që t’i realizojmë idetë tona që i kemi pasur, të cilat na janë kombinuar me njëra tjetrën edhe pse xhubleta është krejtësisht diçka tjetër në krahasim me çilimin, mirëpo që ndërlidhen me njëra-tjetrën sepse të dyjat vijnë nga një periudhë e njejtë”, ka përfunduar artistja.

Ekspozita “Trashëgimia në ngjyrë” do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery. Të gjithë adhuruesit e artit mund ta vizitojnë nga afër dhe t’i blejnë ato./ KultPlus.com

Dialog jo vetëm për letërsinë, Ag Apolloni: E turpshme kë kemi akademikë, shumica s’do ta kalonin as provimin tek unë

Jeta Zymberi

Një person me një kulturë të jashtëzakonshme, si një krijesë e rrallë në shoqërinë tonë. Një shembull i sjelljes dhe qëndrimit.

Ky person që duket të ketë një lidhje të thellë me njohuritë, por nuk i shfaq ato si një lajmëtar me flamur në dorë. Përkundrazi, ai i paraqet ato me një fuqi të qetë, por që shpërthejnë dhe tërheqin vëmendjen.

Për të, komunikimi nuk është thjesht një shkëmbim i fjalëve, por një art i fshehur, ku përdorimi i çdo fjalie dhe shprehjeje është me kujdes dhe i vendosur me qëllim të saktë.

Ag Apolloni, një ndër shkrimtarët më të mirë që sot i ka Kosova, i cili po vazhdon të ndikojë në letërsinë dhe kulturën e vendit me veprat e tij dhe me temat që ngre në publik, nuk ka aftësi vetëm për të prekur zemrat tona përmes shkrimeve të tij, por gjithashtu ai arrin të na përcjellë mendimet e tij të forta dhe të guximshme me shumë elegancë edhe gjatë takimeve fizike, shkruan KultPlus.

Me Ag Apollonin, ditën e djeshme ne udhëtuam nëpër një botë letrare të pasur, në të cilën fjala e bukur përdoret me një thellësi të jashtëzakonshme për të na treguar historinë, politikën, dhe kulturën. Ky shkrimtar na inkurajon të mendohemi më thellë, të reflektojmë mbi botën që na rrethon, dhe të zbulojmë thellësinë në thesarin e fjalëve të tij. Ag Apolloni është një udhëheqës i padiskutueshëm në botën e letrave, një zë i butë për nga toni por i fuqishëm për nga pesha e fjalëve dhe padyshim një frymëzim i vazhdueshëm për lexuesit e tij.

KultPlus Caffe Gallery, një ndër qendrat kulturore më të njohura në Prishtinë, u bë vendi i një ngjarjeje të rrallë ditën e djeshme, ku shkrimtari u takua me lexuesit dhe miq të letërsisë për një bisedë të ngrohtë dhe frymëzuese mbi letërsinë e tij të pasur dhe temat e rëndësishme të historisë së Kosovës që i trajton në krijimtarinë e tij.

Në këtë event të veçantë, shkrimtari fillimisht prezantoi librin e tij të fundit, “Shënime nga shpella” për të vazhduar tutje diskutimin edhe për përfshirjen e luftës dhe për përfshirjen e historisë së grave të dhunuara në krijimtarinë e tij dhe për rolin e tij në kauza të ndryshme, sikurse që është rasti i fundit me gurin e nënës Pashkë. Se si është përgjigjur shkrimtari në pyetjet e moderatores Vlora Merovci, ne do të shpalosim gjithçka dalë e nga dalë, por për diçka mund të ju sigurojmë, ky tekst përmban qëndrime të guximshme dhe njëkohësisht përgjigjet janë të mahnitshme.

Shpella, një reflektim mbi mendësinë shoqërore

Moderatroja Vlora Merovci e nisi këtë dialog me shkrimtarin duke folur për publikimin e fundit të tij, për librin “Shënime nga shpella”, libër që tashmë është në duar të lexuesve.

Apolloni, një shkrimtar i njohur për gjuhën e tij të fuqishme dhe stilin e veçantë, ndau momente të thella dhe emocionuese nga libri i tij i ri.

“Shpella në këtë libër është më shumë gjendje sesa vend. Thjesht ndihesh si në shpellë, pra është një gjendje emocionale, një gjendje parake që e trashëgon njeriu gjithmonë. Pra, ne mund të evoluojmë, transformohemi vazhdimisht, po i kemi ato instinktet e para që na udhëheqin, që na dominojnë në jetë, prej njeriut të parë e deri te njeriu i fundit, me ndonjëherë janë disa emocione, disa ndjenja që nuk ndryshojnë dhe janë ndjenja të shpellës që ne i trashëgojmë. Njeriu ndryshon shumë, por ka diçka që gjithmonë mbetet e njëjtë dhe ajo është pjesa emocionale. Mendoj se njeriu, kur të bahet robot më, s’do të jetë interesant”, shprehet Apolloni teksa jep një mendim rreth shoqërisë kosovare, nëse kjo shoqëri ka “mendësi shpellare” apo jo.

Shkrimtari shprehet se shoqëria shqiptare shpesh manifeston këtë “mendësi shpellare” në situata të ndryshme, përfshirë grindjet në parlament, duke e krahasuar atë me pamjen e majmunëve në politikë. Ky krahasim është thelbësor për t’i dhënë lexuesit një perceptim më të thellë të mendësisë shoqërore dhe politike.

Apolloni përmend edhe dy shpella të famshme në historinë filozofike, shpellën e Heraklitit dhe alegorinë e shpellës së Platonit. Shpella e Heraklitit tregon një refuzim ndaj sistemeve politike të kohës dhe përballet me barazinë e idiotëve dhe gjeniut. Në anën tjetër, alegoria e shpellës së Platonit pasqyron një realitet të ideve dhe një botë tjetër, duke e vendosur në kontekstin e filozofisë së Platonit. Apolloni shprehet se këto elemente janë prezente edhe në librin e tij, ndonëse ai e trajton atë si një revoltë politike.

Shkrimtari flet edhe për vështirësinë që lexuesit mund të hasin në leximin e librit të tij. Ai shprehet që ky nuk është një libër për t’u lexuar pa pasur siklet. Ai veçon një cikël që trajton temën e incestit, një temë që shpesh shihet si tabu në shoqëri. Përmes këtij cikli, Apolloni synon të provokojë debatin dhe reagimet e shoqërisë ndaj një teme të tillë.

“Kudo që ta lexoni këtë libër do të jeni në siklet. Nuk është libër që e merrni në plazh dhe do të ndiheni mirë, ose në shtëpi e lexoni në rehati, gjithmonë ka diçka që duhet fshehë. Për disa prej temave, motiveve që janë këtu, është vështirë të diskutohet. Po, janë gjëra që kanë ndodhë nëpër histori dhe unë i jap në formën e një evidence poetike që është njëkohësisht një sfidë për lexuesit. Unë thjesht e hedh një temë që s’e kemi trajtuar asnjëherë, por në letërsi duhet të preket çdo temë, kështu që është pak e sikletshme si temë, por duhet lexuar dhe duhet diskutuar për të”, thotë Apolloni.

Po, gjithashtu shkrimtari ka treguar se ky libër përmban edhe disa poezi të cilat kur t’i lexojnë, disa do të turpërohen dhe disa do të djersiten.

“Mendoj që ata që janë militantë politikë do ta urrejnë këtë libër sidomos poezinë e parë që është “Herezia e Heraklitit”, se duket sikur flet kundër politikanëve, kundër disave, tash e gjeni vetë se kush janë”, tha shkrimtari i cili pas këtij momenti e lexoi për të pranishmit një poezi nga ky libër.

Kësulëkuqja dhe origjina e përrallës – Një roman në një shoqëri ku tema e përdhunimit nuk diskutohet hapur

Në vijim të diskutimit me shkrimtarin Apolloni, u shqyrtuan disa aspekte të librit të tij “Kësulëkuqja,” një roman që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve ende pa u botuar, kjo ndoshta për titullin që mbart: Kësulëkuqja, përrallë për të rritur.

Ky libër trajton temën e përdhunimit në një mënyrë shumë të ndjeshme dhe të thellë.

Autori tregon për rrugën e librit drejt një publiku më të gjerë dhe shpjegon se historia e tij është e lidhur ngushtë me historinë e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ndërthur këto histori me një përrallë të njohur, Kësulëkuqen, përrallë e cila ka origjinën të lidhur me përdhunimin.

“Është interesante se ne si shoqëri jemi shumë të heshtur, të mbyllur dhe nuk flasim për këto tema. Ishte e pamundur të bëhej një roman vetëm me historinë e Martës (gruaja e parë kosovare që ka folur hapur për dhunimin seksual nga forcat serbe). Dhe mandej zgjodha disa raste dhe bëra një përzgjedhje se cila ishte histori më tronditëse se tjetra, dhe të gjitha këto i lidha me përrallen më të njohur, atë të Kësulëkuqes, origjina e së cilës është te përdhunimi, të një vajze të mitur e përdhunuar dhe unë këtë informacion e kisha marrë nga një studiuese me prejardhje hungareze, Maria Tatar, e cila ka studiuar përrallat dhe të gjitha versionet e Kësulëkuqes, origjinë e vërtetë e përrallës është Franca dhe periudha është e mesjetës, pra një histori e përdhunimit që gradualisht nis të tregohet fillimisht nëpër taverna duke u argëtuar burrat e mesjetës me një histori se si filani ka përdhunuar një vajzë. Tutje kjo histori bartet edhe nëpër shtëpia dhe kur bartet nëpër shtëpia për shkak që ka edhe fëmijë i hiqen këto elemente, po e quajmë të turpshme dhe krejt çka mbetet nga ajo pjesa erotike ose seksuale e Kësulëkuqes është kësula e kuqe, ngjyra e kuqe. Ky është edhe përfundimi në të cilin vjen Maria Tatar dhe mua m’u duk interesante kjo histori, u interesova edhe vetë. I lexova të gjitha variantet e Kësulëkuqes, e bëra analiza edhe në aspektin psikanalitik dhe doli një histori, domethënë një përrallë që ka qenë shumë argëtuese, doli një përrallë tmerruese dhe është e çuditshme se si ajo përrallë i tregohet fëmijëve. Sot mund t’u tregohet, por kur dihet origjina, pra është pak e sikletshme”, thotë Apolloni.

Apolloni thekson se shkrimi i tij për temën e përdhunimit është një mënyrë për të kontribuar në zërin e grave të dhunuara dhe që ky zë duhet të dëgjohet edhe më gjerë, jo vetëm në Kosovë. Ai ka arritur të përkthejë librin në disa gjuhë të tjera, duke e bërë këtë temë të njohur ndërkombëtarisht.

Apolloni gjithashtu pohon se historia e një gruaje që ka vuajtur përdhunimin është një temë e vështirë për të folur, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të huajt. Ai shpjegon se ka sfiduar një pyetje të tillë në Hagë, ku e kishin pyetur se si kishte shkruar një roman për një temë të tillë në një shoqëri ku tema e përdhunimit nuk diskutohet hapur.

“Kjo nuk është një temë e këndshme as për ju në Holandë. Nuk mblidheni në familje dhe hajde ta diskutojmë se si ma përdhunuan vajzën edhe po qeshim me këtë temë. Pra, është temë e rëndë edhe për holandezin, edhe për shqiptarët. Kjo tregon një torturë mbi një qenie njerëzore. Pra, nuk është vetëm për shkak të mentalitetit po e quajmë patriarkal shqiptar, ose për shkak të Kanunit, se të huajt na njohim më shumë nëpërmjet Kanunit dhe ne më së paku e njohim Kanunin. Po është pra diçka që të sfidon si temë dhe kërkon reflektim për të. Pra, kur flasim për përdhunimin, zakonisht ne nuk kemi një formulë si ta mbyllim këtë diskutim ose si ta zgjidhim problemin, po krejt çka kërkojmë është të bashkëndiejmë me atë që e ka pësuar përdhunimi”, tregon Agu.

Libri i Apollonit, “Kësulëkuqja” ka fituar çmim në Shqipëri, sikurse është  vlerësuar me Cmimin Evropian për Letërsi, por ka hasur vështirësi në marrjen e një çmimi në Kosovë. Shkrimtari pohon se vlerësimet mund të jenë subjektive dhe të ndikohen nga faktorë të ndryshëm, përfshirë opinionin e anëtarëve të jurisë. Megjithatë, ai nuk është i shqetësuar për këtë fakt dhe thotë se për të është mjaft e rëndësishme që libri i tij është duke e frymëzuar bisedën rreth temave të rëndësishme dhe të ndjeshme në shoqërinë kosovare dhe më gjerë.

“Një fije shprese, një fije shkrepse” në Hagë, romani që në vete është një denoncim

Në vazhdim të bisedës me shkrimtarin Ag Apolloni u diskutua për librin e tij “Një fije shprese, një fije shkrepse” libër ky që përcjellë dy histori të rëndësishme të popullit tonë, atë të Ferdonije Qerkezit dhe Nënës Pashkë.

Apolloni flet më konkretisht edhe për promovimin e këtij librit në Hagë, promovimi i cili u realizua falë punës se përkthyesit.

“Përkthyesi holandez ishte insistues që të promovohet ky libër ditën e pavarësisë dhe pikërisht në Hagë, jo në Amsterdam apo në Utreht apo ndoshta në këto vende i njihja dhe Haga më tmerronte si emër. Po, aty mandej u bë edhe një diskutim shumë i mirë, se për pjesën që lidhet me këtë efektin e Hagës është meritor përkthyesi. Ai e dinte që në Hagë po i dërgojnë zakonisht ata që po akuzohen për krime lufte ose thjesht po verifikohen nëse kanë bërë krime lufte dhe mua më ftoj si denoncues, jo si kriminel. Dhe unë nuk denoncova diçka, përveçse promovova romanin, që romani në vete është një denoncim”, thotë Apolloni,

Përderisa studiuesja e njohur holandeze, Mieke Bal ka insistuar që ky roman të kthehet në film.

“Për këtë nuk e di, por e di që Kësulëkuqja do të bëhet film, shpresoj që vitin tjetër, sepse unë po e bëj skenarin dhe këtë e di”.

Guri i Nënës Pashkë s’ka vlerë jashtë vendit ku ajo ka djegë vetën. Serbia po synon me marrë një pjesë të mirë të Kosovës nëpërmjet asociacionit, kurse shteti s’po mundet me marrë katër metra katrorë të livadhit të Hasanit.

Guri i Nënës Pashkë, gjithashtu zuri vend në diskutim, pasi reagimet e shkrimtarit bënë që edhe Qeveria të lëvizë gurët për këtë çështje. Shkrimtari tregoi se largimi i Gurit të Nënës Pashkë nga vendi ku ka ndodhur ngjarja është diçka absurde.

“Ishte krejt e natyrshme që unë të reagoj se më dukej absurde. Si mundet një shqiptar me lëvizë një gur, një dëshmi të atillë. Po e pashë që pas reagimit tim u aktivizua edhe ministria duke e futur në listën e trashëgimisë kulturore, në rregull është, por ende nuk është përmbushur e gjitha. Patjetër se guri mund ta merret në mbrojtje, por guri s’ka vlerë jashtë vendit ku ajo ka djegë vetëm.”

Ndërsa nëse ka shpresë që ky guri të kthehet në vendin e vet, Apolloni përgjigjet: Duke njohur shqiptarët sa krye fortë janë, nuk kam shumë shpresë. Megjithëse shteti do duhej të tregohej më insistues dhe t’i tregonte dhëmbët në këto raste, që një individ s’mund ta sfidojë një shtet dhe një histori ose një tragjedi të një shteti. Ai gurë është vendosë në një cep të një are dhe ai cep i arës as nuk mbillet, po nuk punohet, nuk e di çka i duhet atij pronarit, shteti duhet t’ia blejë ndoshta me dyfishin e vlerës. E di që ka qenë një arsyetim fetar që ai e heq gurin dhe kam pritur një reagim nga komuniteti mysliman që të distancohen prej atij do të ishte e natyrshme, po duket se s’e kanë plan të distancohen, pra mendojnë si ai dhe ky gur mund të jetë një fillim i një përçarje të madhe mes qytetarëve të Kosovës, sepse këtu është menduar që ka bashkëjetesë mes myslimanëve dhe katolikëve, po përderisa ai e heq një gur me peshë të tillë emocionale dhe nuk pyet për askënd, mendoj se i ka hapë rrugë kësaj përçarje. Serbia po synon me marrë një pjesë të mirë të Kosovës nëpërmjet asociacionit, kurse shteti s’po mundet me marrë katër metra katrorë të livadhit të Hasanit. Dhe unë po të isha mysliman, do të më vinte turp të deklarohesha mysliman, e unë jam njeri kulturor, domethënë jo fetar, prandaj po them se s’jam mysliman.

E turpshme se kë kemi akademikë, akademikë me poena politikë, mjerim!

Kur jemi te reagimet, profesori na foli më konkretisht edhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku sipas tij është e turpshme se kë kemi akademikë.

“Akademia është institucion i rëndësishëm, patjetër, edhe do duhej me i pas njerëzit më të zgjedhur aty, por ne i kemi zgjedhur më të papërgatiturit, përveç dy-tre rasteve, dhe i kemi dërguar në Akademi, kemi thënë se këta janë akademikët tanë. Është e turpshme kë kemi akademikë, mua më vjen turp, sepse shumicën prej tyre i kam lexuar dhe ata s’do ta kalonin as provimin tek unë. Ky rast është pak a shumë si ai që ka ndodhur me Akademinë e Athinës, gjatë shekullit njëzet, kur anëtarësoheshin në Akademi vetëm ata që kishin libreza të partisë. I njëjti rast ndodhë edhe këtu. Njerëzit më të mirë nuk i keni në Akademi dhe nuk po shoh asnjë shenjë që ka nis të ndryshojë diçka. Nuk ka asnjë element që ka nis të verifikohet se si janë pranuar njerëzit. E të gjithë kanë hy me poena politike. Jo me punime, jo me vepra, jo me prestigjin, me autoritetin shkencor ose letrar artistik. Mjafton të verifikohet kjo dhe pastaj mund të bëhet një Akademi normale. Po derisa është ashtu, mendoj se asnjë njeri normal nuk ka qejf me qenë pjesë e Akademisë. Jo me shku me u ba si ata. Mjerim!”

“Kësulkuqja” do të bëhet film, Apolloni: Është një projekt që unë shpresoj shumë

Krejt në fund të kësaj ngjarje, shkrimtari Ag Apolloni foli pak edhe për skenarët që ka shkruar ndër vite dhe atë të cilin e ka në duar për momentin.

“Kam shkruar disa skenarë. Tani jam në përgatitje të skenarit për “Kësulëkuqen”. Po fillimisht po e bëj skenarin dhe të shohim, ndërkohë do të aplikojmë edhe në Qendrën Kinematografike këtu dhe në Tiranë të gjejmë një mbështetje. Dhe do të jetë një film mes teatrit dhe kinemasë. Është një film që do t’i bëjë jehonë edhe teatrit antik. Është një projekt ku unë shpresoj shumë.”

Por jo vetëm skenarë, Agu është duke shkruar edhe një novelë e cila pritet të dal nga mesi i vitit tjetër.

Ky event tregoi se letërsia ka fuqi të madhe për të ndikuar në ndërgjegjen shoqërore dhe për të kujtuar ngjarje të rëndësishme të të kaluarës, duke e bërë Ag Apollonin një autor të rëndësishëm dhe frymëzues në skenën kulturore të Kosovës.

Biseda u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe të lirë, duke lejuar audiencën të bashkëbisedonte me autorin dhe të bënte pyetje dhe komente mbi temat që u trajtuan. / KultPlus.com

Armend Zeqiri dhe Florist Bajgora me “Par Fumé” rikthejnë fuqishëm artin e poezisë feministe

Era Berisha

Një mbrëmje poetike nën emërtimin “Par Fumé” ka qenë kryevepra mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, organizuar nga aktorët Armend Zeqiri dhe Florist Bajgora. Poezi të përzgjedhura nga autore gra, për gratë, kanë jehuar nëpër katër muret e hapësirës me ç’rast të pranishmit kanë përjetuar një karusel emocionesh, shkruan KultPlus.

Poezi nga Xhejlane Tërbunja, Eli Krasniqi, Nora Prekazi, Alda Merini, Lia Brunetti dhe Maya Angelou janë interpretuar në mënyrë të mahnitshme jo vetëm nga organizatorët por edhe nga të pranishmit. Ka qenë një mbrëmje jo e zakonshme dhe kjo e gjitha nga ideja për të zhvilluar diçka ndryshe, diçka që publiku nuk ka pasur rastin për ta përjetuar më parë.

Fillimisht, aktori Florist Bajgora ka hapur mbrëmjen duke thënë se kjo ngjarje, ka qenë shumë e dashur për të.

“Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen. Ky event për neve është shumë i dashur dhe në fakt kemi menduar që ka qenë lehtë por ka qenë edhe një sfidë me vete. Shpresojmë që edhe në fund të kësaj mbrëmjeje, ka me qenë një event shumë i afërt për ju, njëjtë sikur për neve. Fjalët tingëllojnë shumë të mëdha por kur kemi filluar ta krijojmë këtë projekt, na ka ndërruar edhe neve koncepti se çka mendojmë ne se çka është feminizmi. Me të vërtetë kemi menduar që kemi qenë shumë të përgatitur por sa më shumë që lexon, e sheh që të duhet ende akoma më shumë. Kur kemi filluar të lexojmë poezi, asgjë që kemi lexuar nuk ka qenë diçka metafizike apo e komplikuar por thjesht ka qenë thirrje e gjyshes, nënës, motrës, shoqes, e gruas që e takojmë çdo ditë. Kjo na ka lënë pa fjalë dhe sot para jush qëndrojmë me mendje hapur, pa mendim, pa përjetim dhe po ju ftojmë për të hapur një vend për të dëgjuar zërat e autoreve gra të periudhave dhe vendeve të ndryshme”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktori Armend Zeqiri i ka treguar të pranishmëve që edhe ata do të jenë pjesë e mbrëmjes, me ç’rast vetë publiku do të interpretoj poezi.

“Po shpresojmë që prej disa prej jush, pse jo edhe të gjithë, të përjetoni diçka që nuk e keni pasur në plan për të përjetuar sonte. Ne vijmë nga fusha e aktrimit dhe kemi thënë që nëse në një moment na tradhton ideja nga emocioni i tepërt, çështja nuk është fare tek emocioni. Pavarësisht gjithë analizave, vjen në një pikë në të cilën thua se kjo qenka diçka e re, tjetër, dhe të cilën duhet hulumtuar e punuar për të. Sonte, ju nuk do të dëgjoni poezi, por do të jeni ju ata që do të lexoni vetë këto poezi”, ka thënë ai.

Sipas organizatorëve, “Par Fumé” është tymi i një qiriu të fikur të cilit i duhet një shkëndije e vogël për ta kthyer tymin në flakë. “Par Fumé” është tentativë për të treguar shumë dhe nga kjo shumë të na kthejë në nivelin zero të njohurive duke hapur horizont të panjohur dhe duke parë që ajo që ne shohim e dimë është asgjë. “Par Fumé” është ekspozitë fjalësh të shkruara nga boja e dhimbjes, nga maja e vuajtjes në trupin e adhuruar e shumë të vlerësuar për aq sa trupi nuk është një letër e hedhur në kosh plehrash. “Par Fumé” është aroma që do u mbajë gjatë, edhe kur të zhvishni kostumin e intelektit dhe të hiqni grimin e patriarkut. “Par Fumé” do jetë aty kur trupi, mendja e zemra juaj do jetë e lodhur e shpirti do te marrë formë. “Par Fumé” është thirrja për të bërë diçka më shumë se leximi i një poezie.

Të pranishmit tashmë pjesë e “Par Fumé”, kanë pasur një numër të caktuar në dorë që paraprakisht është shpërndarë nga aktori Armend Zeqiri. Një vazo që ka mbajtur numra të llojllojshme ka qenë përcaktuesja e atyre personave që kanë dal për të interpretuar poezi para publikut. Mes buzëqeshjeve, fotografive, videove e të qeshurave, mbrëmja i ka përthekuar të gjithë brenda ndjenjës së pakrahasueshme të poezisë. Poezia, mbretëresha e arteve, gjithmonë në ashtin e saj posedon një magji që rrallëherë përjetohet nga ndonjë degëz tjetër arti, dhe kjo është dëshmuar mbrëmë, me rastin e poezive si “Nanë ma gjej një njeri të lumtur”, “E kam msu veten me ik prej dhimtes”, “Po të ishte Zoti feminist”, “Teksti i himnit të shtetit të Kosovës”, “Akt”, “Unë ngrihem”, “Ka gra”, “Grua lëviz” e shumë të tjera.

Një strehë e artdashësve ka qenë mbrëmë KultPlus Caffe Gallery, andaj kjo mbrëmje ka dalë përtej imagjinatës së mundshme. Nën muzikën e veçantë nga Agnes, mbrëmja përgjatë një ore ka udhëtuar nëpër një vije që dukshëm ka luhatur në nivele diversive. Duke filluar nga këndi i këndshëm, dritat e ngrohta përreth dhe audioja e përsosur, “Par Fumé” ka dëshmuar që organizime të tilla vijnë më ëmbëlsisht kur të pranishmit bëhen edhe shpirtërisht pjesë e tyre.

Krejt në fund, aktori Armend Zeqiri është ndalur tek ideja se si një njeri dukshëm ka ndikimet e veta në jetën e tij, dhe sipas tij, këto kryesisht vijnë nga gratë e familjes.

“Nëse ndalem dhe analizoj ndikimin e gjitha grave në jetën time, patjetër që fillimisht ka me më ra në mend për gratë e familjes. Për secilin njeri krijohet një ‘folder’ dhe aty ruhen ato ndikimet që munden me i pas nga ato gra. Nëse e nisi në këtë formë, atëherë prej grave të familjes do të flas për hallat, motrat, për vajzat e tyre, dhe nga to kam mësuar që dashuria është e shenjtë dhe çka do që mundet me dal përpara, duhet luftuar sepse në fund të ditës, ti ke me arrit deri tek qëllimi yt. Nëse flasim për anën e familjes së nënës, atëherë aty kam mësuar se si duhet menaxhuar një situatë më mirë, si duhet kontrolluar e mbajtur harmonia brenda familjes. Pastaj kemi edhe ndikimet e shoqërisë dhe shembujt e ndryshme të jetë së tyre që dëshmojnë për një fuqi të paparë. Tutje kemi edhe njerëzit që punon me ta dhe unë kam pasur fatin të punoj me Vjosa Berishën, Zana Hoxha, Xheraldina Vula, të cilat janë shembull i punës dhe tregojnë që me ngulm arrihet gjithçka”, thotë Zeqiri.

Sipas tij, kur ata kanë filluar këtë nismë, është menduar që në fund të natës, publiku të jetë ai që do të bënte një pagesë e cila do të shkonte direkt për botimin e një libri me poezie të një autoreje.

“Me Floristin kemi arritur deri në një pikë ku sonte nuk kemi nevojë për ndihmën e juaj, pasi që jemi duke punuar dhe besojmë që shumë shpejt do të vijmë me një mbrëmje tjetër, pra me një libër të botuar me poezi prej një gruaje. Së bashku do t’i lexojmë poezitë e saj. Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj”, përfundon ai.

Ndërkaq, aktori Florist Bajgora ka përmbyllur këtë natë duke shtruar pyetjen se cila është ajo grua që ka bërë një ndryshim, sado të vogël, në jetën tonë.

“Pata dëshirë që të tregoj pse kemi menduar që së bashku me Armendin, ne të gjithë t’i lexojmë poezitë së bashku. Kur mendon diçka të duket se po i din gjërat, dhe kur fillon, e sheh se nuk i din me të vërtetë të gjitha gjërat dhe ne jemi ndjerë me të vërtetë në atë pikën zero që e përmendëm në fillim. Ne kemi lexuar shumë poezi dhe e kemi parë në fakt se sa pak kemi lexuar. Andaj, dëshironim që edhe ju të përjetoni këtë natë, ashtu si ne e përjetuam. Unë dua të ju pyes juve cila është gruaja që ka bërë një ndryshim sado të vogël, në jetën e juaj”, përfundon Bajgora.

Ky aktivitet organizohet në kuadër të Fondit për Art Feminist të Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Fiona Llapashtica, këngëtarja e re që dhuroi emocione të mëdha me koncertin e saj të parë në KultPlus Caffe Gallery

Era Berisha

Mbrëmja muzikore e së mërkurës në KultPlus Caffe Gallery ka pritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të dëgjuar e admiruar zërin e pastër si kristal të artistes Fiona Llapashtica. Nëpër vazhdën e zhanrit pop dhe xhaz, kjo mbrëmje dëshmoi se zërat shqiptarë janë ndër më të bukurit ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit veçse kishte kapluar hapësirën brenda katër mureve dhe akoma pa filluar zyrtarisht mbrëmja, ishin fotografitë, bisedat mes miqsh dhe buzëqeshjet e shumta ato që gjetën vendin e tyre. Në ndërkohë, derisa aspektet teknike arritën perfeksionimin e tyre, ishin fotografitë e Arton Sefës të vendosura në muret e KultPlus Caffe Gallery, ato që i kanë bërë shoqëri secilit.

Mirësia, mirëkuptimi e pasioni ishin tri ndjenjat që fuqishëm u ndjenin në hapësirë përgjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi i Fionës për të kënduar e për të shpalosur talentin e saj, veçse ishte tejet prezentë. E njashtu ishte edhe dëshira për të dëgjuar zërin e saj të ëmbël e njëkohësisht të fuqishëm.

Pas kësaj pritjeje të lezetshme, babai i Fionës, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.

“Kam kënaqësinë dhe nderin për të falënderuar vajzën time, Fiona e cila sonte sjell këngë xhaz. Fiona jeton në Vjenë por këtu jemi me pushime dhe përgjatë këtij pushimi ajo ka pasur qejf që të performojë për neve dhe andaj besoj që do të kënaqemi shumë bashkë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ishte vetë këngëtarja Fiona Llapashtica ajo e cila para se të nis koncertin e saj, ka përshëndetur audiencën.

“Përshëndetje të gjithëve. Është shumë mirë që ju shoh sonte këtu. Këngët që do t’i këndoj sot do të jenë një përzierje e pop-it dhe xhazit dhe shpresoj që të gjithë do t’i shijoni. Kënga ime e parë që do të doja të këndoja për ju është “Love on the Brain” nga Rihanna. Kënga është bazuar në një djalë që e do vajzën me shumë butësi. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”, ka thënë ajo.

Përgjatë kësaj mbrëmjeje, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Fiona i ka përzgjedhur vetë e të cilat ajo i mban afër zemrës. Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë: “Bang Bang” nga Nancy Sinatra, “Whatever Lola Wants” nga Jerry Ross, “Pretty Lies” dhe “Wild Woman” nga Mimoza Hajdini, “Gimme! Gimme! Gimme!” nga ABBA si dhe shumë të tjera.

Duke filluar me dy këngë nga Rihanna e deri tek këngët që i përkasin zhanrit xhaz, Fiona ka ngjallë emocione të mëdha në publik. Ishin duartrokitjet, brohoritjet dhe thirrjet e shumta që nata të mos mbarojë, ato të cilat kanë dëshmuar për një koncert të suksesshëm dhe një mbrëmje që do të kujtohet për shumë gjatë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një mbrëmjeje të tillë, për KultPlus ka folur këngëtarja Fiona Llapashtica.

“Unë po ndjena shumë mirë dhe jam shumë e lumtur sepse e kam përfunduar tashmë koncertin e parë timin. Në fakt, kam marrë pjesë nëpër ngjarje të ndryshme muzikore, por kjo sonte ishte i pari që më përket vetëm mua dhe është veç i imi. Unë këndoj më së shumti këngë klasike mirëpo për këtë koncert kam përzgjedhur këngë xhaz dhe pop, ato të cilat në fakt i kam dëgjuar më së shpeshti. Energjia dhe atmosfera që u krijua sonte më pëlqeu shumë e unë kënaqesha kur njerëzve u pëlqenin këngët. Nëse më mundësohet të performoj përsëri, atëherë unë do të vazhdoja me gjithë dëshirë këtë rrugëtim”, thotë Llapashtica.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium. / KultPlus.com

Nga Vjena në Kosovë, Fiona Llapashtica vjen me performancë në KultPlus Caffe Gallery

Fiona Llapashtica nesër vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.

Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.

Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com

Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

Çmimi i parë i konkursit poetik ‘KultStrofa’ i ndahet Gentiana Bajrami Atashit

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.

Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe morri përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus e që konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të katërt u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra, shkruan KultPlus.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani.

“Unë me shumë kënaqësi e pranova ftesën që të jam edhe pjesë e jurisë bashkë me profesorin Sali Bashota dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, të cilët i kanë vlerësuar këto poezi”, thotë Selmani.

Sipas tij, ky edicion i ka mbledh gjithsej 93 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Në edicionin e parë e kemi pasur fitues Ragip Sylën, në të dytin e kemi pasur Arjola Zadrimën dhe në të tretin, fitues ishte Merita Bërdica”, thotë ai.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit jurisë për përkushtimin që gjatë këtyre ditëve e kanë dhënë për këto poezi, teksa unë i ndiqja vlerësimet e juaja. Faleminderit krejt poetëve që kanë aplikuar në edicionin e katërt nga të gjitha anët e botës. Edicioni sivjet që po e shënon të katërtin na ka munguar vjet për shkak të pandemisë e që ka ndikuar edhe tek ne. Por, në fakt energjinë e kemi mbledhur sivjet edhe pse përsëri në kushte pandemike. Jam shumë e lumtur që edhe në dhjetëshen e sivjetshme finaliste, kemi emra shumë të mirë por mbi të gjitha poezi të cilat lexuesit e KultPlus-it ende nuk kanë pasur rastin me i pa e që do ti shohin në ditët në vazhdim”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, së bashku me ekipin e KultPlus-it, ajo është duke u munduar që të dhurojë maksimunin që gazeta të shndërrohet në opozitën e të gjitha atyre antivlerave që po ndodhin në Kosovë edhe pse kjo nuk konsiderohet fare e lehtë.

“Ky është vetëm edicioni i katërt e së bashku kemi shumë rrugë për të bërë”, përfundon Pajaziti.

Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Sali Bashota, e konsideroi punën e KultPlus një punë me plot përkushtim e angazhim të plotë.

“Ne kemi qenë të nderuar që jemi marrë me vlerësimin e punimeve tuaja që keni konkuruar në edicionin e katërt të “KultStrof-ës”, tek një gazetë i cili me punën e përkushtimin e kryeredaktores Ardianë Pajaziti dhe ekipit të saj, është shembull i angazhimit, përkushtimit e vlerësimit të krijuesve por edhe të institucioneve kulturore sepse kjo hapësirë pothuajse që dy vjet e më shumë është ndoshta vendi ku edhe frymëzohen poetët për shkak se shohin një punë të vyer të Ardianës e një punë të vyer e të mrekullueshme të ekipit të saj”, thotë Bashota.

Sipas tij, të vlerësosh poezinë është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë për atë që mendohet të dhurohet një vlerësim sa më objektiv me argumente e fakte që në një mënyrë, kjo konkurrencë e madhe të vlerësohet sa më mirë.

“Poezia është së pari përjetim, pra emocion edhe te vlerësuesi e jo vetëm tek ai që shkruan. Madje, Borgesi ka thënë se i vetmi zhanër që nuk shpjegohet është poezia. Ajo vetëm përjetohet. Andaj, temat, idetë, stilet, motivet, preokupimet, figuracioni dhe elementet tjera përbërëse të poetikës së poezisë janë shqyrtuar nëpërmjet aktit të komunikimit midis jurisë”, përfundon Bashota.

Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, profesoresha Nerimane Kamberi, tregoi se përzgjedhja nuk ishte e bazuar në asnjë lloj elementi tjetër, përveç të bukurës e emocionit.

“Sigurisht që nuk ka më bukur se këto kohë festash që të festojmë me poezi. U tha nga fillimi që jemi profesorë, por me një modesti të vogël, do të thosha se ne jemi edhe poetë. Të vlerësosh është shumë e vështirë sepse në një anë e xhelozon pse nuk dita unë të shkruaj ashtu kurse në anën tjetër ke frikë se e lëndon por fundja ne këtu nuk kemi shiku as nga vjen, as nga gjinia, as nga përkatësia fetare, as nga orientimet seksuale. Këtu vetëm e kemi shiku të bukurën. Fjalën e bukur dhe atë që na ka zgjuar emocione”, thotë Kamberi.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i katërt i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi forcën hyjnore të poezisë që fjalë pas fjale, varg pas vargu, bënë bashkë ndjenjat nga më të ndryshmet dhe ato i shndërron në një ylber emocionesh që vrullshëm derdhet në shpirtrat e të pranishmëve e fuqishëm mbizotëron në brendësinë e trupave tanë, për të kapluar kështu çdo qelizë, muskul, venë e arterie tonën.

Para të pranishmëve, poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Sali Bashota (kryetar i jurisë), profesoreshës Nerimane Kamberit dhe shkrimtarit Arbër Selmani: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaça, Redon Elshani, Shazim Mehmeti dhe Valentina Broja, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në dialektin gegë e toskë e po ashtu duke sjell fjalë të vjetra e të ruajtura shqiptare.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Zbresim shkallëve” nga Afrim Demiri, “Kur njeriu vdes” nga Redon Elshani, “Lama e Pejës” nga Gentiana Bajrami Atashi, “Marrja e shpisë” nga Agon Rexhepi dhe “Mikes” nga Bekim Shala.

Në mungesën fizike të pesë autorëve të tjerë finalistë, redaktorja e KultPlus, Jeta Zymberi lexoi poezinë “Grahme” të Valentina Brojës, gazetarja Era Berisha lexoi poezinë pa titull të Liridon Mulajt, gazetari Uranik Emini lexoi poezinë “Ne” të Flamur Dardeshit si dhe studentja e letërsisë, Edlira Musliu lexoi poezitë: “Faleminderit” të Shazim Mehmetit dhe “Liria” të Nikas Kaçes.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Afrim Demiri, Bekim Shala, Redon Elshani, Valentina Broja, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca dhe Shazim Mehmeti.

Agon Rexhepi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Marrja e shpisë”, ndërsa Flamur Dardeshi u radhit i dyti me poezinë “Ne”.

Autorja Gentiana Bajrami Atashi, fitoi vendin e parë në edicionin e katërt të këtij konkursi me poezinë “Lama e Pejës”.

“Së pari dua ta ndaj një sekret të vogël me ju. Pas një dekade që merrem me poezi, është hera e parë që e hapa sirtatin e letrave dhe vendosa që të marr guximin që ta dërgoj në email-in e juaj duke mos i treguar askujt. Sonte jam vërtetë e emocionuar sepse poezia ime u vlerësua e u zgjodh e para. E pikërisht këtë çmim ia dedikoi motivit të poezisë sime, babait tim, që falë tij jam kjo që jam dhe jam ktu ku jam sot”, tha Atashi pasi pranoi çmimin.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës.

“Asgjë nuk mund të bëjmë vetë. Gjithçka që e bëjmë e çdo organizim që zhvillohet, e kemi dikë në krah e në fakt asnjërin nga ekipin tonë nuk mund ta ndajë sepse të gjithë janë një shtyllë e fortë e imja. Por, këtë vit, këtë çmim vendosa t’ia ndaj një personi që e kam krah të djathtë, Liridona Spahiut”, thotë Pajaziti.

Kurse, përgjegjësja e marrëdhënieve me publikun, Liridona Spahiu, është shprehur tejet e lumtur që është pjesë e një ekipi të tillë.

“Jam shumë e nderuar që punoj në një redaksi siç është KultPlus, e jam shumë me fat që jam afër juve ku momentet më të mira të jetës i kemi ndarë së bashku. Unë jam shumë e befasuar sonte, e në të njejtën kohë edhe shumë falënderuese”, tha Spahiu.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast e meloditë muzikore që vinin nga këngëtari Endrit Rexhepi si dhe vogëlushja Anna Krasniqi, të cilët ëmbëlsisht sollën melodi shqipe dhe jo vetëm. Një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi, shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Përkujtohet poeti Azem Shkreli, Demaku: Nuk ka magji që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se vargjet e tij

Era Berisha

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, u përkujtua figura e poetit e kritikut letrar shqiptar, Azem Shkreli, i cili erdhi për publikun në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës, siç është projekti “Ora e Shkrimtarit 2”. Ndërkaq, për të nderuar këtë figurë të madhe të krijimtarisë shqipe, të ftuar në panel ishin ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu, poetja Naime Beqiraj, nën udhëheqjen e shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berishës, të cilët me analizat e kujtimet personale të tyre, shpalosën figurën e paharrueshme të një shkrimtari të mirënjohur siç është Azem Shkreli, shkruan KultPlus.

Për Shkrelin, i cili dikur ishte kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit, diskutimin e nisi moderatori Ibrahim Berisha i cili fillimisht foli për jetën e autorit e më pas edhe për nderin e krenarinë që ky shkrimtar ia dhuron shqiptarëve.

“Zgjedhja e Azemit si një nga personalitetet më të njohura të letërsisë shqipe dhe më të angazhuar në proceset kulturore dhe artistike në Kosovë, na nderon dhe na obligon që përherë të kemi në vëmendje Azemin. Ai gjithmonë ka lënë shenja të dallueshme në krijimtarinë e tij e veçmas edhe në kulturën e filmit ”, thotë Berisha.

Sipas tij, Azemi ka qenë shumë i lidhur me Kosovë, Rugovën dhe botën shqiptare në përgjithësi.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e krijimtarisë së Shkrelit, foli ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, Avni Spahiu.

“Adhuruesit e Azem Shkrelit, në gjurmimin e kujtimeve për të, patjetër do ta kujtojnë si një poet që kërkonte lirinë e popullit të vet, rebelueshëm në jetë dhe në letërsi. E kam njohur Azem Shkrelin për shumë vite dhe në dekadën e nëntëdhjetë të shekullit njëzet kemi kaluar momente të shumta së bashku të rënduar me ndjenjën e persekutimit dhe të pasigurisë të kohës së dramës së madhe të Kosovës. Azem Shkreli shprehte poezinë e tij të angazhuar dhe thellësisht personale që zinte fill që nga fëmijëria e tij e hershme dhe vetmitare”, thotë Spahiu.

Sipas tij, poezitë e tij të fundit dukeshin shumë profetike, parë në dritën e perspektivës nga e sotmja, poezitë që lartësonin Kosovën, ankthin e poetit kundruall atdheut të shkelur, ndërkohë që Shkreli vetë i ngjante një metafore të tokës, gjithnjë më fytyrëzbehur, gjithnjë më i goditur nga koha, gjithnjë më i ligështuar fizikisht, me skeptik dhe më i dëshpëruar, derisa kur arriti në aeroport dhe shkeli në tokën e Kosovës nuk qëndroi më dot dhe përftoi.

“Vdekja e hershme dhe e papritur e poetit dhe intelektualit, Azem Shkreli, vente para nesh një pyetje të rëndë, atë të përballimit të testit të kohës. Sfida e kohës ishte, pa dyshim, gjithëpërfshirëse dhe nuk ishte assesi e kufizuar vetëm në politikë. Ajo kalonte përtej kufijve të mbretërisë së politikës dhe të gjendjes aktuale të çastit. Ajo që zbulonim atëherë ishte çështja se a do të mundte një komb, që kishte provuar të gjitha llojet e pezmit dhe pasojat e tij, edhe mbi intelektualët dhe inteligjencien, të ndeshej me agresivitetin e kohës dhe prapë të ruante qartësinë e mendjes dhe të shpirtit, si dhe vazhdimësinë e jetës. Kjo, në radhë të parë, kishte të bënte me intelektualin”, thotë ai.

Për Spahiun, vdekja e intelektualit, nuk kuptohej më vetëm si përmbyllje e qenësisë së tij të natyrshme, por si një pasojë, si një perëndim alegorik viktimizues i rrethanave që përshpejtonin tragjiken e tundimit të padurueshëm.

“Azem Shkreli ishte si një zjarr që vlon, një harmoni midis formës dhe shpirtit poetik, një intelektual i preokupuar me fatin e njeriut dhe të atdheut të tij. Si intelektual nuk besonte në varësinë esenciale të botës materiale ndaj mendimit dhe ndjenjës dhe çonte një jetë si gjithë të tjerët, në shoqëri me intelektualët e kohës që përpëliteshin në përpjekjet e saj. Edhe ai si poet ishte i detyruar të kënaqej me mënyrën civile dhe të konformuar dhe të shkruante poezi në një ekuidistancë të sigurt me përvojën e vet jetësore”, përfundon Spahiu.

Tutje, poetja Naime Beqiraj foli rreth poezisë së Shkrelit, duke e cilësuar atë si një liri pa hijezime.

“Azemi u takon autorëve të rrallë që e stërholloi fjalën deri në finesa të imta pa kaluar në rregullat e ngurta e të rrepta të ligjërimit libror e lakonik të cilat poezinë dinë ta bëjnë edhe të pashpirt. Ai mbetet ekzemplar i poetit që e thelloi urtinë e mendimit – në gjuhë të zgjedhur. E heshtura e tij, nuk mbërthehet as zbërthehet”, thotë Beqirja.

Sipas saj, poezia e Shkrelit është liri, e liria nuk ka hijezime.

“Mendim i tërhequr me pak fjalë e thellësi, ai ndërton skele të fuqishme të fjalës që e mbajnë në tokë dhe e mbajnë pezull një shkëmb të tërë. Poezia e tij ka ndjesi, ka edhe spontanitet. Te Azemi, shpërthimet emocionale janë të rralla, të thella; të zbërthyera e të strukturuara poetikisht me gjuhë që ngritet nga libri në libër. Shqipja e sofistikuar në verbin poetik të Shkrelit, është metaforike, metaforike foljore”, përfundon Beqiraj.

Ndërkohë, në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga paneli, tutje nga të pranishmit u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që poezia e Shkrelit të jehojë në muret e KultPlus Caffe Gallery, e njëkohësisht duke hyrë thellë brenda shpirtit të pranishëm e kapluar vëmendjen e tyre me magjinë e poezive të papërsëritshme.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për vargjet poetike të Shkrelit, të cilat me magjinë e tyre e kaplojnë shpirtin njerëzor.

“Është interesante dhe e çuditshme se si një Kosovë nuk di ta lexojë magjinë e mençurisë së një shkrimtari. Azem Shkreli ka qenë një njeri që oqeanin e ka bërë pikë vese, studiuesit e tij pikën e vesës mund ta bëjnë oqean të fjalëve. Unë jetoj në dy vargje të tij dhe në ato vargje shihet mënyra se si oqeani shndërrohet në pikë vese: ‘Kur përmallimet në këtë mall, m’harro bukur dhe thuaj u takuan n’prrallë’. Nuk ka magji e mençuri që mund ta fisnikërojë më shumë shpirtin e njeriut se këto vargje”, thotë ai.

Sipas tij, vargu ‘Kur t’vish, rrugën merre me veti që të mos ketë kthim’, krejt ajo që quhet pendim, pikëllim, dridhje e shpirtit, është shndërruar në atë varg.

“Azem Shkreli është margaritar në përmasa botërore që nuk e njohim as ne. Ne e kemi për detyrë, jo që ta shpjegojmë e interpretojmë por thjesht e shkurt; ta përjetojmë poezinë e Shkrelit”, përfundon Demaku.

Pastaj, nën atmosferën e ngrohtë e poetike, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të veçanta e krejtësisht origjinale nga jeta e Shkrelit, poeti i cili do të qëndrojë gjatë në zemrat e tona e ndoshta do të na shoqërojë neve edhe deri në momentet e fundit të jetës njerëzore.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

“Interpretations” sot në KultPlus Caffe Gallery, sjell 12 vepra të artistëve të rinj

12 punime do të prezantohen në ekspozitën “Interpretations” që do të hapet sot në KultPlus Caffe Gallery, punime këto që janë nga artistë të rinj, shkruan KultPlus.

“Interpretations” që vjen e kuruar nga Bora Kelmendi është është reflektim i një procesi pune krijues. Përbërje kryesore e këtij procesi është interpretimi dhe në një forme, narrative e njohurive të ditura tashmë apo të prezantuar së fundmi. Interpretimi, është produkt I narrativës personale, pasqyrim i lirë i momenteve, ndodhive, ideve jo materiale në tentativë për të kthyer në diçka materiale.

Ekspozita “Interpretations” vjen si rrjedhojë e projektit “Art dhe Artist te rinj”, projekt që është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ekspozita hapet sot, në ora 19:00, dhe do të rri e hapur për disa ditë. / KultPlus.com

Sot, takim me Behide Hasanaj në KultPlus Caffe Gallery

Sot duke filluar nga ora 20:00, Behide Hasanaj me vendbanim në Zvicër do të jetë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Behide Hasanaj e cila njihet për humanizmin e saj përgjatë shumë viteve, e cila konsiderohet edhe si një urë lidhëse mes diasporës dhe Kosovës, po në këtë mbrëmje do të prezantojë edhe katër libra të saj, të cilat i ka botuar nëpër vite, si: “Një jetë veprimtari humane”, Libri i paqes”, “Sytë e përlotur”, ku libri i fundit vjen edhe në gjuhën angleze dhe gjermane.

Hasanaj në këtë promovim do të shoqërohet edhe me një delegacion zviceran, dhe përpos librave të saj, në këtë mbrëmje do të ketë fokus edhe rrugëtimi i saj humanitar për të ndihmuar vendin e saj Kosovën, duke përfshirë edhe shitjen e shtëpisë së saj, vetëm për të ndihmuar familjet në nevojë. Po ashtu në këtë mbrëmje do të bëhet edhe promovimi i revistës së parë “11 Maji”/ KultPlus.com

‘Biri’ i Flutura Açkës promovohet në KultPlus Caffe Gallery, përjetësohet kujtimi për të

Suada Qorraj

Marsi i këtij viti shënoi mbylljen e çdo gjëje, izolimin e çdokujt. Secili vend qe dikur ishte i mbushur përplot gjallëri, tashmë kishte mbetur bosh, në kafenetë, teatrot, shkollat e shumëçka tjetër mungonin njerëzit. Kultura si një nga fushat më të goditura përjetoj mungesën më të madhe, të promovimeve, shfaqjeve teatrale e hapjes së galerive. Por, tashmë me lehtësimin e masave libri ‘Biri’ i Flutura Açkës, shënoi promovimin e tij të parë në Kosovë dhe njëkohësisht hapi dyert e mbyllura që nga koha e pandemisë të KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Tashmë ishin ndezur dritat, vendi ku do të ulej autorja që në mëngjesin e kësaj dite ishte bërë gati për ta mirëpritur, ambientet e KultPlus Caffe Gallery dalë nga dalë filluan të mbusheshin me dashamirë të librit, e të autores që solli ‘Birin’ në Prishtinë.

Hapja e kësaj nate u bë nga gazetari Arbër Selmani i cili në fjalimin e tij hyrës potencoi faktin që rikthimi më i mirë i mundshëm pas një periudhe të gjatë izolimi ishte ai me librin ‘Biri’ Flutura Açkës, rreshtat e të cilit autorja nuk mendonte e madje as nuk do te donte ti shkruante.

Përgjatë kësaj hapje solemne fjalën e rastit e morri edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila falënderoj autoren për sjelljen e librit ‘Biri’, ndërlidhjen e letërsisë, dhimbjes e forcës pranë nesh.

Flutra Açka në promovimin e librit të saj në Prishtinë shpalosi disa nga detajet që përkojnë këtë libër. Historinë që e jetuan se bashku me të birin, dashurinë e tij të madhe për Prishtinën, artin e artistët e këtij qyteti. Por, mbi të gjitha ajo rrëfeu edhe për dashurinë që i biri i saj mbante në vete për nënën e tij.

“Unë do të doja të shpjegoja që në fillim për çështjen e Prustit, ishte pikërisht pyetësori që ma dërgoi Donika dhe unë e plotësova për Gazetën. Ju luta tim bir, në atë kohë të prillit të 2018, i thash a mund ta plotësosh nënë? Ishte koha kur ai nuk ishte aq mirë dhe nuk mundi të përgjiggje në më shumë se tre pyetje, të cilat unë i kam bërë pjesë të këtij libri. Dhe është Kosova shkaku që unë kam këtë pyetësor qoftë me tre pyetjet e tim biri”, ka thënë autorja.

Açka tregoi edhe për udhëtimin e saj më të gjatë që kishte bërë me të birin në Kosovë, Skëndërbegun e pogaçet që mbeten në kujtesën e tij deri në orën e fundit. Madje ajo me nostalgji rrëfeu edhe për vizitën e tyre në kullën e Boletinit, varrin që tashmë ka një emër, emër ky që i biri i saj se sheh dot.

“Mbaj mend ka qenë vera e vitit 2016, udhëtimi më i gjatë në Kosovë, kemi hyrë nga Rozhaja, jemi futur në Pejë kemi qëndruar atë mbrëmje dhe ai nuk e harronte kurrë Skëndërbegun që kishte ngrënë pas rekomandimit të pronarit. Edhe pogaçja i pëlqente shumë, dhe unë nuk dija asnjëherë se si të ja gatuaja. Kemi qenë në kullën e Boletint bashkë, në atë kohë nuk ka qenë i shkruar emri i Isa Boletinit mbi varr dhe unë i shpjegova për shekullin që ndryshoj tërë botë. Sot është emri i heroit ne varr, por im bir nuk e sheh dot”, pohoi Flutura Açka.

Autorja në promovimin e librit të saj rrëfeu edhe arsyen se pse sot rep artstët kosovrë gjenden në ‘play-listën’ e sa. Ajo tregoi se në promovimin që kishte planifikuar të mbante në ditëlindjen e të birit, majin e këtij viti, por që u anulua, synonte që ti dhuronte kopjen e parë të librit Ledri Vulës, këngëtarit që djali i saj e admironte.

“Në play listat e tij kanë qenë rep artistët e Kosovës, ka qenë Ledri Vula, madje po ju them një sekret të vogël në kohën që vendosa ta bëjë promovimin e e këtij libri, po flas për majin e këtij viti nuk arrita për shkak të Covidti, kam menduar që kopjen e parë t’ja jap Ledri Vulës , dhe e kam marrë kopjen me vete dhe do tja dhuroj Ledri Vulës sepse ka qenë një ndër, një nga këngëtarët, një nga njerëzit që ai e admironte. Këngët e Butës janë skandaloze por atij i pëlqenin shumë sepse thoshte se ishin shumë afrë repit evriopian. Edhe unë sot e dëgjoj me admirim repin e Kosovës, sepse e kam nga im bir”, ka rrëfyer ajo.

Flutura Açka ka thënë se ajo ka pasur për muaj të tërë një betejë me veten, që të mos flas për vdekjen e të birit e madje as të mos e shkruaj këtë libër, ngase ajo e konsideronte mjaft personale dhe nuk e shihte të arsyeshme të ja barrësonte dikujt tjetër. Ajo e ka cilësuar si një betejë mes një nëne që ka nevojë të ankohet, të shpallë e të ndaj dhimbjen e saj dhe një autoreje që nuk dëshiron që lexuesin ta bëjë të ndjehet si krahun ku ajo qan djalin.

Autorja ka shtuar se arsyeja se pse ajo filloi që ta njihte më mirë të birin pas vdekjes së tij, pra kohës kur ajo filloi të shkruante librin e saj, ishte fakti se për sa kohë i biri i saj ishte këtu ajo nuk donte që të cenonte territorin e tij. Sipas saj prindërit asnjëherë nuk i njohin fëmijët e tyre në mënyrën më komplete të mundshmshe, sepse të bësh një gjë të tillë do të thotë, të bëhesh pjesë e territorit të tyre, vendit ku prania e prindërve do t’ju pamundësonte atyre të ishin të vërtetë.

“Tani unë mund të hyj në kuptimin e dhunshëm në territoret e tij sepse as nuk i marr dot leje. Kjo është arsyeja që unë atë e njoh atë më mirë. A duhet të jetë kështu? Por, ja që kështu ndodhi, ky ishte fati”, ka vazhduar rrëfimin Açka.

Krejt në fund ajo ka thënë se djali i saj e ka mësuar atë shumë, e ka mësuar atë që në gjënë më të pamundur në botë të qëndronte në këmbë. Sipas saj, i biri, Jerin, e kishte kuptuar se kjo ishte çështje fati, dhe se duhet pranuar. Por, sipas saj ndonëse, Jerin e kishte pranuar këtë ajo nuk do pranoj kurrë.

Gjatë natës së sontme të pranishmit patën mundësinë të takohen me shkrimtaren, të diskutojnë me të rreth librit si dhe të marrin autograf nga ana e saj.

‘Biri’, rekuiemi i Fluturës për djalin e saj, i mbushur me rreshtat e kujtimeve të tyre, që nga ditët më të bukura e deri tek ato më të mundimshmet që kishin kaluar së bashku, shënon një përjetësi, për të birin, vdekja e të cilit nuk shënoi fundit e kujtimi të tij. KJo mbrëmje është mbështetë nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com

U shënua Dita e Internetit të Sigurt: Komunikimi i hapur me fëmijët çelësi kryesor për mbrojtjen e tyre

Jeta Zymberi

Interneti është temë kyçe në ditët e sotme. Dita e internetit të sigurt këtë vit shënohet në më shumë se 150 vende të botës. Miliona njerëz i bashkohen ngjarjes “Së bashku për një internet më të mirë” përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të shumta, të organizuara nga të gjithë përkrahësit e ditës së internetit të sigurt. Njëjtë veproi edhe Kosova.

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, me moton ”Së bashku për një internet më të mirë”, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt – KKDIS i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara shënoi ditën e internetit të sigurt.

Të interesuarit, që kryesisht ishin prindër, po dëgjonin me vëmendje se çfarë kishte përgatitur për ta paneli i cili përbëhej nga, Teuta Zymeri- Qendra për studime të avancuara – FIT, Petrit Tahiri – Qendra për arsim e Kosovës dhe Luana Malaj- nxënëse.

Qëllimi i këtij diskutimi ishte që të promovojë një përdorim të përgjegjshëm, të mirëfilltë, kritikues dhe kreativ të internetit dhe teknologjive, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëbisedim me prindërit rreth përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve. Ndër të tjera, në këtë forum u bisedua rreth aktiviteteve online, rreziqeve potenciale dhe shenjave paralajmëruese kur një fëmijë mund të jetë në rrezik nga përdorimi i internetit.

Fillimisht fjalën e mori Teuta Zymeri e cila pasi falënderoi të pranishmit, tregoi se jo rastësisht kanë vendosur që këtë ditë ta shënojnë në këtë format, d.m.th përmes një bashkëbisedimi me prindërit, duke e ditur rëndësinë e prindërve në edukimin e fëmijëve sa i përket përdorimit të sigurt të internetit.

“Shpesh në punën time, ka ankesa dhe kërkesa nga prindërit rreth kësaj teme dhe për këtë vendosëm që ta bëjmë këtë bashkëbisedim. Duke e ditur që në epokën dixhitale, risitë janë duke avancuar çdo ditë, por me avancimin e teknologjisë edhe përdorimi i internetit nga ana e fëmijëve është duke u rritur vazhdimisht, në të njëjtën kohë edhe shfrytëzimi i të dhënave po monitarizohet në çdo kohë, kjo e bën edhe më komplekse përdorimin e internetit”, tha ajo fillimisht duke u ndalur tutje në disa pika kyçe ku fëmijët kanë më shumë rrezik nga interneti.

“Interneti po përdoret qysh në fëmijërinë e hershme. Aktivitetet online të fëmijëve të cilat më së shumti i kemi vëzhguar gjatë punës sonë, janë: mbrojtja e privatësisë, postimet në rrjetet sociale, mesazhet kërcënuese, bisedat online me njerëz të panjohur, si dhe lojërat e ndryshme, këto janë ato që fëmijët i përdorin më së shumti, por në të njëjtën kohë janë më të rrezikshmet. Të dhënat e fëmijëve tanë, janë çdo moment të rrezikuara nga keqpërdorimet e ndryshme.”

Tutje fjalën e mori Petrit Tahiri i cili tregoi që përmes këtyre aktiviteteve po mundohen të kontribuojnë në vetëdijesimin e përgjithshëm për të mirat që i sjell interneti por edhe rreziqet që i bartë, e kur flasim për rreziqet i kemi parasysh grupet që janë më të cenueshme, e në këtë rast janë fëmijët të cilët mund të jenë edhe viktima të keqshfrytëzimit të internetit edhe prej vetë atyre, por edhe prej dashakeqësve që e përdorin internetin.

“Sipas hulumtimeve që i kemi bërë, të gjitha të dhënat na dalin se problemet që manifestohen në shkollat tona ndërmjet bashkëmoshatarëve, në një apo formë tjetër, burimin e kanë te interneti – rrjetet sociale. Këto na sjellin në një situatë ku shtrohet pyetje, çka duhet bërë?

Po nuk ka një përgjigje konkrete, e rëndësishme është të kemi informatën dhe prindërit sidomos të jenë ata që i mbikëqyrin fëmijët e tyre se si e kalojnë kohën në një pajisje që ka qasje në internet. Përveç mbikëqyrjes, prindi duhet të ketë edhe vetëkontroll, sepse nëse vet e mban telefonin gjithë kohës në dorë, atëherë çfarë shembulli i jep fëmijës?”

Gjithashtu, gjatë këtij diskutimi u fol edhe për problemet që interneti i ka sjellë në shkollat tona.

“Interneti nuk po shfrytëzohet në mënyrën më të mirë. Në shkollat tona rrjetet sociale po përdoren pa kontroll edhe përkundër që janë bërë disa tentativa nga ministria ku ndalohet telefoni në hapësirat shkollore, po ajo ka mbet aty sepse nuk po gjen zbatushmëri. Por, nuk e di edhe sa është vendim i mirë, sepse po kërkohet ndalesë e ndalesa nuk është zgjidhje”, tha Petriti.

Ndërsa nga perspektiva e adoleshentes Luana Malaj, interneti përdoret shumë prej të rinjve dhe sjell shumë dobi.

“Për siguri unë mendoj që prindërit na kanë njoftuar me kohë që mos me i nda me askënd adresat e të dhënat tjera personale, por interneti mendoj që të plotëson, unë personalisht marrë informata për librat, interneti mundet me ma marrë kohën, por nëse unë jam e vendosur të lexoj, atëherë nuk e shoh si pengesë”, tha ajo. Por niveli i Luanës ndoshta është më i lartë se i shumë fëmijëve të tjerë, sepse sipas hulumtimeve, interneti shumë pak përdoret për ta ngritur nivelin e njohurive, më shumë përdoret për lojëra dhe rrjete sociale.

Fjalës ju kthye edhe njëherë Teuta Zymeri e cila tutje i shpalosi edhe disa këshilla.

Sipas saj roli i prindërve në këtë fushë, është t’i edukojë fëmijët se si ta përdorin internetin, të përfshihen në çdo aktivitet të fëmijëve nëse donë që fëmijën ta kenë të sigurt. Prindërit duhet të jenë të informuar se cilat rrjete sociale po i përdor fëmija më shumë, cili është Youtuberi që po i pëlqen më shumë, cila është loja që po i pëlqen, cilët janë shokët që po bashkëbisedon më shumë. Domethënë të gjitha angazhimet e fëmijëve në internet duhet të monitorohen prej prindërve por jo në formën e policit, por të bashkëbisedohet. Komunikimi i hapur me fëmijë është çelësi kryesorë i suksesit për mbrojtjen e fëmijëve, pohoi Teuta.

“Fëmijët duhet ta dinë që telefonin apo secilën pajisje që ka qasje në internet e kanë privilegj, ne si prind nuk jemi të obliguar të ju sigurojmë, e në momentin që e kanë privilegj ata duhet të dinë ta ruajnë. E kjo duhet të bazohet në një rregullore të familjes se si duhet përdorur dhe sa duhet përdorur interneti.”

Ndërsa sa i përket shenjave të cilat paralajmërojnë që një fëmijë është në rrezik nga përdorimi i internetit, aty u cekën disa nga to: kur fëmija shpenzon shumë kohë në internet, kur rrinë natën shumë, në momentin kur t’i i afrohesh dhe ai e mbyll pajisjen, ndryshimi i sjelljes, mossocializimi, mbyllja në vetëve, të gjitha këto u cekën si paralajmërime se kur një prind duhet të shqetësohet.

Kështu u hap edhe diskutimi me të pranishmit, ku pyetjet dhe përvojat që u shpalosën ishin nga më të ndryshmet, por si përfundim, nuk kishte një përgjigje konkrete ose rregulla se si duhet të veprohet në këto raste. Aty u tha që secili duhet të gjejë formën më të përshtatshme. Kryesisht u këshilluan për parime të përgjithshme e që janë: komunikimi, bashkëpunimi, mbikëqyrja dhe vetëkontrolli.

Si përfundim u këshillua që kjo çështje zgjidhjen më të mirë e ka duke ju ofruar mundësi për dialog të hapur fëmijëve, duke i mësuar ata si të përdorin teknologjitë në mënyrë pozitive dhe sigurt, dhe duke qenë vet model i mirë digjital – prindërit mund të luajnë një rol kyç në fuqizimin dhe përkrahjen e fëmijëve në përdorimin e internetit në mënyrë të duhur. / KultPlus.com

Kosova shënon Ditën e Internetit të Sigurt, aktiviteti mbahet në KultPlus Caffe Gallery

Me moton ”Së bashku për një internet më të mirë”, Komiteti Kosovar për Ditën e Internetit të Sigurt – KKDIS i udhëhequr nga Qendra për Studime të Avancuara shënon ditën e internetit të sigurt, shkruan KultPlus.

Dita e internetit të sigurt është manifestim vjetor që ka për qëllim të promovojë përdorim të përgjegjshëm, të mirëfilltë, kritikues dhe kreativ të internetit dhe teknologjive, veçanarisht nga fëmijët dhe të rinjtë.

Dita e internetit të sigurt këtë vit shënohet me 11 shkurt në më shumë se 150 vende të botës.

Miliona njerëz i bashkohen ngjarjes “Së bashku për një internet më të mirë” përmes aktiviteteve dhe ngjarjeve të shumta, të organizuara nga të gjithë përkrahësit e ditës së internetit të sigurt.

Të martën me 11 shkurt, ”Dita e internetit të sigurt”, do të mbahet në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nga ora 12:00.

Aktiviteti ka për qëllim bashkëbisedimin me prindër rreth përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve. Në këtë foum do të bisedohet rreth aktiviteteve online, rreziqeve potenciale dhe shenjave paralajmëruese kur një fëmijë mund të jetë në rrezik nga përdorimi i internetit.

Duke ju ofruar mundësi për dialog të hapur fëmijëve, duke i mësuar ata si të përdorin teknologjitë në mënyrë pozitive dhe sigurt, dhe duke qenë vet model i mirë digjital – prindërit mund të luajnë një rol kyç në fuqizimin dhe përkrahjen e fëmijëve në përdorimin e internetit në mënyrë të duhur. / KultPlus.com

Ekspozita “Pen For Culture” hapet ditën e dielë ne KultPlus Caffe Gallery

Të dielën më datë 10 nëntor, në kuadër të puntorisë ”Pen for Culture”, organizohet ekspozitë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, me punimet e realizuara nga pjesëmarrësit e kësaj puntorie, shkruan KultPlus.

”Pen for Culture” është një projekt i cili është organizuar nga Organizata Joqeveritare ”ProPlus” në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Kosovë, projekt ky që ka për qëllim fuqizimin, paqen, socializimin dhe punën ekpiore nëpërmjet artit.

Në këtë projekt marrin pjesë kryesisht të rinjtë prej moshës 13 deri në 18 vjeç, të cilët e duan dhe e praktikojnë artin, ku e pranishme do të jetë edhe artistja Zake Prelvukaj

Artistëve të rinj u është mundësuar qëndrimi tre ditorë në malet e Prevallës, ku gjatë qëndrimit të tyre do të kenë mundësi t’i realizojnë punimet e tyre, të cilat do të zënë vend në ekspozitë.

Ekspozita do të hapet në ora 19:00. /KultPlus.com

Promovohet libri i Mimoza Hasani-Pllanës, konsiderohet vlerë e shtuar në kulturën shqipe

Bujar Meholli

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, sot është bërë promovimi i librit të autores Mimoza Hasani-Pllana, i cili përmbledh brenda njëzet e tetë intervista nga njëzetë shtete të Evropës. Në këto intervista, autorja Hasani-Pllana ka intervistuar dhjetëra albanologë shqiptarë dhe të huaj, shkruan KultPlus.

“Shtegtimi i shqipes në Europë” mban titullin libri i Hasani-Pllanës që u promovua sot para një audience të zgjedhur. Në panel ishin të pranishëm profesori dhe studiuesi, njëherit redaktori i librit, Behar Gjoka, profesoresha dhe studiuesja e mirënjohur Rusana Bejleri, drejtoresha e gazetës online KultPlus Ardianë Pajaziti si dhe autorja Mimoza Hasani-Pllana.

Për këtë libër të botuar nga Shtëpia Botuese në Prishtinë OLYMP, u thanë fjalë të mira nga studiuesit dhe shkrimtarët e pranishëm.

Në fjalën e tij, profesor Gjoka tha se “nuk jemi aq të izoluar dhe të shkëputur aq sa mendojmë, sepse gjuha dhe letërsia na japin shansin që të komunikojmë me njëri-tjetrin në secilën gjuhë dhe hapësirë”.

“Në morinë e intervistave, secila prej tyre ka kontributin dhe prurjet e saj, ka shqetësimin se si po shkon letërsia tek të tjerët. Autorja kryen detyrën e vet, dhe teksti është ai që komunikon kurse lexuesi është i pafundmë, andaj është momenti të dëshmojmë atë që na jep gjuha dhe komunikimi me të tjerët dhe unë i çmoj intervistat sepse secila ka nga një përvojë personale. Kultura i rrëzon muret, gjuha dhe letërsia janë për të shembur mure dhe për të ndërtuar ura të komunikimit”, tha ai.

“Në këtë libër ka informacion për secilin nga të intervistuarit, andaj them se duhet përshëndetur autoren, duhet uruar, duhet që secili që gjen hapësirë dhe kohë ta lexoj librin, unë e kam lexuar si redaktor, tani do ta lexoj prapë si lexues”, përfundoi profesor Gjoka.

Për librin foli edhe profesoresha dhe studiuesja Bejleri, e cila lavdëroi autoren për koncizitetin e këtyre intervistave të plota që ajo arriti t’i realizojë.

“Letërsia dhe poezia janë mënyra më e mirë për ta njohur një popull tjetër pa iu imponuar atij. Mimoza ka kohë që ka punuar në këtë libër, dhe besoj se ky libër do të jetë pjesë e kolanës dhe të traditës së librave të dalluar, ne kemi edhe një plan tjetër me Mimozën edhe në pikëpamjen gazetareske dhe shkencore. Besojmë se do të vazhdojmë me Mimozën për të sjellë edhe materiale tjera në vazhdim”, potencoi Bejleri.

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e gazetës së vetme që i dedikohet tërësisht kulturës, u shpreh e lumtur që gazeta online “KultPlus” ka arritur të ketë ndikim të madh tek shkrimtarët dhe studiuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe. KultPlusi shihet nga shumë shkrimtarë dhe studiues si hapësirë e mirë për t’i publikuar materialet e tyre, dhe bashkëpunimi i tyre me mediumin ka qenë gjithmonë frytdhënës.

“Çfarë kam vlerësuar në këto intervista, është intervistimi i shumë figurave që ia kanë kushtuar jetën gjuhës dhe traditës shqipe, kurse ne kemi përfituar nga puna e tyre që kultura jonë të depërtojë nëpër shumë shtete të botës, dhe mendoj se këto figura që Mimoza ka intervistuar ia kanë bërë promovimin më të madh kulturës sonë. Përpos urimeve të sinqerta për sjelljen e këtij libri, theksoj se ky libër do të jetë në këndin tonë të bibliotekës në shitje që prej nesër”, tha ndër të tjera Pajaziti.

Kurse, autorja Mimoza Hasani-Pllana u shpreh e lumtur me pjesëmarrjen e madhe në këtë ngjarje. Ajo ndau përvojat e saj nga këto shtete dhe tregoi për rrugëtimin e këtij libri deri në botim, dhe arritjen e tij në duart e lexuesve, po ashtu ajo lavdëroi KultPlusin si medium që i dedikohet tërësisht kulturës dhe që është çdoherë afër njerëzve të gjuhës dhe artit.

“Pas një takimi që pata me profesorin Bashota, ai më foli mirë për degën e albanologjisë në Sofje, në qendrën ballkanike dhe evropiane. Kështu fillova punën për studimet strukturale në Sofje dhe ishte një sfidë e madhe, sidomos ngaqë Kosova nuk është pjesë e BE-së. ”Shtegtimi i shqipes në Europë”, vjen si rrjedhojë e bisedave të gjata me profesorin Gjoka. Kërkimet tona ishin te një kapitull brenda tekstit të doktoraturës ku e kishim njohjen e poezisë shqipe të viteve ’90 në hapësirat ballkanike dhe evropiane”, tregonte Mimoza e cila tutje tregoi se kur filluan ta strukturojnë ishte mjaft e vështirë, për arsye se mungonin tekstet e lidhura për poezitë e përkthyera, e madje konteksti socio-politik dhe socio-ekonomik ndryshonin në këtë periudhë, shqipja hapet, Kosova mbyllet në vitet e 90, kurse Maqedonia në kushtetutën e saj e ndryshon pozicionin shqiptar. Pra kalohet nëpër një periudhë të vështirë dhe krijohen mure në letërsi. Mimoza Hasani-Pllana vazhdoi tutje duke folur për gjuhën shqipe.

Ajo theksoi se “studiuesit që do të merren me gjuhën dhe letërsinë shqipe duhet të kenë aftësi të veçanta shkencore dhe njohuri të thella sociologjike dhe politike. Duhet të jesh domosdoshmërisht antropolog dhe deri dikund historian”, u shpreh Hasani-Pllana.

“Libri përmban 28 intervista, secila më mbresëlënëse për mua, nuk e di si do të jetë për ju. Gjithë punën time e kam orientuar nga bisedat e drejtpërdrejta sepse mendoj se kështu rezultatet janë më të mira”, potencoi autorja, e cila më pas nënshkroi librin dhe bisedoi me lexuesit në koktejin e rastit. Vlen të theksohet se disa nga intervistat e autores të përmbledhura në këtë libër, janë publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus.

Libri që nga nesër do të jetë i disponueshëm në bibilotekën e kafe-galerisë KultPlus. /KultPlus.com

KultPlus feston gjashtë vjetorin e themelimit, Nezir Kraki e quan oazë mediatike

Qendrim Badalli

“KultPlusi është një oazë shumë e rëndësishëm që po punon për kulturën në vend më shumë se shtëpitë e mëdha mediatike që kanë me qindra punëtor”, këto qenë fjalët e Nezir Krakit në festën e gjashtë vjetorit të KultPlus-it.

Portali i vetëm për art dhe kulturë në Kosovë, KultPlus, dje ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit të tij. Me qindra e mijëra tekste të publikuara çdo ditë, me intervista dhe rrëfime, me organizime të ngjarjeve kulturore, me rikthimin në kohë të figurave më eminente artistike dhe me promovimin e artistëve të rinjë të të gjitha fushave, KultPlus është përpjekur dhe po vazhdon të punojë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në vend. Koncerti i mbajtur në Kosovë i talentes tashmë me famë të madhe, Erza Muqollit, ka qenë njëra ndër ngjarjet më të suksesshme të KultPlusit të realizuar ndër vite.

Përvjetori i gjashtë i themelimit të KultPlusit është më i veçantë sepse me suksese Kulti ka arritur që ta hap edhe Qendrën Kulturore KultPlusCaffeGallery, e cila tashmë po shërben si një hapësirë e përshtatshme dhe efikase për mbarëvajtjen e aktiviteteve të ndryshme kulturor-artistike. KultPlus po rritet bashkë me mbështetjen e ndjekësve tanë dhe sponsorizuesve tanë, të cilët i falënderojmë për përkrahjen e tyre të deritanishme duke u premtuar vazhdimin e punës sonë profesionale ashtu siç jemi munduar ta bëjmë deri tani.

Në gjashtë vjetorin e KultPlusit mysafir special ishte, Nezir Kraki, profesor universitar në Paris që pasion e ka letërsinë dhe poezinë. Ai ka folur gjerë e gjatë për pasionin e tij, për karrierën e tij akademike si dhe ka shprehur qëndrimet e tij rreth aktivitetit letrar, artistik si dhe social në vend.

Fillimisht Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore në KultPlus, me rastin e ceremonisë së gjashtë vjetorit të themelimit të gazetës së parë shqiptare për art dhe kulturë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë, fatkeqësisht edhe më tutje arti dhe kultura konsiderohen të jenë luks.

“Shumë kemi punuar që ta ndryshojmë këtë perceptim, sepse kultura është e domosdoshme për çdo shoqëri, e sidomos për shoqërinë kosovare, që ka shumë nevojë që nëpërmjet kulturës të përfaqësohet edhe më shumë jashtë vendit”, ka thënë Pajaziti.

Tutje ka vazhduar profesori Nezir Kraki i cili pas fjalëve të mira për KultPlus-in ai ka thënë se ndihet me fat që jeton në Paris, pasi ky qytet e ka motivuar dhe lidhur edhe më shumë me kulturën dhe letërsinë franceze, dhe jo vetëm.

“Kam pas fat me jetu edhe në rrugë e lagje ku kanë jetuar autorë të mëdhenjë, kështu që gjithçka më lidh fort me kulturën franceze dhe në përgjithësi me letërsinë e saj. Përmes saj ju kam rikthy letërsisë shqiptare dhe kulturës evropiane dhe botërore në përgjithësi.”

Ai ka folur sesi letërsia e ka ndihmuar edhe në profesionin e politikës duke e lënë të nënkuptohet se letërsia nuk është produktive vetëm për anën subjektive të njeriut.

“Në fillim e thash që më shumë jam krenar për këtë anë (letërsinë) sesa për anën tjetër me të cilën e fitoj edhe bukën e gojës,  në fakt as në këtë zanatin e politikës dhe të profesorit në shkencat politike nuk do të kisha qenë ndoshta ky që jam, ose ma mirë me thanë do të isha dukur më keq pa zanatin e letërsisë”.

Ai ka thënë se përvoja jetësore shumë shpesh është më e rëndësishme se diplomat burokratike që ne i marrim në institucione arsimore.

“Jeta dhe diploma e jetës është shumë më e vlefshme se diploma e Hardward-it ose diplomat e Parisit. Ka plotë njerëz që unë dhe ju njohim që kanë diploma të vlefshme po që kanë dështu në diplomën e jetës. Pa e pasur diplomën e jetës me sukses, diploma e letrës nuk ka kuptim”.

Duke e ditur se Kraki është shumë aktiv në rrjetet sociale, në përgjigje e sipër, me shaka, ai ka treguar sesi e instrumentalizon poezinë për ‘pajtim me njerëzit’.

“Arsyet përse e fus një poezi kohë pas kohe është shumë meskine se unë i preki në Facebook disa tema të nxehta që krijojnë debat e komente njëfarë lufte vrituale, po pasi jam në Parsi e s’ma dinë adresën them në rregull është, plus nuk kanë as viza e s’munden me ardh këtu, kështu që përmes poezisë unë i zbusë njerëzit,  dua të ju them “hajdeni bëhemi prapë miq”.

Kraki ka folur edhe për temën e shumë përfolur rreth ndërtimit të një Teatri të ri në Shqipëri për të cilin ka shprehur rezervat dhe kundërshtimin e tij.

“Çka duhet salla me xhama, xhamat nuk e bëjnë artin, as objekti nuk e bënë artin, objekti është forma, përmbajtja është brenda”.

Siç i takon një njeriu që shkruan dhe që është i preokupuar edhe me anën njerëzore dhe emocionale, Kraki shpreh brengën e tij për jetën njëdimensionale, për robotizimin, për jetën formale dhe rutinore që e jetojnë shumica e njerëzve sot.

“Sot unë jam shumë i mërzitur që jo vetëm koha po kalon shpejt por edhe njerëzit vrapojnë pas kohës dhe nuk po arrin më të gjejnë momente jashtë kohës, jashtë kuadrit, me jetu brenda tyre diçka me njerëz të tjerë, apo vetëm vetë, s’ka rëndësi kudo qoftë, në çdo hapësirë gjeografike, me dalë pak prej autostradës së jetës, me bë një pauzë, me marrë energji pozitive, me taku njerëz”.

Ai e ka vlerësuar anën kulturore të Kosovës, duke përmendur disa fusha që po arrin suksese edhe jashtë Kosovës.

“Na s’kemi shumë diçka që me eksportu, por kemi sportistë, artistë shumë të zotë, individualisht që kulmojnë jashtë edhe si ekip tash, si xhudo, si Majlinda Kelmendi, jemi shumë mirë për një vend të vogël. Ka mundësi edhe ma shumë, tema kemi mjaft duhet vetëm me lexu më shumë, me pasë njohuri ma shumë, sidomos për ata që bëjnë film, duhet të analizohen filma të thellë, në mënyrë që të pranohen, në veçanti në Francë”.

Kraki ka thënë se arti dhe letërsia kanë rol jetik në marrëdhëniet shoqërore meqë ato i bashkojnë njerëzit, përderisa fushat tjera i përçajnë ata.

“Poezia dhe letërsia është ushqim i shpirtit që na ndihmon të harrojmë dallimet politike, ideologjike. Të gjitha fushat tjera i ndajnë njerëzit përveç artit dhe letërsisë që i bashkon”.

Mes duartrokitjesh nga një numër i madh i të pranishmëve dhe një falënderimi nga Nezir Kraki, mbrëmja dedikuar gjatë vjetorit të KultPlusit u mbyll me një poezi të përzgjedhur nga vetë ai, të cilën e solli me shumë dashuri për të pranishmit.

Pas gjithë kësaj ligjërate të thukët nga profesori Kraki, të pranishmit patën rastin të ndërlidhen në bisedë dhe të parashtrojnë pyetje të cilave Kraki ju përgjigj me shumë përkushtim e seriozitet. Krejt për fund eventi vazhdoi me një koktej rasti ku të pranishmit vazhduan ta takojnë nga afër Krakin, të bisedojnë e të fotografohen me të. / KultPlus.com