Dhjetë gra finaliste të KultStrofa, Kaltrinë Uka triumfuese e edicionit të shtatë

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery ai që sundoi vendin ishte Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Poezia, kjo hyjneshë ndër vite, na nderoi mbrëmë me prezencën e saj të plotë, teksa emocionet sa vinin e rriteshin për konkurrentët e njashtu edhe për pjesëmarrësit. Mbretëria e fjalëve të thurura nëpërmjet poezive diversive ka mbizotëruar vendin nga cepi në cep, për të krijuar kështu një mbrëmje plot magji e shkëlqim që jo shumë lehtë harrohet dot, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të shtatë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.

Qe rënia e borës ajo që na zuri në befasi të gjithëve, e që bëri që të pranishmit të vinin ngadalë por në numër të lartë. Shkrimtarë, artdashës, poetë e gazetarë, mbushën vendin për të përcjellë nga afër gërshetimin e letërsisë, kulturës e artit. Ambienti në KultPlus Caffe Gallery ishte tejet i ngrohtë. Karrige në çdo hapësirë, dritat e stolisura në dritare që e bënin akoma më festive këtë mbrëmje, si dhe shoqëruesi ynë kryesor; bora që binte me një ritëm të shpejtë por tejet të bukur. Shkëndija të veçanta shiheshin në sytë e gjithsecilit, e kjo vlen të theksohet se përjetohet enkas për poezitë e brishta.

Mbrëmë, atmosfera poetike ra mbi të pranishmit si një fener në errësirë dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.

Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja dhe aktorja Vlora Merovci e cila edhe bëri me dije se ne këtë edicion të “KultStrofës” kanë aplikuar mbi 180 poezi.

“Të nderuar poetë në të gjitha anët që keni aplikuar në konkursin e poezisë në nivel mbarëkombëtar KultStrofa, zonja e zotërinj, faleminderit për prezencën e juaj në KultPlus. Edicioni i shtatë na ka tubuar edhe sonte, pra është një konkurs që vazhdon të mbetet një prej konkurseve më me emocion”, thotë ajo.

Sipas saj, poetët nga e gjithë bota kanë aplikuar dhe janë mbi 180 poezi nga vendet e rajonit, Evropës dhe ShBA.

“Tash e shtatë vite, konkursi organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus dhe këtë vit mbështetet nga MKRS, Hotel Nartel dhe Ujë Rugove”, thotë ajo.

Para se të niste i gjithë ky organizim, aktorja Merovci po ashtu interpretoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, “Dhimbja është turpëruese” të Rudina Çupit.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë. Ajo po ashtu bëri të ditur se në edicionin e dhjetë të konkursit KultStrofa, pritet të publikohet libri me njëqind poezitë e edicioneve paraprake.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në ceremoninë e edicionit të shtatë të KultStrofa. Sikurse e potencoi edhe Vlora, ky konkurs është mbështetë nga MKRS dhe ne jemi shumë të nderuar që po vazhdon tradita e këtij konkursi ku çdo vit jemi duke i nxjerr dhjetë finalistë dhe me këtë vit po e shënojmë shtatëdhjetë poezi që janë nxjerr nga çdo edicion. Ne po synojmë që të vazhdojmë me edicione të pafundme, por kur të organizohet edicioni i dhjetë, njëqind poezitë e edicioneve të konkursit do të dalin në formatin e një libri. Mezi prita ta ndaj këtë lajm me ju”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ajo së bashku me stafin e KultPlus, janë të nderuar që çdo vit kanë pasur një juri prestigjioze dhe shijet e tyre e kanë obliguar Pajazitin që ta publikoj një format të librit siç e përmendi më herët.

“Unë e shfrytëzoj rastin me e falënderu jurinë profesionale që janë të pranishëm me ne sonte dhe që e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në këtë edicion kanë ardhur mbi 180 poezi, dhe ato që kanë ardhur jashtë afatit, na vjen keq mirëpo nuk janë përfshirë për arsye se dëshirojmë ta mësojmë audiencën që afati është afat dhe ora është orë. Nga fillimi kemi punuar në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojmë tutje. E përshëndes kryetaren e jurisë, Entela Kasi e cila na ka nderuar shumë me marrjen e kësaj përgjegjësie për përzgjedhjen e dhjetë finalistëve, njëherit është edhe kryetare e PEN-it të Shqipërisë. E falënderoj Lulzim Tafën, një poet mjaft i njohur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, që na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe natyrisht e falënderoj Vlora Konushevcin, e cila natyrisht sa herë që poston poezi, e ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ka merita të plota për prurjet e këtyre dhjetë poezive në këtë edicion”, përfundon Pajaziti.

Ajo tutje i falënderoi edhe anëtarët e jurive të kaluara që kishin ardhur në këtë mbrëmje si shkrimtarët: Agim Vinca, Sali Bashota e Arbër Selmani, por njëkohësisht e falënderoi për prezencën edhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Sadik Bejko.

Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje ishte prezenca e këngëtarit Endrit Krasniqi, njëkohësisht fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili përveç këngës tashmë të njohur “Flas me gjethen”, ka interpretuar këngët e veta personale, e që u shpalosën si një ëndërr brenda ëndrrës. Ndërsa, si një gjethe vjeshte që bie lehtësisht, ishte zëri i këngëtares së re, Anna Krasniqi e cila interpretoi këngën “Stay”. Timbri i saj vinte në veshët e të pranishmëve si një melodi e papërsëritshme, teksa kënga e merrte atë me vete dhe e dërgonte në piedestalin e artit, aty ku ngrihen zërat dhe gjendet e vërteta.

Tutje, kryetarja e jurisë së këtij konkursi, Entela Kasi, kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.

“Ju përshëndes të gjithëve. Në fakt, për mua personalisht mbetet privilegj, nder dhe detyrë që të jemi në këtë anë të Prishtinës, kudo ku janë hapësirat tona. E kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e Ardianës, për të qenë në KultPlus e në KultStrofa, për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të një konkursi i cili do të ketë rrugën e gjatë. Letërsia në fakt është art magjik, sublim dhe poezia është tepër e thellë e tepër shpirtërore. Në historinë e botës, dikur poezia këndohej dhe rrëfehej, por tash ne jemi në këtë kohë moderne dhe pavarësisht ndryshimeve, ajo asnjëherë nuk e humb peshën e saj”, thotë ajo.

Sipas saj, juria pati fatin që të jenë pjesë e edicionit të shtatë të KultStrofa, dhe ajo që është më e bukura për të ka qenë që mendimet e tyre janë përputhur tejet shumë, të menduara në mënyrë të njëjtë, asnjëherë duke mos i ditur emrat e askujt sepse është ruajtur anonimiteti.

Ajo tutje bëri të ditur se është ndarë një certifikatë për drejtoreshën e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, shpalos Kasi.

Mirënjohja iu dha drejtoreshës Pajaziti nga profesori dhe bashkë-themeluesi i PEN-it të Shqipërisë, Sadik Bejko.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i shtatë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here erdhi me një frymë tejet unike. Vendi gumëzhinte nga heshtja për secilën poezi të interpretuar, teksa poetët u mblodhën për të shkëlqyer në skenë. Në fytyrat e tyre rrinte një çudi që ishin zgjedhë pjesë e dhjetëshes finaliste. Ata me secilën poezi kanë hapur zemrat e tyre para botës, teksa secili varg që buronte nga ta, vinte me një brishtësi të rrallë. Me duar që dridhen, ton të qëndrueshëm, fryma e tyre erdhi krejt këndshëm. Poezi pas poezisë, ato u shpalosën si petalet e lules e sikurse dielli në perëndim. Kështu, mbrëmja u vulos me strofa që shpërthyen valë-valë e që dëshmuan se poezia ka kurorën mbi të gjitha zhanret e tjera.

Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.

Leonora Lokaj, Nagjije Kastrati, Vlora Kozhani-Tolaj, Valmira Rashiti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Ardiana Thaci-Mehmeti, Alketë Spahiu, Kaltrinë Uka, ishin poetet finaliste të edicionit të shtatë të “KultStrofa”. Është hera e parë që dhjetësha finaliste përmban vetëm gra, dhe kjo është diçka shumë e veçantë dhe rastësore. Njëra pas tjetrës, ato interpretuan poezitë e tyre, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Teksa nata po merrte formën më të mirë, fjalët e poeteve e ndriçuan hapësirën ëmbëlsisht.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Nën timbrin e këtij malli”, “Qysh me e kornizu kohën”, “Guri i koshares”, “Të ringjallem nga hiri”, “Kripë e mjaltë”, “Diplomaci”, “Dashnia jem s’asht e kësaj bote”, “Harrimi është amorf”, “A m’vjen vera kah dera” dhe “Si m’shikon ashtu?!”.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poeteve: Vlora Kozhani-Tolaj, Leonora Lokaj, Ardiana Thaci-Mehmeti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Alketë Spahiu.

Nagjije Kastrati u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Guri i koshares”, ndërsa Valmira Rashiti u radhit e dyta me poezinë “Qysh me e kornizu kohën”.

Autorja Kaltrinë Uka, fitoi vendin e parë në edicionin e shtatë të këtij konkursi me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”, e cila pas marrjes së trofeut, u ndje shumë e emocionuar dhe nuk i dilte pothuajse asnjë fjalë, por gjë e mirë është që poezia e saj ka thënë shumë. Ajo potencoi se të gjitha poezitë e tjera e inspiruan dhe i dhanë një motiv shtesë për të shkruar.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke kërcitur si muzikë, meloditë e ëmbla shqipe që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove. /  KultPlus.com

“Kur zoti puthi tokën”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Irsa Ruçi

Një grua e bukur në liri
Është mendimi i zotit për botën
Kur mblidhen tek frym’ e atij shpirti
Aromat e pranverës,
E ajo mbi krye var mendimet
Që thur çdo natë.

A ka kohë me u mbyt në lot
Kur i duhet me qenë femër,
Grua, nënë, motër, mike
Brenda dite?
Teksa shoqëria i kërkon diçka më shumë
Përherë,
I hedh vellon e delikatesës,
Edhe kur rëndesa e takave
Mbi trupin imcak i peshon,
“Të lutem shumë, sillu si zonjë!”

Porse nuk thyhet lehtë
Qenia që jetës i mbjell jetë
Dhe farën e njerëzisë
E fsheh duarve kryqëzuar
Rreth beli.

Gjersa endte pëlhurën e tokës
Zoti desh t’i falte aromë parajse
Dhe bashkë me lulet krijoi gruan
I veshi flladin e erës
Për t’ju arratisur kohës
Kur ethshëm n‘dëshirim krijon veten,

Se veç në liri një grua
Mundet me qenë frymë!

“Kur zoti puthi tokën”, shkruar nga Irsa Ruçi, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

“Rrëmujë pasionante”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Donika Berishaj

Dy të huaj,
Që njihen mirë,
Me urrejtje dhe epsh që bën kolaps mes tyre,
Jemi ne.

Sikur të zhytesha në thellësitë e egos tënde,
Të bëja dashuri me pasiguritë tua më të fshehura,
Trupi im të ishte një skulpturë e imagjinatës tënde të ndotur,
Kurse shpirtrat tanë të lundronin në sipërfaqen e agonisë.

Kaos është dashuria jonë,
Kaos jam unë, kaos je ti,
Ta hajë dreqi kaos është universi ynë,
Por, kaosi ynë, më sjell qetësi.

Ironinë e ndiej në buzët tua,
Sarkazmin në buzëqeshje,
Cinizmin në të folurën tënde,
Libidon në sytë e tu…

Je aq sipërfaqësor.
Të njoh mirë tani.
Ishe i humbur dhe të gjeta.,
Prapë më ike prej dore.

Qen endacak je,
Ushqehesh nga duart e kujtdo që të dhuron dashuri,
Vërsulesh andej e këndej por në fund, shtëpinë e gjen tek unë.

Jo, ne s’jemi asgjë,
Vetëm dy yje të imëta në galaksitë infinite,
Por një ditë prej ditësh kur të zhdryp si meteor,
Do t’i mbyllësh sytë dhe do të më dëshirosh mua.

“Rrëmujë pasionante”, një ndër poezitë finaliste të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.KultPlus.com

Suksesshëm shënohet edicioni i pestë i konkursit poetik “KultStrofa”, çmimi i parë shkon në Tiranë

Uranik Emini
Fotografitë: Nok Selmani

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në një vijë me emocionet e mëdha u eksploruan fuqitë e jashtëzakonshme të poezisë. Të pranishmit e mbledhur për të përcjellur nga afër konkursin mbarëkombëtar të poezisë të organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”, u bënë dëshmitarë të asaj se poezia nuk ka një përkufizim të saktë – asnjë të vërtetë të përgjithshme që vlen për të gjitha poezitë, por ndjesitë që vijnë prej saj janë diçka që nuk mund të kontrollohen, as të përkufizohen, por vetëm të shijohen e përjetohen, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të pestë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja Vlora Merovci.

“Përgjatë këtyre viteve, për pesë edicione ka kaluar numri i mbi një mijë poezive që kanë arritë ne adresë të KultPlus, e që e dëshmon edhe më fuqishëm se “KultStrofa” është gara poetike me e adhuruar ndër poetet”, thotë Merovci.

Sipas saj, ky edicion i ka mbledhur mbi 200 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Ndërkohë ju kujtojmë se përgjatë edicioneve të shkuara, fitues të KultStrofa kanë dalë: Ragip Syla, Arjola Zadrima, Merita Bërdica dhe Gentiana Bajrami Atashi”, shton tutje ajo.

Më pas, për një fjalë rasti është ftuar edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila u shpreh se të bësh një konkurs të tillë është një emocion shumë i madh.

“Është një emocion i madh që të shënojmë edicionin e pestë të KultStrofës e që po shkon çdo vit duke u bërë edhe më i rëndësishëm për gjithë komunitetin e poetëve në nivel mbarëkombëtar. Jam e nderuar për një juri kaq të mirë dhe profesionale që ka bashkëpunuar aq ngushtë për përzgjedhjen e 10 finalistëve. Dua të them diçka për KultStrofën. Unë që 2 muaj jam duke menduar aq gjatë sa jam shterruar se çka të them, pra është një emocion i madh që t’i mbledhim poetët e të gjitha trevave”.

Kult(Plus)ura thyen të gjitha barrierat

Pajaziti thotë tutje se përgjatë gjithë edicioneve të KultStrofës, poetë nga trevat shqiptare janë bërë bashkë dhe është dëshmuar se kultura nuk ka pasur kufi asnjëherë.

“Ne i kemi në 4 vite, dy poetë nga Shqipëria, e dy nga Kosova, që do të thotë se KultStrofa i ka thyer të gjitha barrierat. Kultura dihet se kufi nuk ka pasur asnjëherë, e këtë gjë po vazhdon ta dëshmoj e vazhdoj KultStrofa. Edhe finalistët e këtij edicioni janë nga Ulqini, Shkodra, Tirana, Prishtina, e me të vërtet është një emocion shumë i mirë dhe shumë i madh. KultStrofën nuk do të mund ta bëja vetë, pa stafin e KultPlusit. Po besoj shumë në shijën e Ornelës, Agut dhe Drenit, që do t’i dëgjoni e shijoni poezitë e natës së sotme, duke ju uruar kështu një mbrëmje shumë të mirë”, përfundon ajo.

Gjatë leximit të poezive, për një fjalë rasti është ftuar edhe njëri ndër anëtarët e jurisë, këngëtari i njohur, Dren Abazi, i cili tha se është një kënaqësi e madhe për të qenë aty.

“Është një kënaqësi që të jem mes jush. Nuk e shoh veten as si shkrimtar dhe si poet jo se jo. Meqenëse më ka ftuar Ardiana, dua të them se unë përpos që i kompozoj këngët, i shkruaj edhe tekstet. I kam lexuar të gjithë poezitë dhe mendoj që është kompetencë më e madhe e Agut dhe Ornelës që të flasin për poezitë. Kanë qenë diku 117 poezi dhe ka qenë vështirë që t’i zgjedhim më të mirat, por besoj që ia kemi arritur qëllimit”, tha ai.

Po ashtu, anëtari tjetër i jurisë së këtij konkursi, profesori Ag Apolloni, shpjegoi procesin e përzgjedhjes, derisa tha se gjithë poezitë e ardhura në adresë të KultPlus, sipas tij, janë fituese.

“KultPlusi është një platformë që na bën bashkë edhe kur jemi të gjithë bashkë tek shpija, sepse na bën që ta klikojmë së bashku. Në këtë konkurs kanë aplikuar mbi 200 poezi, por siç tha Dreni, kemi përzgjedhur për vlerësim 117, sepse disa janë diskualifikuar në momentin që janë pa se janë të publikuara. Në mesin e këtyre poezive kemi gjetur një top 10 dhe mandej tre fituesit. Unë mendoj se fitues kanë qenë të gjithë pjesëmarrësit, sepse na kanë dhënë një kënaqësi të leximit, por ashtu e do natyra, që disa të zgjedhen në mesin e të tjerave”, thotë Apolloni.

Në anën tjetër, kryetarja e jurisë për edicionin e pestë të KultStrofës, Ornela Vorpsi, tregon se u ndje shumë e befasuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë, kur pranoi ftesën për të qenë pjesë e këtij edicioni.

“Kur Ardiana më ftoi, unë u preka jashtë mase sepse e di që të gjithë jemi shqiptarë, por të më thërras mua nga Shqipëria u befasova shumë dhe për këtë arsye erdha pasi nuk jam shumë njeri i dashuruar pas udhëtimeve, jam në punën time. I lexova poezitë me kujdes dhe vëmendje. Diçka që më preku dhe që ndoshta ndryshon nga shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë është se ndjeva një dimension jashtë mase patriotik te ju, që neve na mungon. Domethënë ishin nga poezitë ku kishte dashuri universale, por ajo e patriotizmit më preku jashtë mase. Në Shqipëri ne e kemi humbur këtë dimension”, shpjegon ajo.

Tutje, Vorpsi thotë se të shkruash poezi në ditët e sotme, marrë parasysh në epokën teknologjike që po jetojmë, është një akt rezistence në vete.

“Të shkruash poezi sot është një akt rezistence, sepse siç e dijmë të gjithë jemi në një epokë tjetër, asaj të teknologjisë dhe ku qejfet janë më të kollajta në telefon e tablet dhe poezia është tamam si një formë rezistence e një arti që mundohet të jetoj sërish. Kjo më pëlqen jashtë mase. Për mua të gjithë 117 janë fituese dhe saherë që hiqja ndonjë për të arritur në një dhjetëshe dhe treshe finale, më dhimbte zemra. Kështu që, i falënderoj të gjithë poetët që vazhdojnë këtë rrugë shumë të vështirë dhe i uroj gjithë të mirat. Falënderoj edhe Ardianën për këtë mbrëmjë që na dhuron dhe për ftesën që ma bëri”, thotë në fund kryetarja e jurisë, Vorpsi.

Emocionet janë pjesë e secilit njeri, e kur bëhet fjalë te poezia, kjo e fundit di të hy thellë në shpirtin e njeriut dhe të zgjojë ato emocione të cilat ne shpesh herë mendojmë se kishin vdekur dhe nuk kanë qenë kurrë aty.

Ndërkaq, finalistët e shpallur të këtij edicioni janë: Donika Berishaj, Eneida Gjonbalaj, Fatbardha Hasi, Argëzon Sulejmani, Zhaneta Barxhaj, Amina Kaja, Irsa Ruçi, Urim Dullovi, Fjolla Gashi dhe Ermira Alia.

Në mungesën fizike të tri autoreve finaliste, qe studentja e letërsisë Edlira Musliu ajo që interpretoi këndshëm poezinë “Histori e humbur” nga Eneida Gjonbalaj dhe poezinë e Ermira Alia “Frymë nën frymë”. Ndërsa, moderatorja Vlora Merovci e interpretoi poezinë e Irsa Ruçit, “Kur zoti puthi tokën”.

Vargjet e secilës poezi po kumbonin në atmosferën e mrekullueshme përpara të pranishmëve, derisa në fund erdhi edhe momenti i së vërtetës, ai i shpalljes së fituesve të çmimit “KultStrofa”. Fillimisht, u bë ndarja e mirënjohjëve për poetët: Donika Berishaj, Irsa Ruçi, Eneida Gjonabala,j Urim Dullovi, Amina Kaja, Argëzon Sulejmani, Fjolla Gashi.

Çmimi i tretë shkoi për poezinë “Frymë nën frymë” nga autorja shkodrane, Ermira Alia, derisa këtë çmim e ndau anëtari i jurisë, Dren Abazi.

Ndërkaq, vendin e dytë e ndau profesori Ag Apolloni, çmimi ky i cili shkoi për poezinë “Me dashtë” nga Fatbardha Hasi.

Autorja Zhaneta Barxhaj me poezinë “Hija”, mori çmimin e parë të edicionit të pestë të konkursit poetik “KultStrofa”. Ornela Vorpsi e bëri edhe ndarjen e çmimit, duke shpjeguar edhe arsyen pse kjo e fundit, sipas jurisë, mori çmimin kryesor.

“Kishte një gjuhë shqipe jashtë mase të pastër. Diçka që më bëri përshtypje në poezitë ishin fjalët e huazara nga gjuhët tjera. Por, kur shkruhet e punohet në një gjuhë sikurse të atdhuet edhe një gjuhë tjetër, sigurisht lëvrohet. Të huazosh fjalë totalisht të huaja s’më pëlqeu shumë, por në rastin e fitueses kemi një gjuhë shqipe të lëvëruar mjaftë mase bukur”, tha Vorpsi në dakordim me anëtarët e tjerë të jurisë.

Po ashtu fituesja e vendit të parë, Zhaneta Barxhaj theksoi se kjo është hera e parë që ajo po merr pjesë në një konkurs të tillë, derisa thotë se është munduar që në të gjithë krijmtarinë e saj t’i qëndrojë besnike gjuhës shqipe.

“Kur mora pjesë në këtë konkurs, ia thashë edhe Ardianës se unë thjeshtë e pava si një njoftim dhe vendosa të aplikoj. Kjo është hera e parë që unë marr pjesë në një konkurs të poezisë edhe pse kam lëvruar gjatë. Për mua poezia nuk ka fitues, sepse ajo është një ndjenjë dhe ne nuk mund të vlerësojmë ndjenjat dhe për mua të gjithë poetët janë fitues. Më preku Ornela me fjalët e saj, sepse unë në të gjithë krijimtarinë time jam munduar që t’i qëndroj besnike shqipes, t’i risjellë ato fjalë të cilat i kemi humbur, qoftë edhe për shkak të internetit dhe hapësirave tjera. Në qoftë se unë kam arritur ta ruaj të pastër gjuhën shqipe, është çmimi më i madh për mua”, tha ajo, derisa pranoi me shumë emocione çmimin e parë.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës, dhe kjo mirënjohje iu dha gazetares Era Berisha.

“Në fakt ne tradicionalisht e kemi që ky tubim të shënojë pak edhe fundvitin dhe në mesin e mirënjohjeve dhe çmimeve tjera, është koha të rikthejmë kokën pak brenda KultPlus-it, që edhe pa qenë këtu e klikoni në shtëpi. Çdo vit e vlerësojmë dikë që ka punuar pak më shumë dhe ma me përkushtim. E kemi një vajzë shumë të re dhe e cila ka një energji të papame dhe një përshkrim që ndodhë në një të ardhme, edhe mund të shndërrohet në një romanciere shumë të mirë. Era e ka një performancë të shkëlqyer për këtë vit”, thotë Pajaziti.

Krejt në fund, u krijua një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi që shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme për të gjithë të pranishmit që patën mundësi të përhumbeshin pas artit që e posedon poezia.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Ndërkaq, kjo mbrëmje kishte sponsor Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasadën e Francës në Kosovë Hotel Nartel dhe Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

“Mikës”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

MIKËS

(shokut tim n’amshim)

Mendja m’shkon natan Ibrit
i kushtueshmi mik.
Morti i zi mbretnon përtej
si ajo plagë e qelne n’mish të gjallë që kishe që s’ka kush ta mbylli
as dora me plot rrufe Zeusi.
Po vjen një kohë e keqe i dashtni mik.
Thonë që zemrat do ti blejmë edhe në dyqan e do jemi asnjanës
edhe pjellën do bëjmë nga vetvetja
kur nuk do dimë kush jemi.
Po vjen një kohë e ndytë miku im.
Me synin e tretun eter, mir’ që nuk po e sheh njeriun e ndotur.
E si mos t’jet!
kur, kush nuk njeh mo
as millin e bardh n’dur t’nonës
tue qullit, e tue qullit, me ba
me at erë uuuuh, erë toke, buk’ Kosove
që nuk ka shije që i afrohet
krejt n’kallamojt.
Ibri ecën n’tokën e ndame anej e knej.
E s’ka kush ti thotë, uj’ndalu!?
mos e ndaj venin ku buzëqeshnim.
Kur tash edhe besedat jon nda.
Kur sun kujt ti foli mo pos teje.
Për diamantin që shndrit.
Për nano grimcën e fundit.
Planetët gjigante që sillen pa kuptim.
Për njerëzit e dritës
kuptimin e kësaj bote.
Ty t’kam pas shok, i natan Ibrit
që m’kuptojshe.
I shkuem n’mort si i vetmi që mbamen
që jemi nda me këtë lum
Ibër që i thonë.
Ibrin s’ka kush e ndal
se do thahet toka.

E toka e that’ tregom
prej natanshit?
Ku rin i shterun gjer më asht
a i vyen najkujt?
Po edhe e bashkume t’jet
si dheu i Prometheut që na boni
vetëm ai ndoshta do ringjall
“lodrat njeri” që po ndoten.
Duhet kujtuar, po?!
Ibrin!
Ësht’ dasht’ dikush ta shkruan ty në Epitaf let dihet se dikur vetëm lum ka qenë
e jo mur’ që po na ndan me amshim!

Poezi e shkruar nga Bekim Shala, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus/ KultPlus.com

‘Grahmë’, poezi tjetër finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Grahmë

Grua, nëpër lumenjët e bardhë të jetës
Zgjedhe dëshiren dhe festo rrugëve të gëzimit;
Harroje mundin në kallinjët e grurit të bardhë dhe
Buzëqeshi klithjes në lindjen e të bukurës;

Grua, në bulevardet e dhimbjes mos i harro sytë e kaltërt,
Në hije qershije do t’gjejnë dhe do t’përcjellin
E kujtimet e tyre do të udhëtojnë me ty deri në dehje.
Në njërën nga ato ditët që duhet festuar
Në njërën nga ato ditët që duhet vallëzuar;

Grua, mos u ndal as në pikat e para të shiut,
Thaset e dhunës lagen,
Kutitë e forcës zbehen,
Përderisa zoti buzëqesh thjeshtësine e urrejtjes
Duke falur, e duke kërkuar ndjesë;

Grua, në atë dhomën e vogël,
Mos dëgjo gjëmen, as britmen vrasëse
Mos lexo zërat hyjnor,
Mbylle veten në botën e kukullave dhe ëndërro,
ëndërro hijeshëm, ëmbël dhe shkrij fjalë ari mbi trupin tënd lakuriq.

Grua, frymën e fundit leja vetes
Ledhatoje si fëmijën e palindur
Përkëdhele me duart e ngrohta
Shpërndaje me dashuri
Dhe grua,
guximin mbylle në Ty,
deri në grahmën e fundit.

Poezi e shkruar nga Valentina Broja, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus. / KultPlus.com