Rama në kantierin e qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijët: Konsiderohet më e madhja në Ballkan

Në kuadër të zhvillimit të projekteve infrastrukturore për avancimin e kulturës dhe artit në Shqipëri, ka nisur puna për kantierin e Qendrës së re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila do të ngrihet pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë. Ky projekt është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Blendi Gonxhe, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit panë nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.

“Ky projekt ka nëntë kate dhe do të ofrojë 7 mijë metra katrorë funksionalë, ku do të zhvillohen aktivitete artistike dhe edukative për fëmijët e të gjitha grupeve moshore. Është një sipërfaqe e jashtëzakonshme, shumë multifunksionale dhe e ndarë në shumë hapësira, ku mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme në mënyrë simultane, si në katet e brendshme ashtu edhe në tarracë”, shpjegoi ministri Gonxhe.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë. Ministri Gonxhe theksoi gjithashtu se kjo është një nga ndërtimet më të vështira dhe komplekse, veçanërisht për sa i përket aspektit teknologjik të skenës.

“Skena ka dy funksione të ndryshme dhe mund të përdoret për shfaqje si brenda ashtu edhe jashtë, me një portë të madhe që hapet për nga parku”, shtoi ai.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e krijimit të një stafi të kualifikuar për menaxhimin dhe funksionimin e qendrës.

“Për të siguruar suksesin e këtij projekti, ne kemi nevojë për mësues të artit të bukur, mësues të skenës, aktorë, regjisorë dhe profesionistë të tjerë të dedikuar dhe të paguar mirë. Kjo do të jetë një qendër europiane, që do të ofrojë mundësi bashkëpunimi me institucione ndërkombëtare. Ballkani nuk ka një projekt si ky, dhe duhet të fillojmë menjëherë kontakte me qendrat ndërkombëtare, si ato suedeze dhe spanjolle, për të krijuar një program të pasur ndërkombëtar”, theksoi Rama.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë Melsi Qirici, shpjegoi disa aspekte teknike të Qendrës.

“Për herë të parë, skena do të jetë me rotativ, duke ofruar mundësinë që ajo të lëvizë gjatë gjithë kohës, brenda dhe jashtë. Ky dizajn i avancuar teknologjik do të lejojë që Qendra të organizojë aktivitete për fëmijë dhe të rinj, duke ofruar mundësi për një gamë të gjerë shfaqjesh dhe ngjarjesh”, tha ajo.

Ajo shtoi gjithashtu se një element tjetër i ri për këtë projekt do të jetë ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.

“Për herë të parë, do të kemi një punishte që do të shërbejë për të gjithë të rinjtë, jo vetëm për teatrin, por edhe për zhvillimin e aktiviteteve të tjera krijuese dhe edukative”, u shpreh Qirici.

Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.

Me këtë projekt, Tirana do të fitojë një hapësirë unike, që do të stimulojë kreativitetin e fëmijëve dhe rinisë së qytetit. /atsh/ KultPlus.com

Vilat e Korçës, dëshmi e historisë, kulturës dhe stileve arkitekturore

 Vilat e bukura të Korçës, të njohura për detajet e veçanta, janë një dëshmi e historisë dhe kulturës së këtij qyteti.

Një nga karakteristikat më të spikatura të këtyre vilave, janë kolonat e zbukuruara me finesë, ballkonet e punuara me kujdes, dritaret me grila druri dhe elementët dekorativë të hekurit, pjesë e pandashme e këtij stili të veçantë, që ruan dhe pasuron trashëgiminë e qytetit.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo thekson se detajet e këtyre vilave, janë kujtim i traditës dhe një shenjë e zhvillimit të Korçës gjatë periudhave të ndryshme historike.

Arkitektura e banesave korçare është e veçantë dhe me larmi stilesh. Kultura të ndryshme kanë lënë gjurmë tek ndërtimi dhe dekorimi i shtëpive të dikurshme korçare, të cilat mbartin tiparet e tyre.

Ndikim të rëndësishëm në stilin e ndërtesave të Korçës ka lënë Perandoria Osmane. Tek ndërtesat më të vjetra shfaqen elementë tradicionalë të dizajnit otoman. Këto përfshijnë çatitë me kube, dritaret e portat me hark, si dhe fasadat e dekoruara në mënyrë të ndërlikuar.

Por, Korça shfaq edhe tipare arkitekturore tipike të rajonit, me ndërtesa me ndikime neoklasike, barok dhe art deco dhe struktura më moderne të ngritura gjatë shekujve XIX dhe XX./atsh/ KultPlus.com

Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, Veliaj: Hapim dy muze të rinj

Kryeqytetit do t’i shtohen dy muze të rinj përgjatë vitit 2025. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një dëgjese për buxhetin e vitit të ardhshëm në shkollën “Sami Frashëri”.

Ai theksoi se në kuadër të vitit kur Tirana do jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, do të investohet në dy muze lokalë.

“Një muze tashmë e kemi blerë, është në pronë të bashkisë, janë Sarajet. Fillimisht, na u desh ta mbronim që të mos digjej, pastaj e bleu bashkia e Tiranës për ta kthyer në një muze të qytetit, një shtëpi që është vërtet monument kulture. Shtëpia tjetër është garnizoni, ndërtesa kryesore te Garda. Edhe aty duam të kemi një muze të trashëgimisë tonë lokale. Vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës do të investojmë në dy muze lokalë. Ndërkohë, për teatrin, le të më padisin ditë e natë, ai do të bëhet më i fortë, më i bukur, më i madh për 100 vitet e tjera”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë nxënësit e shkollave që të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të mbahen vitin e ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duke cekur zhvillimet në dekadën e fundit në kryeqytet, kryebashkiaku deklaroi se sot Tirana numëron rreth 11 milionë turistë, falë punës së bërë gjatë këtyre viteve, duke e shndërruar atë në një destinacion të preferuar nga të huajt për të kaluar pushimet e tyre.

“Kam një pyetje për të gjithë dyshuesit: Pse mendoni se vijnë gjithë këta turistë në Tiranë? Sot qendra është e rrethuar nga njerëz që po festojnë festat e fundivitit. Dikush nga jashtë nuk vjen në një vend të huaj të shikojë një rrethrrotullim të madh me 170 mijë makina, por vjen ku ka një hapësirë ku 10 mijë vetë janë duke festuar festat e fundvitit dhe ka aktivitete për fëmijët e për të rritur. Nëse nuk do e kishim as Muzeun e Gjetheve, as Muzeun Kadare, as Muzeun Dritëro Agolli, për çfarë do vinin në Tiranë? Brezi i ri nuk e mban mend fare se mendojnë që Tirana ka qenë gjithmonë kështu, por ne të tjerët po. Kur ti ke një koncert të Dua Lipës, të Rita Orës, të Ricky Martin, të Iglesias, të DJ të ndryshëm, vijnë dhe turistë nga vende të tjera”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku Velija tha se “sot Tirana ka pritur mbi 11 milionë turistë deri në nëntor. Deri në fund të dhjetorit o do i afrohemi o do i kalojmë 12 milionë, pra praktikisht mesatarisht 1 milionë turistë në muaj”./atsh/ KultPlus.com

Java Franceze e Kulturës, për herë të parë në Tiranë shfaqja ujore ‘Fous de Bassin’/ Veliaj: Falas për publikun

Për herë të parë në Tiranë do të zhvillohet Java Kulturore e Francës. Nga data 13 deri më 19 maj,  do të ketë aktivitete të larmishme si koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra apo shfaqje cirku.

E veçanta e Javës Kulturore të Francës është patjetër edhe shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin” e cila vjen në datat 15 dhe 16 maj nga Ilotopie, trupa e mirënjohur e teatrit bashkëkohor në Francë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj shfaqje magjike, ku 15 artistë do të performojnë në ujë, në Liqenin Artificial të Tiranës dhe gjithçka do të jetë falas për publikun.

Shfaqja nis në orën 20:00 dhe për 50 minuta, qytetarët do të ketë mundësinë të shijojnë muzikë origjinale, kostume dhe dekorime mbresëlënëse, të pa realizuar ndonjëherë në vendin tonë.

“Fous de Bassin” e cila organizohet nga kompania teatrore Ilotopie, më herët është shfaqur në të gjithë botën, nga Londra, Çikago, Sidnei, Buenos Aires, Singapor, Marseja, Lioni, Portugalia, Kolumbia, Venezuela, Maroku, Belgjika, Venecia apo Roma./topchanel/ KultPlus.com

Barbarët e historisë së kulturës kosovare (VIDEO)

Katër objekte shekullore që u bënë ballë luftërave, nuk i rezistuan edhe lirisë.

Në më pak se tetë muaj, katër ndërtesa të trashëgimisë kulturore u kapluan nga flakët, ani se që të gjitha ishin në mbrojtjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

E bashkë me to u dogj edhe një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe historisë që mbartin ato me dekada të tëra.

Më 14 mars, në orët e hershme të mëngjesit, shkolla e parë shqipe në Ferizaj, apo ish-gjimnazi “Ismail Qemali”, u përfshi nga flakët.

Flakët e kapluan atë vetëm 24 orë nga koha kur edhe kishte nisur restaurimi i saj.

Dëmet ishin të mëdha, derisa kjo ishte hera e pestë e djegies së këtij institucioni historik arsimor.

Për këto zjarre që kapluan objektin e shkollës shqipe, u fol shumë e u aludua se ishin të qëllimshme. Madje sipas qytetarëve në Ferizaj, zjarrvëniet e 2017 e 2019 kishin cak shkatërrimin e objektit, por në mënyrë që në atë tokë të ndërtohen ndërtesa të larta.

Por edhe pse kanë kaluar kaq shumë muaj, ende nuk është arrestuar askush, megjithëse thuhet se zjarrin e shkaktoi një person me probleme psikike.

Pak muaj më vonë, në Gjakovë, një tjetër objekt historik pati fatin e shkollës së parë shqipe.

Muzeu i muzikës në Gjakovë, i vetmi i këtij lloji në rajon, u bë shkrumb e hi.

Intervenimet e shpejta të zjarrfikësve në natën e 30 gushtit, nuk arritën të shpëtonin asgjë. Objekti ishte i ndërtuar nga druri dhe kjo bëri që flakët të përpinin në pak minuta.

Fati tragjik i objekteve të vjetra, që janë kryesisht në zonat me interes të ndërtimit të lartë e preku edhe një objekt tjetër.

Pa kaluar dy muaj, Mitrovica u zgjua në flakë, shtëpia më e vjetër në këtë qytet, ajo e familjes Koroglu, u dogj e tëra.

Historia ishte pothuajse e njëjtë me atë të djegies së shkollës së parë shqipe në Ferizaj, edhe në objektin e familjes Koroglu kishin nisur punime për konservimin e saj, pasi nga lagështia shtëpia kishte humbur një pjesë të saj.

Flakët e 31 tetorit ishin të pamëshirshme.

Listës së ndërtesave të djegura të trashëgimisë kulturore në muajin shtator iu shtua edhe djegia e shtëpisë më të vjetër në Gjilan, e cila kishte 200 vjet qëndresë.

Edhe kjo shtëpi ishte në mbrojtje të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës dhe po ashtu u tha se shkaktar i zjarrit ishte njeriu.

Megjithatë, për krejt këto vepra që konsiderohen penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nuk është arrestuar ende askush.

E sipas të dhënave të Policisë së Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar, katër monumente të tjera ishin cak i dëmtimeve e shkatërrimeve, nga persona të panjohur.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, ishin dy të tilla. /Klankosova.tv/KultPlus.com