Një performancë e paharrueshme e grupit folklorik hungarez u shfaq mbrëmjen e të hënës në Sheshin Italia në Tiranë.
Më 2 Shtator, që përkon me hapjen e Javës Kulturore Hungareze, grupi folklorik Sinvavëlgji Nejptanc Myhej solli në kryeqytet tonë një performancë plot gjallëri dhe emocion.
Ritmi, improvizimi dhe energjia e grupit folklorik pushtoi skenën e kryeqytetit duke dhuruar spektakël për publikun shqiptar por edhe të huaj.
Ky grup spikat për ndjenjën jashtëzakonisht të zhvilluar të ritmit, improvizimin dhe lëvizjet energjike, të cilat krijuan një atmosferë festive nën ritmin e kërcimit dhe notave muzikore.
Në kuadër të kësaj jave një shtatore e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ndërtuar me qelq të riciklueshëm, u ekspozua më ambientet e Piramidës së Tiranës.
Por nuk ndalen këtu surprizat e rezervuara për Javën Kulturore Hungareze. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri./euronews/ KultPlus.com
Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare rikthehet sërish me plot surpriza e argëtim. Njëjtë si me grupin e parë të shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të tretë të JKN, çdo javë do t’i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve të shumta që përcjellin më së miri pasurinë e tyre kulturore.
Gjithçka vijon nga 2 Shtatori me Hungarinë, që do të sjellë në vendin tonë deri më datë 6 Shtator, argëtim e emocione pa fund. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe ekspozitës mahnitëse me skulptura xhami të artistes Yvette Botz, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, kjo javë ka diçka për të gjithë.
Surprizë e kësaj jave pa dyshim që do të jetë grupi folk dance Szinvavölgyi Néptáncműhely, që do të sjell në kryeqytetin tonë një performancë që premton shumë. Me kostumet tradicionale hungareze, ky grup do të marshojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në datën 3 shtator, duke i dhuruar qytetit zhanerin e tyre që spikat për ndjenjën jashtëzakonisht të zhvilluar të ritmit, improvizimin dhe levizjet energjike.
E po ashtu, përgjatë ditëve të Javës Kulturore Hungareze, nuk do të mungojnë as workshop-et e veçanta me artistët apo ritmet e muzikës klasike.
Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë që në morinë e aktiviteteve të shijojë edhe koncertin e madh të grupit hungarez Bohemian Betyars. Folk, punk, shpejtësi, ritëm, nota ballkanike, rock psikodelik, nota vibruese dhe motive cigane që karakterizojnë stilin e grupit, do munden të përjetohen po më datë 3 Shtator, tek Sheshi Italia.
Menjëherë pas Hungarisë, do të nisë java Kulturore e Holandës (7-11 Shtator), për tu pasuar nga Turqia (12-15 Shtator), Mbretëria e Bashkuar (16-22 Shtator), Kina (23-29 Shtator), Gjermania(2-8 Tetor), Japonia (9-15 Tetor), SHBA-ja (19-23 Tetor), Kombet e Bashkuara (24 Tetor), Austria (26-31 Tetor), Spanja (1-6 Nëntor), Mali i Zi (7-11 Nëntor), Meksika (12-16 Nëntor) dhe Kosova(21-30 Nëntor), që edhe përmbyll këtë edicion të tretë.
Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin dhe Brazilin, që e shndërruan vendin tonë nga veriu në jug, në një arenë ndërkombëtare shumë kulturore dhe shumë disiplinore. Fokus i veçantë në aktivitetet e shumta përveç argëtimit, ishte edhe dhënia e mesazheve për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut.
“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ne anë të kësaj nisme, është për qëllim krijimi i urave lidhëse, nxitja e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon. Nëpërmjet këtij projekti vendet gjithashtu njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat./ BalkanWeb/ KultPlus.com
Një ekspozitë e veçantë dedikuar rilevimeve dhe hartimit të projekteve për 22 objekte që mbajnë statusin monument kulture, vjen si një bashkëpunim mes Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër dhe Universitetit Polis.
Ekspozita synon të tregojë rëndësinë e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore përmes teknologjive moderne dhe metodave tradicionale, ku përfshin rilevime të detajuara të banesave historike, projekte restaurimi si dhe analiza të gjendjes aktuale të strukturave.
Një nga aspektet kryesore të ekspozitës ishin pasqyrimet e rilevimeve të bëra në terren, ku studentët, në bashkëpunim me specialistët e DRTK Shkodër, përdorën teknologji të avancuara si skanimi 3D dhe fotogrametria për të krijuar modele të sakta të këtyre objekteve.
Në vijim, këto rilevime ofrojnë një bazë të rëndësishme për planifikimin e restaurimeve të ardhshme të këtyre objekteve duke respektuar karakteristikat historike dhe arkitektonike të tyre.
DRTK Shkodër tha se, kjo ekspoze në Universitetin Polis është tregues i rëndësisë së bashkëpunimit dhe angazhimit ndërinstitucional dhe do ndiqet si një fazë e dytë për vënien në praktikë të këtyre plan projekteve që i shërbejnë dhe promovimit të praktikave më të mira të bashkëpunimit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com
Në Javën Kulturore Greke nuk mund të mungonte një emër si Giannis Ritsos. Një aktivitet në nder të poetit të njohur ndërkombëtarisht, do të vijë sonte në mbrëmje, frymëzuar nga “Poezitë erotike”, si një dëshmi e trashëgimisë letrare te Ritsos.
Poezia e Ritsos, konsideruar si një formë e të shprehurit që vjen si sekret i shpirtit dhe si mjet për njohjen e natyrës njerëzore, do të interpretohet në Galerinë e Artit të Korçës.
Poezitë do të interpretohen nga aktorët të nderuar Asterios Peltekis, Zamira Kita, përkrah Befi Redit. Mbrëmja do të drejtohet nga Enke Fezollari, me shoqërim muzikor nga Kostaq Vrame në piano. Kjo mbrëmje e poezisë greke do të vijë si një festë dedikuar punës shumë të pasur të shkrimtarit të famshëm grek./atsh/ KultPlus.com
Javët Kulturore Ndërkombëtare që nisën me Javën e Evropës do të vijojnë me Francën.
Kryeministri Edi Rama ndau videon prezantuese të Javës së Kulturës Franceze, e cila do të çelë siparin më 13 maj për të përfunduar më 19 maj.
Kryeministri Rama shkruan se Franca është vendi i delikatesës, kulturës, artit e inovacionit.
“Vazhdojmë magjinë e Javëve Kulturore me Francën, vendin e delikatesës, kulturës së pasur, artit dhe inovacionit”, shkruan Rama.
Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare do të vijojë nga 13-19 maj me Francën me koncerte, ekspozita, shfaqje dhe argëtim. Java Kulturore Franceze vjen me një program të kuruar të muzikës, kulturës dhe spektaklit.
Gjatë kësaj jave, më 13 maj tek Piramida do të çelet ekspozita e skulpturës “Richard Orlinski”. Po në 13 maj në ambientet e Piramidës do të hapet “KubFranceTirana”, ndërsa Dj Dylan Dylan më 13 maj dhe 16 maj tek Piramida do të performojë për adhuruesit e muzikës.
Të pasionuarit pas lojërave do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitetin e lojërave “Krijuar në Francë” më 14 dhe 15 maj tek Piramida, më 15 maj do të organizohet “Dita Alumini” Francë po tek Piramida.
Ndërsa shfaqja “Ilotopie” do të shfaqet më 15 dhe 16 maj tek Liqeni Artificial.
Edicioni i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli siparin më 1 maj dhe do të zhvillohet deri në nëntor. JKN nisi me “Javën e Evropës” vijon me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarinë, Holandën, Turiqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën e Kosovën.
Edicioni i parë i JKN-së filloi si një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës në vitin 2022, me dëshirën për të përçuar vlerat dhe traditat e për të nxitur shkëmbimin kulturor dhe frymëzuar inovacionin.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare shumëkulturore dhe shumëdisiplinore./atsh/ KultPlus.com
Javët Kulturore Ndërkombëtare vijnë në edicionin e 3-të
Lajmi bëhet me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja.
“”Po vijnë, po vijnë, po vijnë!
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre në këtë edicion të tretë, plot surpriza dhe energji të reja!”, shprehet Gonxhja në rrjetet sociale.
Sipas tij, Shqipëria është gati të mikpresë botën duke promovuar kulturën unike të secilit vend dhe duke u përpjekur të krijojë ura lidhëse që përçojnë vlerat dhe traditat më të mira që bota ofron.
Ai fton qytetarët të bëhen pjesë e hapjes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Ceremonia e hapjes do të mbahet në datën 1 maj, ora 20:00, në sheshin “Skënderbej”.
Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) është një nismë e ish-Ministrisë së Kulturës 2022, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës.
Nëpërmjet këtij projekti vendet njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat. JKN e shndërron skenën e aktiviteteve kulturore në vend në një arenë ndërkombëtare multikulturore dhe multidisiplinore./atsh/KultPlus.com
Mirëmbajtja, investimet dhe projektet me bashkëpunëtorë të huaj, kanë nxjerrë nga lista e riskut shumë objekte pasuri kulturore në shumë qarqe.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se këto ndërhyrje janë kryer falë ekipeve dhe specialistëve të drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me mjeshtrat duarartë dhe komunitetet e organet vendore.
Gonxhja u shpreh se “ndërhyrjet restauruese kanë vijuar në: Kishat e Shën Triadhës në Tudas dhe Shën Marisë në Lubonjë;Shtëpinë muze të Kostandin Kristoforidhit në Elbasan;Pikturën murale në kishën e Shën Kollit dhe punime emergjente në Urën e Niçës. Gjithashtu, është në proces një projekt i rëndësishëm për restaurimin e kishës dhe pikturës murale në ishullin e Maligradit, me mbështetjen e projekteve IPA”.
Minisitri Gonxhja u shpreh se “investimet kanë nxjerrë nga risku kishën e Shën Marisë, Barmash dhe Shën Kollit në fshatin Shelcan. Po rijetëzojmë kulturën anë e mbanë Shqipërisë, e rikthejmë lavdinë dhe shkëlqimin e siteve dhe monumenteve kulturore të vendit”, tha Gonxhja.
Monumentet e kulturës në vendin tonë vijojnë të jenë më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja./atsh/KultPlus.com
Organizata kulturore me seli në Mitrovicë, “7Arte” është bërë pjesë e e asociuar e rrjetit të Ligës Evropiane të Instituteve të Arteve.
“7Arte” tashmë radhitet në mesin e më shumë se 280 anëtarëve të shtrirë në 52 vende, në të gjitha disiplinat e artit.
“Njihuni me ‘7 Arte’, një organizatë kulturore me mision të mbështesë artistët e rinj, të promovojë dhe zhvillojë një kulturë të përbashkët evropiane, të ofrojë përvoja të reja profesionale për artistët kosovarë dhe të ndërtojë partneritete të vlefshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ELIA-s.
Në njoftimin e kësaj organizate vendore thuhet se ky partneritet pasqyron përkushtimin e “7Arte” në fuqizimin e rinisë së Mitrovicës, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avokimin për trashëgiminë kulturore dhe artistike./rtk/KultPlus.comlajm
Agjencia kulturore e OKB-së e njohu të mërkurën iftarin, vaktin që prish agjërimin gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në listën e saj të trashëgimisë kulturore jomateriale.
Aplikimi për traditën sociokulturore u dorëzua bashkërisht nga Irani, Turqia, Azerbajxhani dhe Uzbekistani në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
“Iftari (i quajtur edhe Eftari ose Iftor) festohet nga myslimanët në perëndim të diellit në muajin e Ramazanit, pas përfundimit të të gjitha riteve fetare dhe ceremoniale”, tha UNESCO, raporton AFP, transmeton Klankosova.tv.
Iftari, i cili pason ezanin e perëndimit të diellit gjatë Ramazanit, shoqërohet me tubime “duke forcuar lidhjet familjare dhe komunitetin dhe promovimin e bamirësisë, solidaritetit dhe shkëmbimit shoqëror”, thuhet në deklaratë.
Tradita e vjetër e komunitetit u njoh nga Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që është mbledhur në Botsvanë që nga e hëna.
Në disa vende myslimane, është zakon të shënohet iftari duke ngrënë një hurmë të shoqëruar me çaj. Recetat për pjatat dhe pastat, megjithatë, ndryshojnë shumë në varësi të vendit.
Organi i OKB-së tha se “praktika e iftarit zakonisht transmetohet brenda familjeve, dhe fëmijëve dhe të rinjve shpesh u besohet përgatitja e përbërësve të vakteve tradicionale”. /Klankosova.tv/KultPlus.com
Në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u organizua sot një takim përkujtimor me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të arkitektit Gani Strazimiri.
Tema e takimit ishte “Arkitekt Gani Strazimiri: Themelues i Institutit të Trashëgimisë Kulturore” dhe morën pjesë shumë prej atyre që janë prekur nga vepra dhe trashëgimia e profesor Gani Strazimirit.
Fjala e hapjes u mbajt nga drejtorja e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Klesta Qirici. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Mbi jetën e profesor Strazimirit dhe veprën e tij, folën Skënder Strazimiri, Suzana Varvarica, Artan Shkreli, ish kryeministri Aleksandër Meksi e prof. Pirro Thomo.
Në kuadër të 55-vjetorit të krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të themeluar prej tij, si dhe me rastin e 105-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës i ka dhënë Gani Strazimirit, titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Prof.Strazimirit i njihet merita e madhe për ruajtjen e shumë prej objekteve të kultit të cilat pas viteve `65 filluan të shkatërroheshin nga regjimi komunist. Shkatërrimin e tyre ai e quante një “akt vandal” dhe “vepër kriminale” siç edhe ishin në të vërtetë.
Prof.Strazimiri ka luajtur veçanërisht rol të rëndësishëm në përcaktimin e zonave historike të arkitekturës popullore, të shpalljes së Gjirokastrës e Beratit qytete-muze, si dhe të komplekseve muzeale të pazareve të Krujës e Korçës.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prizrenit, kanë vizituar asete të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.
Nxënësit e drejtimit të arkitekturës kanë pasur mundsin që t’i shohin nga afër punët restauruese dhe konservuese që po zhvillohen në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, shtëpinë e familjes Bardhi dhe disa asete tjera të trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com
Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës në konferencën e mbajtur sot për media, kanë njoftuar se do të anulojnë çdo aktivitet deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.
Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë dal sot me një komunikatë për media, ku thanë se nga sot anulojnë çdo aktivitet dhe hyjnë në grevë.
Besnik Grajqevci, përfaqësues nga Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, tha se kjo konferencë po mbahet për të njoftuar opinionin se cilat janë hapat sindikal të cilat do të merren karshi kërkesave të tyre.
“Bëjmë thirrje institucioneve tona dhe ministrit që sa më shpejtë të miratojnë marrëveshjen që e kemi bërë tash e një vit”, tha ai.
Këshilli i Grevistëve u shprehen se performuesit e artit tash e 19 vite janë në gjendje të rëndë dhe po neglizhohen nga Ministria e Kulturës, Kuvendi dhe Qeveria.
Përfaqësuesi Sindikal i Teatrit Kombëtar, Shkelzen Veseli theksoi se mungon edhe mbrojtja institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistik.
“Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me ngritje do të dalin në janar, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në shtator.. dhe pastaj, dhe pastaj dhe pastaj… ja ku jemi në vitin 2028”, u shpreh me ironi, Veseli duke kujtuar premtimet e shumta të cilat i ka marrë ky Këshilli nga Ministria e Kulturës këto vitet e fundit.
Këshilli Grevist i Sindikatave dhe përfaqësuesve e perfomuesve të artit të institucioneve vartëse të MKRS-së, shpallën grevë të përgjithshme duke pezulluar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës, deri në realizimin e zotimeve publike të MKRS-së për ngritjen e pagës bazë komfor Rregullores 05/2018.
Kujtojmë se Sindikata përkatëse të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë iniciuar proceduat për përmirësimin e rregullores 05/2011.
“Ne do të vazhdojmë grevat. Sigurisht kemi pasur greva edhe më parë por gjatë kohës sa ato janë anuluar janë realizuar mjaftë punë edhe pse ato mund të mos vërehen. Madje është realizuar edhe koncept dokumenti. Pra tani ka mbetur vetëm që rregullorja të dërgohet në Qeveri për miratim. Unë shpresoj që ministri ka vullnet dhe dëshiron që ta realizojë këtë. Po ashtu jemi të bindur se kërkesa është ligjore, legjitime dhe e realizueshme”, shtoi Veseli.
Këshilli i grevistëve gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen, sikurse edhe deri më sot, do të angazhohen që të jenë partner të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht MKRS-së./ KultPlus.com
Qendra Kulturore e Fëmijëve në Prishtinë, hap konkurs për fëmijët e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës, të cilët janë të interesuar për tu bërë pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Audicioni është i hapur në këto drejtime: Kor, Sport, Ansambël Folklorik dhe Klubi i Ambasadorëve të Rinj.
Pjesëmarrësit në audicion do të testohen për aftësitë e tyre në:
– Kor (Këndim dhe Ritëm)
– Sport (Ping pong, Badminton)
– Ansambël Folklorik (Vallëzim folklorik, Ritëm…)
– Klubi i Ambasadorëve të Rinj (Suksesi i shkëlqyeshëm, njohja e një gjuhë të huaj, njohuri të përgjithshme…)
Mosha e nxënësve duhet të jetë nga 7 – 16 vjeç, kurse në Klubin e Ambasadorëve të Rinj 12-16 vjeç. Data për audicion është më 2 tetor 2017 nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 14:00 deri në 16:00. Audicioni mbahet te Qendra Kulturore e Fëmijëve-Pallati i Rinisë dhe Sporteve kati i II, Prishtinë./ KultPlus.com