Do të jetë piktorja Zake Prelvukaj e ftuara e radhës e KultPlusit në ngjarjen ‘KultWoman me…’
Në ciklin e ngjarjeve, e katërta mbrëmje do të mbahet me Zake Prelvukajn.
Me datë 15 shkurt, e premte, në ora 17:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Zakja vjen me tregimin e saj mbi jetën dhe artin e saj.

Zake Prelvukaj diplomoi për pikturë në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Në vitin 1993 filloi punën si docente në lëndën pikturë monumentale. Në vitin 1997 magjistroi në lëndën e pikturës, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 mori klasën e pikturës, si profesor i asociuar.
Në vitin 2005 ajo morri Çmimin e Nëntorit në Maqedoni dhe më pas morri çmim edhe në Ekspozitën ‘Lule për Aleksandër Moisiun’.

Gjatë karrierës së saj të deritanishme ka ekspozita të shumta personale dhe grupore. Ekspozitat personale në Kosovë i hapi kryesisht në Prishtinë: Future X (2010), Mbroje natyrën në Parkun Gërmia (2004), Sexhibition në Muzeun e Kosovës (2005), 12 hours-shoping centre-performative (2004), Ghetto in Balkan në Hani i Dy Robertëve (2003), X-sat flasin – Arti i rezistencës, Galeria Dodona (1998). Në Pejë ekspozoi në Kafe-Galerinë Evergrin (1994) dhe Galeri Evropa (1996), ndërsa në Gjakovë në Neë Vision Gallery (2001)
Ejani me 15 shkurt ta dëgjoni tregimin e Zakes dhe ta takoni nga afër artisten.

‘KultWoman me…’ është ideuar nga KultPlus ndërsa është projekt në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’ nga Bashkimi Evropian.