Kumbaro: Projektet për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin nga Ulëza në Korçë dhe Vjosë

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro foli sot në Kuvend në interpelancën e kërkuar nga opozita edhe për projektet për ruajtjen dhe promovimin e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit për vitin 2025.

Në fjalën e saj, Kumbaro tha se “investimet në zonat e mbrojtura do të vazhdojnë të jenë në fokus edhe në vitin 2025, ku vetëm falë buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejmë Investimin infrastrukturor për EKO-Park-Ulzën, duke nxjerrë në dritë një tjetër perlë të natyrës dhe të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në veri. Por duke shfrytëzuar edhe gjithë pjesën historike duke e kryer edhe muzealizimin e hidrocentralit të Ulëzës për të gjithë kureshtarët”.

“Ky është vizioni që i shndërron këto zona të vizitueshme, të pëlqyeshme dhe i nxjerr nga errësira. Fillon po brenda vitit 2025 ndërtimi i një Qendre Multifunksionale dhe edukimi natyror së bashku me muzeun edukativ të natyrës në Korçë, sikurse dhe një tjetër të tillë në Drilon, që ju nxis ta vizitoni se Parku Natyror i Drilon-Tushemishtit ka dalë në dritë. Unë e di që shkoni, po këtë keni ju, bukuritë që ne ndërtojmë i shijoni e i gëzoni, por kur vini këtu mbani ‘koburen e sharjeve në brez’ njësoj siç bëtë me Parkun e Liqenit”, tha Kumbaro.

Por, vijoi ajo, gjithashtu do të ecim përpara me ndërtimin e Qendrës Multifuksionale në Vjosë, projekt që erdhi pas një konkursi ndërkombëtar dhe i projektuar me një stacion kryesor në Tepelenë dhe dy stacione plotësuese në Përmet dhe në Vlorë, ku pikërisht për shkak të gjatësisë dhe sipërfaqes mbi 12 mijë hektarë të Parkut Kombëtar, synojmë të krijojmë një tjetër atraksion ekoturistik duke promovuar vlerat e biodiversitetit të lumit të fundit të egër në Europë, i cili gjatë dy viteve të fundit është kthyer në pasaportë të promovimit ndërkombëtar për vendin.

“Dhe jo më larg se një javë më parë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të krijuar Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Vjosës, duke qenë se është një park që kalon në katër qarqe të ndryshme, nuk mund ta linim pa një mirëadministrim të dedikuar”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit foli edhe për vizionin e turizmit të qëndrueshëm ku zonat e mbrojtura janë vizituar nga 5,3 milionë vizitorë gjatë periudhës janar-nëntor 2024, rreth 1 milionë më shumë se një vit më parë.

“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, – madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju – por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave, të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “synimi ynë është turizmi i qëndrueshëm, turizmi elitar, që mbron mjedisin, kujdeset për natyrën dhe i lë brezave një Shqipëri të begatë, krejt e kundërta e batërdisë që ju propozoni dhe që fatkeqësisht e keni provuar që e arrini rregullisht. Zonat e mbrojtura mbartin brenda tyre histori njerëzore dhe trashegimi natyrore, ky është fakt, është pasuri, dhe ne duhet ta mbrojmë jo duke dëbuar njerëzit nga fshatrat e duke i shtyrë të gjithë drejt Tiranës, qytetit apo punësimit të huaj. Por duke i orientuar drejt turizmit dhe agroturizmit, drejt vizionit të Shqipërisë 2030. Për këtë jemi votuar, e për këtë do të votohemi sërish edhe në 11 maj, e mbi të gjitha pikërisht në ato zona që po begatohen nga shpirti njerëzor, përkundër shkretëtirës që ju propozoni”./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Standardet më të mira të mikpritjes duke rijetëzuar banesat e vjetra në Korçë

Qyteti i Korçës është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara në Shqipëri, që mirëpret fluks vizitorësh në çdo stinë të vitit.

Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve, të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga një prej hoteleve më të reja të hapur në këtë qytet.

“Të ndërtuarit e folezave të ngrohta me standardet më të mira të mikpritjes, duke rijetëzuar banesat e vjetra dhe duke përcjellë në formën më mbreslënëse trashëgiminë e pasur kulturore e shpirtërore pa cenuar asnjë “gur” nga mozaiku i lagjeve historike është virtyt estetik i korçarëve mes shumë të tjerave, që tek “Vintage Boutique Hotel” është bërë me një sqimë e mjeshtëri të jashtëzakonshme”, theksoi Kumbaro.

Pronari i këtij hoteli tha se “kjo ndërtesë më parë ka qenë shtëpi e ndërtuar në 1920 me projekt italian”.

Vizitorët vendas dhe të huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.

Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese./atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: Historike, 6 fluturime direkte nga Italia në aerodromin e Gjirokastrës

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamjet nga aerodromi i Gjirokastrës, që tashmë është në funksion të fluturimeve sportive turistike direkte nga Italia.

“Një ngjarje historike për aerodromin e Gjirokastrës në të cilin për herë të parë u kryen gjashtë fluturime direkte nga Italia, duke reduktuar kostot, kohën dhe duke e bërë Gjiron një destinacion ekskluziv për fluturimet sportive e turistike”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjetet sociale.

Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues dhe tregtar që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike të vendit tonë edhe fluturimet në aerodromin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./atsh/KultPlus.com

Kumbaro me operatorë të turizmit natyror: Vjosa, hartë unike me shumë propozime

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka zhvilluar një takim me operatorë të turizmit natyror, bujtinave dhe agroturizmeve pranë Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.

Gjatë muajve janar-gusht të vitit 2024, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 3.8 milionë vizitorë, me një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

“Vjosa është lumë, por është edhe ekonomi. Dhe na kërkon të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në momentin e parë që mund ta prekim ose dëmtojmë pa dashje ose nga dëshira për të vrapuar pak më shpejt, mund të dëmtojmë biznesin e së ardhmes. Prandaj i gjithë ky koncept i turizmit që e quajmë turizëm i qëndrueshëm, si dhe ekoturizmi kanë krijuar të tjera aktivitete sektoriale në turizëm”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi edhe lehtësitë fiskale si TVSH-ja e ulur në 6% për hotelet dhe bujtinat, për agroturizmin do të jetë 5% dhe 0% për biznesin e vogël.

“Këto masa të cilat mund të duket se s’kanë influencë, sot kanë bërë që të shtohet zinxhiri i ekonomisë dhe ju kanë nxitur që të shpikni forma të reja të ofertës turistike. Vjosa është kthyer në një kartvizitë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila nuk ka kuptim pa ju. Dërguam në UNESCO dosjen e plotë për të cilën kemi një vit që punojmë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për ta regjistruar si një kategori e veçantë në listën Botërore të Trashëgimisë Natyrore”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit u shpreh gjithashtu se vizitorët që vijnë në Gjirokastër, vizitojnë edhe Përmetin, edhe bashkitë e tjera të qarkut dhe sipas saj, organizata e menaxhimit të destinacioneve “Visit Gjirokastra” si dhe të shtatë bashkitë e këtij qarku kanë meritën e të krijuarit të një modeli të destinacionit të organizuar turistik.

“Në një zonë kaq të vogël, ne mund t’i mbajmë turistët deri në një javë. Dhe kjo nuk bëhet duke folur vetëm për Përmetin, apo për Këlcyrën, apo për Gjriokastrën. Vjosa na bashkon të gjithëve si një hartë unike me shumë propozime brenda”, vazhdoi ministrja.

Në fund të fjalës së saj ministrja Kumbaro foli për të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare. Ajo kujtoi se në vitin 2022, në ekonominë shqiptare sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, hynë 2.8 miliardë euro, kurse për vitin 2023 kjo shifër u rrit në 4.2 miliardë euro. Ndërsa për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur 500 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, duke theksuar se do të punohet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë që gjenerohet nga turizmi./atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: Shqipëria, vendi i nderit në panairin e turizmit ‘ITB Berlin’ në 2025-ën

 Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një takim me CEO-n e Messe Berlin, Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin, Deborah Rothe.

Kumbaro u shpreh se me Tobias dhe Rothenisi bashkëpunimi shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit, “ITB Berlin”.

Kumbaro theksoi se, Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike.

“Shumë i mbarë takimi i sotëm së bashku me Kryeministrin Edi Rama me CEO-n e Messe Berlin Mario Tobias dhe drejtoreshën e ITB Berlin Deborah Rothe me të cilët nisim bashkëpunimin shumë intensiv për prezantimin e Shqipërisë në panairin më të madh në botë të turizmit “ITB Berlin” në të cilin kemi marrë ftesën për të qenë Vendi i Nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale./ atsh/ KultPlus.com

Kumbaro: 3.3 milionë turistë të huaj nga janari deri në maj

Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maji 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri sot publike shifrat duke theksuar se me afrimin e pikut të sezonit turistik bregdetar shtohet përgjegjësia institucinale dhe vëmendja për të prezantuar më të mirën e ofertës turistike shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.

“38% më shumë turistë të huaj se një vit më parë na vizituan gjatë muajit maj duke e çuar në 3.3 milionë numrin e turistëve që kemi pritur këta pesë muaj e ndërsa piku i sezonit turistik bregdetar afrohet, forcojmë gjithë vëmendjen institucionale dhe shpirtin e mikpritjes për të prezantuar më të mirën e AlbaniaAllSenses”, shprehet ministrja Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Kumbaro është duke vijuar turin e inspektimeve në bashkitë bregdetare me qëllim monitorimin për përmbushjen dhe respektimin e standardeve, të pastërtisë, hapësirave publike dhe sigurisë në turizëm./atsh/KultPlus.com

Kumbaro takon artistë të Ansamblit Popullor: Trashëgimia kulturore, pjesë e ofertës turistike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me grupin e artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor që performoi në samitin e turizmit të organizuar në Tiranë.

Takimi është zhvilluar gjatë samitit të organizuar në Tiranë të Organizatës Botërore të Turizmit, ku grupi i artistëve performoi valle të traditës sonë artistike në shenjë mikpritjeje për të pranishmit në samit.

Në një postim në rrjetet sociale, Ministrja Kumbaro publikon foto nga takimi dhe shkruan se performanca e artistëve ishte një pamje më e bukur e ofertës sonë turistike, që lidhet me trashëgiminë kulturore.

“Me mall takova kolegë nga grupi i artistëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor që na nderuan me artin e tyre në samitin e Organizatës Botërore të Turizmit në Tiranë duke shpalosur një nga pamjet më të bukura të ofertës sonë turistike, atë të trashëgimisë kulturore të shpirtit shqiptar. World Tourism Organization (UNWTO)”, tha Kumbaro.

Tirana mikpriti takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që u zhvillua për herë të parë në vendin tonë, duke mbledhur së bashku 40 përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet e kontinentit. Gjatë takimit, Komisioni për Europën miratoi Axhendën e Turizmit për vitin 2024, duke manifestuar prioritetet e Europës si destinacioni kryesor në botë dhe një pionier në inovacionin turistik, ndërsa Shqipëria konfirmohet si destinacioni me rritjen më të madhe të flukseve turistike.

Autoritetet kombëtare të turizmit të Evropës janë takuar në Tiranë për të avancuar zgjidhjet e përbashkëta për sfidat më të mëdha me të cilat përballet turizmi, si dhe mundësitë e ofruara nga kthimi i sektorit pas pandemisë.

Me pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë anëtarëve të turizmit të OKB-së në rajon, takimi shërbeu si një platformë për dialog dhe bashkëpunim, duke ofruar një terren për shkëmbimin e njohurive, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe adresimin e sfidave dhe mundësive me të cilat përballet sektori i turizmit./atsh/KultPlus.com

Rekord vizitorësh në mars, Kumbaro: Në tre muajt e parë të vitit 1,7 milionë turistë të huaj në Shqipëri

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë, ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Muaji mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj, ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.

Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare.

“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.

Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit, nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.

Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një aktivitet të Organizatës Botërore të Turizmit./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Mediet botërore, jehonë Shqipërisë për titullin ‘Vend Nderi 2025’ në ITB Berlin

Mediet e huaja të njohura në fushën e turizmit dhe udhëtimeve i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë Shqipërisë, që u nderua pak ditë më parë zyrtarisht me titullin “Vendi i Nderit” i ITB – Berlin 2025, që është panairi më i madh në botë për turizmin.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi foto nga të shkrimeve nga këto medie, teksa shkroi se “mediet e njohura të turizmit dhe udhëtimeve kanë kanë qenë tërë sy e vesh nga Shqipëria duke i shtuar jehonën titullit që sapo morëm në Berlin si “Vendi i Nderit 2025”, për të theksuar rritjen turistike dhe modelin unik të mikpritjes shqiptare”.

Kumbaro e cilësoi jehonën e shtypit të huaj për vendin tonë, pjesë të promovimit të Shqipërisë turistike.

“Nis kështu promovimi 1-vjeçar i rrugëtimit tonë me panairin më të madh në botë të turizmit ITB Berlin”, tha ajo.

Në edicionin e këtij viti Shqipëria mori pjesë me një koncept të ri të promovimi, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantuan në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.

Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, ministrja Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Europën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill.

UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Europë për rikuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizitua nga 1 milion vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: 3.2 miliardë euro hyrje në ekonomi nga turizmi 9 muajt e parë të vitit 2023

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se, për 9-mujorin e vitit 2023 ka pasur 3.2 miliardë euro të hyra në ekonominë shqiptare.

Në konferencën për analizën vjetore të MTM, Kumbaro foli për impaktin që pati në ekonomi sektori i turizmit gjatë vitit të shkuar.

Duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, Kumbaro tha se, “për 9- mujorin e parë të vitit 2023 kemi konfirmimin për 3.2 miliardë euro të hyra në ekonominë shqiptare”.

“Po ta krahasojmë me vitin 2022 që ishte prapë një vit i mirë turistik ku kemi pasur për të gjithë vitin 2022, 2.8 miliardë euro, ndërkohë që vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2023 3.2 miliardë”, theksoi Kumbaro.

Duke iu referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, Kumbaro tha se, “është rritur mesatarja e netë-qëndrimeve. Është një ndër kriteret me të cilat masim stabilitetin e ekonomisë së turizmit, nga 3-4 netë që e kemi pasur vitin e kaluar. Viti 2023 praktikisht shënoi 6 netë qëndrime për turist. Gjë që tregon një sektor në rritje”./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Alpet, destinacion i turistëve të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës

Alpet shqiptare të mbuluara nga dëbora ofrojnë një peizazh mbresëlënës për të pasonuarit pas ngjitjeve në mal.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga Alpet, duke ftuar vizitorët t’i frekuentojnë ato në këto ditë dimri.

Kumbaro tha se “Alpet, deri pak vite më parë ishin të izoluara gjithë dimrin e gjatë, kurse sot frekuentohen nga turistë e të pasionuar pas sporteve natyrore e të aventurës”.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Kumbaro: Kurorëzojmë me sukses vitin e Vjosës

Shpallet sot studioja arkitekturore fituese e Konkursit Ndërkombëtar të Dizajnit për krijimin e “Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit” të Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa.

Mes tre prezantimeve finaliste të përzgjedhura nga 16 studio pjesëmarrëse, juria e konkursit, e përbërë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, CEO i “Patagonia”, Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë, do të përzgjedhë projektin fitues.

Në ceremoninë e hapjes së prezantimit të 3 projekteve finaliste, ministrja Kumbaro kujtoi gjithë rrugën e gjatë të bërë për të mbërritur deri në këtë moment.

“Ishim bashkë me kryeministrin Rama, kur vendosëm të bashkonim forcat me Ryan Gellert, CEO-n e Pantagonias që ka qenë bashkudhëtarja e pandarë në këtë rrugëtim që hera-herës i përngjan një ëndrre që shumë e dëshironin e pak e besonin, me partnerët e IUCN – Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës që sot përfaqësohet shumë denjësisht nga një prej emrave të njohur ndërkombëtarisht në ekspertizën e mbrojtjes së Biodiversitetit, si anëtar i jurisë, James Hardcastle – IUCN që certifikoi gjithë punën tonë voluminoze, me shumë pasionantë të mjedisit që jetën ia kushtuan natyrës e me plot miq të tjerë që i shoh në këtë sallë”, tha ministrja.

Më tej, Kumbaro sqaroi detajet për sa i përket filozofisë së qendrës multifunksionale dhe stacioneve të informimit që do të jetë porta hyrëse në Parkun Kombëtar Vjosa.

“Nga 16 studio pjesëmarrëse në konkurs, sot do të ndjekim tre idetë finaliste, për të zgjedhur 1 projekt e për t’ua dhuruar atë Vjosës, turistëve dhe brezave. Për të ndërtuar një Portë për Parkun Kombëtar, që do të marrë siluetën e një qendre moderne vizitorësh, pikënisje e udhëtimit të shumë turistëve prej nga do të marrin informacion për vlerat e Parkut, shtigjet e ecjes, turet, vendet për të fjetur e kështu me radhë, por edhe ku do të tregohen vlerat e jashtëzakonshme të këtij laboratori natyror me 257 lloje zogjsh, e 70 lloje gjitarësh, 150 lloje insektesh, 60 lloje molusqesh, 31 lloje zvarranikësh, e përfytyroni dot këtë muze natyror të gjallë”, u shpreh ministrja Kumbaro në ceremoninë hapëse të eventit.

Ky konkurs përmbyll “Vitin e Vjosës”, siç ishte shpallur viti 2023 nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Vjosa do të jetë edhe një motor ekonomik i zhvillimit të qëndrueshëm, jo me artielieri të rëndë, por me turizëm që respekton natyrën, me ekoturizëm, me sporte natyrore, me bujtina e agroturizme që kanë nisur ta popullojnë krejt luginën nga Leskoviku e Çarshova e Përmetit, deri në Këlcyrë e Tepelenë, Memaliaj e Fier, Selenicë e Vlorë, Gjirokastër, Dropull e Libohovë, duke i mbushur me krenari njerëzit që u rritën me gurgullimën e ujit të saj, për t’i dhënë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë ekonomi aty, në rrënjët e të parëve të tyre, e të begatohen buzë lumit duke vazhduar jetën në paqe me të, për çka po punojmë tashmë për Planin e Menaxhimit”, u shpreh Kumbaro.

Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro tha se Vjosa ishte nxitja, ose kumbara e anëtarësimit të Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN). Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë union, pasi është miratuar në mbledhje qeverie dhe është diskutuar në Komisionin për Politikën e Jashtme, do të kalojë në Kuvend./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Nis puna për strategjinë e Turizmit 2024 – 2030

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se ka filluar puna mbi strategjinë e Turizmit 2024 – 2030, përmes një metodologjie të mirëstudiuar dhe me ekspertizën e GIZ.

Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro tha se “duam të hartojmë një strategji që të jetë realiste, e zbatueshme dhe të drejtojë politikat e sektorit të turizmit deri në vitin 2030, me dinamikat e tij që shpesh herë edhe i tejkalon parashikimet”.

“Të gjithë janë të ftuar në tryezat e konsultimeve, që në përfundim të kemi produktin i cili do t’u shërbejë subjekteve publike, atyre private, bizneseve të hoteleri turizmit, të udhëtimit, organizatave, shoqatave dhe gjithë grupeve të interesit për të krijuar vizionin e tyre drejt produkteve turistike të qëndrueshme me ambicien se në mbarim të afatit të kësaj strategjie do ta kemi kthyer Shqipërinë në kampion të turizmit në Ballkan”, tha Kumbaro.

Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shfirave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën.

Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.

Vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor, për shkak të relievit, që ofron mundësi për turizëm nga jugu, në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.

Shqipëria po ashtu ka lumenj të shumtë, laguna dhe parqe kombëtare, të cilat thithin turistë nga e gjithë bota./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Nisin nesër aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazhit

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumabro bëri të ditur sot se nesër nisin aplikimet për menaxhimin e stacioneve të plazhit.

Kumbaro theksoi se aplikimet do të jenë të hapura nga dita e nesërme, e hëna e 6 nëntorit, e për një muaj në vazhdim.

Ajo nënvizoi se, të gjithë subjektet e interesuara për menaxhimin e stacioneve të plazheve mund të aplikojnë përmes platformës eAlbania duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi”.

Kumbaro ndau edhe një video-udhëzim, ku të interesuarit mund të gjejnë të gjithë hapat që duhen ndjekur për të kryer me sukses aplikimet, duke garantuar një proces efikas, transparent dhe të sigurt, si e vetmja mënyrë për të operuar si stacion plazhi i menaxhuar./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: 3,2 milionë vizitorë të huaj dhe vendas në zonat e mbrojtura

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale të dhënat e sezonit turistik veror që vijnë nga zonat e mbrojtura. Sipas statistikave, deri në muajin gusht 3,2 milionë turistë të huaj dhe vendas kanë vizituar parqet tona natyrore dhe ato kombëtare, si edhe monumentet e natyrës, duke e bërë ekoturizmin një realitet të pashmangshëm dhe aq shumë të dëshirueshëm njëkohësisht.

Gjithashtu ministrja Kumbaro publikoi një material video, që tregon ecurinë e vizitueshmërisë së zonave të mbrojtura, duke treguar grafikisht rritjen nga muaji në muaj. Janari i këtij viti ka nisur me 93975 vizitorë, për të arritur pikën kulmore në muajin gusht, me 1317082 vizitorë.

Pavarësisht se është një vend relativisht i vogël, Shqipëria është jashtëzakonisht e pasur me biodiversitet.

Vazhdimisht bëhen përpjekje për të zgjeruar rrjetin e zonave të mbrojtura: nga 5.2 % të territorit të vendit në 2005, në 16% të territorit në 2014. Sot, 799 zonat e mbrojtura përbëjnë rreth 18 % (5263 km²) të territorit. Shumica e tyre është e përcaktuar në kategorinë “Monument natyre” (747) dhe shumica janë të vogla për nga madhësia./atsh/KultPlus.com

‘Shqipëria është Biodiversitet’, Kumbaro: Shqipëria, model i zhvillimit të qëndrueshëm

“Shqipëria është Biodiversitet” është një nismë e përbashkët e Fondacionit “Heinrich Böll Stiftung” dhe organizatës PPNEA, që synon mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve natyrore në Shqipëri, duke zbuluar një element kyç, imazhin e rikonceptuar të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot qytetarët që të vizitojnë këtë mozaik unik në sheshin “Skënderbej”, kushtuar biodiversitetit dhe natyrës.

Kumbaro theksoi se kjo është një formë shumë atraktive për të komunikuar me publikun dhe për të ngritur një ndërgjegjësim mbi botën e gjallë, përpjekje që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, institucionet dhe shoqëria civile.

“Edhe moratoriumi i gjuetisë, edhe rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura kanë sjellë një qetësim të dukshëm në habitate dhe Shqipëria në të gjitha eventet ndërkombëtare shihet si një model i vogël, por shumë i mirë i zhvillimit të qëndrueshëm, ku miliona vizitorë shijojnë parqet natyrore dhe ato kombëtare, në një ekulibër mes nevojës për zhvillim të atyre zonave dhe mbrojtjes së pasurisë natyrore”, shtoi ajo.

Vepra artistike është krijuar me qëllimin për të nxitur kureshtjen dhe reflektimin e publikut mbi biodiversitetin e çmuar të vendit.

Kjo fushatë është një nismë e përbashkët mes PPNEA dhe “Heinrich Böll Stiftung Tirana”, e mbështetur edhe nga Ambasada zviceriane, Delegacioni Evropian në Shqipëri, Ambasada gjermane, Ambasada franceze, Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: 130 mijë vizitorë në Alpet e Shqipërisë gjatë gushtit

 Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shifrën e lartë të vizitorëve që gjatë muajit gusht zgjodhën të shihnin mrekullitë e Alpeve Shqiptare.

“Parku Kombëtar i Alpeve të Shqipërisë në muajin gusht priti mbi 130 mijë vizitorë, të cilët zgjodhën të udhëtonin drejt majave madhështore, luginave si parajsa, shtigjeve e lumenjve duke konfirmuar se turizmi malor është në ditët e tij më të mira dhe harta e atraksioneve për t’u zbuluar sa vjen e zgjerohet”, shkroi ministrja Kumbaro.

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij.

Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat.

Blloku i Jezercës shtrihet në qendër të Alpeve dhe ka reliev më të lartë, më të ashpër dhe më të thepisur. Aty ndodhet maja e Jezercës 2694 m, më e larta në Alpe dhe e dyta në Shqipëri, pas majës së Korabit.

Bukuria mahnitëse e Alpeve pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj., si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj. Ato ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline, e cila ndryshon çdo moment, të atyre që shijojnë bukuritë e shumta të kësaj hapësire./atsh/KultPlus.com

Kumbaro: Agjencia e Bregdetit, monitorim plazheve nga Velipoja në Ksamil

Sezoni veror vazhdon i mbarë dhe stafi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit është çdo ditë në terren për monitorim të plazheve, nga Velipoja deri në Ksamil.

Kështu theksoi sot ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi pamje nga kontrollet në plazhe të stafit të kësaj agjencie.

Kumbaro theksoi se “këto kontrolle po kryhen për respektimin e detyrimeve nga çdo subjekt për sigurinë e pushuesve dhe natyrisht vrojtuesin me shenjat dalluese, i cili ka qene kusht i panegociueshëm”.

“Vendosim një herë e mirë standardet e menaxhimit të stacioneve të plazheve dhe subjektet të kuptojnë se duhet investuar në siguri dhe pastërti ashtu si për çdo gjë tjetër”, tha Kumbaro.

Trupat inspektuese janë çdo ditë në terren për të garantuar zbatimin e ligjit për pajisje me kulla vrojtimi, ruajtës të certifikuar të shpëtimit të jetës, sinjalistika tokësore dhe ujore të sigurisë, apo kriteret e pastërtisë dhe higjienës./atsh/KultPlus.com

Kumbaro me drejtoreshën e UNESCO-s: Synojmë përfshirjen e Vjosës si pasuri botërore

Qeveria shqiptare ka njoftuar synimin e saj për ta kthyer Vjosën në një rezervat biosfere të mbrojtur nga UNESCO.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri të Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës, e cila vizitoi vendin tonë me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Duke i paraprirë një takimi pune me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Azoulay vizitoi qendrën historike të Gjirokastrës, e klasifikuar që nga viti 2005 si trashëgimi botërore e UNESCO-s.

Vitet e fundit, Organizata ka mbështetur Shqipërinë në rehabilitimin e shtëpive të trashëgimisë së qytetit dhe në inventarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të qytetit, si pjesë e një qasjeje për promovimin e turizmit të qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal.

Pranë Gjirokastrës ndodhet lumi Vjosa, i quajtur shpesh “lumi i fundit i egër i Evropës”, sepse ujërat e tij rrjedhin thuajse të pakufizuara nga burimi i tij në Greqi e deri në detin Adriatik. Vjosa është habitati i rreth 1100 specieve shtazore dhe bimore, duke përfshirë këtu 13 lloje shtazore dhe 2 lloje bimore që janë të kërcënuara globalisht.

Qeveria shqiptare ka vendosur të përforcojë mbrojtjen e këtij ekosistemi të jashtëzakonshëm me synimin e mbrojtjes së Vjosës duke krijuar një zonë të mbrojtur që i nënshtrohet standardeve më të larta ndërkombëtare përmes shpalljes “Park Kombëtar”.

Aplikimi për të krijuar një rezervë biosfere të UNESCO-s

Me rastin e vizitës së Audrey Azoulay, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se dëshiron të paraqesë në muajt në vijim kandidaturën për rezervë biosfere të UNESCO-s për luginën e Vjosës.

“Rezervat e biosferës janë një model i mrekullueshëm, pasi ato lejojnë mbrojtjen e natyrës duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve. Aplikimi për luginën e Vjosës në këtë program të UNESCO-s do të bazohet në tre prioritete: përmirësimi i cilësisë së ujit, lufta kundër shpyllëzimit dhe rigjallërimi i fshatrave nëpërmjet turizmit rural”, është shprehur Mirela Kumbaro.

“Përshëndes këtë nismë shumë të mirë të Shqipërisë, e cila hap një faqe të re në historinë e fortë që lidh këtë vend dhe organizatën tonë. UNESCO është në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’i mbështetur në përkufizimin e kësaj zone të mbrojtur dhe përgatitjen e kandidaturës së saj për programin tonë të rezervave të biosferës”, nënvizoi Audrey Azoulay.

Kjo nismë përforcon bashkëpunimin mes UNESCO-s dhe Shqipërisë, e cila tashmë është shumë e pasur sa i përket bashkëpunimit rajonal në fushën e ujërave, me disa projekte që variojnë nga menaxhimi i ujërave nëntokësorë në basenin e zgjeruar të lumit Drin e deri te administrimi i akuiferëve bregdetarë dhe ekosistemeve përkatëse të akuiferit ndërkufitar Buna/Bojana. Një nismë e re rajonale shumë e madhe për qeverisjen për ujërat nëntokësore është nënshkruar në janar 2023: bëhet fjalë për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë dhe Malin e Zi të cilët do të sigurojnë, me ndihmën e UNESCO-s, përdorimin dhe mbrojtjen e përbashkët të qëndrueshme dhe të barabartë të sistemit të akuiferit Dinarik karstik dhe burimeve të tij ekologjike./atsh/KultPlus.com

Kumbaro, apel me pamje nga kalaja e Himarës: Më shumë kujdes me hedhjen e mbeturinave

Kalaja e Himarës, me një krah nga Skutaraja e Qafa e Vishës, me sytë nga deti mbi Livadh, braktisur nga banorët në fund të viteve 40′, mbetet një sit shumë interesant për vizitorët qoftë për rrënojat, por sidomos për pamjet fantastike që sheh prej aty. Por ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ngritur shqetësimin e mbetjeve që hidhen prej vizitorëve, në këtë objekt të trashëgimisë kulturore si dhe në natyrën përreth tij.

Mirela Kumbaro ka ndarë këtë episod që ka lidhje me pastërtinë, në një prej postimeve të saj në rrjetet sociale, duke bërë thirrje që të kihet më shumë kujdes me sjelljen kundrejt natyrës, që duam ta shijojmë, por harrojmë ta respektojmë.

Ministrja Kumbaro theksoi se punonjësit e bashkisë Himarë, rrezikojnë edhe jetën duke u kacavjerrë në shpatin e kalasë për të mbledhur plehrat që vizitorët apo banorët hedhin “pa teklif”. Prandaj duhet ta mendojmë dy herë, shkruan Kumbaro, përpara se të lëshojmë nga dora, çdo mbeturinë që shëmton atë që na pëlqen aq shumë. /atsh / KultPlus.com