Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll

Në Prishtinë ka nisur sot FISU – Kupa Botërore Universitare në Hendboll.

14 ekipe universitare, nga tri kontinente, do të garojnë për të parin në botë në hendbollin universitar në ambientet “1 Tetori” dhe “Pallati i rinisë dhe sportit” për një javë rresht, në kategorinë e meshkujve dhe femrave. Në ceremoninë hapëse të Kupës të mbajtur në sallën “1 Tetori” marshuan ekipet pjesëmarrëse, përfshirë edhe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si universitet nikoqir.

Drejtori ekzekutiv i Kupës, Musa Selimi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke theksuar që është privilegj i madh që sot në Kosovë po mbahet Kupa Botërore Universitare në Hendboll, pas shumë muajsh punë intensive për organizimin e kësaj ngjarjeje.

“Si një shtet i ri, Kosova është përballë me shumë sfida, por ka bërë edhe progres të rëndësishëm, veçanërisht në promovimin e saj përmes sportit” theksoi Selimi.

Ai ftoi ekipet që të garojnë, por njëherësh të mos harrojnë që të shijojnë momentet e kësaj ngjarje unike, duke i ftuar që të festojnë, ashtu siç thërret edhe motoja e Kupës – “Hands UP and Celebrate”!

Selimi falënderoi Federatën Botërore të Sportit Universitar për besimin, partnerët për përkrahjen dhe komitetin organizativ dhe stafin për punën e bërë.

Që prej vitit 1949, Federata Ndërkombëtare e Sporteve Universitare ka bërë që pothuajse çdo vit të mblidhen studentë nga e gjithë bota në vende të ndryshme. Në emër të FISU-së, të pranishmëve ju drejtua anëtari i bordit ekzekutiv të saj, z. Gabriel Kotchofa. Ai e përgëzoi Federatën e Sporteve Universitare të Kosovës, ekipin organizativ, vullnetarët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë ngjarje.

“Jemi shumë mirënjohës për mikpritjen tuaj. Andaj, i ftoj delegatët e FISU dhe pjesëmarrësit e tjerë që të shijojnë këto momente të mrekullueshme dhe të sjellin me vete kujtime të paharrueshme nga kjo përvojë në Prishtinë dhe në këtë vend të bukur siç është Kosova” tha Kotchofa.

Hapjen zyrtare të Kupës e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku. Ai u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në këtë Kupë në shtetin e Kosovës dhe u shpreh i lumtur që po e shpall të hapur këtë ngjarje madhore të sportit.

“Kam kënaqësinë dhe nderin që ta shpall zyrtarisht të hapur 2022 FISU Kupën Botërore Universitare në Hendboll”, përfundoi fjalën e tij ministri Çeku.

Ceremonia ka vijuar me betimet e atletëve, ekipit teknik dhe gjyqtarëve. Ndërkaq, pjesa e fundit iu dedikua programit kulturor, ku nën tingujt e muzikës shqiptare përformuan Ansambli “Shota”.

Gjatë ditës janë zhvilluar gjashtë lojëra, rezultatet e të cilatve mund t’i gjeni në: https://wuchandball2022.com/page.aspx?id=1,50

Ndeshja e cila pasoi ceremoninë zyrtare dhe përmbylli garat e ditës së parë të kupës ishte ajo ndërmjet ekipeve të Univdersitetit të Cebu Lapu – lapu Mandaue nga Spanja dhe Universitetit të Prishtinës. / KultPlus.com