Berat, restaurohet porta e Xhamisë së Kuqe

Pas dëmtimit të portës hyrëse në rrënojat e xhamisë së kuqe, DRTK Berat ka marrë masa për restaurimin dhe rivendosjen e saj.

Vënia e portës siguron monumentin nga vandalizmi dhe jep një pamje më dinjitoze për vizitorët.

Xhamia e Kuqe Berat, mendohet se është një nga xhamitë e para të ndërtuara në Shqipëri.

Për identifikimin dhe datimin e këtij objekti ka ndihmuar në radhë të parë përshkrimi i Evlija Çelebiut, gjatë vizitës së tij të dytë në Berat, më 1671.

Sipas tij, në kalanë e Beratit ai ka parë dy faltore islame. Në kalanë e qytetit janë rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e kuqe”, mesa duket prej përdorimit me shumicë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra “e bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë.

Aktualisht në ditët e sotme Xhamia e Kuqe ruhet në formë rrënoje pranë rrethimit jugor të kalasë së Beratit. Muret janë shembur e vetëm pak kanë mbetur mbi tokë, ndërsa minarja qëndron ende në këmbë nga teknika më e fortifikuar e ndërtimit dhe materiali i punimit të saj është në ngjyrë të kuqe nga ka marrë edhe emrin.

Minarja ruhet më tepër dhe i shton vlerat këtij monumenti, ajo është e ndërtuar me teknikën e klausonazhit dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër. Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbëshare./atsh/KultPlus.com