San Marzano është një nga komunat arbëreshe në Jug të Italisë, ku janë ruajtur me gjuha, traditat dhe këngët shqipe. Në vitet ’70 të shekullit të shkuar profesor Carmine de Padova, i cili është personazhi kryesor që rrëfen për videon e mëposhtme të RAI-t, kishte hapur një klasë në shtëpinë e tij, ku shkonin fëmijë e të moshuar për të mësuar shkrimin e gjuhës mëmë. Bashkëpunëtor i ngushtë me profesor Tullio de Mauron, që gjithashtu shpjegon në video fenomenin e ruajtjes mbi 5-shekullore të gjuhës nga komuniteti arbëresh, ai është angazhuar në projektet të ndryshme artistike dhe shkencore.
Ka ngritur zërin shpeshherë për harresën në të cilën po lihej gjuha e komunitetit ku bënte pjesë, duke mos e përfshirë si pjesë e kurrikulave shkollore deri ditën që vdiq në vitin 1999. De Padova ishte themeluesi i Qendrës së Kërkimeve Arbëreshe C.R.I.A. (Centro Ricerche Italo Albanesi), atribut për të cilin u ftua të merrte pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës më 1978, ku i shoqëruar nga një grup arbëreshësh të San Marzano-s, mbajti edhe një fjalë përshëndetëse. Në Gjirokastër, arbëreshët u prezantuan me programin e tyre artistik dhe me veshjet e veçanta që mbajnë sanmarzanezët, të realizuara më së shumti me katër ngjyra, të zezën, të kuqen, të bardhën dhe të artën./ KultPlus.com