Më poshtë gjendet një nga poezitë më të bukura dhe të ndjera të tij, si një trashëgimi për periudhën e zezë komuniste të Shqipërisë së atyre ditëve. Në atë kohë, sic kishte edhe një shprehje në Shkodër, “të gjithë ishin të vde,kur; ndaj atyre që vdi,snin u thonin se ato thjesht kishin ndërruar jetë”.
Poezi nga Havzi Nela
Kur të vdes
Kur të mësoni se kam vde.kë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.
Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.
Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!” / KultPlus.com