Trina Ukmata, kuratore e ekspozitës në Berlin

Gili Hoxhaj

Trina Ukmata, tash e tri vite është studente e shkencave të medias me fokus në media filozofi në Bauhaus University Weimar, ndërsa krahas studimeve ajo është duke e zhvilluar praktikën në DAAD edhe në programin integral “Artists-in-Residence” (Berliner Künstlerprogramm).

Trina Ukmatën, këto ditë e kanë përcjellur shumë punë intensive në kurimin e ekspozitës që është hapur në Universitetin e Arteve në Berlin, në kuadër të eventit 4-ditor “Ex_Changing Perceptions – Art for Change” të organizuar nga DAAD (Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik).

Ky event ka shërbyer si një pikëtakim i bursisteve aktual dhe ish- bursisteve të DAAD, që janë aktiv ne fushat e artit. Kjo ekspozitë ka bashkuar pikëvështrime e stile të ndryshme të artit nga pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në këtë ekspozitë janë prezantuar punimet e Theresa Volpp nga Gjermania, Nafiseh Fath nga Irani, Luiza Folegatti nga Brazili, Francesca M. nga Italia, Aline Schwibbe nga Gjermania dhe Yulia Popova nga Rusia.

Kjo ekspozitë ka shënuar hapjen më 5 prill, ndërsa qëllimi i saj ka qenë që të krijohet një hapësire dedikuar punimeve të disa prej artistëve pjesëmarrës në event, pa paracaktime formale që zakonisht kërkohen për një ekspozitë. Ukmata tregoi si kjo ngjarje ka krijuar një komunikim tejet interdisiplinar dhe interesant duke i gërshetuar në një vend e kohë pothuajse të gjitha fushat artistike si film, fotografi, skulpturë e pikturë, arte vizuale, histori e artit, dizajn, art te medias etj.
“Ideja e një ekspozite të lirë dhe të pavarur nga konteksti apo dimensionet fizike, erdhi prej dëshirës se punimit në një hapësirë kolektive dhe njëkohësisht të individualizuar kushtuar shumicës se spektrit të identiteteve artistike. Dhe kjo jo vetëm sa i përket llojit të natyrës së punimeve, por edhe temave që artistët trajtojnë përmes tyre”, ka treguar Trina Ukmata për KultPlus.

Për Trina Ukmatën kjo është hera e parë që angazhohet në mënyrë intensive në procese kuratuese ndërsa thotë se ka fituar shumë nga procesi i punës deri tek finalizimi i ekspozitës.
“ Nëse është diçka qe duhet të veçohet prej krejt kësaj eksperience, është definitivisht fakti që procesi është dashni. Krejt çka është shkëmbyer ndërmjet neve prej hapave inicues, deri te dita e ndërtimit ka qenë shumë më me vlerë sesa vete ekspozimi i punimeve ne atë hapësire – qoftë ajo edhe një bisedë që ka ndodhë midis pjesëmarrësve gjate procesit ndërtues”, është shprehur Trina Ukmata për KultPlus.

Kjo ekspozitë ka qëndruar për katër ditë e hapur në ambientin e Universitetit të Artit në Berlin ndërsa ka tërhequr rreth 150 vizitorë vetëm në mbrëmjen e hapjes së ekspozitës, ndërsa bazuar në reagimet e publikut, kjo ekspozitë ka arritur qëllimin e saj që të ngjallë edhe diskutim lidhur me punën e ekspozuar./ KultPlus.com