Charles lll vendos kurorën e mbretit: Jam këtu për të shërbyer dhe jo për të më shërbyer

Unë jam këtu për të shërbyer dhe jo për të më shërbyer, ishte formula rituale me të cilën iu përgjigj mbreti Charles III fëmijës së korit të Westminster Abbey që e pyeti, pasi u mirëprit për liturgjinë solemne të kurorëzimit.

Mbreti Charles III u kurorëzua sot, pas 70 viteve nga kurorëzimi i Elizabeth II, nga kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, primat i Kishës Anglikane dhe zyrtar i thirrur për të kryesuar ritin, i cili prezantoi ceremoninë fetare me një lutje të shkurtër të shoqëruar me një thirrje për vëllazërinë e krishterë, mbështetje të ndërsjellë midis besimtarëve dhe midis të gjithëve njerëz me vullnet të mirë.

Mijëra dashamirës ishin grumbulluar sot, me disa syresh që fjetën në tenda për të siguruar vendin më të mirë për të kapur një pamje të mbretit dhe mbretëreshës.

Më shumë se 2 200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, ishin sot në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles III.

Në kurorëzimin e mbretëreshës Elizabeth II, në vitin 1953, morën pjesë më shumë se 8 200 të ftuar.

Mbreti Charles III dhe mbretëresha Camilla u kurorëzuan në Westminster Abbey në Londër.

Udhëheqës botërorë, kryeministra, monarki të huaja dhe familja e gjerë mbretërore britanike ishin ulur brenda vendit të lashtë të adhurimit.

Nesër do të zhvillohet një koncert i madh në kështjellën Windsor.

Në koncert do të performojnë shumë artistë, si këngëtarja me famë botërore Katy Perry, Lionel Richie dhe Andrea Bocelli.

Koncerti, në të cilin do të marrin pjesë 20 mijë persona nga i gjithë vendi dhe do të ndiqet drejtpërdrejt në më shumë se 100 vende të botës, do të jetë një ngjarje publike me pjesëmarrjen e vullnetarëve nga organizata të shumta humanitare.

Këngëtari, kompozitori dhe pianisti i famshëm britanik Elton John refuzoi të performonte në koncert, duke u arsyetuar me turneun e tij jashtë vendit.

Dihet se Elton John ishte një mik shumë i ngushtë i princeshës Diana, ish-bashkëshortes së mbretit Charles III.

Kurora 150 vjet e vjetër në ankandin e “Sotheby’s”

Një tiara (kurorë me xhevahire – v.j.), e përcjellë ndër breza nga familja mbretërore e Italisë, do të jetë një nga bukuritë në ankandin e stolive të shtëpisë “Sotheby” në Gjenevë, që mbahet javën e ardhshme.

E datuar nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të, kjo tiarë ishte dhuratë për Maria Vittoria dal Pozzo gjatë martesës së saj më 1867 me Amadeon I të Savojës, më vonë mbret i Spanjës.

Tiara paraqet motive të holla të përshkuara nga diamante dhe perla natyrore dhe shitet me një çmim të përllogaritur nga 1 deri në 1.5 milionë dollarë.

“Është një copëz e vërtetë, e bukur dhe historike, që ka mbetur në Shtëpinë e Savojës për më shumë se 150 vjet”, ka thënë Benoit Repellin, kryesues i shitjes së stolive shkëlqimplota në “Sotheby”.

Shitja e 11 majit do të shpalosë edhe diamante të mëdha dhe gurë të çmueshëm me ngjyra, përfshirë edhe një safir të vitit 1930, si dhe një karficë diamanti që përbën safirin më të madh nga Kashmiri që është shfaqur ndonjëherë në një ankand – një perlë vezake 55.19 karatë – ashtu sikundër edhe një safir tjetër kashmiras që peshon 25.97 karatë.

E vlerësuar se do të mbledhë nga 2 deri në 3 milionë dollarë, ai i takonte trashëgimtares së një fabrike, ka thënë Olivier Wagner, drejtor i departamentit të stolive në “Sotheby”.

Safirët e Kashmirit janë të kërkuar që prej kur u zbuluan në fund të shekullit të 19-të dhe minierat u qëmtuan rreth 20 vjet, ka thënë ai për “Reuters”.

“E vetmja mënyrë për t’i gjetur ata është t’i blesh në ankand”, ka thënë ai.

Fotolegjenda: Një zyrtare e stafit në “Sotheby” mban një tiara me diamante, e cila është përcjellë ndër breza në familjen mbretërore italiane. Ankandi do të mbahet gjatë javës së ardhshme në Gjenevë. / KultPlus.com