Artpolis ofron kursin e vetëmbrojtjes pa pagesë për vajza dhe gra

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit “Humanrightivism” organizon pa pagesë kursin e dytë të vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme” për vajza dhe gra nga e gjithë Kosova, i cili do të fillojë më 12 shtator, përcjell KultPlus.

Më shumë se kurrë më parë siguria e vajzave dhe grave në ambiente publike e private duhet të rritet, ndërsa përgatitja e tyre fizike e psiqike është domosdoshmëri.

Prandaj, vajza dhe gra, pa dallim moshe, mund të ndjekin kursin e vetëmbrojtjes “Çikat e Sjellshme”, i cili do të mbahet në Akademinë e Arteve Marciale në Prishtinë me instruktorin e Taekwando-së, Nuhi Gashi, me gradën 5 Dan.

Gjatë 24 sesioneve të stërvitjeve çikat e gratë do të pajisen me aftësi, njohuri dhe aftësi të mjaftueshme për të dalë nga situata të përkohshme me rrezik të lartë, të cilat mund të jenë potencialisht kërcënuese për sigurinë e tyre (përdhunim, sulm seksual, grabitje, etj.)

Përveç teknikave të vetëmbrojtjes, çikat e gratë do të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe aftësi të përgjithshme fizike, emocionale e psiqike.

Artpolis tashmë me sukses ka përfunduar kursin e parë të vetëmbrojtjes me 25 vajza nga qytete të ndryshme të Kosovës. Për 2 muaj, 1 qershor – 29 korrik, 2022 këto vajza kanë stërvitur, janë përkushtuar e kanë marrë njohuri për teknika dhe mënyra të ndryshme të vetëmbrojtjes.

Në thirrjen e dytë inkurajohen çikat e gratë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë të bëhen pjesë e kursit duke aplikuar përmes këtij linku: https://bit.ly/3eeL3dk

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis në kuadër të projektit “Humanrightivism” përkrahur nga Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, implementuar Community Development Fund – CDF. / KultPlus.com