Artistja e madhe e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti feston sot 92-vjetorin e saj të lindjes.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot aktoren e madhe për ditëlindjen.
“Protagoniste e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” dhe me mbi 300 role në skenën e teatrit dhe të filmit, Tinka Kurti është vlerësuar me çmime e tituj nderi si “Artiste e Merituar” dhe “Artiste e Popullit” dhe me medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”. I urojmë shëndet dhe e paçim sa më gjatë pranë nesh!” – shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Tinka Kurti lindi më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë në një familje artdashëse. Nëna e saj ishte një nga aktoret kryesore të Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Familja e saj u shpërngul, kur Tinka ishte pesë vjeç, drejt qytetit të Shkodrës. Këtu mbaroi arsimin shtatëvjeçar dhe në vitin 1947 u nis në Tiranë për të studiuar në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç do të shprehej ajo vetë vite më vonë, do të kalonte në degën e Dramës në Liceun Artistik.
Që prej rolit të veçantë të Tanës, në filmin e parë shqiptar në vitin 1958, Tinka Kurti mban mbi supe 75 vite karrierë me përkushtim të palodhur ndaj artit dhe kinematografisë shqiptare.
Kurti spikati jo vetëm për dramën që rolet e luajtura prej saj mbartnin, por dhe me mënyrën e interpretimit./atsh/ KultPlus.com
Gjatë qëndrimit në Slloveni, kryeministri Albin Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.
Sipas një komunikate për media, Kurti dhe Mesec diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve.
Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR”, thuhet në komunikatën për media.
Të mërkurën, me rastin e vizitës së Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në muzeun rajonal të Koprit, dje ka vizituar ekspozitën mbi shtëpinë e familjes Bruti, kuruar nga Meliha Fajić, e që përmban piktura, libra, dokumente e objekte të kësaj familje.
Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se në zemër të sheshit Brolo të qytetit Kopër të Sllovenisë, qëndron e ngritur shtëpia e familjes Bruti që nga viti 1714. Kjo familje e njohur shqiptare me lidhje familjare në Durrës, Lezhë e Ulqin, ndër të tjera e lidhur edhe me familjen e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vendosën përfundimisht në Kopër.
“Përballë muzeut, Katedralja madhështore e Koprit, mban në piedestal altarin e restauruar nga artisti i famshëm i renesancës veneciane, Vittore Carpaccio, me titullin “Maria në fron me fëmijën dhe shenjtorët”. Këtë vepër madhështore nga viti 1516, e soditëm nga afër. E vizita përfundoi në shtëpinë e Brutëve e cila që nga viti 1951 shërben si bibliotekë publike, për promovimin e librit “Shqiptarët e lashtë dhe krijimi i Istrias” me autor Peter Štoka dhe me përkthim nga doktor Pëllumb Qazimi”, shkruan Kurti në Facebook.
Bëhet e ditur se promovimi i këtij publikimi që u mundësua nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër në krye me Heset Ametin dhe nga ambasada e Kosovës në Slloveni, mblodhi përfaqësues të shumtë të komunitetit dhe shoqatave shqiptare nga Sllovenia, Kroacia dhe nga Italia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Lubjanë të Sllovenisë, është takuar edhe me mërgatën.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Kurti thotë se atje u njoh me historitë e suksesit të diasporës sonë të zellshme dhe punëtore.
“Pranë mërgatës, kudo dhe kurdoherë. Edhe në Lubjanë të Sllovenisë bashkëbiseduam dhe u njohëm me historitë e suksesit të diasporës sonë të zellshme dhe punëtore. Vetëm bashkë e forcojmë shtetin dhe përshpejtojmë zhvillimin. Ekonomia, arsimi, mbrojtja e siguria, sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit e shumë fusha të tjera kanë përparuar gjatë qeverisjes sonë dhe e kemi obligim të vazhdojmë trajektoren e progresit dhe zhvillimit”, ka shkruar kryeministri.
Sot është mbajtur ceremonia e hapjes së Edicionit të Dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”(UF), i cili ka sjellë në Kosovë pjesëmarrës nga 30 shtete të botës, siç thuhet në njoftimin MPJD-së, duke shërbyer kështu si një platformë diskutimi dhe bashkëpunimi për liderë globalë, vendimmarrës dhe komunitete të diasporës, për të eksploruar dhe shfrytëzuar fuqinë transformuese të angazhimit dhe diplomacisë së diasporës.
Në komunikatën e MPJD-së thuhet se në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se diaspora e Kosovës gjatë viteve është bërë shtyllë e vendit dhe ekonomisë tonë.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha para të pranishmëve se duke qenë vetë pjesë e diasporës së Kosovës e kupton shumë drejt sa e rëndësishme është që i gjithë vendi të vazhdojë të dërgojë sinjale të marrëdhënieve të vërteta me diasporën e tij.
“Para të pranishmëve foli edhe profesori nga Australia, Alan Gamlen, duke uruar Kosovën për organizimin si dhe rëndësinë që i ka dhënë diasporës. Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Forumit Ulpiana ishin edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë nga Shqipëria, Silda Anagnosti, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ministra, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit”.
“Përmes një programi dinamik të sesioneve, punëtorive interaktive dhe diskutimeve frymëzuese, që do të zhvillohen në tre ditët e ardhshme, Forumi Ulpiana synon të arrijë rezultate të zbatueshme. Në qendër të misionit të tij është shfrytëzimi strategjik i kapitalit të diasporës—duke përfshirë burimet kulturore, ekonomike, njerëzore dhe sociale—për të adresuar disa nga sfidat më urgjente globale, si ndryshimet klimatike, pabarazitë në shëndetësi dhe paqëndrueshmëria ekonomike”, thuhet tutje në njoftimin e MPJD-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim lamtumirës ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e afërt dhe angazhimin e saj, veçanërisht siç thuhet në komunikatë, në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në rrafshin tregtar dhe ekonomik.
“Në këtë kontekst, kryeministri Kurti dhe ambasadorja Jusufi diskutuan për progresin e arritur në fusha të ndryshme të bashkëpunimit bilateral gjatë mandatit të saj diplomatik. Kryeministri Kurti i uroi ambasadores Jusufi suksese në angazhimet e saj të ardhshme”, thuhet tutje në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gjykimin dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Kurti gjatë një diskutimi me studentët e AUK-ut, ka deklaruar se krerët e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Gjykatën Speciale të Hagës. Ai ka thënë se megjithatë, mbrojtja e tyre, do të duhej të ishte një, e jo secili ta kishte avokatin e vet.
“Unë kam provuar, ku ky proces kishte nisur, kam provuar që krejt këshillin e mbrojtjes t’i bëjë bashkë – sepse unë besoj që mbrojta për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të duhej të kishte qenë e bashkuar (një): do të duhej ta kishin pasur Një Mbrojtje, e jo katër, e jo që secili ta kenë të tyrin”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se avokatët duan që klienti i tyre të lirohet, dhe kjo ka rrezik më pas që ata t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.
“Mos më keqkuptoni, problemi me avokatët është që të gjithë ata duan që klienti i tyre të lirohet, atyre s’ua ndien çfarë u ndodh të tjerëve – kështu që, në njëfarë mënyre, duke pasur secilin prej tyre të burgosur, krerët e UÇK-së, trupa e mbrojtjes e krijoi këtë mundësi që dikush të luajë (t’ua hedh) me mbrojtjen e tyre”, ka thënë Kurti.
Madje, sipas kryeministrit, atje do të duhej të kishte më shumë mbrojtje politike, se juridike.
“Është paksa histori e gjatë se si kemi mbërritur deri këtu; por besoj me të vërtetë që mbrojtja do të duhej të kishte qenë me njerëz tanë, dhe nuk mendoj që do të duhej të ishte edhe aq mbrojtje juridike, por do të duhej të kishte qenë shumë më shumë mbrojtje politike”, ka thënë Kurti, raporton “Nacionale”.
Kurti edhe më herët ishte pyetur e kritikuar për faktin se nuk reagonte për zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ai kishte thënë se më shumë se takim me krerët e UÇK-së, ka nevojë që ai të bisedojë me avokatët.
Pas kësaj deklarate, Kurti kishte zhvilluar një takim në platformën “Zoom” me avokatët.
“Gjatë tij, është diskutuar për kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Takimi është mbajtur si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse siç janë: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, ishte thënë në njoftimin e qeverisë.
Kryeministri Kurti kishte propozuar që takimet e tilla të vazhdojnë të jenë të rregullta. Të gjitha ekipet janë shprehur tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kurtin, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.
Kryeministri Albin Kurti ka marr pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare te Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo Bibliotekë është monument i fjalës së shkruar, dhe dëshmi e gjallë e integritetit të popullit shqiptar, njofton Klankosova.tv.
Tutje, i pasi i ekzekutivit shton se Qeveria e Kosovës do të punojë që Biblioteka Kombëtare të përforcojë rolin e saj si shtëpi e dijes shkencore, bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për këtë logo të qëlluar, e cila brenda ka logon e Bibliotekës Kombëtare, spiralen antike ilire, që shënon 80-vjetorin e Bibliotekës sivjet, por njëkohësisht duke sikur pakufi. Vitet e fundit mbështetja e Qeverisë së Kosovës, ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës sonë Kombëtare, sikur krijimi i qendrës së digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76 mijë njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes të kaluarës dhe të ardhmes”, tha Kurti.
“Kjo qendër është bërë pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë 873 mijë objekte digjitale. Ekspozita retrospektive mbi 80-vjeçare e Bibliotekës Kombëtare dhe botimet e saj, na jep mundësinë të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe vizionin për të ardhmen”.
“Biblioteka Kombëtare është monument i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të vazhdojmë angazhimin që ta përforcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore, dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes”, tha i pari i qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato.
Ai e vlerësoi partneritetin si dhe rolin e kontributin e institutit.
Në takim, siç njofton Kryeministria, u theksua angazhimi i dyanshëm në fuqizimin e bashkëpunimit si dhe përkushtimit ndaj reformave që kanë për qëllim gjithëpërfshirjen.
Në fokus të bisedës thuhet se ishin programet e projektet që në qendër kanë veçanërisht të rinjtë dhe gratë si dhe ato në zhvillimin e politikave publike.
Kurti e falënderoi Onoraton për takimin e frytshëm, bisedën produktive dhe bashkëpunimin efikas mes qeverisë dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot pjesëtarët e FSK-së në Poligonin Ushtarak në Babaj të Bokës, në Gjakovë, në kuadër të shënimit të realizimit të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, në të cilin morën pjesë njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njoftojnë nga kryeministria.
Po sot, Forca e Sigurisë e Kosovës, po organizon edhe Ditën e Vizitorëve.
Bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite, ku ishte e pranishme dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, Kurti pa nga afër demonstrimin e aktiviteteve si dhe operacionet e shumta të pjesëtarëve të FSK-së, përfshirë ato ofensive, defansive dhe të stabilitetit.
Në adresimin e tij, ai tha se ndjehet shumë krenar sa herë që ndodhet së bashku me ta dhe në mesin e tyre, sikur sot në këtë ushtrim, i cili si i tillë është më i madhi dhe më i sofistikuari i realizuar ndonjëherë nga Forca e Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e mbi 1000 ushtarakëve.
Ky ushtrim, siç tha kryeministri, përfaqëson më shumë se një testim të kapaciteteve tona mbrojtëse, është një tregues i qartë i përkushtimit, guximit dhe profesionalizimit të ushtrisë sonë.
“E veçanta e këtij ushtrimi është se pikërisht këtu, bëhet validimi i regjimentit të dytë të këmbësorisë të FSK-së, duke konfirmuar zhvillimin dhe forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë sonë drejt standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Kurti, duke shtuar se një element tjetër i rëndësishëm i këtij ushtrimi është përdorimi i pajisjeve dhe armatimit modern, të cilat janë blerë dhe integruar në flotën tonë në këto vitet e fundit. Këto pajisje dhe ky armatim i blerë sipas standardeve të NATO-s janë produkt i një strategjie të detajuar të investimeve tona në fushën e mbrojtjes.
Ky ushtrim tregon se Forca e Sigurisë së Kosovës është mburojë e vendit tonë, por edhe një partner i besueshëm për paqen dhe sigurinë rajonale, për aleatët e Kosovës, tha kryeministri, teksa shtoi se ushtria jonë ka treguar bashkëpunim dhe bashkërendim të shkëlqyeshëm me partnerët tanë strategjikë, duke dëshmuar aftësitë tona për ndërveprueshmëri, dhe duke përmbushur detyrat komplekse me efikasitet të plotë.
Në adresimin e tij, ai po ashtu u tha pjesëtarëve të FSK-së se ata janë frymëzim për të gjithë ne, e gjithashtu janë garanci e pathyeshme se e ardhmja e Kosovës është në duar të sigurta. Po ashtu shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe përgëzoi çdo ushtar dhe të çdo oficer që është angazhuar në përgatitjen dhe realizmin e këtij ushtrimi.
“Ju falënderoj që mbani lart nderin dhe krenarinë e vendit tonë me angazhimin tuaj edhe të përhershëm edhe të sinqertë. Ju jeni dalzotësit e atdheut dhe mburoja më e mirë e më e fuqishme për Republikën e Kosovës”, përfundoi kryeministri.
Në hollin e Pallatit të Kulturës “Sadi Halili” të Librazhdit është çelur të këtë shtunë ekspozita e piktorit të mirënjohur Arben Kurti ku të pranishëm ishin me qindra qytetarë të grupmoshave të ndryshme, piktorë , artistë si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ,Arbjan Mazniku , Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh edhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën ,Taulant Balla, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ,Bora Muzhaqi ,Kryetari i Bashkisë Librazhd ,Mariglen Disha. si edhe personalitete të tjera të shquara vendase e të huaja.
Vizitorët e shumtë dhe ministrat i vlerësuan pikturat e ekspozuara dhe i cilësuan ato jashtëzakonisht të bukura .Pejsazhet e mrekullueshme të natyrës të sjella në piktura në këtë ekspozitë ishin mjaft mbresëlënëse për vizitorët .Vetë piktori Arben Kurti e cilësoi hapjen e ekspozitës në hollin e Pallatit të Kukturës , “Sadi Halili” si një moment të rëndësishëm për karrierën e tij në këtë fushë të cilës ai i është përkushtur që kur ishte 5 vjeç.Rregullisht kam filluar të pikturoj që nga mosha 10 vjeç tregon piktori Arben Kurti.
Në klasën e 5 -të në vitin 1980 u regjistrova në kursin e pikturës pranë Shtepisë së Pionierit në Librazhd .Aty hodha hapat e para dhe mjaft të sigurta drejt të ardhmes dhe merita është e profesorit të pikturës ,Sami Roçi.Që nga ajo kohë nuk i jam ndarë pikturës , por edhe piktura nuk më është ndarë më kurrë mua. E them
me shumë sinqeritet që nuk mund të rri dot pa pikturën. Prindërit e mi ,sidomos nëna ime ,Lytfie Kurti më ka mbështetur fuqishëm dhe ka sakrifikuar shumë që unë ta ndiqja ëndrrën time .
Konkurova në vitin 1984 për në shkollën artistike por nuk fitova edhe pse isha cilësuar ndër më të mirët mes konkuruesve .I trishtuar dhe i lënduar shpirtërisht që nuk arrita të siguroja mundësinë e shkollimit në degën e pikturës ,qëndrova edhe një vit në shtëpi dhe vijova përgatitjet për të qenë i suksesshëm vitin tjetër dhe konkurova në Liceun Artistik të Tiranës por edhe atje nuk fitova për dy pikë. I zhgënjyer nga mungesa e seriozitetit të jurisë në vlerësimin real të konkuruesve hoqa dorë nga përpjekjet për të studiuar për pikturë dhe u rregjistrova në Gjimnazin ” Ibrahim
Muça” të qytetit të Librazhdit , një gjimnaz i cili ka nxjerrë personalitete të shumta në çdo fushë ndër vite .Gjatë kohës së Gjimnazit kisha vështirësi në gjetjen e bazës materiale por gjithmonë më ka qëndruat pranë dhe më ka ndihmuar shumë profesori im i nderuar ,piktori Sami Roci. Me ndryshimin e sistemit , pas vitit 1990 sigurimi i bazës materiale nuk ishte më problem dhe puna ime me pikturën ka ecur shumë mirë .Gjatë periudhës pas përmbysjes së sistemit komunist krahas ushtrimit të aktivitetit privat , diplomimit në Ekonomi ,natyrisht i jam përkushtuar edhe pikturës çdo ditë në kohën e lirë. Shpesh herë punoj edhe natën , madje jo rrallë edhe deri në orë 5 – 6 të mëngjesit kur gjatë ditës nuk gjeja kohë.
Vitet e fundit i jam bashkuar Kolonisë së Piktorëve me të cilët kemi qenë në aktivitetet e zhvilluara disa herë në Pogradec ,në Maliq, në Korçë ,”Ditet e Mios” dhe kudo në Shqipëri dhe jashtë saj . Ndërkohë që rrjetet sociale na kanë mundësuar që të prezantohem me disa Portale Arti nga të cilët kam marrë vleresime pozitive nga qindra piktorë , koleksionistë pikturash dhe dashamirës arti nga Shqiperia dhe jashtë saj.Kam qene i ftuar nga mjaft koloni piktorësh që janë organizuar në Shqipëri dhe jashtë saj.Jam ndjerë mjaft mirë me pikturën dhe kam
hapur dhjetra ekspozita jo vetëm në Librazhd ku jetoj, por edhe në Kryeqytet dhe qytete të tjera.Piktori Arben Kurti gjatë gjithë karrierës së tij ka preferuar më së shumti ti përkushtohet hedhjes në telajo të natyrës piktoreske e të mrekullueshme të fshatrave të Librazhdit dhe jo vetëm .Në dukje pikturat e tij janë shumë të thjeshta por janë edhe shumë origjinale.
Shumica e tyre janë një abstragim i ëmbël i natyrës dhe i shumëllojshmërisë së bukurisë së trevës së Librazhdit ku fshatrat Dardhë, Steblevë, Xhyrë e Lugina e Shkumbinit janë dashuria e tij më e madhe .Piktori Arben Kurti është padyshim piktori i peisazheve natyrore më të bukura të Shqipërisë. Natyra e bukur e ka “përndjekur” artin e tij gjatë gjithë karrierës si piktor.Stilet e pikturimit janë të ndryshme , por piktori librazhdas Arben Kurti krahas pejsazhit, preferon edhe portretin dhe gjini të tjera të artit.
Por në më të shumtat e ekspozitave ai ka zgjedhur të paraqitet para publikut, kryesisht me peisazhe. Gjithsesi, ky lloj kufizimi në këtë gjini, kompensohet nga larmia e teknikave të përdorura prej tij në punime në vaj, akuarele, grafikë ku motivet dhe ngjyrat duken gjithmonë origjinale.Punimet e tij në pikturë janë kryesisht të përmasave mesatare por nuk mungojnë edhe ato me përmasa të vogla e të mëdha.Ndërsa stilet e pikturimit janë në raste të veçanta edhe të ndryshme dhe piktori librazhdas krahas pejsazhit ,preferon edhe portetin dhe gjini të tjera të artit.
Në të ardhmen e afërt ai ka planifikuar hapjen e ekspozitave të tjera me piktura të reja me pejsazhe nga destinacionet më të bukura turistike të Shqipërisë. Për ekspozitën e rradhës ai ka kohë që e ka filluar punën dhe dëshiron që ajo të jetë një ekspozitë speciale ku do të ftohen edhe mjaft miq e kolegë piktorë vendas e të huaj .Është për tu vlerësuar fakti që pikturat e pejsazhit të artistit librazhdas Arben Kurti janë vlerësuar në shumë vende dhe janë bërë pjesë e koleksioneve të artit nga dashamirësit e pejsazhit .Dhe me të drejtë të gjithë piktorin Arben Kurti e identifikojnë me nofkën e këndshme “Piktori i Pejsazhit”./balkanweb/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës. Ai ishte folës kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.
Në fjalën e tij hyrëse, Kurti fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë.
“Si një vend i ri me një angazhim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë”, tha Kurti.
Ai foli edhe rreth arritjes së marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.
Numri një i qeverisë kosovare u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike.
“Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”, u shpreh Kurti.
Albin Kurti, me këtë rast foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.
Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha kryeministri, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona”, thuhet në njoftim.
Ai tha se kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë.
“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Sot ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se për të patur zhvillim nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”, potencoi kryeministri i vendit.
Ai këtë e mbështeti me indikatorët e performancës ekonomike, politikat sociale, mbështetjen për qytetarë, punësimin, rritjen e pensioneve, pagave dhe pagës minimale, në të njëjtën kohë kur kemi treguar përparim dhe përmirësim në demokraci, në sundim të ligjit, në liritë civile dhe të drejtat politike, siç dëshmohen në raporte të ndryshime ndërkombëtare.
Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri. Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.
“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.
Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu në përvjetorin e 35-të të rënies heroike të tyre.
Kurti tha se saktësisht para 35 vjetëve, mbi gjashtë orë kanë zgjatur luftimet në lagjen “Bregu i Diellit” tek hyrja e tretë tek blloku i tretë, ku luftuan Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, derisa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore serbe nga atdheu.
“Afrimi dhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta, udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave të fuqishme të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht, kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit të vitit 1989, meqë masës demonstruese i është drejtuar Afrim Zhitia.
“Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë, pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej, pasi një javë më vonë do të shembej Muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste aparteidi”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit të Kosovës, siç janë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
“Ne nuk e harrojmë asnjëherë nga vijmë dhe nuk e harrojmë se pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë, shumë më e vogël sesa e atyre dhe ajo çfarë duhet të bëjmë tash është që të japim maksimumin në rrugën që na kanë ndriçuar ata”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, raporton Gazeta Express.
Ai foli për refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bqrnabiq dërguar Bashkimit Europian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.
Kurti për Serbinë tha se “përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit”.
“Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”.
Kurti atje tha se Moska do të jetë e para që do t’i bashkohet këtij “kori përçarjeje dhe shkatërrimi”.
“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”.
Ai tha se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore të mbesin të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.
“Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike – ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirisë. Ne parashikojmë që Ballkani Perëndimor të rritet si një pjesë e qëndrueshme, sovrane dhe plotësisht e integruar e Europës – jo si një tabelë shahu gjeopolitike për fuqitë e jashtme. Ballkani Perëndimor në Europë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, është Bashkimi Europian ai që bëhet Europë”.
Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar sot një mëngjes pune me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në njoftimin e lëshuar për media nga Kryeministria, thuhet se pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.
“Kryeministri uroi Sarrazinin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor”.
“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Kryeministri e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që po kërkohet nga Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e ka bëre ditë më parë gjatë një adresimi ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, ndërsa një pjesë nga fjalimi e ka publikuar në platformën “X”.
“Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, ka theksuar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Mynih të Gjermanisë ka thënë se afër 120 mijë bashkëatdhetarë jetojnë e punojnë atje.
Në Facebook, kryeministri Kurti, ka shkruar se pa mërgatën nuk do të arrihej lufta për çlirim e deri te pavarësia.
“Afër 120 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në Bavari. Shumë prej tyre jetojnë mes Gjermanisë dhe Kosovës, e secili është urë bashkuese ndërmjet dy vendeve. Lidhja e fortë me vendlindjen dhe atdheun është dëshmuar vendimtare në momentet më kritike, nga lufta për çlirim e deri te përpjekja për pavarësi. As njëra e as tjetra nuk do të arrihej pa mërgatën tonë të çmueshme. Pritja madhështore në Mynih dhe interesimi i lartë për zhvillimet e progresin në vend na tregon se lidhja sa vjen e shtohet”, ka shkruar ai.
Gjatë qëndrimit në Poloni, në margjina të Forumit të Sigurisë të Varshavës, kryeministri Albin Kurti, u takua me ish-ministrin e Mbrojtjes të Austrisë Dr. Werner Fasslabend dhe ambasadorin e Austrisë në Poloni, Andreas Stadler.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se diskutuan rreth marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Kurti theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me seli e zyra qendrore në Vjenë, për çka dhe shprehu nevojën e mbështetjes së Austrisë.
Duke i falënderuar për takimin dhe bisedën, Kurti shprehu mirënjohjen edhe për kontributin e qendrave të studimit si Instituti Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, ku Dr. Werner Fasslabend ka shërbyer më herët edhe në funksionin e drejtorit të institutit.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është adresa kryesore e agresionit në Banjskë dhe e fshehjes së Milan Radoiçiqit, kryesuesit të grupit serb, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Në akademinë përkujtimore për heroin Afrim Bunjaku, ai tha se qëllimi i agresionit në Banjksë ishte i aneksimit të veriut të Kosovës.
“Prijësi i këtij grupi ishte vet Milan Radoiçiq kriminel i profilit të lartë që nënpetkun e një politikani aktiv në Kosovë prej vitesh kishte zbatuar urdhra kriminal nga Beogradi. Ai kishte trajtuar një rrjet të gjerë parapolitik në trajtën e një bande mafioze e një grupi terrorist me të cilin e kishte mbajtur nën kontroll pothuajse gjithë veriun e Kosovës me anë të frikësimit, terrorit dhe shantazhit”.
“Që nga ajo ditë Radoiçiq është kërkuar nga shteti i Kosovës, kurse është fshehur nga shteti i Serbisë. Aktakuza e ngritur ndaj tij së fundi nuk është vetëm një kusht juridik edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizimi shtetëror të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës”.
“Adresa e vendimit politik e planifikimit operacional e urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjesë të territorit të Kosovës është Beogradi zyrtar, dhe vet shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.
Gjatë kësaj ngjarje, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj garuesit të Kosovës, paraatletin Grevist Bytyçi, i cili mori pjesë në Lojërat Paralimpike “paris 2024”, në garën e vrapimit 1 mijë e 500 metra në kategorinë T46, të cilën ai e mbylli në pozitën e 15-të.
“Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. ‘Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sport”.
“Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se duhet fuqizim i përpjekjeve, bashkim i forcave e nxitje për talentet që të arrijnë majat e sportit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, Katarzyna Wielga-Skolimowska dhe krijuesin e programeve të zhvillimit në këtë fondacion, Nuno de Brito Rocha, të shoqëruar nga artisti vizual dhe kuratori shqiptar, Erzen Shkololli.
Në një bisedë miqësore diskutuan rreth zhvillimit të artit përmes mbështetjes institucionale dhe për sukseset që artistët nga Kosova kanë shënuar viteve të fundit në arenën ndërkombëtare të artit, shkruan Arbresh.info.
Ndër to, një sukses i veçantë u shënua në edicionin e 60-të të Bienales së Artit të Venedikut, Pavijoni i Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror.
“Vendi i vetëm nga Evropa që këtë vit fitoi në Bienale, në mesin e 86 pavijoneve shtetërore garuese.”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i njoftoi për shtimin e investimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kulturë dhe art dhe mbështetjes instititucionale për trashëgimi kulturore, filharmoni e film, muze e galeri, skenën e pavarur.
Ai vlerësoi punën dhe kontributin e rëndësishëm që secili prej tyre i ka dhënë provimit të kulturës dhe artit përmes projekteve në Gjermani, Poloni, Brazil e gjetiu, dhe bashkë trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës dhe Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë qytetarë angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë. Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjithë që bëjnë vullnetare të aplikojnë për Çmimet e Vullnetarizmit, e që afati është deri 30 shtator 2024.
“Këto kontribute e meritojnë të promovohen dhe falënderohen. Çmimet e Vullnetarizmit në Kosovë janë një hap në këtë drejtim. Ju bëj thirrje të gjithë juve qytetarë të nderuar që të nominoni të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Në qytetin e Podujevës në një ceremoni të organizuar nga Komuna sot është zbuluar shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Shtatorja është zbuluar nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti, Teuta Rugova e bija e presidentit, kryetari Shpejtim Bulliqi dhe Fatmir Sejdiu.
Gjatë ditës sot, kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, të shoqëruar nga ekipi i tij dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Në njoftim thuhet se Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.
Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.