Kurti takohet me Hargreaves, zhvillimet në vend dhe planet e bashkëpunimit temë diskutimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Të dy kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, programet e bashkëpunimit dhe për zhvillimet në vend, transmeton klankosova.tv.

Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2045.

Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.

“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti takohet me albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe plot shkëmbime të dijes.

U bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, thuhet në njoftim.

Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica.

Admirali Munsch takon Kurtin, bisedojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Në një postim në profilin zyrtar të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X.

“Admirali Stuart Munsch u takua me z. Kurti në Prishtinë, për të diskutuar mbi aktivitetet e KFOR-it për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, është thënë në njoftim.

Për dallim nga Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, për Klankosova.tv ka pohuar se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.

“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”.

“Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.

Admirali amerikan Stuart B. Munsch, po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ndërsa lajmi për këtë takim u bë i ditur nga misioni KFOR-i.

“Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në njoftimin e postuar në llogarinë e KFOR-it në Facebook.

Ndërkaq, në llogarinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X, u tha se në takimin Munsch – Ulutash, “diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kurti: Mbështetja për miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike, tregon përkushtimin për të vepruar në unitet me partnerët

Kryeministri Albin Kurti tregoi në një pritje të organizuar për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës se çfarë ka bërë Kosova për ta mbështetur këtë shtet që prej kur Rusia nisi pushtimin e tij.

Kurti tregoi se Qeveria ka miratuar 13 paketa sanksionesh amerikane kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai tha se mbështetja e Kosovës për “miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike”.

Kurti tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “tregon përkushtimin tonë për të vepruar në unitet me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”.

“Rusia ka qenë gjithmonë joeuropiane”, tha ndër tjerash Kurti në një fjalim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Solidariteti ynë [për Ukrainën] është detyra jonë që i përkasim kontinentit europian”, tha ai.

Kryeministri Kurti për patentë shoferët: Komuniteti serb bëri hap drejt integrimit

Qytetarët Kosovës deri dje kanë mund të bëjnë konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegalet në ato të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës, qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.

“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok. Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.

Shefi i qeverisë, i ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.

Kryeminstri Kurti takon senatorin Welch, flasin për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me senatorin Peter Welch, me të cilin biseduan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë.

Kurti përmes një shkrimi në “X” tha se Welch është mik i Kosovës, i cili siç tha ai, vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut, përcjell Klankosova.tv.

“Ishte një kënaqësi e madhe të takohesha me Senatori Peter Welch një mik i Kosovës, i cili vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut vitin e kaluar”.

“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në frontin ekonomik dhe politik, si dhe eksplorimin e rrugëve të reja për bashkëpunim.  Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm që ka bërë Kosova dhe përpjekjet e qeverisë për ngritjen e të gjithë shoqërisë sonë, siç është futja e arsimit të lartë falas”, thuhet tutje në shkrimin e tij./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike

Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.

Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.

Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.

Para fjalës së presidentit Biden, edhe zëvendëspresidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.

Kryeministri Kurti: Nuk do t’i befasojmë ndërkombëtarët, por nuk do të zvarritet hapja e Urës së Ibrit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova në hapjen e Urës së Ibrit është e vonuar trefish, dhe se qëllimi qarkullimit është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ai, në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në ShBA, ka theksuar se nuk mund të thuhet se lëvizja e lirë vlen gjithandej vendit, por urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Ura mbi lumin Ibër është dashtë të hapet kur u çliruar Kosova para 25-vjetëve. Ajo nuk është dashtë të jetë e mbyllur, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë para 16-vjetëve, ajo është dashtë të jetë e hapur edhe para 8 vitesh në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj, ne jemi trefish të vonuar për shumë vite”.

“Ajo çka duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vet frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi që sundimi i ligjit e lëvizja e lirë vlen gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohës, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër”, theksoi Kurti.

Ndër tjera, i pari i ekzekutivit ka pohuar se janë duke i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga partnerët amerikanë dhe evropianë për çështjen e hapjes së urës.

“Kurrë nuk ka pasë më shumë koordinim dhe konsultime dhe jam opotimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirin e lëvizjes, paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb, për shqiptarët, për të gjitha pakicat, pra për të gjithë qytetarët e Republikës sonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet të hapim edhe këtë urë”.

Kurti u deklarua edhe rreth mundësisë së shtyrjes së afatit për hapjen e urës në fjalë, ai tha se kjo çështje nuk do të lejohet të zgjatet pafundësisht.

“Ne jemi të interesuar që hapjen ta bëjmë në bazë të planit që e kemi ndarë së bashku me partnerë amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri, me shqiptarët në dy komunat, kemi testuar qëndrueshmërinë teknike të urës, duhet të kujdesemi për dizajnim e zbukurimin, për pamjen vizuele të kësaj ure, këtë duhet ta bëjmë sa më parë”.

“As nuk do të befasojmë partnerët dhe aleatët amerikanë e evropian, dhe as nuk do të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, besojmë se është e nevojshme e mirë e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti në ditën ndërkombëtare të fotografisë, vlerëson lartë fotografët shqiptarë

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lartë fotografët shqiptarë, sot me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare e fotografisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Kurti thotë se fuqia e fotografisë është e madhe.

“Ishin fotografët që përmes fotografive dëshmuan para botës vuajtjet e maltretimet, vrasjet e masakrat mbi popullin shqiptar nga shteti i Serbisë”, shkruan Kurti.

“Po ashtu, ishin fotografët ata që kapën shumë momente gëzimi e fytyra të qeshura në Kosovën tonë të lirë”.

Kryeministri Kurti takohet me komandantin e KFOR-it, e njofton mbi punët që po zhvillohen në Urën e Ibrit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, ku ndër temat kryesore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër.

Sipas Kurtit, hapja e Urës së Ibrit është një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme, teksa bëhet e ditur se kreu i qeverisë e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen mbi të.

“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja e siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

“Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve”.

“Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurti kujton ‘Abenë’, Shalën, Zherkën e Vulën në 26-vjetorin e rënies së tyre: Luftëtarë të paepur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar dëshmorët Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën, në 26-vjetorin e rënies së tyre.

Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shprehet se këta dëshmorë ishin luftëtarë të paepur, që u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.

“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.  Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, shkruan i pari i qeverisë.

Kryeministri Kurti: Dikur imagjinare Kosova t`i mposhtë fuqitë e mëdha, sot realitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin të pamundura fitoret e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.

Të martën në sheshin “Xhorxh Bush”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një pritje për ekipin olimpik të Kosovës, që ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024. 

 Kurti gjatë fjalës së tij ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar.  Ai ka përgëzuar sportistët duke iu uruar mirëseardhje në shtëpinë e tyre. 

“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tone si shtet për të fituar medalje olmpike në secilen olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëhere nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.

Ekipi i Kosovës këto ditë është kthyer nga Parisi, ku ishin pjesëmarrvs në Lojërat Olimpike. Me vete kanë sjellur edhe dy medalje. Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë e Laura Faziu atë të bronztën. 

 Xhudisti Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes, duke përfunduar në vendin e pestë në kategorinë -73 kg, ndërsa Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku mbyllën garat me nga një fitore dhe vendin e nëntë.

Kampionia olimpike e Tokio 2020, Nora Gjakova, për shkak të një lëndimi të pësuar më herët gjatë vitit, u ndal në raundin e parë të kategorisë -57 kg. Notari Adell Shaboviq doli i 58-ti nga 79 garues në disiplinën e 100 metrave stil i lirë, ndërsa Hana Beiqi përfundoi e 43-ta prej 79 garueseve në 50 metra stil i lirë.

Atletja Gresa Bakraçi garoi në 800 metra vrapim, duke përfunduar e 49-ta dje dhe duke u diskualifikuar në raundin e dytë për shkak të daljes nga korsia e saj.

Kryeministri Kurti priti në takim kryetaren e Preshevës, shprehu gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka pritur në takim kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në një komunikatë per media është bërë e ditur se Kryeministri Kurti e uroi Sinanin për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Ragmi Mustafa dhe për detyrën e re si kryetare e komunës.

“Kryeministri Kurti i ofroi mbështetje në realizimin e programit qeverisës dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për bashkëpunim të afërt institucional në shërbim të Preshevës dhe qytetarëve atje pa dallim”, u tha në komunikatë.

Ardita Sinani u zgjodh Kryetare e Komunës së Preshevës me 24 vota në asamblenë komunale, të mbajtur me 30 korrik, 2024.

Kryeministri Kurti sot në Maqedoninë e Veriut, takohet me Mickoskin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, sot do të zhvillojnë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.

Ai do të ketë një takim bilateral me kryeministrin të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.

Kështu kishte deklaruar dje për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, kishte thënë Kryeziu.

Vizita e Kurtit, vjen pak ditë pas incidentit ndaj presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.

Lidhur me rastin, Presidenca pati deklaruar se Osmanit iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit.

Kryeministri Kurti të hënën në Shkup, takime me homologun Mickoski e me kabinetin qeveritar

Kryeministri Albin Kurti, të hënën me fillim nga ora 10 do të nisë një vizitë zyrtare në shtetin fqinj, Maqedoninë Veriore.

Siç mëson Klan Kosova, kreu i ekzekutivit kosovar do të ketë takime me krerët e shtetit maqedonas, nga homologu i tij Hristijan Mickoski, pastaj me ministrat e kabinetit qeveritar.

Ndërkaq, burimet kanë paralajmëruar një takim edhe me kryeparlamentarin e RMV-së, Afrim Gashi.

Kjo vizitë e Kurtit në Shkup vjen pak ditë pas një incidenti që u shënua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po e shfrytëzonte të njëjtin për një udhëtim privat.

Incidenti erdhi pasi sigurimi i aeroportit, sipas Zyrës së Presidentes, i kërkoi asaj ta dorëzonte telefonin e saj personal.

Ky incident është konsideruar nga shumë si skandal diplomatik.

MPJ-ja e Kosovës madje i ka dërguar notë proteste Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarime dhe informata mbi këtë rast.

Ndërkaq, MPJ-ja maqedonase ka shprehur keqardhje për rastin, teksa ka thënë se janë duke e trajtuar rastin.

Kryeministri Kurti: Akil dhe Nora Gjakova përgjithmonë jeni kampionët tanë Olimpik

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Akil dhe Nora Gjakova janë përgjithmonë kamionët tanë Olimpik.

Me anë të një postimi në Facebook pas disfatës së Akilit në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, kryeministri i ka falënderuar Akilin dhe Norën për emocionet e dhënë dhe përkushtimin e tyre ndaj vendit, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Akil Gjakova e humbi medaljen e bronztë për pak, e atë të argjendtë edhe për më pak. Mbase kjo është pasojë direkte e shpirtit të tij luftarak dhe dëshirës së madhe për fitore.

Ndeshjen e parë e zhvilloi krah për krah, sepse njëkohësisht, me motrën e tij Norën. Përderisa Nora e përmbylli rrugëtimin e saj në Paris 2024, ai fitoi dhe me vazhdoi garat tutje duke mundur dy herë kundërshtarët të cilët ndodhen më lart se ai në ranglistën botërore.

U eliminua në gjysëmfinale nga numri 1 në botë, pasi që të gjithëve që ishim prezent në Champ-de-Mars Arena na u duk se fitoi me Ippon, por jo edhe referit në tatami. E në betejën e tij për medalje të bronztë, Thembra e Akilit ishte ajo pjesë e sekondës kur një lëvizje fort e qëlluar nuk përmbyllet plotësisht.

Përkundër kësaj, Akil dhe Nora, vëlla e motër, përgjithmonë jeni kampionët tanë Olimpik.

Faleminderit për emocionet që na keni dhënë dhe për përkushtimin tuaj për vendin tonë.

Kryeministri Kurti takohet me Distrinë: Ne e dëshmuam por ajo e bëri historinë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me xhudisten Distria Krasniqi, pasi ajo fitoi medaljen e Argjendtë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Kurti tha se “ne e dëshmuam historinë”, ndërsa Distria e bëri historinë, ku u bë medaljiste e dyfishtë olimpike.
“Në Tokio 2020 e mori të artën në kategorinë deri në 46 Kg, kurse tash në Paris 2024 të argjendtën në kategorinë deri në 52 Kg. Ajo ka një qëndrim dhe vështrim prej shqiponje të Bjeshkëve të Rugovës. Gjatë ndeshjes Distria është aq e fuqishme, e shpejtë dhe e përqendruar saqë duket sikur ose kjo ose kundërshtarja e kanë gabuar kategorinë”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, ai e falënderoi Distrinë për shërbimin që po ia bën shtetit dhe për gëzimin e krenarinë që po ua jep qytetarëve të vendit.

Kryeministri Kurti: Rasti i Donjetës dhe i xhudistëve duhet të inkurajojë të rinjtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Donjeta Sadiku po edhe xhudistët e Kosovës duhet të inkurajojnë të rinjë kosovarë për t’u marrë me sport.

Këto komente Kurti  i ka bërë për RTK pas fitores së Donjeta Sadikut kundër Thamanya Somnuek nga Tajlanda në Lojërat Olimpike Paris 2024.

“Me atë çfarë pamë sonte prej Donjetës, jemi optimistë në vijim. Qeveria e do sportin, e do sportin për qytetarët, dhe rasti i Donjeta Sadikut, rasti i xhudisteve të Kosovës, duhet të inkurajojë të rinjtë e Kosovës që të merren më shumë me sport”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike, duke nënvizuar ndikimin e sportit në diplomaci dhe politikën e jashtme.

“Sporti ka një aspekt të rëndësishëm të diplomacisë dhe politikës së jashtme, sepse përmes tij ia del që ta paraqesësh vendin”, është shprehur tutje ai.

Kryeministri Kurti: Lajm i mirë, ngritja e Universitetit të Prishtinës në renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë

Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar lajmit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur për disa vende më lartë në Webometrics.

Në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se UP-ja ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë, por edhe ka përmendur mundësitë e transferimit e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik

“Universiteti i Prishtinës me ngritjen më të madhe dhe renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë.  Ky lajm i mirë i shtohet lajmit tjetër të ditëve të fundit, që me rastin e miratimit të Statutit të ri të Universitetit, për herë të parë, anëtarë të personelit akademik që janë në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së ‘Times Higher Education World University Rankings’ ose ‘QS World University Rankings’ do të kenë mundësi transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik”.

“Sipas statutit të ri, ‘kërkesa për transferim bëhet me propozimin e rektorit, dekanit ose këshillit të njësisë akademike përkatëse dhe miratohet nga senati.’ Kështu, kandidatët e interesuar, që e plotësojnë kriterin e mësipërm, mund të shprehin interesin te cilido prej këtyre autoriteteve, pra rektori, dekani ose këshilli i fakultetit përkatës”, ka thënë Kurti.

Kurti për Betejën e Korrikut ’98 në Rahovec: Krimet e Serbisë s’do të mund të zhduken e harrohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar Betejën e Korrikut të vitit 1998, për të cilën tha se filloi më 17 korrik brenda qytetit të Rahovecit dhe në fshatin Fortesë.

Sipas Kurtit, UÇK-ja po mbronte popullatën civile nga depërtimi i forcave ushtarake dhe policore serbe në Rahovec, teksa forcat serbe vranë 150 civilë shqiptarë.

“’Gjatë luftimeve në rrugë, civilët shqiptarë ishin lidhur në shtylla elektrike si mburoja njerëzore për forcat serbe. Dy persona raportohet se u panë të varur në shtylla elektrike, disa të tjerë u masakruan duke ua prerë fytin dhe hequr sytë, ndërsa disa të tjerë raportohet se u shkelën nga automjetet e blinduara dhe tanket’, thuhet mes tjerash në Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 23 shtator 1998. Në këtë opinion, flitet edhe për ekzekutime brenda dhe rreth teqes dhe xhamisë në Rahovec, ku forcat policore serbe kishin shtënë në një grup refugjatësh, përfshirë gra dhe fëmijë, duke vrarë shumë prej tyre”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Kurti përmendi edhe rastin e vrasjes së prijësit fetar 78-vjeçar, Sheh Myhedinin, për të cilin tha se u kishte ofruar civilëve strehim në teqe, teksa policia serbe e qëlloi nga afër për vdekje.

“Forcat policore e ushtarake serbe vranë 150 civilë shqiptarë. Shumë nga ta u varrosën në dy gropa të mëdha, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimeve. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë martirët dhe dëshmorët e rënë në betejën e lavdishme të Rahovecit”, tha ai.

Kryeministri Kurti uron Metsolën: Mezi presim forcimin e mëtejshëm të raporteve BE – Kosovë

Kryeministri Albin Kurti e ka uruar Roberta Metsolën për marrjen edhe të një mandati në krye të presidencës së Parlamentit Evropian.

Në platformën X, Kurti ka thënë se ka pritshmëri që të vazhdojë edhe më tutje bashkëpunimin me miken e Kosovës.

“Ju uroj suksese të vazhdueshme dhe mezi presim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ekipit Olimpik të Kosovës: Çdo fitore e juaja është të gjithë neve

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.

Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.

Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.

Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.

Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.

Kryeministri Kurti përkujton Masakrën e Poklekut: Jemi të mbijetuarit e gjenocidit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar masakrën e Poklekut. Ai ka thënë se Serbia me projektin e saj “Paktoi”, vrau edhe gra shtatzëna me qëllim që ta shfaroste popullin shqiptar. Kurti u shpreh se shqiptarët e Kosovës, janë të mbijetuarit e gjenocidit serb në Kosovë.

“Më 17 prill 1999, në shtëpinë e familjes Muçolli, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç, te foshnja 6 muajshe, Liria, e deri te gratë shtatzëna. U vranë edhe foshnjet në djep, e foshnjet e palindura, sepse ishin e ardhmja e një populli të cilin Serbia donte ta shfaroste me projektin serbomadh “Patkoi”. Ne, populli i Kosovës, jemi të mbijetuarit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Prandaj asnjëherë nuk mund të harrojmë. Gjithnjë do të dëshmojmë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se Pokleku i vjetër është dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.