Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Marinë, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit.
Duke kujtuar 274 dëshmorët dhe martirët, Kryeministri Kurti tha se në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte për të çliruar Kosovën në tokë në çdo pëllëmbë të atdheut tonë, ndërkaq avionët e NATO-s goditnin caqet e forcave ushtarake e policore të Serbisë e Jugosllavisë së Millosheviqit.
Por, në mëngjesin e 30 prillit, kur forcat serbe sulmuan fshatrat e Shtuticës, Vërbovcit, Baksit dhe zonat përreth, kishte një numër të madh të njerëzve të cilët aso kohe patën ardhur nga fshatrat tjerë që të strehohen në zonën e Vërbovcit, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti pas homazheve në Marinë dhe zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit./21Media/KultPlus.com
Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Komunës së Skenderajt.
Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kryeministri Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.
“Sot kujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh Kryeministri.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit./21Media/KultPlus.com
“Për mu paska ken’ kismet”, kjo këngë e vjetër shkodrane është shkruar në vitin 1880 nga i madhi Paloke Kurti, kompozitor, instrumentist i shumë veglave dhe drejtues i bandës së parë muzikore shqiptare.
Të gjithë e dinë këtë këngë, e të shumtë janë artistët të cilët e kanë kënduar ndër vite, por të paktë janë ata të cilët e dinë historinë prekëse të kësaj këngë.
Më poshtë po ju sjellim një shkrim i cili e tregon këtë histori interesante, e të cilën e kanë rrëfyer Vlashaj Band:
“Fillimi i 80- të shekullit të kaluar…. Palok Kurti , ndonëse mjaft i ri , ishte tashmë një nga muzikantët më të njohur të kohës . E merrnin edhe si mësues të pianos në shtëpi të ndryshme pasanikësh. Në një shtëpi të bukur dy kateshe , me mure të larta e me një lulishte të rrallë në të gjithë qytetin, jetonte një familje e pasur që kishte dhe një vajzë shumë të bukur. Paloka hynte e dilte në këtë shtëpi si mësues i pianos. Sa më shumë kalonin ditët dhe vajza përparonte në instrument , aq më i afërt bëhej ai për sytë dhe zemrën e saj. Edhe ajo për shpirtin e ndjeshëm të Palokës, me ndjenjën e padurimit për tu takuar prisnin me kënaqësi orët e mësimit. Diçka kishte lindur thellë në të gjithë qenien e tyre, sa e sa herë Paloka ishte bërë gadi t’ia shfaqte ndjenjat e veta. Por druhej , a do ta pranonte vallë familja e saj këtë mësues të thjeshtë. Megjithëse sytë e vajzës flisnin shumë dhe dukeshin mjaft të sinqertë në fisnikërinë e vështrimit të tyre, ai përsëri kishte frikë. Nuk donte ta prishte atë gjendje në dukje të qetë, por dëshironte t’i ruante ato ndjenja të pashprehura, nga frika se mos e humbiste vajzën e tij të dashur. Por kjo gjendje e turbullt dhe e papërcaktuar mbaroi një ditë.
Ndjenjat e pastra e të pashfaqura te të dy të rinjve nuk mbeten gjithnjë të fshehura. Nuk do të zhvilloni më mësim , i tha shërbyesja një ditë, kur ajo doli dhe hapi derën e madhe të shtëpisë, Paloka u shtang , nuk e priste kështu ndarjen me këtë shtëpi. Sa e sa herë kishte ëndërruar që kur të vinte ajo ditë dhe vajza t’i thoshte po e prindërit e saj të detyruar, do ta pranonin si dhëndër e atij t’i hapej dera me nderime e respekt. Por nuk qenka thënë kështu. Me çiltërsi dhe pa e kuptuar shkakun, ndërhyri vrullshëm: -Po përse ?? e pyeti duke e shpuar me një shikim të rreptë e zhbirues. Shërbyesja për një çast nguroi, por duke e parë se ai nuk po ia ndante atë vështrim të syve të ndezur flakë .. i tha: – Kështu ka urdhërua zotëria, dhe e pa me keqardhje djaloshin. Paloka u skuq edhe më , desh të belbëzonte diçka por nuk mundi. Uli sytë dhe heshti. Nuk e mori vesh se kur por porsa u kthye dera u mbyll lehtë… Ishte e pa mundur ta takonte vajzën ditët e mëvonshme. Muret shumë të larta të shtëpisë të mbuluar me sharmashek , e pengonin krejt çdo ditë që kalonte e bënte të pa mundur takimin. Edhe pse shpresat po i shuheshin , dëshira për ta takuar nuk i venitej, përkundrazi. Sa herë i ishte shfaqur ajo para syve, ashtu e bukur dhe e ëmbël . Edhe në ëndërr e kishte parë. Të paktën ti merrte vesh ndjenjat e tij e këtë mënyrë. E ndiente se ajo gjë i vlonte në shpirt, e kishte trazuar të terin dhe vetëm një çast pritej që të shpërthente. Por rruga drejt zemrave të tyre ishte ndërprerë. Shpresa, shpesh herë gënjeshtare e bënte gjithnjë e më të pa sigurt ardhjen e këtij çasti. Edhe të takimit me të. Edhe pse ky mendim e frikësonte, pikërisht kjo pasiguri e nxiste për më tej. I vendosur për ta ndjekur gjer në fund gjurmën e kësaj ndjenje të pastër, ai jetonte ditë të mbushura me pasionet e atij që dashuronte thellë dhe me vegimet e shpresave të pashuara. -Do të shkojmë në një dasmë, i tha një ditë Palokës një nga shokët e tij të ahengut .. Martohet një i njohuri im. Do te shikosh do jetë një dasmë e rrallë, a po nuk është nusja, yll i vërtetë… Nuk ia prishi shokut të vet… Vështrimi i të gjithëve drejtohet nga një derë e hapur andej nga duket nusja. Palokës i bëjnë sytë ag. Turbullohet nga kjo e papritur. Ahengxhinjtë tjerë fillojnë të këndojnë këngën që lavdëron bukurinë e nuses. Të gjithë këndojnë përveç Palokës, është tepër i tronditur, nuk e mendonte kurrë se do t’i ndodhte kështu. Kjo e papritur e dëshpëruar e dërrmon, atmosfera i bëhet e rëndë dhe mbytëse, ndërsa vështrimi nervoz dhe disi i egër. Buzët i mbyllen fort, sikur donin të mbanin të mbërthyer brenda dhëmbëve të fshehtën e frikshme.. Nuk e kishte menduar kurrë se mund të kalohej kështu kaq shpejt nga gëzimi në dhembje. Dëshiron të ngrihet të dalë jashtë e të thërrasë me fuqinë e zërit për padrejtësitë e kësaj jete, por e përmban veten, e tremb ndonjë ngjarje e pahijshme, për herë të parë fillon të urrej moshën e tij të re.
Në atë gjendje të vështirë, në atë kaplim ndjenjash e ashk të jashtëzakonshëm, vendos të veproj ndryshe e ndien më të fortë se asnjëherë yshtjen e natyrshme të aftësisë së tij krijuese, zjarrin që e përvëlon në shpirt dhe ngjyrimin tragjik të kësaj të papriture që i rrit deri në skaj ngarkesën emocionale dhe shpërthen: Për mue paska kenë kismet me ken ti e tjera kujt mbasi të due ban merhamet edhe mue me duej. Zëri po i dilte me zor nga fyti. Shokët e vet të ahengut e ndjeknin me vëmendje , por nuk kuptojnë pse shoku i tyre këndon ashtu, edhe pse në strofën e dytë ai i shfaq haptas ndjenjat dhe mendimet e veta, ata përsëri nuk marrin vesh asgjë: Sa të vegova më ra të lig humba e s’qeshë insan se e pashë mirë që s’mund të dal açik ty moj zonjë e randë.
Të pranishmit mbeten të habitur, e kanë dëgjuar edhe herë të tjera të këndojë, por jo kështu me trishtim. Zëri tashti i del thellë nga shpirti, ndërsa në fjalët dhe melodinë e këngës ndihet një dhembje e thellë. Mbasi i hedh një vështrim kuptimplotë nuses, një vështrim depërtues, të rreptë por edhe të dhimbshëm sikur do ti futej thellë në shpirt, duke kujtuar edhe një herë lojën me zjarrin, me guxim i drejtohet asaj: “Kah të shof sytë s’po mund t’i ndaj e gojet kurrë nuk të lëshoj por po m’erren mbushun me vaj ah si s’baroj…”.
Në vargun e fundit trishtimi i tij arrin kulmin.
Si është e mundur të shpërthejë njeriu kështu, duke kënduar e të shpreh ndjenja kaq të fuqishme? ah si s’mbaroj…. më shumë se këngë, më shumë se melodi, i del vajtim. Askush nuk e kupton këtë gjendje , askush nuk merr vesh shkakun e vërtetë të këtij mallkimi. Vetëm nusja, sytë e saj të bukur prej kohësh kishin marrë një ndriçim tjetër në fillim si mospërfillës, më vonë kur kënga filloi të depërtojë thellë në zemrën e saj, sytë filluan ti ndrisnin me një shkëlqim te ri. E magjepsur , por edhe e ngacmuar nga kjo e papritur, filloi të skuqej në fytyrë, duke u bërë edhe më e bukur. Fjalët e këngës dhe djaloshi i njohur që po e këndonte e ndezën flakë po i përsëriteshin ndjenjat e pavenitura. Vetëm ata të dy po merreshin vesh në lojën e maskuar për të shfaqur ndjenjat e fshehura thellë në shpirtrat e tyre, papritmas ajo filloi të ndiejë veten të ligështuar, po dridhej. Ndërsa kur këngëtari shqiptoi …. AH SI S’BAROJ… i gjithë gjaku i iku nga fytyra dhe i ra të fikët”. / KultPlus.com
Sot është shënuar 24 vjetori i Masakrës së familjes Berisha në Suharekë, ku forcat serbe masakruan 50 antarë të kësaj familje, prej të cilëve 11 ishin fëmijë, përcjellë KultPlus.
Pas vrasjeve të kryera, serbët me qëllim të zhdukes së gjurmëve kishin rrëmbyer kufomat e antarëve të familjes Berisha.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se kjo e vërtetë kriminale e shtetit të Serbisë, nuk mund të zhduket e as nuk mund të harrohet.
“Para 24 vitesh, forcat serbe vranë dhe masakruan 50 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. Mes tyre edhe 11 fëmijë. Pas vrasjeve, rrëmbyen edhe kufomat. Zhdukën kufomat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.
Por kjo e vërtetë kriminale e shtetit të Serbisë, nuk mund të zhduket e as harrohet. Kjo është e kaluara jonë e cila nuk kalon.’’, është shprehur Kurti në facebook.
Kryeministri kurti më tutje ka thënë se u përkulet të gjithë atyre të cilët u bënë flijë për lirinë e vendit dhe para familjarëve të cilët i mbijetuan kësaj masakre.
“U përkulemi për forcën e pashembullt të mbijetuarve të vetëm të kësaj masakre, zonjës Shyhrete, zonjës Vjollca dhe Gramozit.
Përkulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka thënë Kurti.
Sot është shënuar 24 vjetori i masakrave të kryera nga Serbia edhe në fshatrat e Krushës së Madhe, ku mbetën të vrarë 243 persona, dhe Krushës së Vogël ku mbetën të vrarë 113 persona/KultPlus.com
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para takimit të sotëm me kryeministrat Kurti dhe Vuçiç ka thënë se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë sot në Ohër, përcjellë KultPlus.com.
“Pas diplomacisë intensive të anijes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Aneksi i zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruare Borrell në Tëeeter.
Ndërsa në një deklaratë të tij u shpreh se ka ardhur këtu për bisedime për marrëveshje dhe jo bisedime për bisedime.
“Liqeni i Ohrit është liqe tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni të gjithë këtu. Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i të gjithëve…Përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që nuk u nënshkruam në Bruksel me 27 shkurt të vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit. Në këtë mënyrë të rrumbullakosje të marrëveshjen për normalizim” , ka deklaruar Kurti./KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishin në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Bashkë me shumë fëmijë pjesëmarrës panë ekspozitën me piktura të realizuara nga tri nxënëse të shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë.
Nxënëset Afërdita Visoka, Anja Rexhepi dhe Alea Hasani, kanë prezantuar 40 piktura në ekspozitën që do të jetë e hapur deri më 3 qershor. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për “Ditën e Evropës”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se për Kosovën, Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në BE.
Ai tutje shkruan se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
Lexoni më poshtë postimin e plotë të Kurtit:
Sot, me 9 maj, në Ditën e Evropës, kujtojmë deklaratën e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman. Kujtojmë idetë dhe idealet e themeluesve të Bashkimit Evropian të cilët pas shkatërrimit që sollën dy luftëra botërore e kuptuan që paqja për të qenë e qëndrueshme, duhet të jetë e lidhur me drejtësinë, barazinë, bashkëpunimin dhe mundësinë për një jetë më të mirë; se integrimi e ndërvarësia sjellin më shumë fitime dhe mundësi sesa rivaliteti e kundërvëniet.
Bashkimi Evropian është projekt dhe proces për Evropën dhe gjithë qytetarët e saj që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Këto vlera sot po mbrohen në Ukrainë. Atje, përballë një agresori e pushtuesi despotik, po mbrohet ideja e një Evropë të lirë dhe të bashkuar. Pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi për të mbrojtur e përshpejtuar projektin e Bashkimit Evropian duke integruar Kpsovën, gjithë Ballkanin Perëndimor dhe gjitha shtetet evropiane paqedashëse të cilat përqafojnë vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë në demokraci që lufton autokratët, në sundim të ligjit që lufton korrupsionin dhe në ekonomi të zhvilluar që rrit mirëqenien për të gjithë.
Me qeverisjen tonë po dëshmojmë se për Kosovën Bashkimi Evropian fillon në shtëpi duke jetësuar ndryshimet të cilat transformojnë vendin tonë dhe përshpejtojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Urime të gjithë qytetarëve 9 Maji – Dita e Evropës!./ KultPlus.com
Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.
Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e luftës e fëmijëve kosovarë.
Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se lajmi për masakrën e Reçakut ka arritur në çdo cep të botës.
Ai deklaroi se në këtë masakër janë vrarë 45 civil të pafajshëm dhe të paarmatosur, përfshirë gra e fëmijë.
“Nëse nuk tronditemi sot diçka nuk është mirë me ndërgjegjen tonë. Më 15 janar të vitit 1999, Reçaku në orët e hershme të mëngjesit u gjet i rrethuar nga policia speciale, forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Atë ditë ata vranë 45 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, mes tyre gra dhe fëmijë. Lajmi i krimit që ndodhi tek shtëpia e Sali Osmanit dhe tek ‘Kodra e Bebushit’, arriti në çdo cep të botës”, deklaroi ai.
Kurti tha se historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun.
“Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, njësojë si nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Mejën, Krushën e Madhe e të Vogël, Dubravën, Poklekun, Rrezallën, Izbicën, Gjakovën, Qyshkun, Qirezin e Likoshanin e shumë vende të tjera të Kosovës që ishin viktima të mbi 400 masakrave gjatë luftës së fundit të vitit 1998 dhe 1999”, ka thënë Kurti./KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një dedikim për Jasharët në Prekaz, me rastin e 30 vjetorit të sulmit të parë serb ndaj kësaj familjeje.
Duke shkruar për veprën e kryefamiljarit të Jasharajve, Shabanit, kryeministri Kurti thotë se trashëgimia e tij si bujk, mësues dhe prind i shkëlqyer është e përjetshme dhe e pavdekshme.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz
Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë
Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen.
Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet. Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.
Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme. / KultPlus.com
Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social Facebook ka shkruar për Ylfete Fanajn e cila mori pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër.
Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More” e cila shprehë si kujtesën e mallin për atdhe ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen.
I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme. /KultPlus.com
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media kanë bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të kenë kujdes edhe pas aplikimit të fazës së tretë të masave.
Ata tutje kanë shpalosur vendimet të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë.
Ai ka thënë se fakti që po hiqen masat, nuk do të thotë që duhet të hiqet edhe kujdesi, duke bërë thirrje që udhëzimet e IKSHPK-së të zbatohen në përpikëri.
“Një ndër vendimet e rëndësishme është ai për liberalizimin e masave në ballafaqimin me pandeminë. Ishte koha kur ne kishim nevojë për masa rigoroze, nga nesër mund të fillojmë më një hapjen e cila nuk është e plotë. Ajo çka po bëjmë është që po i rihapim kopshtet dhe çerdhet nga 0-5 vjet, pastaj po e bëjmë riorganizimin e testit të arritshmërisë, testit të maturës i cili do të mbahet më 4 korrik. Më 13 mars e patëm marrë vendimin për mbylljen e kufijve, sot shfuqizuam vendimin por të gjithë ata që hyjnë në Kosovë obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve. Gjithashtu hapen edhe baret, kafenetë, restorantet dhe qendrat tregtare nga nesër”, ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se në këtë fazë është arritur falë bashkëpunimit me qytetarët.
Ai ka thënë se IKSHPK ka vlerësuar se kushtet janë të mjaftueshme për hapjen e fazës së tretë.
Vitia ka thënë se një javë pas hapjes së kufijve tokësorë do të shqyrtohet mundësia për hapjen e atyre ajrorë. /KultPlus.com
KOSOVA BAŞBAKANI ALBİN KURTİ (ERCAN KASAP/PRİŞTİNE-İHA)
Kosova’da korona virüsünün yayılmasının ardından Malişeva, Klina ve Vitia kentleri karantina altına alındı. Vaka sayısı ise 5’e yükseldi.
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar figurën e Luan Haradinajt, shkruan KultPlus.com
Kurti ka vlerësuar lartë kontributin e Luan Haradinajt në çlirimin e vendit duke e quajtur figurë të përkryer të viteve të 90’ta.
“Ai është studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë dhe lavdishëm Kosovën”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në Facebook.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Luan Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është po ashtu edhe një prej themeluesve të mbështetjes logjistike të ardhur prej Republikës së Shqipërisë. Luan Haradinaj me veprimtarinë e tij të armatosur kundër pushtuesit, mbajti të ndezur të vërtetën e rezistencës që përshkon popullin tonë.
Por, Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror.
Ai është studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë dhe lavdishëm Kosovën. Ai ra dëshmor ndërsa ishte ende student; figurë e luftëtarit që mbetet përjetshëm i tillë; çereku i shekullit që përmbushet lavdishëm.
Më 6 maj 1997, Luan Haradinaj, teksa vinte prej Shqipërisë mes bashkëluftëtarëve Fehmisë, Xhevës, Abedinit dhe luftëtarëve të tjerë, ra në pritë në Qafëmullar. Dhe atë ditë u nda prej nesh. Rexhep Selimi ka dhënë përkufizimin poetik për heroin Luan Haradinaj:
Mbi ta u murose urë pushove hapërimin ta vigjëlosh dheun mbi atë gur.”
Instituti i Medias në Kosovë, sot i ka dërguar letër Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Ministrit të Financave Bislim Bislimi dhe Komisionit të Pavarura të Mediave të Kosovë.
Në të gjenden kërkesat e paraqitura në konferencën për shtyp të datës 1.4 2020 , ku kërkohet të ndihmohen mediat në Kosovë pas situatës së rënd që ka shkaktuar Covid-19, njofton Klan Kosova.
”KËRKESË
I nderuar kryeministër
Instituti i Medies së Kosovës, është një institucion perfaqësues i industrisë mediale të Kosovës.
Në emër të Radiove dhe televizioneve të licensuara në Kosovë, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të mbështetë mediat e Kosovës në kuadër të fondit të veçantë per bizneset dhe të punësuarit, për shkak se funksionimi i tyre është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Mediet në Kosovë jetojnë nga marketingu dhe në këtë kohë kur po përballemi me Virusin Korona, kompanitë tashmë kanë ndërprerë reklamimin e tyre në media. Rrjedhimisht, mediat (pos RTK-se që financohet nga buxheti i shtetit), gjate muajit Mars nuk kanë realizuar pothuajse asnjë të hyrë.
Në Kosovë janë 170 medie audio-vizuale, të licencuara nga Komisioni i Pavarur i Medieve i Kosovës, një pjesë e madhe syresh është rrezik që të mbyllen dhe punëtorët e tyre të largohen nga puna.
Siç e dini, punëtorët e mediave të Kosovës nuk e kanë ndërprerë asnjë ditë punën e tyre, dhe pronarëve të medieve u janë rritur shpenzimet edhe më shumë, duke krijuar kështu borxhe të shumta.
Duhet pasur parasysh, qe mediet gjysma e mediave janë kompani private dhe gjysma OJQ.
Mediet që funksionojnë si OJQ ligjërisht nuk mund as edhe të huazojnë, prandaj kercënohen me mbyllje imediate.
Muaji Qershor eshte afati perfundimtar per pagesen e takses vjetore te licenses, mjete këto që shkojnë në buxhetin e shtetit.
Kërkojmë nga Qeveria që:
1. Të udhëzojë Komisionin e Pavarur të Medies që të heqë taksën e licencës për këtë vit.
2. Të konsiderojë gazetarët dhe punonjësit e tjerë medialë si kategori e vijës së parë të frontit kundër COVID-19, si mjekët e policët.
3. Të ndihmojë financiarisht pronarët e medieve të licensuara, për të mbuluar shpenzimet e tyre për pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e tjera, nga shpallja e gjendjes emergjente e deri sa të zgjasë ajo.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti mëngjesin kësaj të premte ka vizituar nga afër të prekurit e tërmetit në Durrës. Në një prononcim për “News24”, kreu i VV-së tha se të gjithë janë tronditur nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa theksoi se të gjithë shqiptarët duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin duke shtuar se ndihma është një obligim kombëtar.
“Të gjithë shqiptarë jemi tronditur nga ky tërmet i tmerrshëm që ka goditur zonën e Durrësit. Fillimisht ishim të përfshirë nga ankthi i kërkim shpëtimit, të atyre që kishin ngelur nën gërmadhe, por tani duhet të kemi sa më shumë solidaritet për jetën e vështirë, për jetë shumë të rëndë të atyre që shpëtuan, qofshin familjarë të viktimave ose të tillë që nuk kanë pësuar. Jetesa është shumë e rrezikshme në këto ndërtesa, të cilat janë kaq të brishta pas dy valëve të fora të tërmeti, këtij të fundit por edhe atij të shtatorit”, tha Kurti.
Ai gjithashtu tha se “Kemi një sensibilizim shumë të madh të qytetarëve të Kosovës edhe për t’i marrë qytetarët e Durrësit, por edhe zonat e tjera ku ka pasur dëmtime, është kjo një rikthim të asaj çfarë shqiptarët kanë bërë, do ta shikojmë në këtë formë apo është thjesht një detyrim moral dhe kombëtar?”.
“Pavarësisht se çafër ka ndodhur në të kaluarën, shqiptarët gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin, sepse jemi një komb dhe besoj që kjo përkrahje që bëjmë, e japim dhe marrim është një detyrë kombëtare, prandaj këtu duhet të bëjmë më shumë punë se sa falënderime, sepse ta ndihmojmë njëri tjetrin e kemi obligim. Ndihma për njëri tjetrin nuk është dhuratë, por është obligim, por është e rëndësishme që të jetë sa më e organizuar. Unë dje kam pasur një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin dhe me komandantin e FSK, gjeneral lejtnant Rrahman Ramën, dhe ky i fundit ishte i gatshëm dhe i interesuar që FSK ta marrë përsipër aspektin organizativ dhe logjistik, meqenëse kjo ndihmë nuk bën të shkojë dëm, por duhet të ketë efikasitet në grumbullim dhe në shpërndarje”, përfundoi ai. / KultPlus.com
Zef Kurti ishte djali i vetëm i aktores së mirënjohur Tinka Kurti. Për arsye që nuk dihen, ai ka mbajtur një profil të ulët publik pas vitit 1990, ndërsa më herët është aktivizuar edhe në disa shfaqje të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Zefi ka provuar pak edhe aktrimin, më shumë me role episodike. Një nga filmat është ai i “Udhëtim në pranverë” ku luan rolin e Lekës, në një dialog të shkurtër para teatrit “Migjeni” në Shkodër, film i vitit 1978.
Duke qënë se mbase nuk mund të ndiqte gjurmët e nënës së tij, Zefi nuk përqendrohej shumë tek arti skenik. Ndoshta edhe për këtë arsye, por edhe për mundësi më të mëdha për familjen, Zefi vendos të emigrojë në Kanada ku ndërtoi jetën e tij. Ata që e njohin nga afër Tinkën, e njohin mallin që ajo kishte për djalin e saj të vetëm, i cili u nda nga kjo jetë. Zef Kurti ndërroi jetë si pasojë e nje goditjeje fatale në zemër në moshën 65- vjeçare./aktoretshqiptare.info/