Shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës, NASA thanë se kanë zbuluar një eksoplanet me potencial për një atmosferë të pasur me hidrogjen dhe një sipërfaqe të mbuluar nga oqeani.
”K2-18 b”, një eksoplanet 8,6 herë më i madh se Toka, u ekzaminua me ndihmën e teleskopit hapësinor ”James Webb”.
”Prania e molekulave që përmbajnë karbon, përfshirë metanin dhe dyoksidin e karbonit, ishte intriguese, pasi disa astronomë besonin se këto botë ka mjedise premtuese për të kërkuar prova për ekzistencën e jetës”, tha NASA.
“Gjetjet tona nënvizojnë rëndësinë e shqyrtimit të mjediseve të ndryshme të banueshme në kërkimin e jetës gjetkë”, tha astronomi në Universitetin e Kembrixhit dhe autori kryesor i punimit që shpalli gjetjet, Nikku Madhusudhan.
Bollëku i metanit, i dyoksidit të karbonit dhe mungesa e amoniakut mbështesin hipotezën se mund të ketë një oqean nën një atmosferë të pasur me hidrogjen në ”K2-18 b”.
”Ka gjithashtu një zbulim të mundshëm të një molekule të quajtur dimetil sulfide (DMS), por nevojiten më shumë kërkime”, tha NASA.
Në Tokë, DMS prodhohet vetëm nga jeta, me pjesën më të madhe të molekulës që emetohet nga fitoplanktoni në mjediset detare.
”Ndërsa ‘K2-18 b’ shtrihet në zonën e banueshme dhe përmban molekula karboni, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund të mbështesë ekzistencën e jetës”, shtoi NASA.
“Qëllimi ynë përfundimtar është identifikimi i jetës në një eksoplanet të banueshëm, i cili do të transformonte të kuptuarit për vendin tonë në univers”, tha Madhusudhan./ atsh / KultPlus.com