Artistët nga Kosova të cilët nesër duan fitore në ekspozitën ‘Gjon Mili 2017’

Sot është shpallur edhe juria e ekspozitës ‘Gjon Mili 2017’.

Ekspozita e cila do të hapet nesër, të premten, në ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, do të nisë me një çmim për triumfin e këtij viti, artistin apo artisten më të mirë.

Në mesin e artistëve që nesër mbrëma presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili” në këtë ekspozitë dhe çmim të fotografisë, janë edhe artistë të ndryshëm shqiptarë.

HAVEIT
Kolektivi artistik HAVEIT ka në bagazhin artistik performancën “Shaving Patriarchy” – një largim i patriarkalitetit me anë të mjekrës në fytyrë, puthjen para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të cilën vajzat morën kërcënim me vdekje, pjesëmarrjet në Suedi, Tiranë, Slloveni e Kroaci, dhe nesër mbrëma janë në mesin e konkurrentëve për këtë çmim.


ELIZA HOXHA
Eliza Hoxha, një këngëtare, një fotografe dhe një ligjëruese, ka zgjedhur kësaj radhe ti futet kësaj ekspozite dhe këtij angazhimi artistik. Eliza realizonte dikur një emision televiziv mbi arkitekturën ndërsa ka botuar një libër mbi Prishtinën, dhe lidhjen mes qytetit e arkitekturës. Eliza është aktive në disa ngjarje kulturore gjatë vitit në Kosovë.


BRILANT PIREVA
Artist i cili ka nisur të aktivizohet me punët e ndryshme artistike, Pireva ka jetuar disa vite jashtë Kosovës. Në këtë listë ai është një emër më pak i njohur por që premton dhe ka zënë vendin e tij fuqishëm në këtë ekspozitë. Mbetet të dëshmohet në hapjen e ekspozitës se me çka vjen Pireva në këtë çmim e ekspozitë prestigjioze. Ai ka fituar para disa vitesh një çmim në Festivalin e Filmit – DOKUFEST në Prizren, shkruan KultPlus.


KUSHTRIM ASLLANI
Kushtrimi është një regjisor, që kësaj radhe ka zgjedhur fotografinë për “Gjon Mili”. Ka fituar çmime në Youth Film Fest, në Boston të Amerikës dhe në FerFilmFestival. Për tu përmirësuar më shumë në pjesën estetike dhe vizuale, ai së fundmi ka nisur ta zbulojë pasionin për fotografi. Asllani ka punuar me emrat si Fatos Berisha e Fatlum Haziri.


DARDAN ZHEGROVA
Dardan Zhegrova – një prej fituesve të çmimit “Artistët e së nesërmes”, së bashku me një prej anëtareve të Kolektivit HAVEIT, mbetet konkurrencë e fortë në këtë garë. Dardani së fundmi ka marrë pjesë në panaire të rëndësishme të artit në Evropë, ndërsa e pret një rezidencë e rëndësishme në një kontinent tjetër. Zhegrova para pak ditësh hapi ekspozitën “Rosehip” bashkë me Lola Sylaj, në Prishtinë.


SADI SUDOHOLLI – TADI
Tadi njihet si vajzë kreative dhe një shpirt artistik i dëshmuar me vizatimet dhe skicat e saj. Së fundmi, ajo është një prej dy personazheve kryesore në videoklipin e ri nga Shpat Deda, krahas aktorit Dukagjin Podrimaj. / KultPlus.com