Tri shtete për realizimin e shfaqjes “Emira”, Kushtrim Bekteshi: Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm

Era Berisha

“Teatri është pafundësisht magjepsës sepse është shumë i rastësishëm, ashtu siç është vetë jeta”, është një thënie që na vjen nga dramaturgu i njohur amerikan Arthur Miller. Një e tillë do të vlejë edhe për shfaqjen më të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës që njëkohësisht do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor. Bëhet fjalë për dramën “Emira” të shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori e cila vjen nën regjinë e Kushtrim Bekteshit e reduktimin e tekstit nga Doruntina Basha, shkruan KultPlus. 

Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë. Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmi dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej.  

Për rolin e Emirës është përzgjedhur aktorja Qëndresa Jashari. Pjesa tjetër përbëhet nga aktorët si: Arta Selimi e cila interpreton rolin e Kalinës, Donald Shehu-rolin e Mirianit, Bujar Ahmeti atë të Kallonjerit, Edlir Gashi rolin e Albencit, Shengyl Ismajli rolin e Ligëreshës, Sheqerie Buçaj në rolin e Lipsisë, Neritan Liçaj në rolin e Gjergjit, Basri Lushtaku luna dy role – atë të Bardhiut dhe Vinçencit, e poashtu edhe Shpejtim Kastrati në dy role – atë të Kryekuqit dhe cubit Arkangjel, Muzbajdin Qamili do të vijë në rolin e cubit Ferdinand, Igli Zarka në rolin e Motmadhit, ndërsa aktorët e rinj Mentor Kurti, Abedin Alimi, Ermir Hoxhaj, Franc Bregu, Albrim Kryeziu, Art Pasha dhe Rrezon Zhinipotoku do të interpretojnë disa role në shfaqje, ku ata bartin barrën më të madhe të pjesëve të kënduara në Korin e Çunave, Djemtë e Valles, cubave. 

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Kushtrim Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.  

Ideja për të sjellë dramën “Emira” i është sjellë vërdallë, ndoshta me një tendencë joshjeje, që regjisori e ka shpërfillur. Fillimisht e ka lexuar sipërfaqësisht si fragment lektyrë shkollore, pastaj si literaturë fakultative kur edhe atëherë nuk është merr seriozisht me të. Rreth pesë viteve më parë, regjisori vendosi që t’i rikthehej leximit të veprave nga dramaturgjia shqiptare që nga fillimet e deri në ditët e sotme, dhe drama “Emira” ia tërhoqi për herë të parë vëmendjen si një tekst potencial për ta inskenuar ndonjëherë në teatër. 

Sipas tij, Santori, një prift arbëresh, këtë vepër e ka shkruar mes viteve 1864-1875 kur shkrimi i dramës në gjuhën shqipe sapo kishte nisur të bëhej një realitet i ri në letërsinë shqipe dhe me dhuntinë ose intuitën e tij artistike ka arritur të krijojë karaktere të qëndrueshme, të trajtojë një temë tejet intriguese me një strukturë dramaturgjike mjaft stabile.  

Kur regjisorit i erdhi oferta që ai të bënte regjinë e shfaqjes në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”, që është bashkëprodhimi i dytë mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, ai pa hezitim e propozoi këtë dramë, që për rastësi ishte shqyrtuar në mesin e propozimeve edhe nga udhëheqësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që këtë vit janë bartësit e realizimit të këtij projekti, dhe propozimi i tij u pranua menjëherë. 

“Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm për përzgjedhjen e kësaj drame dhe mund të ndajë një shqetësim që besoj se pulson në secilin nga ne në kohën që po jetojmë. Drama është një histori dashurie dhe intrige në një kohë luftërash dhe anarkie. Ngjarja në vepër zhvillohet diku mes viteve 1862-1870, në një kohë kur luftërat (qoftë mes shteteve/mbretërive, qoftë luftëra civile për konsolidimin e shtet- kombeve) kishin shpërthyer gjithandej në territorin e Italisë së sotme, Amerikës, Amerikës Latine, Perandorisë së atëhershme Otomane. Me një fjalë, vatrat e luftës ishin ndezur pothuajse në gjithë globin, dhe personazhet e veprës së Santorit jetojnë në atë kohë, me frikën dhe ankthin e luftës në njërën anë dhe në anën tjetër nën terrorin e cubave të cilët plaçkitin, rekretojnë dhe vrasin. Ta përkthesh në kohën tonë, jetojmë në një realitet shumë të ngjashëm: agresioni rus në Ukrainë, konfliktet e armatosura në rritje në Lindjen e Mesme, tensionet e vazhdueshme që vijnë e dëgjohen si një jehonë nga e kaluara e afërt dhe si një kërcënim nga shteti i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi; pastaj paralajmërimet e shpeshta që vijnë nga kryeqendrat perëndimore për rritjen e ndikimit rus në Ballkan për krijimin e vatrave të reja të luftës në rajonin tonë, etj. e në anën tjetër grupet kriminale, krimi dhe korrupsioni që ende mbizotërojnë në gjithë rajonin, të gjitha këto – ngjashëm me atmosferën dhe realitetin në të cilin gjallërojnë personazhet e Santorit – domosdoshmërisht të krijojnë një gjendje ankthi dhe pasigurie si pasojë e një paqeje të brishtë dhe të paqëndrueshme në nënqiellin tonë dhe gjithë botën”, thotë regjisori Bekteshi për KultPlus. 

Ai është i bindur se përmes temës që trajton teksti i Santorit, shfaqja do të komunikojnë natyrshëm me publikun e sotëm, meqë si parabolë do të përçojë tek publiku shumë asocime për tragjeditë dhe mbijetesën e kombit tonë në të kaluarën e largët dhe të afërt; për ndikimin direkt në jetët, mirëqenien dhe sigurinë tonë që ka pasur dhe ka çdo zhvillim dramatik në shtetet e fuqishme të globit, për të tashmen e pasigurtë dhe shpresën e shoqëruar me shumë dilema për një të ardhme me paqe afatgjate.

Shfaqja “Emira” do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor dhe kjo për regjisorin Bekteshi është një privilegj më veti, një mundësi dhe një përgjegjësi e llojit që ai nuk e ka përjetuar më parë në karrierën e tij artistike. Ai e konsideron si një përgjegjësi të trefishuar, krahasuar me përgjegjësinë e të bërit shfaqje në produksion të një teatri të vetëm. Por, ai beson thellë se puna intensive me shumë përkushtim dhe dashuri që po bëhet me gjithë aktorët dhe gjithë ekipin autorial të shfaqjes, do të rezultojë me sukses. 

Vepra “Emira” ka shumë pjesë të shkruara ku personazhet këndojnë dhe kjo ka ndikuar shumë që shfaqja të konceptohet si një dramë muzikore. Pos pjesëve në vargje që vetë autori i ka shkruar, në konceptin regjisorial të Bekteshit për shfaqjen, janë konsideruar si të domosdoshëm që disa pasazhe, monologë e dialogë të tekstit të zhvendosen apo të përshtaten në këndim, ngjashëm me operetë apo mjuzikëll.

Për këto ide, regjisori është duke bashkëpunuar me kompozitorin Memli Kelmendi, i cili duket se është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në krijimin e një muzike origjinale për shfaqjen, gjithmonë duke ruajtur frymën apo stilin e muzikës arbëreshe. Sa i përket veçantive, regjisori Bekteshi na tregon se e veçanta e dukshme është bashkimi dhe bashkëpunimi i një ekipi të madh kreativ nga të gjitha hapësirat tona, që është edhe thelbi dhe qëllimi fisnik i vetë konceptimit të bashkëprodhimit të shfaqjeve në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”.  

Tashmë është përmbyllur procesi i provave të leximit në tavolinë. Tani, aktorët janë në fazën e shtruarjes së mizanskenës. Ata duket se janë duke ecur me një ritëm jashtëzakonisht të mirë. Ekipi i aktorëve që regjisori ka përzgjedhë konsiderohet i shkëlqyeshëm. “Shumë shpejtë kemi krijuar një besim të ndërsjellët dhe në çdo provë e takim mbizotëron një atmosferë dhe energji shumë e ngrohtë dhe pozitive. Jam i lumtur që bashkëpunoj me një ekip shumë dashamirës, të përkushtuar dhe shumë kreativ. Besoj se kjo sinergji dhe marrëdhënie kreative do të na ndjekë deri në premierë dhe pas saj. Ekipi i aktorëve përbëhet nga mosha të ndryshme dhe vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Secili prej tyre bart me vete një përvojë të veçantë, një entuziazëm të llojit të vet që reflektohet në punë dhe komunikim, dhe të gjithë bashkë sjellin një atmosferë të veçantë krijuese.” 

Përpos aktorëve, regjisori Bekteshi qartazi është i kënaqur edhe me ekipin tjetër autorial të shfaqjes: kompozitorin Memli Kelmendi, skenografin Betim Zeqiri, kostumografen Iliriana Loxha Basha, koreografin Artan Ibërshimi, dramaturgen Doruntina Basha, e cila ka bërë një reduktim të tekstit voluminoz të Santorit duke ruajtur ekstraktin dramaturgjik, pa e cënuar tërësinë dhe vazhdimësinë e ngjarjes dhe pa shtuar pothuajse asnjë fjalë origjinale, pos ndonjë lidhëse foljore apo ndërhyrje në strukturën e fjalisë. Ai gjithashtu ka krijuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me asistentin e regjisë Skender Podvorica, si dhe me inspicienten Nazmije Krasniqi. 

Procesi i realizimit të shfaqjes ende është duke u zhvilluar dhe nuk kanë kaluar as dy javë të plota që kur kanë filluar me prova. Deri më tani, regjisori Bekteshi ka thënë se sfida më e madhe që është tejkaluar me sukses është ‘ndryshimi i rrjedhës së lumit’ ku ka krijuar shtratin teksti i autorit, ose me fjalë më konkrete: për dallim nga teksti i shkruar. Ekipi pritet t’i qaset shfaqjes me një interpretim bashkëkohor të temës, personazheve, raporteve, qëllimeve, stilit të lojës dhe ndërtimit të karaktereve, duke i ikur stereotipave bardh e zi dhe duke i nënshtresuar në nivele më të thella motivet, ngjyrimet dhe biografitë e personazheve.  

Regjisori Bekteshi për momentin është duke e rijetuar vazhdimisht kënaqësinë e të bërit shfaqje.  

“Më plotëson teatri dhe procesi i realizimit të shfaqjeve, e ndjej si nevojë të realizoj shfaqje dhe të artikulohem përmes këtij mediumi të veçantë dhe specifik për nga natyra e punës krijuese. Dhe sigurisht me çdo ekip aktorësh mësoj gjëra të reja, sfidohem me gjëra të reja dhe kënaqem e plotësohem me gjëra të reja. Sigurisht që përmbushem nga puna që po bëjmë bashkërisht me aktorët dhe gjithë ekipin realizues të shfaqjes”, thotë ai për KultPlus.

Sipas tij, rëndësia që kjo shfaqje të epet në TKK, duke qenë edhe drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, është e madhe. 

“Në mungesë të informacioneve që kam arritur t’i hulumtoj e gjej, kam menduar se kjo dramë e parë shqipe asnjëherë nuk është jetësuar në një teatër profesionist, dhe kur e kam propozuar, ndër të tjera, jam gëzuar edhe për faktin që më në fund kjo vepër e një autori arbëresh – për të cilin kemi shumë pak informacione e as një foto apo pikturë nuk kemi për ta njohur si është dukur – pra më në fund kjo vepër do të komunikojë me publikun tonë. Në disa intervista edhe e kam thënë gabimisht këtë konstatim se ky tekst nuk është jetësuar asnjëherë më parë, derisa shumë vonë e kuptova se drama “Emira” paska qenë e inskenuar një herë në vitet ’70 po në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ky fakt më gëzoi meqë vepra në një farë mënyre ka kaluar nëpër një laborator artistik ‘trajnimi’ dhe komunikimi me publikun, tanimë ka krijuar një përvojë skenike dhe tani do ta ketë më të lehtë ballafaqimin me publikun për herë të dytë. E për mua personalisht, sigurisht që ka rëndësi që shfaqja do të jepet në TKK, e sidomos që do të jetë bashkëprodhim mes tre teatrove kryesore në hapësirat shqiptare. Shto kësaj që do të jetë edhe hera e parë që unë angazhohem si regjisor në TKK, kjo jo në mungesë të ofertave që kam pasur më herët nga ky institucion, por në mungesë të teksteve që në periudhat që më janë ofruar (pa marrë parasysh që dy-tre herë kanë qenë tekste të dëshmuara botërisht) nuk më kanë ngacmuar dhe në atë periudhë nuk kam pasur çfarë të them me to. E në një rast tjetër, që ende e kujtoj me një shije të ithët, pas përgatitjesh dymujore dhe pas konsolidimit të gjithë ekipit për realizimin e shfaqjes “Elektrës i ka hije zija” nga Juxhin Onil, çuditërisht realizimi i shfaqjes u anulua dhe unë asnjëherë nuk mora një përgjigje apo një arsyetim të qëndrueshëm zyrtar se pse ndodhi kjo. Prandaj, po, ka rëndësi për mua që do ta kem premierën e parë timen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por më e rëndësishme se premiera, është rezultati që synoj ta arrij bashkë me gjithë ekipin dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në realizimin e kësaj shfaqjeje.” 

Fotografitë: Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Aspekte të lirisë së njeriut modern

Shkruan: Kushtrim Bekteshi

Çështja e lirisë së individit padyshim përbën njërën nga çështjet më të rëndësishme të trajtimit sociologjik, psikologjik e filozofik qysh prej kohësh.  Do të ndalemi  në atë se si struktura e shoqërisë moderne ndikon mbi njeriun në dy mënyra njëkohësisht; individi bëhet më i pavarur, i vetëmjaftueshëm dhe kritik dhe në të njejtën kohë bëhet më i izoluar, i vetëm dhe i frikësuar. Në luftën moderne për liri vëmendja u përqendrua kryesisht tek format e vjetra të autoritetit dhe shtrëngimit dhe në këtë mënyrë synohej që duke eleminuar format e vjetra të shtrëngimit liria do të rritej në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo kjo nuk do të thotë që me eleminimin e formave të vjetra të shtrëngimit arrihet liria në kuptimin e plotë të fjalës, ngase pastaj dalin armiq të rinjë të cilët për dallim nga të vjetrit nuk kanë të bëjnë me shtrëngime të jashtme, por dalin faktorë të brendshëm të cilët bllokojnë realizimin e plotë të lirisë së personalitetit. Në këtë kontekst shumë herë mendohet se liria e fjalës është hapi i fundit në ecjen fitimtare drejt lirisë. Mirëpo anashkalohet një fakt tjetër tejet i rëndësishëm në këtë rrafsh, ai se njeriu modern ndodhet në një situatë ku  një pjesë e madhe e gjërave që ai thotë konsiston në gjëra të cilat në fakt i thonë edhe të tjerët dhe ai ende nuk e ka fituar aftësinë për të menduar në mënyrë origjinale. Shoqëria moderne ka mbetur e mahnitur përballë lirisë nga forcat  jashtme që ka, por ka mbetur e verbër përballë frikave dhe pengesave të brendshme të cilat synojnë të minojnë kuptimin e fitoreve të reja që liria ka sjellur kundër armiqëve tradicional. Duhet patur parasysh fakti se çdonjëra nga liritë e fituara deri më tani duhet të mbrohen në mënyrë permanente, por mbi këtë bazë duhet të dimë se problemi i lirisë nuk është vetëm sasior, por edhe cilësor; pra jo vetëm që duhet të ruajmë dhe shtojmë lirinë tradiconale, por edhe duhet të fitojmë një tip i ri lirie që lejon realizimin e personalitetit tonë individual.

  Shoqëria kapitaliste kishte një plan intelektual, social dhe politik për ta çliruar njeriun shpirtërisht. Baza e zhvillimit të saj ishte liria ekonomike kurse klasa e mesme ishte mbrojtësja e saj. Njeriut tani i lejohej madje kjo edhe pritej prej tij që të kishte sa më shumë sukses në kuptimin e fitimit ekonomik deri në atë shkallë ku njeriu e shihte të arsyeshme. Kurse në sistemin feudal individi vepronte brenda atyre kufijëve të cilët i ishin përcaktuar atij qysh para lindjes. Gjatë kapitalizmit njeriu u bë gjithnjë e më i lirë nga lidhjet e tij me natyrën, i mbisundoi forcat natyrore në një mënyrë të paparë dhe padëgjuar më parë. Bota u bë gjithnjë e më e lirë nga mistifikimet, njeriu filloi ta shihte atë më objektivisht dhe gjithnjë e me më pak iluzione. Madje gjatë kësaj epoke u rrit edhe liria politike dhe kjo sapo të fitohet krijon mundësi të mëdha për progress ekonomik. Kulmi i evolucionit të lirisë në sferën politike ishte shteti modern demokratik i cili ishte i bazuar mbi brazinë e të gjithë njerëzve dhe mbi të drejtën e secilit për të marrë pjesë në qeveri përmes përfaqsuesve të zgjedhur prej tyre. Supozohej që secili mund të vepronte sipas interesave të tij, por njëkohësisht të kishte parasysh të mirën e përbashkët e kombit që i përkiste. Pra, kapitalizmi jo vetëm që i liroi njerëzit nga lidhjet tradicionale, por edhe shtoi lirinë pozitive në zhvillimin e personalitetit aktiv, kritik dhe të pëgjegjshëm. Por përkundër kësaj në të njejtën kohë e bëri individin më të vetmuar më të izoluar dhe me një ndjenjë pafuqie e pasigurie në vetëvete.

   Një nga pikat kyçe në të cilën kapitalizmi e shtyu njeriun drejt individualitetit ishte në sistemin ekonomik më saktësisht parimi i aktivitetit individualist. E themi këtë duke u bazuar në faktin se në sistemin feudal njeriu zinte një post të fiksuar në një sistem shoqëror të renditur dhe transparent, kurse ekonomia kapitaliste e çoi individin në nevojën për t’u drejtuar vetëm. Gjithë atë që bënte mënyrën si e bënte se çfarë arrinte ishin plotësisht çështje që i përkisnin vetëm individit dhe kjo bënte që në masë të madhe të përparonte procesi i individualizimit. Ngase, të sublimohej ky parim që gjithçka që bënte njeriu t’i përkisnin vetëm atij nënkuptonte që njeriu të cungohej nga marrëdhëniet e tij me individët e tjerë, prandaj e izolonte dhe e ndante atë nga njerëzit e tjerë. Tërë ky individualizëm sipas Frommit derivon nga mësimet e Reformës. Protestantizmi e detyroi individin ta përballonte forcën e zotit i vetëm . Individi nuk mund të bënte tjetër veçse të ndihej i ndrydhur dhe të kërkonte të shpëtonte duke u nënshtruar plotësisht. Nëse e marrim në aspektin psikologjik ky individualizëm shpirtëror që njeriu e përjetoi në epokën e reformës nuk dallon shumë nga individualizmi ekonomik që po e përjeton në kapitalizëm, vetëm se dimensioni është  ndryshëm, por shtypja metet e njejtë. Pra, vet kapitali ndryshoi dimensionin e tij varësisht nga sistemi: në sistemin mesjetar kapitali ishte në shërbim të njeriut, ndërsa në atë modern kapitali është bërë pardon i njeriut. Njeriu mesjetar dhe ai kapitalist kishin botëkuptime krejt të ndryshme sa i përket çështjes së aktivitetit ekonomik. Për njeriun mesjetar aktiviteti ekonomik dhe vullneti për të fituar ishte tërësisht irracional, kurse për njeriun që i përket epokës kapitaliste mungesa e aktivitetit ekonomik dhe dëshirës për të fituar i dukej irracionale. Në kapitalizëm aktiviteti ekonomik, suksesi, përfitimet materiale bëhen qëllime në vetvete.

  Pra lirinë e re që e solli kapitalizmi është pasojë e lirisë fetare të protestantizmit që e ushtroi mbi individin. Individi u bë më i vetmuar, më i izoluar, u bë një instrument në duart e forcave të jashtme shtypëse u bë një individ, por një individ konfuz dhe i pasigurt. Por njeriu disi e gjente njëlloj ngushëllimi tek disa faktorë  të cilët bënin që njeriu të kapërcente shfaqjen e kësaj pasigurie shtypëse. Zotërimi i të mirave materiale ishte një faktor esencial në këtë kontekst. Njeriu mishërohej me pronën e tij dhe sa më pak i rëndësishëm që ndihej në shoqëri aq më shumë ndihej nevoja për të pasur pronë. Përveç të mirave materiale edhe prestigji dhe pushteti ishin faktorë të cilët mbanin unin. Pjesërisht mund të themi se të dy këta faktorë derivojnë nga i pari dhe suksesi direkt në fushat ku dominon konkurenca. Prandaj admirimi nga ana e të tjerëve, pushteti mbi ta dhe mbështetja që vjen nga prona i shërbejnë si mbështetje njeriut të pasigurtë. Ndërsa për njerëzit të cilët nuk kishin mjaftueshëm pronë dhe prestigj shoqëror, burim kryesor  i prestigjit personal ishte familja.Vetëm aty një individ i tillë mund të ndihej ‘’dikush’’.

  Përveç Errich Frommit edhe Herbert Marcuse u mor me një trajtim psikologjik të aspektit të lirisë njerëzore. Markuse tratimin e tij e mbështetë kryesisht tek origjinat e shtypjes: ontogjeneza (shtypja që ndodhë në fëmijëri) dhe filogjeneza ( shtypja nga plani social). Fillimisht duhet cekur shtresat kryesore psikike që janë: esi, uni dhe superuni ku duket se rreth tyre sillet shtypja e trajtuar në këtë rast nga Marcuse. Shtresa bazë në psikikën e njeriut është esi, kjo shtresë nuk njeh kufij. Esi është i lirë nga format dhe parimet të cilat e përbëjnë individin social dhe të ndërgjegjshëm. Ai nuk njeh të mira as të këqija e as moral.  Esi nuk lufton për asgjë tjetër  përveç  kënaqjes së nevojave të veta instiktive në harmoni me instiktin e kënaqësisë. Por shoqëria është e organizuar në atë mënyrë saqë një individ me tipare të tilla nuk do t’i shpëtonte asgjësimit. Prandaj duke e parë këtë një pjesë e esit e cila ka organe për receptimin e stimujve zhvillohet dhe bëhet un. Uni pra, shërben si ndërmjetës ndërmjet esit dhe botës së jashtme. Dhe mbi këtë bazë uni ka për detyrë që të kontrollojë dhe tjetërsoj impulset e esit dhe t’i bëjë ato sa më të pranueshme për ambientin e jashtëm. Në këtë mënyrë uni e zhvleftëson parimin e kënaqësisë që ushtron presion mbi proceset që zhvillohen në es dhe e zëvendëson atë me parimin e realitetit. Gjithë ky proces vë në dukje faktin se si njeriu duhet të heqë dorë nga instiktete tij bazë përfshirë edhe atë të kënaqësisë vetëm e vetëm që të jetë i pranueshëm në shoqëri, për të mos thënë për të shpëtuar nga kjo shoqëri. Marcuse thotë se për gjetjen e origjinave të shtypjes duhet shkuar për tek origjina e shtypjes së instikteve që ndodhë përgjatë fëmijërisë. Parimi i realitetit e përmbushë veprën e tij tek fëmija dhe këtë e bën me aq pakujdesi saqë veprimet e njeriut të pjekur nuk janë gjë tjetër veçëse përsëritje të eksperiencave dhe reagimeve fëmijërore. Eksperiencat e caktuara të fëmijës janë eksperienca të species, kështuqë individi jeton fatin universal të njerëzimit. E shkuara përcakton të tashmen , sepse individi ende nuk ka arritur ta mbizotërojë historinë e vet.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, nga data 29 tetor shfaqet edhe Prishtinë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me regjisor Kushtrim Bekteshin do të shfaqet në ekranin e madh të Cineplexx, shkruan KultPlus.

Jeta e qetë e një fshati të harruar ndryshon me mbërritjen e tre prostitutave. Kjo komedi interesante nis të shfaqet nga 29 tetori në qytetin e Prishtinës në Cineplexx.

Për këtë ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Edhe një film i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës vjen në Cineplexx nga data 29 Tetor! Me regji të Kushtrim Bekteshi dhe me një kastë aktorësh të mrekullueshëm nga të gjitha trevat shqiptare është kjo komedi që ja vlen me u pa”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe dizajner i zërit Darko Spasovski.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë. / KultPlus.com

“Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” eksploron jetën ‘perfekte’ brenda sistemit komunist

Rrona Jaka

“Njerëzit janë të vetmet krijesa mbi tokë që dinë për mortalitetin e tyre, prandaj, shpeshherë seksi dhe pija janë veç shpërqendrime të këndshme”, është një shprehje nga Gjakova, por për filmin “Pranvera e paharruar në fshatin e harruar” kjo shprehje shtyhet në kufijtë më ekstremë të saj, shkruan KultPlus.

Në kuadër të festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFest” është shfaqur premiera e këtij filmi në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në këtë film, fshatarët zgjedhin kafenenë në vend të çajtores, miqtë në vend të familjes, natën në vend të ditës dhe prostitutën në vend të gruas, duke e shfrytëzuar seksin dhe pijen si shpërqendrime të përkohshme.

Filmi fillon me disa narrativa të ndryshme, por të gjitha historitë bashkohen kur njëri prej fshatarëve hap një kafene ku shfrenohen të gjithë banorët e fshatit.

Filmi eksploron jetën “perfekte” brenda sistemit komunist ku gjithçka kryhet me sukses dhe të gjithë janë punëtorë, të zellshëm e besnik, derisa dikush u hap një kafene dhe u jep mundësi atyre që t’i tregojnë fytyrat e vërteta.

Të gjithë, që nga fëmijët e deri te burrat bëhen kurioz të dinë se çfarë fshihet me mes këmbëve të një ukrainase, veç për të zbuluar që gjithçka është njësoj, është veç mungesa e aventurës në jetën e tyre që e bën të dytën më atraktive se të parën.

Ndërkohë, filmit s’i mungon as klisheja filmike e historisë së Romeos dhe Xhulietës. Dy familje armike që duan të bashkohen nga dashuria e dy të rinjve. Një narrativë që është bërë mirë që është lënë më anash se të tjerat.

Një gjë tepër e veçantë rreth këtij filmi është se si shihet homoseksualiteti në një shoqëri të izoluar. Fillimisht është djali i Dautit që urdhërohet nga i ati që të “bëhet burrë” e të kryejë marrëdhënie me Tatianën, e pastaj edhe Miradija e cila është një vajzë e pamartuar që gjatë gjithë kohës bën komente kundër martesës dhe kundër ideve mashkullore. Zakonisht komentet e saj janë të përcjella me “Miradi mshele”.

Sigurisht, historia ka një fund të lumtur pasi, të ashtuquajturat “tundueset e djallit” përzihen nga fshati nga gratë që kishin humbur burrat e tyre si pasojë e epshit. 

Me aktorë të jashtëzakonshëm, filmi është realizuar me profesionalitetin dhe kujdesin më të madh nën regjinë e Kushtrim Bekteshit.

Me afër 50 aktorë gjithsej, regjisori ka treguar që nuk ka rol kryesor.  “Në film ka 14 role bartëse, nuk ka rol kryesor”.

“Pra, rolet më përfaqësuese i kanë, Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Riqip Gjepa, Luan Jaha, Adriana Matoshi e shumë te tjerë”, ka treguar regjisori i këtij filmi. Ndërkohë ai ka treguar edhe se kjo ka qenë hera e parë që sfidohet me një film të metrazhit të gjatë duke ditur që gjithmonë ka punuar në teatër.”

Aktorët e përfshirë në film vijnë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

“Filmi është shfaqur fillimisht në Shkup, por atëherë ka qenë në fazën produksionale, por kjo është premiera pasi tash është i kompletuar.”

Kurse organizatorja e PriFest, Vjosa Berisha ka treguar që filmi do të ketë edhe një reprizë gjatë PriFest-it.

“Do të bëjmë të pamundurën që filmi të ketë edhe një reprizë tjetër gjatë PriFest. Nuk ka ndonjë gjë të konfirmuar por do t’iu informojmë nëse një gjë e tillë realizohet”, ka thënë Berisha për ne. /KultPlus.com

Trajtat komike të “bordelizimit” të jetës

Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

Nga Emin Azemi

“Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, është filmi më i ri, por edhe i parë i metrazhit të gjatë, i regjisorit tash më të afirmuar dhe mirëpritur në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, Kushtrim Bekteshi, i cili është edhe autor i skenarit. Vendosja e unitetit artistik midis skenarit dhe regjisë së të njëjtit autor, bëri që premiera e këtij filmi të premten në Shkup të përjetohet si një festë artistike dhe ata që e panë patën arsye të largohen të kënaqur nga salla kinemasë Cineplexx .

Një plan i gjerë, me atmosferë mëngjesi në fshat i paraprinë rrëfimit filmik. Njerëzit teksa zgjohen nga gjumi, kurse hoxha i fshatit (në interpretim brilant të Osman Ahmetit) në rrugën gjarpërore me kalldrëm i drejtohet xhamisë për të thirrur ezanin e mëngjesit, ndeshet në një skenë që e bën hoxhën të ndalë hapin, por edhe të merr një pamje të vëngërt në fytyrë. Në një gjendje krejt të shkujdesur, qentë po bënin seks, kurse hoxha pa një pa dy i merr në shenjë me gurë. Qentë largohen duke hingëlluar nga dhimbja e goditjes.

Kjo skenë-uverturë sikur na e imponon në formë sygjestive lajtmotivin dhe atmosferën e mëtutjeshme që do të pasojë në film. Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

DEKANONIZIMI I JETËS SË QETË TË FSHATIT

Një ditë të bukur me diell, të gjithë, gra e fëmijë, pleq e të rinj, e kishin vërejtur se nëpër lagjet dhe shtëpitë e patrazuara të tyre ishte futur një “demon” që po ua gërryente rehatinë.

Një shtëpi e zakonshme fshati brenda natës shndërrohet në kafene-bordel, ku përveç tjerash, myshterinjve nuk iu jepet vetëm kafe e raki. Aty vinë edhe tri femra, të cilat shesin trupin e tyre, kurse si makro i tyre paraqitet Xhinga (Shkumbin Istrefi), një dallaveraxhi i imët i katundit që kishte vendosur të bëhej i pasur duke ua “qethur” xhepat bashkëfshatarët e tij naiv.

Rrëfimin e tij Kushtrim Bekteshi e ka vendosur në një “topografi” rurale, me një vizualitet mjaft dinamik, i imponueshëm për nga kontrastet e forta në mes të njerëzve dhe ngjarjeve, në mes të konvencionit moral dhe aventurave tekanjoze të një grupi meshkujsh që kishin vendosur ta

dekanonizonin jetën e qetë të fshatit. Veset e tranzicionit të stërzgjatur që nuk po mundnin assesi të sillnin në fshat ndonjë mirëqenie dhe mendësi të avancuar, saora bëhen normë sjelljeje për një pjesë të burrave, të cilët në thelb nuk janë karaktere komike, por sillen dhe veprojnë në rrethana e situata që shndërrohen në trajta komike.

Vetëm një burrë me pjekuri të vonuar në provincë (Dauti, i interpretuar mjeshtërisht nga Vebi Qerimi) mund të mburret publikisht me mashkullaritetin e të birit, pasi e ka detyruar me forcë të kryej marrëdhënie intime me njërën nga gratë e kafe-bordelit.

TEKNIKA E NDËRTIMIT TË INTRIGËS

Me tematikën që ka zgjedhur ta trajtojë në film, Kushtrim Bekteshi nuk mëton të inventarizojë për herë të parë ngjarje devijante që tash më ishin të pranishme në mjediset rurale. Sjellja e tri prostitutave në fshat nga ana e Xhingës, nuk paraqet lajm për shikuesin e filmit, sidomos tash pas disa viteve kur filmi është xhiruar, por ajo që e bën këtë fabulë filmike të veçantë është teknika e ndërtimit të intrigës, e cila kalon pahetueshëm nga njëri nivel psikologjik e shpirtëror, në tjetrin, nga një situatë dramatike në një situatë komike, gjithnjë duke e shtuar intensitetin e brendshëm shpirtëror të atyre që ishin të prekur nga këto ngjarje. Tundimet e njerëzve pas aventurave erotike dhe dimensioni komik i paraqitjes së skenave, janë disa nga fshehtësitë e kësaj teknike, me të cilën Kushtrim Bekteshi ka operuar mjeshtërisht.

“Seizmologjia” e ndryshimeve së pari vërehet në familje, xhami, por edhe në çajtoren e fshatit, ndërkohë që “bordelizimi” që kishte prekur disa nga fshatarët kishte ndikuar që ritmi i jetës të ndryshojë, si në jetën private-familjare, ashtu edhe në jetën publike, madje edhe në shkollë. Disa nxënës, duke e shfrytëzuar shpërqendrimin e prindërve të tyre dhe të disa mësuesve bashkë me drejtorin, kishin marrë guximin madje të korrigjojnë notat në ditarin shkollës. Ky skandal nuk kalon pa u vërejtur, por ata që duhej të ndëshkonin e ndjenin veten fajtor për situatën ku kishte degjeneruar shkolla e tyre. Në radhë të parë ishte drejtori ai që ishte i dyzuar si zyrtar dhe si klient femrash të lira, dhe halli i tij nuk ishte vetëm menaxhimi i shkollës, por edhe “mbytja kohës së tepërt” në kafenenë që po ofronte më shumë se kafe e raki.

Xhamia, aty ku bëhet “destilimi” moral kishte mbetur gati pa xhemat, shkolla pa rendin dhe disiplinën e dikurshme, kurse gratë pa burrat e tyre në shtrat. Kafeneja-bordel po konkurronte me ofertat e pazakonta, sepse aty nuk po shitej vetëm mishi i bardhë, por po “farkohej” edhe një klientelë e re që po e prishte imazhin e një mjedisi deri dje të qetë e të moralshëm. Të

vetmit që përfitojnë në këtë rrëmujë janë Agimi dhe Albulena, dy të rinj prej prindërve të hasmuar, të cilët dashurinë e tyre të ndaluar e kurorëzojnë me fejesë, pas katarsisit që ndodhë në fund të rrëfimit filmik, atëherë kur edhe triumfon kodi moral i grave të cilat bashkë me djegien e kafenesë-bordel, arrijnë të shkulin nga jeta e tyre edhe shkaktaret që e kishin sjellë gjithë atë çrregullim në jetën e tyre.

KOMIKJA SI ALEATE E ANTITRAUMËS

Vizualiteti dinamik i filmit na bën të mos hetojmë kapërcimet nga njëra sekuencë në tjetrën dhe kjo e bënë cilësinë e receptivitetit shumëfish të efektshme për vetë komunikimin me ngjarjet dhe njerëzit. Kjo, mbase, ka bërë që filmi të ketë një strukturë të ngjeshur të fotografisë, ku qartësisht vërehet marrëdhënia aktive në mes të ngjyrave, njerëzve, objekteve, linjave dalluese ditë-natë dhe kontrasti i tonalitetit hapësinor, me konotacion komik, që regjisori Bekteshi me gjeturi i ka vendosur disa mikrongjarje, siç është, bie fjala, skena me burrat para kafenesë, që për një moment ndriçohen nga dritat e automobilave teksa po kryenin nevojën pas “recetave” hileqare të grave të përgatitura enkas për të nxitur jashtëqitjen, një prej mjeteve “luftarake” që përdornin ato për të larguar burrat e tyre nga kafeneja-bordel.

Pastaj është edhe një skenë tjetër, e vendosur në oborr të shkollës, ku një pjesë e publikut ende pa pritur të përfundojë fjalimi i drejtorit (Ndriçim Xhepa) dhe prefektit (Luan Jaha), vrapon drejt tryezës së koktejit.

Momente të tilla, ku në prapavijë tonaliteti komik iu jep skenave një gradacion dramatik me emocione të përziera, siç mund të jenë edhe sekuencat e fundit teksa gratë e fshatit po e “pushtonin” kafenenë-bordel dhe po nxirrnin prej andej “bombat” në formë grash të përdala që ua kishin turbulluar mendjen burrave të tyre. Gjithë kjo rrëmujë përcillej edhe me momente komike dhe ky, mbase, do të duhej të ketë qenë një prej objektivave artistike të skenarist dhe regjisorit Kushtrim Bekteshi, që përmes dimensionit komik të fabulës të bëjë amortizimin socio-psikologjik të tematikës dhe dromcimin e specifikave të mentalitetit në “pllakëza” të imta që lehtësisht mund të vendosen edhe në ndonjë mjedis tjetër, me një prejardhje krejt tjetër etno-kulturore. Elementi komik është një aleat i mirë i antitraumës dhe, për rrjedhojë, në situata më konfliktuoze të imponohet nevoja për të qeshur , që ishte edhe prezent gati gjatë gjithë shfaqjes së filmit. Atëherë kur punët shkonin keq, vinte një moment komik që e bënte situatën të ventilohej nga tendosja psikologjike e protagonistëve, sidomos të grave, të cilat kishin zgjedhur hoxhën si aleat për t”iu ndihmuar në rikthimin e burrave, pasi që këtyre të fundit iu kishte ikur truri pas atyre grave të përdala.

Aventurat erotike në një ambient rural përfundojnë pasi bëhen bashkë përpjekjet e grave të fshatit dhe hoxhës për të shporrur “virusat” e ndotjes morale e fizike, kurse gradacioni kompozicional i fabulës filmike ndërtohet mbi një parabolë tematike që nxjerr të fituar,

megjithatë, idenë e ruajtjes së pastërtisë morale nga prirjet dehumanizuese të një shoqërie të konsumit, seksit e drogës.

KASTA E AKTORËVE

Kasta e aktorëve të angazhuar në këtë projekt të kinematografik ka për bazë përzgjedhjen që korrespondon me karakteret e personazheve, kurse heterogjeniteti hapësinor prejardhjes së i aktorëve e bënë këtë projekt edhe më domethënës në pikëpamje të seriozitetit artistik e menaxhues të vetë regjisorit, por edhe të producentëve (Osman Ahmeti, Mumin Jashari, Sasho Pavlovski) si dhe institucioneve që kanë mbështetur filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.

Profili i secilit prej aktorëve (, Ndriçim Xhepa, Osman Ahmeti, Luan Jaha, Muzbajdin Qamili, Adem Karaga,Vjollca Bekteshi, Salaetin Bilall, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Teuta Jegeni, Musa Isufi, Drita Karaga, Adriana Matoshi etj. ) imponoi kureshtjen e publikut, kurse formësimi plastik i karaktereve që ata zhvilluan gjatë aktrimit jep të kuptojmë se kinematografia shqiptare tash më i ka yjet e veta dhe si të tillë ata mund të ndriçojnë pa kurrfarë kompleksi në çdo festival të botës.

Ky projekt kinematografik, përpos vlerave artistike që u shquan në skenar, regji dhe aktrim, do të mbahet mend edhe për nxitjen që ua ka dhënë disa fëmijëve dhe të rinjve, të cilët me talentin dhe përkushtimin e dëshmuar mund të jenë nesër aktorë të formatit të madh, sikundër u dalluan Etnik Ratkoceri në rolin Hekuranit, Muhamed Qamili në rolin e Ermirit dhe Lis Jashari në rolin e Liridonit. / KultPlus.com

‘Ata që ikin’ të premten premierë në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, të premten vjen premiera e shfaqjes me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit ‘Ata që ikin’, shkruan KultPlus.

‘Ata që ikin’, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje. Ndërsa trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në një intervistë të mëhershme për KultPlus, regjisori i cili rrëmbeu disa çmime me shfaqjen ‘Tartufi’, të realizuar në Teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër, pati treguar për këtë dramë të cilën e ka shkruar para dhjetë vitesh.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, pati thënë për KultPlus, regjisori Bekteshi.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

‘Ata që ikin’ vjen premierë më 10 nëntor, me fillim nga ora 20:00 në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren./ KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com

Duke trajtuar fatet e njerëzve që ikin, regjisori Kushtrim Bekteshi hapë sezonin në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren

Sarandë Selimi

Në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren, qysh më 27 gusht kanë nis provat për shfaqjen e re e cila njëherësh edhe do të hapë sezonin në këtë institucion. ‘Ata që ikin’ me tekst e regji të Kushtrim Bekteshit, është drama e cila ka mbledhur rreth vetës gjithsej 12 aktorë, të cilët do i dhënë frymë kësaj shfaqje.

Për të folur më shumë rreth tekstit, inskenimit dhe punës që është bërë deri më tani, për KultPlus, foli regjisori Kushtrim Bekteshi.

“‘Ata që ikin’ është një dramë që e kam shkruar para dhjetë vitesh. Shpesh kam menduar ta inskenoj, por kur më është ofruar mundësia jam tërhequr sepse konsideroja se më duhet kohë derisa të krijoj distancën e duhur për t’iu qasur tekstit si regjisor, e duke shmangur subjektivitetin e të qenurit vetë autor i tekstit. Tanimë e ndjej se e kam krijuar atë distancë”, tha për fillim regjisori Bekteshi, duke vazhduar tutje të flas për përrallën e kësaj drame.

Ai tregoi se drama trajton fatet e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, nga dashuria, nga tmerri i përditshmërisë nga realiteti që ua zë frymën, nga vetvetja; me shpresë se një ditë do të ndjehen të plotësuar dhe të lumtur.

Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje bëjnë pjesë gjithsej 12 aktorë: Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli, për të cilin regjisori Bekteshi, tha se ka një konsideratë shumë të lartë dhe ndjehet i nderuar që ka pranuar të jetë në ekipin e shfaqjes së tij.

“Jam shumë i kënaqur si po zhvillohet procesi i provave. Është hera e dytë që punoj në këtë teatër dhe shumicën e aktorëve i njoh shumë mirë, prandaj edhe kënaqësia e bashkëpunimit është po e njëjta si para dy vitesh. Bile mund të them se tani aktorët e këtij teatri i kam gjetur në kondicion edhe më të mirë, e kjo falë angazhimeve të vazhdueshme që kanë pasur në shumë shfaqje të suksesshme që janë realizuar në këtë teatër. Me pjesën tjetër të aktorëve, me të cilët po bashkëpunoj për herë të parë, ndjej të njëjtën frymë të bashkëpunimit kreativ, të njëjtën energji pozitive dhe elasticitet interpretues. Gjitha këto më japin një siguri se procesi i përgatitjes se shfaqjes do të rrjedh pa komplikime dhe besoj se produkti final do të rezultojë i suksesshëm”, theksoi regjisori Kushtim Bekteshi, ku poashtu tregoi edhe për pjesën tjetër të ekipit.

“Kostumografe është Samka Ferri, me të cilën është jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunosh. Është shfaqja e katërt që bashkëpunoj me Samkën dhe besoj se do të bashkëpunojmë edhe në shumë shfaqje tjera. Ndërsa skenograf është Mentor Berisha, një skenograf i ri dhe tejet kreativ, me të cilin po bashkëpunoj për herë të dytë”, tha ai.

‘Ata që ikin’, pritet të dalë me premierë në fund të muajit tetor në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren./ KultPlus.com