Tri shtete për realizimin e shfaqjes “Emira”, Kushtrim Bekteshi: Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm

Era Berisha

“Teatri është pafundësisht magjepsës sepse është shumë i rastësishëm, ashtu siç është vetë jeta”, është një thënie që na vjen nga dramaturgu i njohur amerikan Arthur Miller. Një e tillë do të vlejë edhe për shfaqjen më të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës që njëkohësisht do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor. Bëhet fjalë për dramën “Emira” të shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori e cila vjen nën regjinë e Kushtrim Bekteshit e reduktimin e tekstit nga Doruntina Basha, shkruan KultPlus. 

Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë. Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmi dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej.  

Për rolin e Emirës është përzgjedhur aktorja Qëndresa Jashari. Pjesa tjetër përbëhet nga aktorët si: Arta Selimi e cila interpreton rolin e Kalinës, Donald Shehu-rolin e Mirianit, Bujar Ahmeti atë të Kallonjerit, Edlir Gashi rolin e Albencit, Shengyl Ismajli rolin e Ligëreshës, Sheqerie Buçaj në rolin e Lipsisë, Neritan Liçaj në rolin e Gjergjit, Basri Lushtaku luna dy role – atë të Bardhiut dhe Vinçencit, e poashtu edhe Shpejtim Kastrati në dy role – atë të Kryekuqit dhe cubit Arkangjel, Muzbajdin Qamili do të vijë në rolin e cubit Ferdinand, Igli Zarka në rolin e Motmadhit, ndërsa aktorët e rinj Mentor Kurti, Abedin Alimi, Ermir Hoxhaj, Franc Bregu, Albrim Kryeziu, Art Pasha dhe Rrezon Zhinipotoku do të interpretojnë disa role në shfaqje, ku ata bartin barrën më të madhe të pjesëve të kënduara në Korin e Çunave, Djemtë e Valles, cubave. 

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Kushtrim Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.  

Ideja për të sjellë dramën “Emira” i është sjellë vërdallë, ndoshta me një tendencë joshjeje, që regjisori e ka shpërfillur. Fillimisht e ka lexuar sipërfaqësisht si fragment lektyrë shkollore, pastaj si literaturë fakultative kur edhe atëherë nuk është merr seriozisht me të. Rreth pesë viteve më parë, regjisori vendosi që t’i rikthehej leximit të veprave nga dramaturgjia shqiptare që nga fillimet e deri në ditët e sotme, dhe drama “Emira” ia tërhoqi për herë të parë vëmendjen si një tekst potencial për ta inskenuar ndonjëherë në teatër. 

Sipas tij, Santori, një prift arbëresh, këtë vepër e ka shkruar mes viteve 1864-1875 kur shkrimi i dramës në gjuhën shqipe sapo kishte nisur të bëhej një realitet i ri në letërsinë shqipe dhe me dhuntinë ose intuitën e tij artistike ka arritur të krijojë karaktere të qëndrueshme, të trajtojë një temë tejet intriguese me një strukturë dramaturgjike mjaft stabile.  

Kur regjisorit i erdhi oferta që ai të bënte regjinë e shfaqjes në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”, që është bashkëprodhimi i dytë mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, ai pa hezitim e propozoi këtë dramë, që për rastësi ishte shqyrtuar në mesin e propozimeve edhe nga udhëheqësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që këtë vit janë bartësit e realizimit të këtij projekti, dhe propozimi i tij u pranua menjëherë. 

“Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm për përzgjedhjen e kësaj drame dhe mund të ndajë një shqetësim që besoj se pulson në secilin nga ne në kohën që po jetojmë. Drama është një histori dashurie dhe intrige në një kohë luftërash dhe anarkie. Ngjarja në vepër zhvillohet diku mes viteve 1862-1870, në një kohë kur luftërat (qoftë mes shteteve/mbretërive, qoftë luftëra civile për konsolidimin e shtet- kombeve) kishin shpërthyer gjithandej në territorin e Italisë së sotme, Amerikës, Amerikës Latine, Perandorisë së atëhershme Otomane. Me një fjalë, vatrat e luftës ishin ndezur pothuajse në gjithë globin, dhe personazhet e veprës së Santorit jetojnë në atë kohë, me frikën dhe ankthin e luftës në njërën anë dhe në anën tjetër nën terrorin e cubave të cilët plaçkitin, rekretojnë dhe vrasin. Ta përkthesh në kohën tonë, jetojmë në një realitet shumë të ngjashëm: agresioni rus në Ukrainë, konfliktet e armatosura në rritje në Lindjen e Mesme, tensionet e vazhdueshme që vijnë e dëgjohen si një jehonë nga e kaluara e afërt dhe si një kërcënim nga shteti i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi; pastaj paralajmërimet e shpeshta që vijnë nga kryeqendrat perëndimore për rritjen e ndikimit rus në Ballkan për krijimin e vatrave të reja të luftës në rajonin tonë, etj. e në anën tjetër grupet kriminale, krimi dhe korrupsioni që ende mbizotërojnë në gjithë rajonin, të gjitha këto – ngjashëm me atmosferën dhe realitetin në të cilin gjallërojnë personazhet e Santorit – domosdoshmërisht të krijojnë një gjendje ankthi dhe pasigurie si pasojë e një paqeje të brishtë dhe të paqëndrueshme në nënqiellin tonë dhe gjithë botën”, thotë regjisori Bekteshi për KultPlus. 

Ai është i bindur se përmes temës që trajton teksti i Santorit, shfaqja do të komunikojnë natyrshëm me publikun e sotëm, meqë si parabolë do të përçojë tek publiku shumë asocime për tragjeditë dhe mbijetesën e kombit tonë në të kaluarën e largët dhe të afërt; për ndikimin direkt në jetët, mirëqenien dhe sigurinë tonë që ka pasur dhe ka çdo zhvillim dramatik në shtetet e fuqishme të globit, për të tashmen e pasigurtë dhe shpresën e shoqëruar me shumë dilema për një të ardhme me paqe afatgjate.

Shfaqja “Emira” do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor dhe kjo për regjisorin Bekteshi është një privilegj më veti, një mundësi dhe një përgjegjësi e llojit që ai nuk e ka përjetuar më parë në karrierën e tij artistike. Ai e konsideron si një përgjegjësi të trefishuar, krahasuar me përgjegjësinë e të bërit shfaqje në produksion të një teatri të vetëm. Por, ai beson thellë se puna intensive me shumë përkushtim dhe dashuri që po bëhet me gjithë aktorët dhe gjithë ekipin autorial të shfaqjes, do të rezultojë me sukses. 

Vepra “Emira” ka shumë pjesë të shkruara ku personazhet këndojnë dhe kjo ka ndikuar shumë që shfaqja të konceptohet si një dramë muzikore. Pos pjesëve në vargje që vetë autori i ka shkruar, në konceptin regjisorial të Bekteshit për shfaqjen, janë konsideruar si të domosdoshëm që disa pasazhe, monologë e dialogë të tekstit të zhvendosen apo të përshtaten në këndim, ngjashëm me operetë apo mjuzikëll.

Për këto ide, regjisori është duke bashkëpunuar me kompozitorin Memli Kelmendi, i cili duket se është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në krijimin e një muzike origjinale për shfaqjen, gjithmonë duke ruajtur frymën apo stilin e muzikës arbëreshe. Sa i përket veçantive, regjisori Bekteshi na tregon se e veçanta e dukshme është bashkimi dhe bashkëpunimi i një ekipi të madh kreativ nga të gjitha hapësirat tona, që është edhe thelbi dhe qëllimi fisnik i vetë konceptimit të bashkëprodhimit të shfaqjeve në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”.  

Tashmë është përmbyllur procesi i provave të leximit në tavolinë. Tani, aktorët janë në fazën e shtruarjes së mizanskenës. Ata duket se janë duke ecur me një ritëm jashtëzakonisht të mirë. Ekipi i aktorëve që regjisori ka përzgjedhë konsiderohet i shkëlqyeshëm. “Shumë shpejtë kemi krijuar një besim të ndërsjellët dhe në çdo provë e takim mbizotëron një atmosferë dhe energji shumë e ngrohtë dhe pozitive. Jam i lumtur që bashkëpunoj me një ekip shumë dashamirës, të përkushtuar dhe shumë kreativ. Besoj se kjo sinergji dhe marrëdhënie kreative do të na ndjekë deri në premierë dhe pas saj. Ekipi i aktorëve përbëhet nga mosha të ndryshme dhe vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Secili prej tyre bart me vete një përvojë të veçantë, një entuziazëm të llojit të vet që reflektohet në punë dhe komunikim, dhe të gjithë bashkë sjellin një atmosferë të veçantë krijuese.” 

Përpos aktorëve, regjisori Bekteshi qartazi është i kënaqur edhe me ekipin tjetër autorial të shfaqjes: kompozitorin Memli Kelmendi, skenografin Betim Zeqiri, kostumografen Iliriana Loxha Basha, koreografin Artan Ibërshimi, dramaturgen Doruntina Basha, e cila ka bërë një reduktim të tekstit voluminoz të Santorit duke ruajtur ekstraktin dramaturgjik, pa e cënuar tërësinë dhe vazhdimësinë e ngjarjes dhe pa shtuar pothuajse asnjë fjalë origjinale, pos ndonjë lidhëse foljore apo ndërhyrje në strukturën e fjalisë. Ai gjithashtu ka krijuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me asistentin e regjisë Skender Podvorica, si dhe me inspicienten Nazmije Krasniqi. 

Procesi i realizimit të shfaqjes ende është duke u zhvilluar dhe nuk kanë kaluar as dy javë të plota që kur kanë filluar me prova. Deri më tani, regjisori Bekteshi ka thënë se sfida më e madhe që është tejkaluar me sukses është ‘ndryshimi i rrjedhës së lumit’ ku ka krijuar shtratin teksti i autorit, ose me fjalë më konkrete: për dallim nga teksti i shkruar. Ekipi pritet t’i qaset shfaqjes me një interpretim bashkëkohor të temës, personazheve, raporteve, qëllimeve, stilit të lojës dhe ndërtimit të karaktereve, duke i ikur stereotipave bardh e zi dhe duke i nënshtresuar në nivele më të thella motivet, ngjyrimet dhe biografitë e personazheve.  

Regjisori Bekteshi për momentin është duke e rijetuar vazhdimisht kënaqësinë e të bërit shfaqje.  

“Më plotëson teatri dhe procesi i realizimit të shfaqjeve, e ndjej si nevojë të realizoj shfaqje dhe të artikulohem përmes këtij mediumi të veçantë dhe specifik për nga natyra e punës krijuese. Dhe sigurisht me çdo ekip aktorësh mësoj gjëra të reja, sfidohem me gjëra të reja dhe kënaqem e plotësohem me gjëra të reja. Sigurisht që përmbushem nga puna që po bëjmë bashkërisht me aktorët dhe gjithë ekipin realizues të shfaqjes”, thotë ai për KultPlus.

Sipas tij, rëndësia që kjo shfaqje të epet në TKK, duke qenë edhe drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, është e madhe. 

“Në mungesë të informacioneve që kam arritur t’i hulumtoj e gjej, kam menduar se kjo dramë e parë shqipe asnjëherë nuk është jetësuar në një teatër profesionist, dhe kur e kam propozuar, ndër të tjera, jam gëzuar edhe për faktin që më në fund kjo vepër e një autori arbëresh – për të cilin kemi shumë pak informacione e as një foto apo pikturë nuk kemi për ta njohur si është dukur – pra më në fund kjo vepër do të komunikojë me publikun tonë. Në disa intervista edhe e kam thënë gabimisht këtë konstatim se ky tekst nuk është jetësuar asnjëherë më parë, derisa shumë vonë e kuptova se drama “Emira” paska qenë e inskenuar një herë në vitet ’70 po në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ky fakt më gëzoi meqë vepra në një farë mënyre ka kaluar nëpër një laborator artistik ‘trajnimi’ dhe komunikimi me publikun, tanimë ka krijuar një përvojë skenike dhe tani do ta ketë më të lehtë ballafaqimin me publikun për herë të dytë. E për mua personalisht, sigurisht që ka rëndësi që shfaqja do të jepet në TKK, e sidomos që do të jetë bashkëprodhim mes tre teatrove kryesore në hapësirat shqiptare. Shto kësaj që do të jetë edhe hera e parë që unë angazhohem si regjisor në TKK, kjo jo në mungesë të ofertave që kam pasur më herët nga ky institucion, por në mungesë të teksteve që në periudhat që më janë ofruar (pa marrë parasysh që dy-tre herë kanë qenë tekste të dëshmuara botërisht) nuk më kanë ngacmuar dhe në atë periudhë nuk kam pasur çfarë të them me to. E në një rast tjetër, që ende e kujtoj me një shije të ithët, pas përgatitjesh dymujore dhe pas konsolidimit të gjithë ekipit për realizimin e shfaqjes “Elektrës i ka hije zija” nga Juxhin Onil, çuditërisht realizimi i shfaqjes u anulua dhe unë asnjëherë nuk mora një përgjigje apo një arsyetim të qëndrueshëm zyrtar se pse ndodhi kjo. Prandaj, po, ka rëndësi për mua që do ta kem premierën e parë timen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por më e rëndësishme se premiera, është rezultati që synoj ta arrij bashkë me gjithë ekipin dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në realizimin e kësaj shfaqjeje.” 

Fotografitë: Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Emërohet drejtor artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti shpalos për KultPlus vizionin e tij për të ardhmen e teatrit

Jeta Zymberi

U deshën më shumë se tri vite që Teatri Kombëtar i Kosovës të bëhet me drejtor artistik. Është regjisori Kushtrim Mehmeti ai i cili ditën e djeshme është emëruar në këtë pozitë udhëheqëse me një mandat katër vjeçar, shkruan KultPlus.

Drejtori artistik pritet që brenda këtij vendi që është si një pasqyrë që reflekton shoqërinë dhe përvojën njerëzore tek audienca, të sjell eksperiencën e tij, pasi ka punuar më parë si regjisor në teatro, ka sjell performanca dhe instalacione të ndryshme.

Si drejtor artistik, Kushtrim Mehmeti pritet të jetë përgjegjës për përzgjedhjen dhe blerjen e veprave të reja për prodhimin e teatrit, si dhe udhëheqjen e ekipit krijues në zhvillimin e këtyre produksioneve. Ai do të punojë gjithashtu për të nxitur marrëdhëniet me dramaturgët, regjisorët, aktorët dhe profesionistët e tjerë të industrisë dhe do të luajë një rol kyç në angazhimin dhe ndërtimin e një publiku të larmishëm për teatrin.

Takimi mujor i udhëheqësve artistik, ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare, identiteti teatror kombëtar, krijimi i kritikës teatrore, plotësimi i ansamblit rezident, skena alternative, prezantimi në çdo qytet të Kosovës, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e shumë e shumë pika të tjera tejet të rëndësishme janë pjesë e plan programit që Mehmeti synon t’i realizojë gjatë mandatit të tij në krye të kësaj pozite.

Në një intervistë për KultPlus, Mehmeti shpalos vizionin e tij për të ardhmen e teatrit, duke u shprehur se marrja e kësaj pozite sa është privilegj është edhe përgjegjësi, por beson shumë në vullnetin e tij të madh për të mirën e teatrit.

“Pas një procesi të gjatë, një pune me teste e intervista, e lodhshme por e përballueshme, u mor vendimi për emërimin tim në këtë pozitë. Më shumë sesa privilegj është përgjegjësi, e sidomos kur Teatri Kombëtar i Kosovës që tri vite nuk ka Udhëheqës Artistik por funksionon me UD. Më pret një punë e madhe që të realizohet platforma ime, por kam vullnet e besim që do ta jap më të mirën për vendin ku që nga fillimi i studimeve kam besuar e ëndërruar për të”, shprehet Mehmeti për KultPlus.

Mehmeti kësaj detyre po i hyn me një mision të qartë, kultivimin e vlerave skeniko-artistike teatrore kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Krijimi dhe prodhimi i shfaqjeve teatrore profesionale, duke i bërë ato të arritshme për publikun në mënyrë që t’i argëtoj, edukoj dhe sfidojë. Publikimi i veprave të caktuara teatrore nga konkurset e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe repertorit të vet, me prioritet drama kombëtare në përputhshmëri me ligjin mbi të drejtat e autorit”, thotë Mehmeti.

Sa i përket politikave artistike teatrore, Mehmeti shprehet se bashkërendimi i politikës artistike me të gjitha institucionet eminente kulturore është një nga nevojat e kamotshme të kulturës.

“Problemet shoqërore, temat, dukuritë dhe zhvillimi i përbashkët i artit për nga cilësia e niveli artistik është një hap drejt ngritjes të secilit institucion kulturor. Për ta arritur këtë duhet fillimisht të hartohet politika artistike në nivel vendi nga udhëheqësit artistik te institucioneve gjegjëse, pastaj ato të mirëmbahen në takime minimalisht mujore në të cilat trajtohen realizimi i politikes artistike, mangësitë e problemet që hasen gjatë realizimit, dhe gjetjet, të arriturat e dështimet që secili institucion i ka pasur gjatë kohës.”

Ngritja dhe zhvillimi i dramës kombëtare

Një tjetër prioritet i Mehmetit pritet të jetë zhvillimi i dramës kombëtare. Sipas tij, teatri e merr formën si institucion kulturor kur fillojnë të shkruhen tekstet.

“Në rrethanat tona socio-kulturore sot me shume se kurrë kemi nevoje të merremi me Identitetin tonë kulturor e kombëtar të merremi me vlerat tona identitare ashtu siç ka bërë Teatri Klasik, të merremi me brendësin e njeriut shqiptar ashtu siç ka bërë Teatri Modern, pavarësisht që ka pasur disa tendenca te teksteve tona kombëtare t’i afrohet Teatrit Absurd, ne ende se kemi një tekst të tille ku flet për humbëtirën dhe për asgjënë tonë”, thotë Mehmeti i cili konsideron tutje që dramës shqipe i duhet edhe një Laborator i dramës.

Regjisorë botëror të konfirmuar

Brenda repertorit artistik vjetor të teatrit pritet të parashihet përzgjedhja e një regjisori të konfirmuar botëror i cili veç tjerash do të rriste edhe nivelin e ansamblit rezident duke sjell edhe forma të reja por edhe nivel artistik teatror.

“Regjisorët vendor kanë nivel të kënaqshëm dhe përballojnë edhe produksione të mëdha teatrore, por si nevojë e sjelljes së teknikave te reja teatrore por edhe e frymës së re teatrore. Freskimi vjetor i repertorit të teatrit me regjisor eminent do të krijonte një klimë gare më të madhe edhe tek regjisoret vendor, do te ishte një stimul për njohjen e formave te reja të punës me aktorin por edhe me shfaqjen dhe trajtimin e saj.”

Krijimi i kritikës teatrore

Që një shfaqje të jetojë gjatë e ndoshta përherë, i duhet me patjetër edhe një kritikë e mirëfilltë teatrore. Në këtë pikë, Mehmeti flet për nevojën e padiskutueshme të kritikës teatrore.

“Ka humbur interesimi që të shkruhet për teatër, kjo ka ndodhë pak edhe për faktin se ata që kanë bërë kritikë të mirëfilltë teatrore, i janë nënshtruar edhe një lloj trysnie nga regjisorët që kanë punuar shfaqje. Ne nuk guxojmë ndoshta që të porosisim kritikë teatri por ndoshta do të mund të stimulonim duke e krijuar Çmimin për kritikën më të mirë të vitit.  Do të mundohemi që të krijojmë një atmosferë tek komuniteti që kritika na ndihmon e nuk na kundërshton, do të krijonim një kulturë ballafaqimi me veten e punën tonë pas premierës.”

Plotësimi i ansamblit rezident

Teatri Kombëtar i Kosovës i ka së paku 30 aktorë në ansamblin rezident. Që disa vite TKK nuk ka arritur që të plotësoj numrin minimal që e parasheh ligji, statuti e rregullorja, ndaj një ndër punët që Mehmeti mendon se duhet bërë me prioritet, është edhe plotësimi i numrit minimal të ansamblit rezident.

“Sot kemi ndërrim të gjeneratave dhe në tregun artistik ka një kohë që ka aktor/e që do ti jepnin një freski dhe rritje të nivelit artistik teatrit me futjen e tyre brenda ansamblit rezident. Tutje, teatri viteve të fundit ka paguar shumë bashkëpunëtorë të jashtëm dhe me plotësimin e ansamblit do të kursej edhe për nga ana ekonomike (financiare).”

Miratimi i orarit mujor të provave, plotësim ndryshim i rregullores për ansamblin rezident, prezantimi i regjisoreve paraprakisht, konferenca për media e recensioni për çdo vepër para hyrjes në repertorin vjetor dhe identifikimi i shijes së publikut, janë pikat tjera që Kushtrimi i paraqet në planin e tij udhëheqës.

Laborator teatror

Krijimin e Laboratorit teatror, drejtori i ri e sheh si një domosdoshmëri.

“Laboratori është i domosdoshëm jo vetëm si mënyrë për të krijuar shfaqje, por gjithashtu edhe si një vend pune i përditshëm ku aktorët mund të vazhdojnë të mësojnë dhe të rriten nga ana njerëzore, shpirtërore dhe profesionale.”

Skena Alternative

Teatri vendoset gjithkund, nuk ka hapësirë që nuk bënë për teatër. Skena alternative është nevojë e kohës e kur marrim parasysh që Teatri Kombëtar i Kosovës tani gjendet në rinovim të plotë kjo nevojë shumëfishohet.

“Kemi shumë ndërtesa e hapësira të lëna në mëshirën e fatit, ndaj gjitha ato kanë potencialin të shndërrohen në ambiente kulture. Pastaj veç hapësirave të pa shfrytëzuara ka edhe hapësira që kanë nevojë për promovim dhe asgjë më mirë se një shfaqje e sidomos kur ajo vije nga Teatri Kombëtar nuk mund ta bëjë promovimin.”

Prezantimi në çdo qytet të Kosovës, prezantimi në shkolla për rolin dhe punën e aktorit, udhëtimet e teatrit, revista vjetore, monografi, kritika vjetore e shfaqjeve të TKK-së e lexime skenike, janë të tjera plane që Mehmeti parasheh t’i realizoj gjatë mandatit të tij të plotë.

“Disa nga këto pika janë punë imediate dhe rezultatet e punës shihen menjëherë kurse disa tjera janë politika afatgjata të cilat mund të kontribuojnë vetëm pas disa mandateve tjera. Gjithashtu gjatë punës mund të dalin ide të reja apo probleme të cilat duhet të trajtohen”, përfundon kështu Mehmeti i cili këtë fillim të ri po e pret me shumë entuziazëm dhe me vizon të qartë për punën që e pret. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti

Kushtrim Mehmeti zgjedhet drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës


Regjisori Kushtrim Mehmeti sapo është emëruar drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në bazë të Ligjit për Teatrot Nr. 04/L-106 Neni 10 paragrafi 1.7 dhe Neni 13 paragrafi 3 dhe 7, Statutit të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 10, paragrafi 1.7, si dhe të Rregullores Nr. 04/2016 për Punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Neni 3, paragrafi 8 si dhe nenit 12, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datën 4 Janar 2023 unanimisht merr këtë vendim:

Kushtrim Mehmeti emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, me mandat katër (4) vjeçar.

Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Kryesuesja e Këshillit Drejtues të TKK-së.

ARSYETIM

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar pas përfundimit të procedurës së rekrutimit, testimit me shkrim si dhe intervistës me gojë të kandidatëve për pozitën e Udhëheqësit Artistik në TKK, vlerëson:

Kushtrim Mehmeti me 74.65 pikë,

Sokol Plakolli me 54.73 pikë;

Bazuar në vlerën e pikëve, Këshilli Drejtues Teatrit Kombëtar emëron Kushtrim Mehmetin – Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe rekomandon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave.

Këshillë Juridike: Kundrejtë këtij vendimi palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 15 ditësh nga pranimi i vendimit në komisionin përkatës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

‘Kaligula’ e Kamysë vjen premierë në teatrin ‘Hadi Shehu’ nga regjisori Kushtrim Mehmeti

“Kaligula”, drama e shkrimtarit të shquar francez, Alber Kamy, që është bërë manifest krijues origjinal i letërsisë ekzistencialiste franceze e që deri në ditët tona vazhdon të shfaqet në skenat e gjithë botës, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Për publikun tonë, “Kaligula” vjen nga regjisori Kushtrim Mehmeti, ndërsa luajnë aktorët:

Edi Gjakova, Yllka Lota, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Arbies Komoni, Muradije Muriqi, Myrvete Kurtishi, Valon Pallaska dhe Altina Kusari.

“Kaligula” përshkruhet si një perandor fisnik dhe i moderuar gjatë gjashtë muajve të parë të sundimit të tij. Pas kësaj, burimet fokusohen në mizorinë, sadizmin, ekstravagancën dhe perversitetin seksual të tij, duke e paraqitur atë si një tiran të çmendur.

Shfaqja vjen premierë më datë 7 maj, në ora 20:00 në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë. / KultPlus.com

“Zhurmë Ujërash” me regji të Kushtrim Mehmetit do të prezantohet me premierë në Teatrin e Pejës

Me tekst të  Marco Martinelli e regji të  Kushtrim Mehmetit, në Teatrin e Pejës do të prezantohet premiera e shfaqje “Zhurmë Ujërash”, shfaqje që do të prezantohet prej orës 19:00, më 24 janar, shkruan KultPlus.

Koncepti i shfaqjes nisë me nxitjen e publikut që të bëjnë kalimin ilegal të kufirit përmes oqeanit, të cilët hyjnë në anije, ku vendosen në ulëset e teatrit që janë ulëse të anijes. Përballë kanë aktoret të cilët vendosin të dalin jashtë vendit bashkërisht me publikun. Derisa largohen, tregojnë peripecitë e tyre, personazhet që ata i hasin rrugës, nga Jusufi (adoleshent i mbytur ne ujë derisa tenton ti dërgojë bashkëkombësit e tyre ne Evrope), te Jasemina që përfundon duke u prostituuar me 80 vjeçar, e tutje te Sakinah e përdhunuar, Bindja e ikur nga lufta, Jean Baptiste fëmijë i mbytur në ujin e oqeanit, Oqean ky që mban kufoma të panumërta. Krejt këto kufoma të shndërruara në numra, 2917, 6132, 1111, 7777, 1445, 1248, tutje 26, 44, 2987, 88, 89, 90, 91 e shumë të tjerë, piano e cila krijon monotoni, muzikantet që këndojnë “Lakrimosa”, tutje këngë arbëreshe dhe krijojnë efekte, zëra dhe atmosfere. Krejt ne fund bashkë me “numëratoret” mbytet dhe anija që mbanë me vete dhe publikun, ata tentojnë të shpëtojnë, dhe nuk e di në ja dalin.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre do të prezantohen: Aida Alidemi, Agon Bala e Fitore Broqi. Muzika e kësaj shfaqje është e Memli Kelmendit, kostumet nga Samka Ferri, skenografia nga Burim Gora,  solo këngëtarë Donika Rushiti e Shaban Behramaj, Elbasan Racaj ka realizuar përkthimin, dramatizimin  Florent Kurtalani kurse ndriçimin Skender Latifi./ KultPlus.com

‘Thuama 5shen tane të them kush je’

Zgjedhjet në shtetin tonë dita ditës po afrohen dhe është bërë bujë e madhe në rrjete sociale nga persona që propozojnë se kush meriton të votohet, shkruan KultPlus.

Shpesh e kemi dëgjuar thënien ‘Më trego me kënd rri, të tregoj se kush je ti’, e kjo thënie vlen edhe për preferencat tona në përgjithësi, preferenca këto që janë treguesi kryesor i karakterit të secilit.

Së fundi, me ‘Thuama 5shen tane të them kush je’, ka reaguar Kushtrim Mehmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Pas shumë gjërave që kanë ndodhur në vendin tonë, kjo 5-she që secili qytetar i Kosovës pritet ta votojë, do të thotë shumë për vendin tonë. / KultPlus.com

“Gruaja që i vdes burri nuk bën të martohet!”

Shkruan Kushtrim Mehmeti

Kjo dukuri në vendin tonë ka prodhuar fëmijë të varfër, fëmijë pa mbështetje, fëmijë të vuajtur, dhe gjithsesi gra pa mbështetje, të vuajtura, duke ju munguar gjithçka qoftë nga aspekti material apo nga aspekti fiziologjik. Dhe më tutje janë goditur, stigmatizuar e linçuar gratë pse ato është dashur të bëjnë ”fajin” për përmbushjen e të drejtës elementare. “Kurva s’po e respekton burrin e saj”, “Po laperavet vejusha”, “ja mori fytyrën burrit/familjes”.

Kjo shoqëri gjithsesi e kontaminuar e degraduar me komplekse inferioriteti vazhdon të mbetet e njëjta, me mendësi prapanike pa as një të vetmin përparim. Nuk brengosem për 50+ vjeçarët që kanë këtë mendim (hajde po bëjmë tolerance për ta për shkak se në ç‘kohë janë rritur)por të njëjtin mendim të kenë të rinjtë (pa dallim gjinie) e tmerrshme dhe e pa tolerueshme. Ta akuzosh Nënën pse i duhet ta shfrytëzoj të drejtën e saj themelore, që i garanton ligji/feja/njeriu është krim i ngjashëm më vrasje. Kurse ne tjerët spektatoret injorant, dashakeq e idiot ti bëjmë ato ta bartin “fajin” pse nuk kanë bërë asnjë faj dhe përsëri të prononcohemi si Evropian s’ka nja të vetmen logjikë.

Sot ne evropianet e shekullit të kaluar veç se nuk kemi ndërruar mentalitet jemi edhe më keq, ngase nëse atyre më herët se ne, u ka munguar dituria dhe pa vetëdije kanë vepruar gabim, sot ne jemi duke vrarë me paramendim.

Na duhet ti lëmi të jetojnë, nëse nuk mund ti mbështesim (jam i bindur që nuk ju duhet mbështetja jonë) thjesht mos t’u përzihemi në punët e tyre, në nevojat e tyre, më e rëndësishmja në jetën e tyre.

Secila grua me apo pa fëmijë, me ish burrin gjallë apo të vdekur duhet gëzoj drejtën (pa u paragjykuar, sulmuar e stigmatizuar) të martohet apo të bashkëjetoj me një burrë që dëshiron e zgjedh ajo, sepse kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme për të dhe sidomos për fëmijët. Babai nuk zëvendësohet, por boshllëku mbushet, ofrohet mbështetja dhe dashuria gjithsesi që vjen edhe për njeriun e ri i cili vjen në jetën e tyre. Duhet që familjaret (Baba, Nana, Vëllezërit e motrat) ti mbështesin gratë. Duhet ti mësojmë fëmijët qysh në fillim që kjo është krejtësisht normale dhe jo ti frikësojmë, ti mbushim idiotësira të cilat nëse jo sot nesër na kthehen në bumerang.

Duhet ato gra thjesht ti lejmë të jetojnë jetën e tyre së bashku me fëmijët e tyre ashtu siç ata duan./ KultPlus.com

“Ferri” i Kushtrim Mehmetit u shfaq mbrëmë në Parkun e Qytetit në Prishtinë

Pas një kohe të gjatë pa teatër, regjisori Kushtrim Mehmeti, aktorët dhe instrumentistët sollën mbrëmë teatrin në Parkun e Qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Bazuar në veprën “Komedia hyjnore” të Dante Aligerit, Mehmeti solli para publikut shfaqjen “Ferri”.

Të pranishmit e cilësuan shfaqjen si një shëtitje në “”ferr”: Dje në mbrëmje hymë dhe dolëm nga “Ferri” i regjisorit Kushtrim Mehmeti u shprehen të pranishmit.

Regjisori ka falënderuar të gjithë ata që punuar për tre muaj që “Ferri” të realizohej. Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Skenderajt, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti merr librat me vete, në ‘ring’ me Kujtim Shalën

Regjisori Kushtrim Mehmeti ka reaguar për ngjarjen e sotme në mbledhjen për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku pretendohet se ka pasur konflikt fizik mes Kujtim Shalës dhe Gazmend Gjyshincës, shkruan KultPlus.

Mehmeti, i njohur për ironitë e tij politike që i shpërndanë në profilin e tij në Facebook, ngjarjen e sotme e ka përshkruar si një skenë ringu në të cilën ai mban disa libra në duar, duke u nisur për sulm.

“Po shkoj po rrihna me Kujtimin”, ka shkruar ai në mbishkrimin e kësaj fotografie. /KultPlus.com

Kushtrim Mehmeti ironizon, ofron libra për paraqitje në televizione, 35 euro metra

Në rrjetet sociale së fundi është komentuar shumë paraqitja e figurave të ndryshme publike nëpër televizione, të cilët po kyçen nga shtëpitë e tyre, por që të njëjtit gjithmonë po e përdorin një prapavijë me libra.

Kësaj zhurme të rrjeteve sociale i është bashkangjitur edhe regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili njihet për iniciativa të ndryshme, shkruan KultPlus.

Ai është paraqitur në një fotografi me shumë libra dhe i njëjti ka thënë se i ofron për të gjithë ata që do të kyçen në lidhje të drejtpërdrejta televizive, por i njëjti ka caktuar edhe çmimin. 35 euro metra e librave, ka thënë Mehmeti./KultPlus.com

“Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona”

Shkruan: Kushtrim Mehmeti

Nuk dolëm të mbrojmë kufirin, dolëm t’i mbrojmë dhimbjet tona. Nuk dolëm të shesim trimëri, dolëm që të ruajmë dinjitetin e personave që dhimbjet i kanë ende të freskëta, që familjarët nuk ua kanë kthyer ende, që pamjet e tmerrit nuk ju kanë larguar nga memoria. Mos u tregoni injorantë, faqezi e diletant.

Sot në Drenicë nuk u tregu trimëri por dinjitet. Sot protestuam kundër shtetit tonë se Kanadaja nuk i dha leje Vuciqit. Sot u besatuam që me sa kemi forcë t’i mbrojmë familjet e mira të vrarëve, të masakruarve, të dhunuarve, sot ata nuk ndiheshin rehat nga prania e një krimineli.

Drenicën mos e lidheni me Hashimin e Kadriun, por lidheni me Dëshmorët, martirët, dhe personat që dhanë gjithçka në këmbim të asgjëje.

Ne jemi kundër Hashimit, i kemi besuar por na ka tradhëtuar, dikush është bindur që sa kohë, dikush ende pret, dikush nuk do të bindet kurrë, por Drenica është e drenicasve të përbetuar kundër armikut, kushdo qoftë ai, Serb apo edhe shqiptar.

Regjisori Mehmeti: Hani mish e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta

Regjisori Kushtrim Mehmeti i cili tashmë njihet për disa nga aktivitetet që kanë adresim pushtetin, së fundi ka reaguar edhe për vdekjen e të riut Milot Belegu, i cili ka ndërruar jetë pasi ka pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e punës, shkruan KultPlus.

Më poshtë po sjellim reagimin e plotë të Mehmetit:

Karavanit te vdekjeve ne vend te punës i shtohet edhe 23 vjeçari, Milor Belegu.
Ende pa u mbushur një muaj nga një tjeter tragjedi, shteti ynë është një hiç i populluar me Hiça qe udhehiqen nga Hiçat.
Kurre dritë mos pafshi!
Ju marroftë Zoti!
Hani mish kalmari e pini verë italiane, e kur nuk keni më, servojeni mishin tonë në pjatat tuaja të argjendta dhe gjakun tonë në gota te porcelanit.

Milot Belegu gjatë këtij muaji ishte lënduar në vendin e punës, në një objekt të ndërtimtarisë në Pejë.

Kurse Kushtrim Mehmeti i cili ka reaguar për vdekjen e këtij të riu, si pasojë e mos sigurisë së punëtorëve në vendet e punës, njihet për iniciativën e mbledhjes së kravatave, që ia pati dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj, me rastin e rritjes së rrogës nga ky i fundit, ku e pati arseyatuar rritjen e rrogës së tij, pasi që i duheshin mjetet për blerjen e karavatave./KultPlus.com

204 kravata janë mbledhur deri tani për kryeministrin Haradinaj, nesër i dorëzohen (FOTO)

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo inspiroi artistin Kushtrim Mehmeti që të nis iniciativën për mbledhjen e kravatave që nesër të martën e 26 dhjetorit të ia dërgojnë kryeministrit Haradinaj në qeveri.

Dje ishte dita kur u përhap shumë lajmi për t’i ‘ndihmuar kryeministrit Haradinaj’ përmes eventit “Apel për ndihmë”, kësisoj brenda 24 orëve janë mbledh gjithsej 204 kravat, shkruan KultPlus.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com

“Apel për ndihmë”, nis mbledhja e kravatave që do i dërgohen kryeministrit Ramush Haradinaj

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo revoltoi qytetarët e padyshim edhe artistët kosovarë. Një ndër ta është regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili tashmë ka ngrit një iniciativë me titull “Apel për ndihmë”, ku njëkohësisht kjo do të jetë edhe një protestë artistike që vjen të martën mu para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mehmeti, për KultPlus dha detajet në lidhje me këtë protestë artistike, së cilës tashmë veç kanë nis të i përgjigjen qytetarët e Kosovës.

“Realisht filloi si nevojë e reagimit qytetarë për ngritjen e pagave, e unë si artist mendova që me ba një iniciativë kreative që mundet me kanë edhe artistike por edhe me dërgu mesazhin në vendin e duhur. Apeli fillojë si “shaka” por me interesimin e njerëzve atëherë u mobilizuam që ta shtyjmë deri në fund. Apeli im tash është që të martën njerëz të vullnetit të mirë të shkojmë dhe t’i dërgojmë kravatat kryeministrit”, tha për KultPlus, Kushtrim Mehmeti.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com