TKK nikoqir i Festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”, drejtori Sheremeti: 12 shfaqje në konkurrencë dhe shumë aktivitete teatrale 

Era Berisha 

Së shpejti vjen shfaqja më e re në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Emira”, nën regjinë e Kushtrim Bekteshit. Drama e shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori, do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor, me ç’rast janë bërë bashkë tri shtete për realizimin e saj. Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri Shqiptar i Shkupit kanë bashkuar forcat e tyre për të sjellë një premierë të veçantë në Prishtinë, shkruan KultPlus.  

Si rrallëherë, projekti përfshin tri kryeqytete të rajonit dhe tashmë përgatitjet veçse kanë filluar. Emocionet janë të mëdha për drejtorin e përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, i cili na tregon se projekti vjen si pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim teatror në mes të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, e nënshkruar në shtator të vitit 2022, ku pjesë e saj është organizimi i përbashkët në formatin e rotacionit, të festivalit të Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Marrëveshja përfshin edhe realizimin e një projekti bashkëprodhim në mes të tre teatrove kryesore shqiptare në rajon, çdo vit. Ky projekt ka ardhur pas bashkëprodhimit të vjetshëm të shfaqjes “Shtëpia e Zotit” në regjinë e Ilir Bokshit.  

Me shfaqjen “Emira” do të hapet edhe Festivali i Teatrove “Moisiu” që këtë vit, nikoqir do të jetë Teatri Kombëtar i Kosovës. Se si erdhi deri te përfshirja e këtij festivali, në një intervistë për KultPlus ka treguar drejtori Sheremeti, i cili thotë se bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr por që fatkeqësisht mbetej si e atillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë. 

 “Në muajin maj të vitit 2022 u takuam bashkë me Adem Karagën, Altin Bashën dhe Hervin Çulin dhe diskutuam shtruar e miqësisht lidhur me ëndrrën e kamotshme të komunitetit teatror shqiptar për thellim dhe institucionalizim të bashkëpunimit. Bashkëpunimi në mes të teatrove shqiptare gjithmonë ka qenë ëndërr dhe fatkeqësisht mbetej si e tillë për shkak të mos marrjes së hapave konkrete nga asnjëra anë, ose ndonjëherë edhe për shkak të kapriçove. Dhe u dakorduam, u morëm vesh si njerëz, si miq si artist dhe si udhëheqës institucional që ta ndryshojmë ‘lojën’ dhe ta bëjmë këtë ëndërr realitet”, thotë ai. 

Sipas tij, me shumë vështirësi, me shumë sfida, me shumë improvizime dhe me shumë dashuri, ndodhi “Moisiu” në Shkup për 12 netë rresht në nëntor të vitit 2022. Duket se ata morën mësimet nga Shkupi dhe i implementuan në Tiranë në nëntor 2023, duke mbledhur kështu të gjitha mësimet e dy edicioneve të kaluara, që tani po mundohen t’i implementojnë sivjet në Prishtinë.  

“Po shpresojmë dhe besojmë se të gjitha sfidat që i kemi, do të tejkalohen dhe do t’i festojmë në mënyrën më të mirë për të arriturat e teatrit shqiptar nga 20-28 nëntori i sivjetmë në Prishtinë dhe të vazhdojmë prapë në Shkup e Tiranë e Prishtinë gjatë gjithë jetës.” 

Përpos shfaqjes “Emira”, nuk pritet që këtë vit të jepet ndonjë premierë tjetër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kjo për shkak të vonesës në prodhim pasi që intervenimet në sallën e Amfiteatrit kanë qenë të planifikuara në muajin janar të këtij viti, por që pastaj ato kanë zgjatur deri në fund të muajit mars. 

Sidoqoftë, brenda këtij viti, TKK ka sjellë premierat: “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare nën regjinë e Kushtrim Koliqit, “Martesa” e Grombroviq nën regjinë e Norbert Rakovskit dhe “Makbethi” i Shekspirit nën regjinë e Qëndrim Rijanit. Njëkohësisht, në TKK janë shfaqur edhe premierat e bashkëprodhimeve të TKK-së, si “Fausti” i Fadil Hysaj dhe “The best european show”, një bashkëprodhim i madh evropian i TKK-së me katër teatro tjera evropiane. 

Tani po kurorëzohet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”, një bashkëprodhim i dytë me radhë, i tre teatrove kombëtare shqiptare, që vjen nëpërmjet premierës së shfaqjes “Emira” të Santorit.  

Për faktin se ky festival ka karakter garues, konsiderohet se këtë vit, tre nga pesë anëtarët e jurisë do të jenë të huaj. Ende nuk është kryer formacioni i plotë i jurisë, por së shpejti TKK do të dalë me të gjitha informatat për këtë pjesë. 

Përpos shfaqjeve, natyrisht që ka diçka edhe përtej teatrit në këtë edicion. Sipas drejtorit Sheremeti, festivali përmban një program intensiv jashtë programit të shfaqjeve. Janë gjithsej dymbëdhjetë shfaqje, (katër nga secili shtet) të cilat do të jenë në konkurrencë. Këto shfaqje përpos në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë, priten të shfaqen edhe në Sallën e Kuqe si dhe në Teatrin Oda. 

Po ashtu, drejtori Sheremeti ka bërë të ditur për KultPlus se do të ketë edhe shumë aktivitete anësore. Çdo ditë në mesditë një trupë e kritikës do të mbaj diskutime me ekipet dhe publikun e shfaqjeve të një nate më herët dhe njëkohësisht pritet të ketë edhe punëtori tematike si: gjithëpërfshirja në teatrot shqiptare, Punëtori mbi Arkivat e teatrove shqiptare, Punëtori mbi përdorimin e pajisjeve moderne në realizimin e rekuizitave në teatrot shqiptare si dhe një konferencë ndërkombëtare me temën “Ku jemi sot”, ku përpos teatrove shqiptare do të jenë folës dhe mysafirë edhe shumë teatro evropiane – partnerë të TKK-së nga European Theatre Convention.  

Është e kuptueshme që shfaqjet e TKK-së vazhdojnë të zgjojnë interes për publikun dhe si drejtor i këtij institucioni, Kushtrim Sheremeti po ndjehet i lumtur me rezultatet. 

“Jam shumë i lumtur me rezultatet në aspektin e përgjithshëm, por besoj se mund të bëhet edhe më shumë. Përtej klisheve, jam çdo ditë në garë me vetveten sepse jam i bindur që këto suksese mund dhe do të tejkalohen, sidomos pas kthimit në objektin e TKK-së i cili tashmë ka filluar të rinovohet.”  

Për më shumë informacione rreth premierës së shfaqjes “Emira”, klikoni këtu. / KultPlus.com 

Tri shtete për realizimin e shfaqjes “Emira”, Kushtrim Bekteshi: Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm

Era Berisha

“Teatri është pafundësisht magjepsës sepse është shumë i rastësishëm, ashtu siç është vetë jeta”, është një thënie që na vjen nga dramaturgu i njohur amerikan Arthur Miller. Një e tillë do të vlejë edhe për shfaqjen më të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës që njëkohësisht do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor. Bëhet fjalë për dramën “Emira” të shkrimtarit me prejardhje arbëreshe, Anton Santori e cila vjen nën regjinë e Kushtrim Bekteshit e reduktimin e tekstit nga Doruntina Basha, shkruan KultPlus. 

Tragjikomedia “Emira” është një prej 3000 fletë dorëshkrimeve që Santori ka lënë trashëgimi, dhe është cilësuar nga studiuesit si drama e parë shqipe në prozë që njihet deri më tani. Paraqet mes koloritesh mjaft të gjalla jetën e arbëreshëve me një të folme arbëreshe të krahinës Kalabrisë, me personazhe mjaft interesantë. Vepra flet për dy vajza të reja, Emira dhe Kallina, dashurojnë të njëjtin djalë, Mirianin, mirëpo atij i pëlqen Emira dhe jo Kallina, mirëpo këtë e ka lakmi dhe Kallo njeri cub e hajdut, që i vjen rrotull edhe Kallinës. Krahina është e trazuar nga hajdutët dhe përplasjet me rendin shtetëror, që po përpiqej të vendosej.  

Për rolin e Emirës është përzgjedhur aktorja Qëndresa Jashari. Pjesa tjetër përbëhet nga aktorët si: Arta Selimi e cila interpreton rolin e Kalinës, Donald Shehu-rolin e Mirianit, Bujar Ahmeti atë të Kallonjerit, Edlir Gashi rolin e Albencit, Shengyl Ismajli rolin e Ligëreshës, Sheqerie Buçaj në rolin e Lipsisë, Neritan Liçaj në rolin e Gjergjit, Basri Lushtaku luna dy role – atë të Bardhiut dhe Vinçencit, e poashtu edhe Shpejtim Kastrati në dy role – atë të Kryekuqit dhe cubit Arkangjel, Muzbajdin Qamili do të vijë në rolin e cubit Ferdinand, Igli Zarka në rolin e Motmadhit, ndërsa aktorët e rinj Mentor Kurti, Abedin Alimi, Ermir Hoxhaj, Franc Bregu, Albrim Kryeziu, Art Pasha dhe Rrezon Zhinipotoku do të interpretojnë disa role në shfaqje, ku ata bartin barrën më të madhe të pjesëve të kënduara në Korin e Çunave, Djemtë e Valles, cubave. 

Në një intervistë për KultPlus, regjisori Kushtrim Bekteshi ka shpalosur ende më shumë, lidhur me këtë shfaqje dhe procesin e saj deri në premierë.  

Ideja për të sjellë dramën “Emira” i është sjellë vërdallë, ndoshta me një tendencë joshjeje, që regjisori e ka shpërfillur. Fillimisht e ka lexuar sipërfaqësisht si fragment lektyrë shkollore, pastaj si literaturë fakultative kur edhe atëherë nuk është merr seriozisht me të. Rreth pesë viteve më parë, regjisori vendosi që t’i rikthehej leximit të veprave nga dramaturgjia shqiptare që nga fillimet e deri në ditët e sotme, dhe drama “Emira” ia tërhoqi për herë të parë vëmendjen si një tekst potencial për ta inskenuar ndonjëherë në teatër. 

Sipas tij, Santori, një prift arbëresh, këtë vepër e ka shkruar mes viteve 1864-1875 kur shkrimi i dramës në gjuhën shqipe sapo kishte nisur të bëhej një realitet i ri në letërsinë shqipe dhe me dhuntinë ose intuitën e tij artistike ka arritur të krijojë karaktere të qëndrueshme, të trajtojë një temë tejet intriguese me një strukturë dramaturgjike mjaft stabile.  

Kur regjisorit i erdhi oferta që ai të bënte regjinë e shfaqjes në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”, që është bashkëprodhimi i dytë mes Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, ai pa hezitim e propozoi këtë dramë, që për rastësi ishte shqyrtuar në mesin e propozimeve edhe nga udhëheqësit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që këtë vit janë bartësit e realizimit të këtij projekti, dhe propozimi i tij u pranua menjëherë. 

“Kam arsye se çfarë t’i them publikut të sotëm për përzgjedhjen e kësaj drame dhe mund të ndajë një shqetësim që besoj se pulson në secilin nga ne në kohën që po jetojmë. Drama është një histori dashurie dhe intrige në një kohë luftërash dhe anarkie. Ngjarja në vepër zhvillohet diku mes viteve 1862-1870, në një kohë kur luftërat (qoftë mes shteteve/mbretërive, qoftë luftëra civile për konsolidimin e shtet- kombeve) kishin shpërthyer gjithandej në territorin e Italisë së sotme, Amerikës, Amerikës Latine, Perandorisë së atëhershme Otomane. Me një fjalë, vatrat e luftës ishin ndezur pothuajse në gjithë globin, dhe personazhet e veprës së Santorit jetojnë në atë kohë, me frikën dhe ankthin e luftës në njërën anë dhe në anën tjetër nën terrorin e cubave të cilët plaçkitin, rekretojnë dhe vrasin. Ta përkthesh në kohën tonë, jetojmë në një realitet shumë të ngjashëm: agresioni rus në Ukrainë, konfliktet e armatosura në rritje në Lindjen e Mesme, tensionet e vazhdueshme që vijnë e dëgjohen si një jehonë nga e kaluara e afërt dhe si një kërcënim nga shteti i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi; pastaj paralajmërimet e shpeshta që vijnë nga kryeqendrat perëndimore për rritjen e ndikimit rus në Ballkan për krijimin e vatrave të reja të luftës në rajonin tonë, etj. e në anën tjetër grupet kriminale, krimi dhe korrupsioni që ende mbizotërojnë në gjithë rajonin, të gjitha këto – ngjashëm me atmosferën dhe realitetin në të cilin gjallërojnë personazhet e Santorit – domosdoshmërisht të krijojnë një gjendje ankthi dhe pasigurie si pasojë e një paqeje të brishtë dhe të paqëndrueshme në nënqiellin tonë dhe gjithë botën”, thotë regjisori Bekteshi për KultPlus. 

Ai është i bindur se përmes temës që trajton teksti i Santorit, shfaqja do të komunikojnë natyrshëm me publikun e sotëm, meqë si parabolë do të përçojë tek publiku shumë asocime për tragjeditë dhe mbijetesën e kombit tonë në të kaluarën e largët dhe të afërt; për ndikimin direkt në jetët, mirëqenien dhe sigurinë tonë që ka pasur dhe ka çdo zhvillim dramatik në shtetet e fuqishme të globit, për të tashmen e pasigurtë dhe shpresën e shoqëruar me shumë dilema për një të ardhme me paqe afatgjate.

Shfaqja “Emira” do të hap Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” më 20 nëntor dhe kjo për regjisorin Bekteshi është një privilegj më veti, një mundësi dhe një përgjegjësi e llojit që ai nuk e ka përjetuar më parë në karrierën e tij artistike. Ai e konsideron si një përgjegjësi të trefishuar, krahasuar me përgjegjësinë e të bërit shfaqje në produksion të një teatri të vetëm. Por, ai beson thellë se puna intensive me shumë përkushtim dhe dashuri që po bëhet me gjithë aktorët dhe gjithë ekipin autorial të shfaqjes, do të rezultojë me sukses. 

Vepra “Emira” ka shumë pjesë të shkruara ku personazhet këndojnë dhe kjo ka ndikuar shumë që shfaqja të konceptohet si një dramë muzikore. Pos pjesëve në vargje që vetë autori i ka shkruar, në konceptin regjisorial të Bekteshit për shfaqjen, janë konsideruar si të domosdoshëm që disa pasazhe, monologë e dialogë të tekstit të zhvendosen apo të përshtaten në këndim, ngjashëm me operetë apo mjuzikëll.

Për këto ide, regjisori është duke bashkëpunuar me kompozitorin Memli Kelmendi, i cili duket se është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në krijimin e një muzike origjinale për shfaqjen, gjithmonë duke ruajtur frymën apo stilin e muzikës arbëreshe. Sa i përket veçantive, regjisori Bekteshi na tregon se e veçanta e dukshme është bashkimi dhe bashkëpunimi i një ekipi të madh kreativ nga të gjitha hapësirat tona, që është edhe thelbi dhe qëllimi fisnik i vetë konceptimit të bashkëprodhimit të shfaqjeve në kuadër të festivalit mbarëkombëtar “Moisiu”.  

Tashmë është përmbyllur procesi i provave të leximit në tavolinë. Tani, aktorët janë në fazën e shtruarjes së mizanskenës. Ata duket se janë duke ecur me një ritëm jashtëzakonisht të mirë. Ekipi i aktorëve që regjisori ka përzgjedhë konsiderohet i shkëlqyeshëm. “Shumë shpejtë kemi krijuar një besim të ndërsjellët dhe në çdo provë e takim mbizotëron një atmosferë dhe energji shumë e ngrohtë dhe pozitive. Jam i lumtur që bashkëpunoj me një ekip shumë dashamirës, të përkushtuar dhe shumë kreativ. Besoj se kjo sinergji dhe marrëdhënie kreative do të na ndjekë deri në premierë dhe pas saj. Ekipi i aktorëve përbëhet nga mosha të ndryshme dhe vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Secili prej tyre bart me vete një përvojë të veçantë, një entuziazëm të llojit të vet që reflektohet në punë dhe komunikim, dhe të gjithë bashkë sjellin një atmosferë të veçantë krijuese.” 

Përpos aktorëve, regjisori Bekteshi qartazi është i kënaqur edhe me ekipin tjetër autorial të shfaqjes: kompozitorin Memli Kelmendi, skenografin Betim Zeqiri, kostumografen Iliriana Loxha Basha, koreografin Artan Ibërshimi, dramaturgen Doruntina Basha, e cila ka bërë një reduktim të tekstit voluminoz të Santorit duke ruajtur ekstraktin dramaturgjik, pa e cënuar tërësinë dhe vazhdimësinë e ngjarjes dhe pa shtuar pothuajse asnjë fjalë origjinale, pos ndonjë lidhëse foljore apo ndërhyrje në strukturën e fjalisë. Ai gjithashtu ka krijuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me asistentin e regjisë Skender Podvorica, si dhe me inspicienten Nazmije Krasniqi. 

Procesi i realizimit të shfaqjes ende është duke u zhvilluar dhe nuk kanë kaluar as dy javë të plota që kur kanë filluar me prova. Deri më tani, regjisori Bekteshi ka thënë se sfida më e madhe që është tejkaluar me sukses është ‘ndryshimi i rrjedhës së lumit’ ku ka krijuar shtratin teksti i autorit, ose me fjalë më konkrete: për dallim nga teksti i shkruar. Ekipi pritet t’i qaset shfaqjes me një interpretim bashkëkohor të temës, personazheve, raporteve, qëllimeve, stilit të lojës dhe ndërtimit të karaktereve, duke i ikur stereotipave bardh e zi dhe duke i nënshtresuar në nivele më të thella motivet, ngjyrimet dhe biografitë e personazheve.  

Regjisori Bekteshi për momentin është duke e rijetuar vazhdimisht kënaqësinë e të bërit shfaqje.  

“Më plotëson teatri dhe procesi i realizimit të shfaqjeve, e ndjej si nevojë të realizoj shfaqje dhe të artikulohem përmes këtij mediumi të veçantë dhe specifik për nga natyra e punës krijuese. Dhe sigurisht me çdo ekip aktorësh mësoj gjëra të reja, sfidohem me gjëra të reja dhe kënaqem e plotësohem me gjëra të reja. Sigurisht që përmbushem nga puna që po bëjmë bashkërisht me aktorët dhe gjithë ekipin realizues të shfaqjes”, thotë ai për KultPlus.

Sipas tij, rëndësia që kjo shfaqje të epet në TKK, duke qenë edhe drama e parë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, është e madhe. 

“Në mungesë të informacioneve që kam arritur t’i hulumtoj e gjej, kam menduar se kjo dramë e parë shqipe asnjëherë nuk është jetësuar në një teatër profesionist, dhe kur e kam propozuar, ndër të tjera, jam gëzuar edhe për faktin që më në fund kjo vepër e një autori arbëresh – për të cilin kemi shumë pak informacione e as një foto apo pikturë nuk kemi për ta njohur si është dukur – pra më në fund kjo vepër do të komunikojë me publikun tonë. Në disa intervista edhe e kam thënë gabimisht këtë konstatim se ky tekst nuk është jetësuar asnjëherë më parë, derisa shumë vonë e kuptova se drama “Emira” paska qenë e inskenuar një herë në vitet ’70 po në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ky fakt më gëzoi meqë vepra në një farë mënyre ka kaluar nëpër një laborator artistik ‘trajnimi’ dhe komunikimi me publikun, tanimë ka krijuar një përvojë skenike dhe tani do ta ketë më të lehtë ballafaqimin me publikun për herë të dytë. E për mua personalisht, sigurisht që ka rëndësi që shfaqja do të jepet në TKK, e sidomos që do të jetë bashkëprodhim mes tre teatrove kryesore në hapësirat shqiptare. Shto kësaj që do të jetë edhe hera e parë që unë angazhohem si regjisor në TKK, kjo jo në mungesë të ofertave që kam pasur më herët nga ky institucion, por në mungesë të teksteve që në periudhat që më janë ofruar (pa marrë parasysh që dy-tre herë kanë qenë tekste të dëshmuara botërisht) nuk më kanë ngacmuar dhe në atë periudhë nuk kam pasur çfarë të them me to. E në një rast tjetër, që ende e kujtoj me një shije të ithët, pas përgatitjesh dymujore dhe pas konsolidimit të gjithë ekipit për realizimin e shfaqjes “Elektrës i ka hije zija” nga Juxhin Onil, çuditërisht realizimi i shfaqjes u anulua dhe unë asnjëherë nuk mora një përgjigje apo një arsyetim të qëndrueshëm zyrtar se pse ndodhi kjo. Prandaj, po, ka rëndësi për mua që do ta kem premierën e parë timen në Teatrin Kombëtar të Kosovës, por më e rëndësishme se premiera, është rezultati që synoj ta arrij bashkë me gjithë ekipin dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në realizimin e kësaj shfaqjeje.” 

Fotografitë: Teatri Kombëtar i Kosovës. / KultPlus.com

Kushtrim Sheremeti kandidat në garën për të qenë përfaqësues i tifozëve të Liverpool në gjithë Evropën

Kushtrim Sheremeti është listuar nga LFC si një nga katër kandidatët potencialë në garë për të qenë përfaqësues i tifozëve të Liverpool në gjithë Evropën, shkruan KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur faqja e tifozërisë së ekipit futbollistik të Liverpool në Kosovë – Kosova Reds, aty mu Mehmeti është kryetar.

Kosova Reds ka bërë gjithashtu thirrje që të votohet Sheremeti, në mënyrë që të përzgjedhet, duke votuar në këtë link.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe aktori Kushtrim Sheremeti e ka konfirmuar këtë lajm për KultPlus.

Sheremeti në këtë garë është bashkë me tre kandidatë të cilët janë nga Holanda, Danimarka dhe Serbia. / KultPlus.com

Në një ambient me shumë artdashës, përkujtohet artisti që nuk vdes kurrë, Faruk Begolli

Në 15-vjetorin e vdekjes u përkujtua aktori i njohur i filmit dhe teatrit, Faruk Begolli.

Në një mjedis me shumë artdashës vepra, jeta dhe kontributi i Faruk Begollit u cilësuan tejet të rëndësishme për filmin dhe teatrin në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë këshilltari i ministrit të MKRS-së, Liburn Jupolli, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, regjisorë të filmave dhe aktorë.

Këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli në fjalën e tij ka thënë se Faruk Begolli ishte një prej figurave qendrore të zhvillimit të profilit të aktrimit, teatrit dhe kinematografisë në Kosovë, duke theksuar se ai ishte personalitet që dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsim për brezat e rinj.

Aktori Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd. Ai ishte bashkëthemelues i Degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës si dhe bashkëthemelues i Teatrit “Dodona” në Prishtinë. Jeta e tij artistike ishte mjaft e pasur me role, kishte luajtur në më shumë se 60 filma.

Në oborrin e Ministrisë së Kulturës sot deri në orën 24:00 do të shfaqen filma në të cilët ka luajtur aktori Faruk Begolli. /KultPlus.com

Të burgosurit politik nga vitet e 70’ta e deri në kohën e burgut të Dubravës mbrëmë “folën” në “Ora e Vdekjes”

Uranik Emini

Ndonjëherë, bota reale ofron narrativat më bindëse. “E vërteta është më e çuditshme se trillimi”, dhe skena mund të jetë vendi i përsosur për të treguar këto histori, pasi gjallëria shpesh shton një legjitimitet dhe element personal në shfaqje. Vitet e fundit, një numër i konsiderueshëm i historive të vërteta kanë hyrë në botën e teatrit, si dhe histori që pyesin se çfarë do të thotë të imagjinosh të vërtetën. Shfaqja “Ora e vdekjes” i ofroi publikut të mbledhur në Burgun Muze të Prishtinës një realitet të trishtë të të burgosurve politikë nga Shqipëria dhe Kosova nga vitet e 70-ta, deri në kohën e burgut të Dubravës, nga torturat e përditshme deri në vrasjet masive të njerëzve, shkruan KultPlus.

Njerëzit po pritnin që për herë të parë të vizitonin e të shihnin nga afër një shfaqje në Burgun Muze të Prishtinës, për të cilin para dy viteve ishte marrë vendimi që të shndërrohet në një muze.

Errësira, rikthimi në kohë dhe emocionet e frikës, si të ngulitura në kokën e shqiptarëve pushtuan të gjithë të pranishmit në muze, kur edhe nga hyrja e burgut u dëgjuan zërat e aktorëve të vendosur në qeli që po kërkonin ujë, njëri kërkonte bukë dhe madje kishte nga ata që donin të goditeshin me grusht, sepse kishte mall të rrihej dhe i dukej e çuditshme të kalonte një kohë të gjatë pa u rrahur.

Dy botë, shumë burgje e akoma më shumë shqiptarë të vrarë.

Gjatë diktaturës në Shqipëri, burgjet janë cilësuar pa dyshim si “hyrje në portat e ferrit”, një realitet i trishtë, rrëqethës dhe plot tragjedi mizore që paraqet edhe krimet e mëdha të asaj kohe kundër njerëzimit. E këto histori, aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti nën regjin e Ilir Bokshit dhe dramaturgët Ulpianë Maloku dhe Agnesa Mehanolli i prezantuan në mënyrë brilante me humor që në brendësi prezantonte torturat më të çuditshme, por që në realitet ato ndodhën, tortura që në rend të parë lanë pasoja të pariparueshme, dhe plagë që dhembin edhe kur qëllimi juaj i vetëm është përkëdhelja e tyre.

Edhe në Kosovë, gjatë kohës së pushtimit serb, në burgun e Dubravës vazhdimisht ideja parësore ishte transferimi i të burgosurve në burgjet e Serbisë, me arsyetimin se nuk kishte siguri tashmë në Kosovë (rreth viteve 1998, atëherë kur edhe NATO po bombardonte çarqet serbe). E gjitha kjo ndodhi pasi Serbia planifikonte gjithnjë që të burgoste sa më shumë të rinj shqiptarë nëpër burgje dhe të gjithë ata që ishin kundër regjimit, të vdisnin me pretekstin se nuk ishin të sjellshëm në burg, thyen rregullat ose edhe u lanë aty përgjithmonë, pasi ideali i tyre e lufta për liri përkonte në kundërshtim me atë që Serbia kishte në plan, e që ishte pikërisht pushtimi i Kosovës.

Pamja nga jashtë, e rrejshme nga brenda

Gjatë shfaqjes, Fatmiri nga Kosova (Adrian Morina) dhe Fatmiri nga Shqipëria (Arben Derhemi) gjenden në një situatë jetë a vdekje, në një urë që po gjuhej me armë nga pushtuesi serb, e Fatmiri nga Shqipëria kërkonte që të gjuhej në urë, ndërsa Fatmiri nga Kosova, i cili nuk dinte notë, i siguronte “homologut” të tij që kërcimi është ide e gabuar dhe në ujë është më lehtë të vdesësh.

Fatmiri nga Kosova dhe dashuria e pashtershme dhe shpesh herë e lindur natyrshëm për liderin e asaj kohe, Enver Hoxhën, e kishte detyruar atë që të vinte në Shqipëri vetëm e vetëm për të plotësuar ëndrrën e tij më të madhe, ta shihte nga afër dhe të besonte se figura e “ndritshme” e kombit shqiptar, Enver Hoxha ekziston në të vërtet.

Këtu fillon edhe polemika e madhe, kjo pasi Fatmiri nga Shqipëria ishte larguar nga ai vend, pasi aty po ndodhnin krime kundër njerëzimit për të gjithë ata që ishin kundër partisë së punës, madje edhe për ata që princip të jetës kishin punët e veta. Me shumë të shara, me shumë polemika, të dy u kapën nga regjimi serb, për të përfunduar në burg.

“Molla e ndaluar”

Një tjetër rast i pashpjegueshëm dhe ideja se ka ndodhur në të vërtet, të bën të çmendësh me atë se çfarë kanë kaluar shqiptarët nëpër kohë, e sidomos torturat që kanë kaluar të burgosurit nëpër burgje të regjimit.

Tefta Tasi e luajtur mjeshtërisht nga Albulena Bokshi, paraqet historinë e vërtet të një mësuese shqiptare, e cila ishte dënuar për arsye se kishte sharë mollat e “shtetit”, mollat e “Enverit”, e ky paraqet një krim, që sipas trupit gjykues, duhet të dënohet me 45 vjet, 35 në qoftë se pranon “fajësinë”.

“Fakti që kemi ardhur në burg e ka bërë shumë të veçantë shfaqjen. Fillimisht ka qenë e vështirë për tu ambientuar, për shkak të ndjenjës që ta jepte burgu, teatri është i vështirë por kjo është tjetër nivel”, thotë aktorja Albulena Bokshi në një intervistë për KultPlus, derisa rrëfen edhe gjithë procesin e provave, kalimit nga “kutia e teatrit” te realiteti i burgut.

“Këtu të kap një far tmerri. Ditën e parë kur kemi ardhë ka qenë edhe z. Emin, i cili ishte gjithashtu një ish i burgosur politik dhe na tregonte rrëfimet që kishte përjetuar, jo vetëm ai, por edhe shokët. E kam pasur problem ta kapërcej këtë tmerr për të ardhur deri te loja që e kemi sjell sonte. Ndjenjë me të vërtet e veçantë të performosh e të merresh me tema tona që shumë shpesh i kemi lënë pas dore. Nuk mund të them që nuk janë bërë shfaqje, por është bërë pak në drejtimin e tmerreve e historive të shqiptarëve”, thotë ajo.

Tutje, Bokshi foli edhe për rolin e saj, atë të Tefta Sasit.

“Personazhi im është një mësuese në Shqipëri, e cila është dënuar për një mollë. Ky është një rol që e veçojë shumë, sepse është barrë e madhe kur e ke historinë e vërtetë. Ne, artistët, bëhemi zëra të atyre që kanë kaluar këto përjetime. Gjatë procesit të provave, kur flitej edhe për Dubravën, personalisht e kam humbur axhën atje, dhe ka qenë shumë e vështirë ta kaloj këtë gjë. Ka momente kur kam qarë, në një far forme, plaga hapej përsëri. Gjithçka për rreth këtij burgu, të krijonte idenë se ka shumë histori brenda, ka shumë shpirt brenda këtij burgu dhe po shpresoj që shumë shpejt të hapet për vizitorët, dhe ata të vijnë e të kuptojnë se çfarë  tmerre kanë ndodhur në qendër të Prishtinës”, shprehet ajo.

Bokshi thotë se ishte e kënaqur me audiencën, edhe pse ishin disa ndërhyrje nga lartë, ku u shpërthyen disa fishekzjarre nga stadiumi, të cilat nuk ishin të planifikuar. “Po besoj që edhe publiku e kuptoj këtë gjë, edhe pse disa në fillim kishin menduar se janë pjesë e shfaqjes, ajo zgjati bukur shumë, por prap publiku nuk e humbi durimin. Po besoj që është bërë një punë e mirë ekipore, është bërë një dramë e re që ndoshta i ka munguar dramaturgjisë kombëtare”, përfundon ajo.

Në anën tjetër, regjisori Ilir Bokshi tha se vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar, kanë qenë të mëdha, por dëshira për të sjellë te publiku këto histori të cilat kanë ndodhur, ishte gjithashtu shumë e madhe.

“Burgu i Prishtinës akoma nuk është akomoduar si muze, të gjitha këto që i shihni, nga pastërtia e burgut e deri te sjellja e ulëseve për t’u ulur sonte është dashur t’i bëjmë vetë, sigurisht me ndihmën e institucioneve në anën materiale. Gjërat në teatër bëhen më lehtë, sepse jemi të thirrur për ta bërë këtë punë. Tema e luftës dhe të burgosurve shqiptarë në periudha prej 1970 e tutje, e deri te burgu i Dubravës”, thotë ai, duke treguar se teksti është punuar me dy dramaturge të reja, me të cilat ai është shumë i kënaqur.

I pyetur nga KultPlus për vështirësitë dhe jetën jashtë habitatit normal, Bokshi tregon se profesionistët janë për këtë punë, duke shtuar se kishte shumë vështirësi nëpër të cilat kaluan.

“Jemi profesionistë dhe e përballojmë vështirësinë, por neve na ka ra shi çdo natë dhe e kemi pasur të vështirë këtë. Kemi qëndruar deri në 3 të mëngjesit dhe më të vërtet kishim frikë në qoftë se edhe mund të dështojë e gjithë shfaqja, kemi pritur edhe sot që të bie shi. Më (24 qershor) është premiera jonë, e sot e kemi quajtur si lloj para-premierë. Të gjitha ankesat që po i them, ose ato që munden me qenë vështirësi për ne, janë për faktin që kemi hyrë në një ambient të ri për ne. Kemi bërë punë fizike për tela, e shumë gjëra të tjera. Ka një kohë të gjatë që nuk kam qenë më i lumtur, kjo për shkak të stresit që kemi pasur si ekip. Gjithashtu, me këtë kastë të aktorëve kam punuar edhe më herët, por për herë të parë jam duke punuar me kompozitorin Memli Kelmendi dhe është një ndjenjë shumë e veçantë, ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë regjisori i shfaqjes “Ora e Vdekjes”.

Aktori tjetër, Adrian Morina, i cili vazhdon të jetë në skenë për një kohë të gjatë, rrëfen për KultPlus se emocionet janë gjithnjë të pranishme përkundër viteve që kalojnë.

“Përpara, kur më thoshin se Istref Begolli ka shumë tremë në premierë, thosha si student se është e pamundur, ai ka më shumë se 40 vite në skenë, hala me emocione! Tani pas sa kohe që merrem me këtë punë, e shoh që për shkak të përgjegjësisë e punës që e ke bërë, është rrezik i madh që me punën e ardhshme mundesh me i rrëzu gjitha ato se çfarë i ke ndërtuar deri tani. Gjithmonë rritet përgjegjësia, emocionet, e gjithashtu gjithmonë edhe eksperienca e bën të vetën. Ti duhet të mundohesh që t’i kanalizosh të gjitha këto dhe t’i rikthesh në favor të shfaqjes. Unë provoj që të kryej detyrën time, si aktor, me përgjegjësi dhe të prezantoj punën e gjithë ekipit në formën më të mirë të mundshme. Emocionet janë të njëjta si në premierë, si në reprizën e 100-të”, thotë Morina.

Ambienti ndryshe dhe kalimi nga teatri në një vend tjetër, nuk është punë të cilën Morina nuk e kishte bërë më herët.

“Ishim të vetëdijshëm për ambientin ku kemi dalë. Kemi punuar deri vonë gati për çdo natë dhe për pjesën e ambientit kemi qenë të vetëdijshëm. Teatri nuk ka lind, në teatrin kuti qysh e shohim. Teatër bëhet kudo, në rrugë, në sofër, e gjithçka që të duhet është ekipa e mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që e kemi bërë këtë shfaqje. Gjithashtu, ne jemi aktiviteti i parë që është bërë në këtë ambient, e për këtë gjë jam shumë i gëzuar. Në Prishtinë e Kosovë ka shumë hapësira të cilat mund të kthehen në të mirë të kulturës. Ministria dhe Komunat duhet të jenë më zemërgjerë, dhe t’i ofrojnë aktorëve hapësira të tilla”, thotë Morina, duke shpresuar se në të ardhmen ambienti i Burgut Muze të ofrojë edhe ekspozita e shfaqje të ndryshme për gjithë vizitorët.

Puna me njerëzit që i njeh për një kohë të gjatë, sipas Morinës, është një gjë e mirë pasi mund të komunikosh me vetëm një shikim.

“Ka qenë kënaqësi e madhe që të punojmë me Benin për herë të parë, bashkëpunimet tona mes Kosovës dhe Shqipërisë po mungojnë shumë në aspektin e teatrit. Unë preferoj të punoj me regjisorë të cilët ndjehem, pasi ata tentojnë që të shtyjnë më përpara rolin tënd dhe nuk të lënë të mërzitesh. Puna me dramaturget ka qenë kënaqësi e madhe, kjo pasi ne vazhdimisht kemi pasur ankesa për dramën shqipe dhe mungesën e teksteve. Sot, përpos kësaj shfaqje ne sot e kemi të shkruar një dramë të re shqipe që mund të inskenohet nga të tjerët. Nëse ankohemi vazhdimisht, edhe nuk investojmë absolutisht në dramën tonë shqipe, atëherë e ardhmja e teatrit do të jetë mjaft e varfër”, thotë Morina, duke lavdëruar edhe ai punën e Memli Kelmendit, që solli një muzikë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, vetë kompozitori Memli Kelmendi për KultPlus tha se ishte ndjenjë shumë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje, ku edhe na njoftoi me disa prej prapaskenave të shfaqjes.

“Puna që unë po e zhvilloj aktualisht sigurisht që ka ndikuar pozitivisht në suksesin dhe zhvillimin e rrugëtimin tij profesional. Mbi të gjitha unë kam shkruar shumë muzika për teatër, janë mbi 30 shfaqje teatrale. Kam shkruar gjithashtu muzika për film të metrazhit të shkurtër dhe atij të gjatë. Fillimisht kur më ka ftuar ekipi, kemi dalur e kemi diskutuar me Ilirin. E kam parë që është një shfaqje delikate dhe për këtë gjë duhet të mendoj, pasi është një gjë që nuk e kam bërë deri tani. Natyrisht që në fillim kam shkruar muzikën, pastaj disa skica të tjera, por në momenti kur kam ardhur këtu te Burgu Muze, e kam parë që duhet të shkruhet krejt diçka tjetër, atmosfera këtu ka ndikuar që të vihet deri te ky rezultat e kjo muzikë, që nuk ka qenë e lehtë. Jam munduar që si kompozitor t’i plotësoj siç duhet detyrat e mija, e bashkërisht e kemi ndërtuar gjithë shfaqjen”, thotë Kelmendi.

Ai gjithashtu pati një falënderim të veçantë për Donika Rushitin dhe gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të shkruaj muzikë, atë që realisht di ta bëjë më së miri.

“Dua ta falënderoj një person që më ka ndihmuar shumë, janë vokalet e Donika Rushitit, të cilës i falënderohem përzemërsisht që brenda një periudhe të shkurtër ka ndikuar që ato të jenë kryesoret brenda shfaqjes. Unë do të vazhdoj që të punoj, detyra ime si kompozitor i pavarur është që të shkruaj muzikë. Jam tepër i lumtur që më është besuar puna ime si kompozitor në këtë shfaqje dhe gjithashtu më është lejuar përdorimi dhe veprimi i elementeve kompozicionle që unë kam dashtë e i ndërtu në bashkëpunim me regjisorin, e besoj që audienca sonte e ata që do të vijnë më pas po besoj që do ta shohin punën tonë që kemi ndërtuar”.

Shumësia e këndvështrimeve në këtë shfaqje u trajtua me rëndësinë që kërkohet, ku të gjithë aktorët u bënë bashkë për skenën e fundit të mbrëmjes dhe sollën me delikatesën më të madhe të mundshme, realitetin e hidhur të shqiptarëve nëpër burgjet e ndryshme ku kanë qenë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. /KultPlus.com

Sheremeti e quan lajm të mirë mos-përfshirjen e politikës në emërimin e tij si drejtor

I ftuar në emisionin “Java me Rronin” në KTV që udhëhiqet nga Rron Gjinovci, drejtori i ri i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka biseduar edhe për emërimin e tij në këtë pozitë, përcjell KultPlus.

Sheremeti kishte postuar në të kaluarën disa statuse që kishin të bënin me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin, e me ç ‘rast alodohej se emërimi i tij si drejtor nuk do të jetë realisht i mundur.

Për këtë gjë, drejtori i TKK-së ka thënë se ndjehet i lumtur që përfshirja e politikës nuk ka qenë e përfshirë në këtë rast.

“Ndër herat e vetme që një udhëheqës është zgjedhur pa ndonjë direktivë të qeverisë ose një urdhër të ndonjë ministri. Kam vendos me apliku për këtë pozitë me dashnin më të madhe për teatrin, e as për arsye politike e as për karrierierë. Mos përfshirja e politikës në këtë vendim është lajm jo vetëm i mirë për teatrin, por edhe për politikën. Sot jam unë por nesër mund të vjen dikush tjetër, e do të vijnë njerëz të cilët në këshillin drejtues besojnë se e bënë punën më të mirë”, deklaroi Sheremeti.

42 vjeçari ka biseduar edhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimet vendore, ndërkombëtare dhe fuqizimin e teatrit të cilin ai tanimë e udhëheq. /KultPlus.com

Rritja e bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar të TKK-së është një nga synimet e Sheremetit

I ftuar në emisionin “Java me Rronin” që udhëhiqet nga Rron Gjinovci, drejtori i ri i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka biseduar për punët që do t’i bëjë ai në TKK dhe mekanizmat e bashkëpunimit që do t’i krijojë me teatrot shqiptare dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Sheremeti ka thënë se pret që nga bashkëpunimet ndërkombëtare, fillimisht të rikthejë TKK-në në European Theater Convection.

“Një prej punëve të para që do të mundohemi të bëjmë bashkë me gjithë të tjerët, me këshillin e të gjithë të tjerër, është që të rikthejmë anëtarësimin e TKK-së në European Theater Convection që është një mekanizëm i madh i teatrove të mëdha nëpër botë. Përveç ndarje të eksperiencave, do të kemi mundësi çasje nëpër fonde të ndryshme. Por edhe bashkëpunimi me Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri i Dramës Shqipe në Shkup. Do të mundohem që të fillojmë prej këtu. Shkëmbim të shfaqjeve dhe të krijojmë një mekanizëm të tillë. Edhe do të mundohemi që të përçojmë idenë tjetër që tri teatrot shqiptare të kenë një shfajqe co-produksion me dramaturgë shqiptarë, skenografë shqiptarë, dizajnerë të tjetër”, është shprehur Sheremeti.

Drejtori i ri gjithashtu përmend edhe bashkëpunimin që mund të ndodhë mes Komunës së Prishtinës dhe bizneseve të tjera private, që do të ndihmonin në fuqizimin e teatrit dhe mbushjen e sallave edhe më shumë.

“Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër që paguhet prej buxhetit të Kosovës, por me seli në Prishtinë. Unë mendoj që Komuna e Prishtinës mund t’i ndihmojë TKK-së me promovim të shfaqjeve, e pakta që mund të bëjë. Nëpër ekranet e autobusëve të rinj, mund të lëshojmë promot e shfaqjeve për shembull, jo vetëm urbanët, por edhe bizneset e ndryshme. Ne do të mundohem që të inciojmë një grup formal që do të quhet miqt e teatrit kombëtar, ku do të vijnë njerz nga fusha të ndryshme që do të na japin një përspektivë tjetër dhe do ta ndihmojnë teatrin kombëtar. Ne do të bëjmë marrëveshje që p.sh biznese të shumta të krijojnë një lloj mundësie që punëtorët e tyre të vijnë në shfaqje, derisa ata të reklamonin shfaqjet tona”.

Në programin e tij është përmendur edhe pjesa e një Festivali Ndërkombëtar të Teatrit, për të cilin Sheremeti ka dhënë detaje të vogla për këtë projekt të madh.

“Festivali Ndërkombëtar i Teatrit? Unë e kom hedh si ide, edhe pse është më e shkurta në kejt platformën, e kam hedh si ide për shkak se ka shumë modalitet se si do ta bëjmë. A do ta bëjmë veç te teatrot kombëtare apo ta zgjerojmë. Ka qenë një Kosova-Infest ku si festival ka qenë i jashtëzakonshëm por më pas u shua komplet. Duhet të ulemi dhe bashkë me këshillin drejtues ta shohim, e gjithashtu edhe me akterët e tjerë të teatrit dhe të bëjmë një festival të mirë të teatrit kombëtar, për shkak se nuk e kemi një gjë të tillë. Sot nuk mund të jap gjithçka, kam mendime e ide por unë mund ta hedh si iniciativë, e vendimi mund të merret më vonë”.

42 vjeçari flet edhe për bashkëpunimin që duhet të krijohet mes teatrot e Komunave të Kosovës.

“Unë mendoj që Teatri Kombëtar e ka për obligim, për shkak se marrin pare nga taksat e të gjithë qytetarëve, të dal e me Komunat që ka infrastrukturë të mirë teatrore, të luhen shfaqje të mira. Ka shfaqje masive që nuk mundemi të shkojmë në një teatër e të luajmë, por duhet të gjejmë mundësi bashkëpunimi me të gjithë teatrot. Edhe shfaqjet që ndodhin nëpër Komuant e tjera mund t’i sjellim e t’i japim hapësirë edhe në TKK, kjo do të ndihmonte edhe trupin e aktorëve, pasi jemi njerëz tek e fundit. Për mua do të ishte shumë e duhur që të krijojmë një mekanizëm në shkëmbimin e produksioneve, e sidomos që të shkojmë në qytete të tjera që njerëzit të mos udhëtojnë prej qyteteve tjera e të shohin në Prishtinë shfaqjet”.

Drejtori Kushtrim Sheremeti ka nënshkruar këto ditë kontratën e tij katër vjeçare. /KultPlus.com

Kushtrim Sheremeti – drejtor i ri i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Aktori Kushtrim Sheremeti do të jetë drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës për katër vitet e ardhshme, shkruan KultPlus.

Në mesin e shumë polemikave politike, Sheremeti ka nënshkruar kontratën si drejtor i ri i përgjithshëm i TKK-së.

Këtë gjë për KultPlus e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Bislim Bislimi.

“Është e vërtetë, sot Kushtrim Sheremeti ka nënshkruar kontratën si drejtor”, thuhet në përgjigjjen me shkrim të Bislimit.

Të gjithë polemikat që u shfaqën në publik erdhën për shkak të disa shkrimeve që Sheremeti kishte bërë në të kaluarën, mirëpo ato nuk e penguan që ai të nënshkruante kontratën për katër vitet e ardhshme. /KultPlus.com