Kuvendi hapi ekspozitën për gratë shqiptare dhe rolin e tyre në histori

Në kuadrin e 80-vjetorit të çlirimit, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot, në sheshin para sallës së seancave plenare veprimtarinë “Gratë e Luftës, roli i tyre në kontekstin historik”. Morën pjesë të rinj, historianë, familjarë të grave luftëtare si edhe u çel ekspozita me foto nga kontributi i grave e vajzave në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Veprimtaria u organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në emër të së cilës përshëndeti, drejtori i përgjithshëm, Ardit Bido.

Bido tha se DPA ka kënaqësinë të gjendet në të gjitha aktivetetet e të gjitha festave të nëntorit, të shqiptarisë dhe një prej nënshtresave të të gjitha këtyre aktiviteteve është gruaja.

“Lëvizja jonë kombëtare është habitshëm e lidhur me emancipimin e gruas që prej fillesave të veta”, tha Bido.

Me fillesat e lëvizjes kombëtare, ne shohim elementet e para të emancipimit. Nuk kemi vetëm De Radën e Naum Veqilharxhin, por edhe Elena Gjikën. Po ashtu edhe në Kongresin e Manastirit, nuk kishte vetëm burra pjesëmarrës, por edhe Parashqevi Qiriazi dhe Filomena Bonati. Edhe në Kuvendin e Vlorës, një rol të veçantë pati Marigo Posio.

Bido përmendi dhe aktivitetin e grave të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të cilat nuk ishin siç u shpreh ai “gruaja e filanit” dhe nuk kishin nevojë të burrëzoheshin për të zhvilluar aktivitetin e tyre, madje nuk kishin as nevojën e viktimizimit apo nevojën e dallimit gjinor.

Më tej, kreu i arkivave përmendi se Parashqevi Qiriazi ishte njëra prej 30 botuesve të kohës, mori pjesë në Konferencën e Paqes të Parisit, njësoj si burrat dhe vetëm prej kujtimeve që ajo shkroi, vijnë deri në ditët tona të dhëna mbi atë çfarë u bë në këtë konferencë.

Gjithashtu Bido ngriti lart edhe figurën e Marigo Posios, që nuk është vetëm qëndistarja e flamurit kombëtar, siç njihet prej shumicës, por ishte botuese dhe drejtuese shoqatash të kohës në të cilën jetoi.

Ai theksoi faktin se emancipimi e roli i gruas, fatkeqësisht njihet nga studiuesit dhe jo nga publiku i gjerë, për shkak se nuk është divulguar aq sa duhet.

Përpara se të ftonte të pranishmit, për të parë ekspozitën, kreu i arkivave e mbylli fjalën e tij në këtë aktivitet duke cituar një prej grave intelektuale të viteve `30, Ikbale Çikën e cila ka thënë se, lumturia e shtëpisë, e kombit dhe e atdheut është në duart e grave intelektuale./atsh/KultPlus.com

Dokumentari për Ukrainën shfaqet në Kuvendin e Shqipërisë

Një prej filmave të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, u shfaq sot në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Forumit për Ukrainën. Për këtë veprimtari u përzgjodh dokumentari “Intercepted” (Të përgjuarit).

“Të përgjuarit” është një dokumentar, prodhim i vitit 2024. Ai rrëfen shkatërrimin e Ukrainës prej luftës, duke e sjellë këtë përmes tablove të gjata. Ndërsa anën njerëzore, dokumentari e rrëfen përmes telefonatave të ushtarëve me familjet, duke zbuluar një botë paralele. Tingulli dhe imazhi përballen me njëri-tjetrin.

Përpara se të shfaqej filmi, përshëndetën forumin edhe drejtori ekzekutiv i festivalit, regjisori Kujtim Çashku si dhe prof. Theodore S. Orlin, president nderi i festivalit.

“Kam qenë në Kiev dhe kam kuptuar se, duke ndjekur dronët dhe raketat e shumta brenda 2 orëve, kuptova se ato binin në trupin e Evropës. Asnjëherë zjarri që shihet në shtëpinë e tjetrit, nuk duhet menduar se nuk do të vijë edhe në shtëpitë tona”, u shpreh Kujtim Çashku.

Ndërsa prof. Orlin tha se ajo çfarë po ndodh në Ukrainë është një tragjedi e shekullit të 21-të dhe mund të jetë ndër gjërat më domethënëse të këtij shekulli. Sipas tij, nëse Ukraina nuk do të fitonte, ky do të ishte një shkatërrim për rendin ndërkombëtar, për të cilin kemi punuar shumë.

“Kjo nuk është hera e parë që shohim një film për Ukrainën. Por kësaj here jemi të shqetësuar për kombin e Ukrainës”, u shpreh Orlin./atsh/KultPlus.com

​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbajtën sot një minutë heshtje në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88-vjeçare nga nëj arrest kardiak.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se në emër të Kuvendit seancën e sotme plenare ta nisim me nderimet për personalitetin e nderuar të letrave shqipe, shkrimtarin e madh Kadare që ditën e djeshme u përcoll në banesën e fundit.

“Të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë”, tha ajo.

Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare u përcoll dje për në banesën e fundit me të gjitha nderimet nga mijëra qytetarë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe Kosova.

Hapet në Kuvendin e Shqipërisë ekspozita “U rritëm në BE”, pasqyron rrugëtimin e Çekisë

Sot, në sallën e seancave plenare të Kuvendit, u përurua ekspozita “U rritëm në BE”, një veprimtari e përbashkët e Kuvendit dhe Ambasadës së Republikës Çeke.

Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputete e deputetë të Kuvendit, ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, ambasadorë dhe të ftuar të tjerë.

Ekspozita “U rritëm në BE” pasqyron një pjesë të rrugëtimit evropian të Republikës Çeke.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se, “rrugëtimi i Republikës Çeke drejt Bashkimit Evropian është një shembull i integrimit dhe plotësimit të standardeve evropiane e perëndimore”.

Kryetarja Nikolla shprehu mirënjohje ndaj Republikës Çeke për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian  të Shqipërisë dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të negociatave.

Nikolla falënderoi ambasadorin Karel Urban për hapjen e ekspozitës dhe nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve e dy parlamenteve.

Ambasadori i Republikës Çeke, Karel Urban, falënderoi Kuvendin për bashkëpunimin në çeljen e ekspozitës dhe vuri në dukje se Republika  Çeke do të vijojë të jetë një partnere dhe mbështetëse e fuqishme e  integrimit evropian  të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com