Më 14 janar 1703 nisi punimet Kuvendi i Arbërit, ku episkopati shqiptar analizoi aspektet e brendshme kishtare, si administrimi i sakramenteve, liria fetare dhe e kultit, reforma dhe zakonet e tjera, dhe në anën tjetër, gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.
Kuvendi u mbajt në Mërqi, afër Lezhës, dhe u organizua nga Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare, me dëshirën e Papës Klementit XI Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit. Vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për rigjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar.
Aktet e Kuvendit u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u përkthye nga dom Engjëll Radojës më 1868. Në këto akte gjendet material dokumentar për gjendjen ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat njerëzore. Gjithashtu teksti shqip i Kuvendit të Arbërit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es edhe për historinë e shkrimit të shqipes. / KultPlus.com