Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pafund

Poezi nga Ismail Kadare

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s’ngjallet dot.
Apo si ai q’u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S’do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s’i ngjall,
Sa gjëra u vyshken, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i pashpresë ish.
Kinezët që s’duken më në udhëkryqe rrugësh
Por vetë ata s’kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q’ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh

Sa kohë vallë do t’i duhet
Genit të rracës atë maskë ta shpëlajë?
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie. Ka gjumë a s’ka nën dhè?

Ç’i gjatë ish ky dimër, ç’i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh, i lodhur shpirti im./ KultPlus.com

Ismael Kadaré author 2005