Letra e komandantit francez: Grekët duhet të kuptojnë se edhe Shqipëria ka të drejtë të ekzistojë…

Nga Aurenc Bebja, Francë – 21 Korrik 2022

“L’Éclair” ka botuar, të hënën e 15 shtatorit 1919, në faqen n°2, letrën e Felix Holtz, ish-komandantit francez të Batalionit të Parë të kombësorëve shqiptarë në Korçë, në lidhje me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë,  të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Çështja e Shqipërisë

Një popull që pretendon të drejtën e tij për të ekzistuar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme nga komandanti Felix Holtz, ish-komandant i Batalionit të Parë të kombësorëve së shqiptarëve. Ne nxitojmë ta botojmë atë:

Ndër çështjet që i interesojnë Gadishullit Ballkanik, është një që ende pak njihet, por që gjithsesi do të duhet të zgjidhet : bëhet fjalë për çështjen shqiptare.

Shqiptarët formojnë një grup etnik të përcaktuar në mënyrë perfekte dhe Konferenca e Londrës ka vendosur tashmë shumë qartë kufijtë e vendit : në veri, mirditorët dhe malsorët katolikë; në qendër, gegët myslimanë; në jug, toskët, që përbëjnë tre të katërtat e popullsisë ortodokse greke.

Por shqiptarët, qofshin katolikë, myslimanë apo ortodoksë, pretendojnë vetëm kombësinë shqiptare; gjuha e tyre është me origjinë latine; veshja dhe zakonet e tyre janë të veçanta.

Nëse deri më tani shqiptarët nuk janë dukur të kërkojnë energjikisht të drejtën e tyre për ekzistencë, kjo është sepse ata shpresojnë se pushtetet do të marrin parasysh të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe se ato do t’u lënë atyre autonominë e tyre.

Dikush mund të pyesë veten nëse shqiptarët janë të aftë të administrojnë veten; megjithatë, nën Princin Vidin, revolucioni shpërtheu pikërisht sepse në krye ishte vënë një i huaj, i cili nuk dinte të kuptonte mentalitetin e tyre. Por ata që kanë banuar në Shqipëri gjatë luftës e dinë se në të vetmen zonë të Korçës, të pushtuar nga trupat tona, shqiptarët, nën mbrojtjen tonë, kanë organizuar dhe administruar në mënyrë të përsosur punët e vendit të tyre, kanë krijuar shkolla kombëtare, kanë menaxhuar financat në në një mënyrë kaq të ndershme, saqë, të privuar nga 700.000 franga nga grekët të cilët u detyruan të largoheshin nga Korça, ata mundën, pas disa kohësh, të rimëkëmbnin kapitalin e tyre.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga pikëpamja ushtarake ata mundën, me ndihmën e disa oficerëve francezë, të organizonin një forcë policie dhe një batalion që kontribuoi në tërheqjen (largimin) e austriakëve dhe bullgarëve. Batalioni është cituar, për më tepër, në urdhërin e ushtrisë.

Ushtria trime shqiptare, duke përparuar në tokën shqiptare, përjetoi ndjenjat e alzasienit (banor në Alsace) që luftonte për Alsace-Lorraine; shumë të guximshëm, shumë luajalë, besnikë ndaj fjalës së tyre, ata e kanë vendosur besimin tek Franca. Ata e njohin atë si çliruesen e të gjitha kombeve të shtypura. Franca, duke u dhënë atyre ndihmën e forcës së saj morale, do t’u kthejë atyre ndihmën që i sollën trimërisë së oficerëve, dhe grekët, që në të kaluarën kishin nevojë për mbështetjen e Francës dhe aleatëve të saj për të patur të drejtën e tyre për të ekzistuar, duhet të kuptojnë, nëse udhëhiqen vetëm nga parimet e drejtësisë, se edhe Shqipëria ka të drejtë të jetojë.

Komandanti FELIX HOLTZ

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-eclair-1919-letra-e-komandantit-francez-greket-duhet-te-kuptojne-se-edhe-shqiperia-ka-te-drejte-te-ekzistoje/ / KultPlus.com

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France