Gazeta franceze ‘Le Monde’: Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar në Tiranë, një akt barbar i qeverisë

Gazeta franceze “La Monde” i ka kushtuar një artikull rrëzimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në artikullin e tyre ata shkruajnë se ky është një akt barbar nga ana e qeverisë:

“Kryeministri shqiptar Edi Rama dërgoi policë dhe ndihmës të tjerë shtetërorë, për të shkatërruar një nga institucionet kryesore të vendit dhe nga ndërtesat e pakta të vjetra në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk lë rast pa nxjerrë në pah karrierën e tij si një artist vizual dhe shijet e tij si piktor. Kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, nga viti 2000 deri më 2011, ai u bë i njohur në botë, për shkak se ndërtesat e ndërtuara në kohën e komunizmit, i pikturoi me ngjyra të shndritshme. Kjo ishte një nga ata punë të tij në kohën që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, që e modernizuan disi kryeqytetin shqiptar.

Mirëpo, të dielën e datës 17 maj, po Edi Rama, por tashmë 55 vjeç, kryeministër që nga viti 2013, dërgoi policë dhe të tjerë persona për të rrënuar një nga godinat më të vjetra dhe më të vyera në qytet, Teatrin Kombëtar. Brenda në ndërtesë kishte një dyzinë artistësh, që kishin rezistuar në protesta për më shumë se dy vjet, por u larguan me forcë nga policia.

“Ata (policët) erdhën në orën 04:15 të mëngjesit. Ne ishim ende rreth 60 persona, kur ata filluan që të ngrenë bull-dorëzin kundër godinës së Teatrit Kombëtar”, thotë regjisori dhe aktori Edmond Budina, një nga përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Budina është ndër artistët, që rezistoi në protesta kundër prishjes së TK që nga viti 2018.

Ai dhe kolegë të tij u ngritën në protesta, për të kundërshtuar prishjen e godinës, e ndërtuar që në vitin 1940, në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë. Edhe një demonstrim spontan, ku morën pjesë liderë të opozitës, u shpërnda brutalisht.” / KultPlus.com

Kadare në “Le Monde”: Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde”, i ka kushtuar faqen e parë dhe një intervistë dyfaqëshe shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare. Në një rubrikë të sezonit të verës të titulluar “Shkrimtarë të mëdhenj, biseda të mëdha”, gazetarja Florence Noiville i ka lënë Kadaresë vendin e katër mes një cikli me pesë intervista. E tija titullohet: “Në diktaturë të jetoje, për mua do të thoshte të bëje letërsi”.

Gazetarja ka qenë në Shqipëri që në muajin maj dhe ajo e ka intervistuar shkrimtarin në shtëpinë e tij në Tiranë. Në hyrje ajo flet për ish-apartamentin e tij në rrugën e Dibrës, tashmë të shndërruar në muze; për Gjirokastrën, kohën e diktaturës komuniste dhe jetën e shkrimtarit sot.

“Portreti i tij nuk figuron ende në kartëmonedhat shqiptare, por ai mishëron i vetëm kulturën e këtij vendi”, shkruan Noiville e cila ka biseduar me shkrimtarin duke pirë një kafe turke të përgatitur nga bashkëshortja e tij Helena.

Pjesë të intervistës, janë si më poshtë.

Çfarë ndjetë kur shtëpia juaj studio u inaugurua në Tiranë?

E shoh veten përballë oxhakut. Çuditërisht me ndjenjën se jam një “shkrimtar i lirë”. Gruaja ime Helena punonte në një shtëpi botuese. Çdo mëngjes unë rrija vetëm dhe shkruaja. A ka gjë më të mrekullueshme? Disa nga librat e mi ishin të ndaluar, por unë shkruaja pak a shumë atë që doja. Disa herë e ndjeja që një frazë ishte e mirë. Ndonëse mund të dukej pa logjikë, unë e ndjeja bukurinë e saj të fshehur. E provoja fizikisht. Për mua çdo lloj ngushëllimi ka qenë brenda letërsisë. Dhe, në misterin e të qenit i kuptuar, ndonëse vetëm prej pak vetëve.

Mendoni se keni pasur fat?

E njihni ju proverbin latin “Vivere militare est”? Eh… dhe nëse të jetosh është si të luftosh, duhet të jesh i lumtur nëse nuk je vrarë (qesh). Për mua të jetosh do të thotë të bësh letërsi. Të mos e bëja dot këtë detyrë do të ishte njësoj sikur të mos jetoja. Unë arrita ta bëj dhe nuk u ndalova nga asgjë. Atëherë po, unë kam qenë me fat. Disa herë më thonë në Shqipëri: “Ah sikur të kishe jetuar në një vend të lirë”. Po kush e di? Kush mund ta dijë nëse gjithçka mund të kish qenë ndryshe?

Sot, kur i ktheheni veprës suaj, cila është krenaria më e madhe?

Unë shkrova për dhjetëvjecarë të tërë nën diktaturën më gjakatare të Evropës së pasluftës. Sot, vite më pas, letërsia ime është e njëjtë. Ajo nuk ka ndryshuar. Nëse ju nuk e shikoni datën në fund të një vepre, ju nuk e kuptoni kur është shkruar ajo. Më 2017, për shembull, unë u nominova në Britaninë e madhe për çmimin “Man Booker Interntaional” me “Kamarja e turpit”, një tekst i shkruar më 1978 dhe dyzet vite më pas për lumturinë time juria gjykoi se leximi i saj është aktual dhe i natyrshëm. Për këtë jam i lumtur. Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal. /Burimi: “Le Monde”/Në shqip: Lapsi.al/ KultPlus.com

Le Monde këshillon Kadarenë në 100 shkrimtarët që duhen lexuar

Bashkë me të përditshmen e mbrëmjes, Le monde-s të së mërkurës i është bashkëngjitur edhe një suplement i vecantë letrar që i këshillon lexuesve 100 romanet më të mirë që kritikët e kësaj gazete kanë evidentuar që prej krijimit të saj në 1946.

« Në një botë ku alghoritmet duan të bëjnë ligjin ne po bëjmë zgjedhjen e subjektives », shkruan editoriali i këtij suplementi. Dhe kjo zgjedhje ka emra të mëdhenj të këtij shekulli, Kazanzaqis, Aragon, Jursenar, Graham Green, Pasternak, Kundera, Solzhenicin, Salman Rushdi etj.

Mes këtij suplementi radhitet edhe shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Prej tij është përzgjedhur romani « Gjenerali i ushtrisë së vdekur » dhe ai është prezantuar me kritikën që Alen Boske i ka bërë në Le Monde në vitin 1970, 6 vite pas botimit. « Ajo që godet menjëherë është ironia fine e autorit, gjenerali i tij italian nuk është një karikaturë. Ai ka virtutet e tij, një nga të cilat është besimi gjysmak në misionin e vet, dhe të meta si përshembull indiferenca ndaj gjithckaje” shkruan Boske.

Natyrisht të përzgjedhësh vetëm disa shkrimtarë në mes më të mëdhenjve të globit është një punë e vështirë, prandaj Le monde e lexuar nga Lapsi.al, shkruan: “Lista jonë është fryt i debatave të forta, diskutimeve të zjarrta, sherrosjeve gjithashtu, na u desh të bëjmë zgjidhje të dhimbshme, të presi të përzgjedhim mes autorëve edhe me riskun e padrejtësisë”. Por në fund edhe “Gjenerali…” i Ismail Kadaresë gjendet mes kësaj plejade elitare./ Lapsi.al / KultPlus.com