‘Arena e Pulës’ e duhura për “Illyricvm”, Spahiu: Në tetor filmi jepet edhe në Prishtinë e Tiranë

Uranik Emini

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, me shumë sukses ka pasur edhe premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.

Kinematografia e Kosovës në vitet e fundit ka qenë pa asnjë dyshim si një sinonim i fjalës “sukses”, shumë filma, shumë regjisorë të rinj e madje edhe edhe më shumë çmime të fituara. Një prej filmave të fundit që ka shënuar sukses ndërkombëtar është edhe filmi “Illyricvm”.

“Arena e Pulës” – e duhura për këtë film

Një nga producentët e filmit, Fatmir Spahiu, ka thënë për KultPlus se premiera ka rezultuar për mrekulli.

“Premiera ka shku për mrekulli, filmi dukej se është bërë për ta patur premierën në një ambient të tillë antik. Arena e Pulës është unike njësoj sikurse edhe filmi”, thotë ai.

Spahiu tutje njofton se filmi është “art house” dhje si i tillë ka qasje pothuajse dokumentareske.

“Filmi ka qasje pothuajse dokumentareske, ska protagonist klasik, disi protagonist është koha dhe vendi i ngjarjes, Ilira. Ata që kanë dëshirë me bo një udhëtim nëpër atë kohë përmes personazheve, ky është rasti”, thotë ai, duke treguar se numri i gazetarëve dhe publikut ishte masiv, e pozitive ishin edhe kritikat.

Shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve – qëllimi kryesor i producentit

I pyetur se sa i kënaqur është me punën dhe arritjet deri tani, aktori dhe producenti i njohur kosovar thotë se kënaqësia e tij më e madhe është shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve në një treg që e njeh pak Kosovën.

Shfaqja e filmit në Kosovë?

“Besoj se tetori do të jetë muaji i shfaqjes së filmit, në Prishtinë dhe Tiranë”, njofton tutje Spahiu.

Përjetimi nga sytë e aktorit në “Arenën Pula”

Në anën tjetër, aktori Labeat Bytyçi thotë se ky film është pritur shumë mirë nga publiku kroat, e sidomos nga shqiptarët që jetojnë në atë rrethinë.

“Premiera shkoi shumë mirë, patëm një pritje shumë të mirë nga publiku kroat në “Pula”, veçanarisht nga shqiptarët që jetojnë në këtë rrethinë”, tha ai mes tjerash.

Bytyçi gjithashtu u shpreh i lumtur edhe me rolin e tij, i cili u prit shumë mirë nga publiku dhe mori kritika pozitive.

“Jam tejet i kënaqur me filmin dhe shpresoj që të ketë një rrugëtim të mbarë dhe të suksesshëm”, përfundon ai.

Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film, aty luan rolin e “Curtiusit”.

Ndërkohë, më poshtë gjeni edhe linkun për të parë “trailerin” e këtij filmi.

Disa prej aktorëve shqiptarë që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli.

Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com

I ri në moshë, por ka lënë gjurmë në film dhe teatër, Bytyçi: Viti 2021 ishte mjaft i suksesshëm

Uranik Emini

Aktori i ri, Labeat Bytyçi, ndanë me lexuesit e KultPlus vitin e tij shumë të suksesshëm 2021, duke filluar nga shfaqjet teatrore e deri te pjesëmarrja në një film me përmasa enorme.

Bytyçi tregon se në filmin ““ILLYRICVM”, mori pjesë në audicionet që janë mbajtur në Prishtinë, dhe aty fitoi rolin e “Curtius”.

Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film.

“Kjo ka qenë një eksperiencë shumë më ndryshe prej çka jemi mësuar deri më tani, duke filluar nga tema që trajton filmi dhe periudha në të cilën zhvillohet”, thotë Bytyçi për KultPlus.

Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova.

Edhe pse nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur do të shfaqet ky film, Bytyçi njofton se filmi është në pjesën e montazhës.

“Deri më tani sa kam informacion, filmi është në pjesën e montazhës ku është menduar që të dalë në vjeshtën e këtij viti, por kuptohet që asgjë nuk është definitive”, shprehet ai.

Përpos angazhimit në film, Bytyçi ka qenë vazhdimisht duke punuar edhe në teatër.

“Kam luajtur në disa shfaqje gjatë vitit 2021, ku e fundit ka qenë shfaqja “Andorra” nga Teatri i Prizrenit, e kjo do të vazhdojë edhe për këtë vit me repriza, mund të them se viti 2021 ka qenë mjaft i suksesshëm”.

Sa i përket vitit të ri dhe planeve të reja, aktori nga Suhareka shpreson që së pari të ketë shëndet dhe planet e tij fokusohen në film e teatër. /KultPlus.com