Pse në shoqërinë tonë kriminelët ndjehen ”të fortë”?

Shkruan: Labinot Kunushevci

      Në shoqëritë me krizë identiteti, mediat që kanë humbur rolin emancipues, i faktorizojnë kriminelët me modelin e njeriut që nuk i frikësohet ligjit e që nuk i bindet policisë. Vetë gjyqtarët, në shumë raste, u janë frikësuar duke u dhënë dënime të buta me gjoba të lehta, pa i dënuar me asnjë ditë burgimi, që rrethanat rënduese i kanë kthyer në rrethana lehtësuese, në mënyrë paradoksale – një recidivist me dhjetëra dënime të plotfuqishme, e kanë dënuar si të ishte gjykuar për herë të parë. Dhe prokurorë të paaftë, që frikësohen, shantazhohen e korruptohen, për t’i liruar nga procesi ata që do të duhej të ndiqeshin penalisht. Deri tek ato rastet kur gjykatësit janë frikësuar të dënojnë apo të marrin në gjykim një kriminel të njohur pa u përfshirë edhe ndonjë gjykatës ndërkombëtar.

     Janë paraqitur si njerëz të paprekshëm, që kanë rehatinë të ecin lirshëm në rrugë pas çdo vepre penale të cilat nuk i njohin dhe as i pranojnë si të tilla, duke menduar se vetëm vrasja është vepër kriminale dhe penale. Ekspozohen si personazhe me stile të ndryshme të jetesës luksoze e mafioze, që promovojnë jetën e natës, të rrethuar me sekserë problematikë, truproje e vetura luksoze, duke luajtur rolin e viktimës dhe duke arsyetuar armëmbajtjen pa leje për vetëmbrojtje.

      Një shoqëri që i admiron, respekton, privilegjon dhe lartëson kriminelët nga frika, që i gjunjëzohet njerëzve potencialë për vrasje, që e arsyeton vrasjen dhe i gëzohet dhunës, që ndihet inferiore përballë ”të fortëve”, që ia hapë derën njerëzve që shiten si gangsterë, në të vërtetë vrasës, sekserë, diletantë, narko-dillerë, hajdutë e trafikues, thelbësisht analfabetë, nuk mund të ketë kurrë paqe.

      Elitat politike nganjëherë janë të lidhura kokë e këmbë me elitat kriminale të ”gangsterëve”. Madje jo rrallë herë i ndihmojnë njëra-tjetrës. Politikanë frikacakë që paguajnë grupe mafioze ”për t’ua ruajtur shpinën” dhe ”për t’ua trembur armiqtë”! Mafiozë që flirtojnë me politikanë, me forcat e pushtetit, për të fituar sa më shumë ”imunitet” para ligjit, sa më shumë ”gravitet” që të mos prekin në tokë, e ta ndajnë ”kulaçin” e krimit politiko-ekonomik bashkë.

      Ajo shoqëri që i bën kriminelët të ndjehen si elitë me autoritet që mund të hyjë me duartrokitje në kafiteritë ekskluzive të kryeqytetit si të ishin çliruesit e tij, e që në fund nuk njohin as polici as rregull. Sillen si të ishin vetë shteti sepse nuk ka prokuror që guxon të ngritë aktakuzë për ta e as gjykatës që guxon t’i dënojë maksimalisht për t’iu dhënë një leksion të gjithë kriminelëve potencialë dhe mentalitetit kriminal se nëse zhvillohen, do të kenë një përfundim të keq sepse shtetin nuk mund ta sfidojë një grup prej disa kriminelëve sado të sofistikuar e me pushtet të forcës, kërcënimit, infiltrimit e parave të jenë.

      Aty ku mungojnë elitat kulturore, shkencore dhe humane, fytyrat monstruoze me jaka të bardha lulëzojnë.

      Kriminelët mund të marrin edhe përgjegjësi dhe pozicione institucionale, të fshihen nën petkun e humanistit, të shtiren si profesionistë që kanë aftësi këshilluese, por si sekserë të ndytë, si servilë imponues, si tipa narcizistë, duan të krijojnë opinionin se janë të rëndësishëm në shoqëri, se kanë lidhje të forta në krahun politik të oligarkëve, shprehur përmes ekspozimeve me figura publike, që një ditë, me monstruozitet potencial, të shpifin një heroizëm, e të përfundojnë heronjë të rrejshëm që lënë plagë të rënda në historinë e tragjedive.

      Një ditë, fantazitë e tyre të çmendura, do të dalin në shesh.

     Disa qytete apo zona urbane i kanë disa profile kriminale të identifikuara me nofka, që nganjëherë mund të jenë edhe narko-dillerë e recidivistë të rryer, që paraqesin rrezikshmëri të lartë.

     E kaluara e errët e tyre kriminale përfshin rrahje, kërcënime, kanosje, vjedhje, shmangie tatimore – evazion fiskal, armëmbajtje pa leje, dëmtim të pasurisë, fshehje të provave, përsëritje të veprave, haraç dhe fajde. Në njërën anë shfaqin arrogancën e tyre injorante dhe idiote prej gangsteri, hiqen si njerëz të rëndësishëm, krekosen se kush u jep më shumë para këngëtareve e valltareve të natës në striptiz-kulturë, kush po paguan dhe po dehet më shumë me pije abuzuese alkoolike, kurse në anën tjetër kamuflohen në portretin e një artisti, të një qytetari aktiv, të një biznesmeni apo ironikisht edhe të një humanisti, sepse ndonjë familjeje rastësisht u japin ndonjë ndihmë financiare, komunitetit mysliman ndonjëherë i shtrojnë iftar, ndonjëherë në intervista e përmendin Zotin dhe kështu mundohen ta shpërlajnë veten.

     Mbi të njëjtët rëndojnë me dhjetëra vepra penale dhe krejt këto promovohen gjatë një interviste mediale nga llumi i gazetarëve dhe i moderatorëve. Po kjo media ata i paraqet si njerëz model, të suksesshëm, figura me peshë publike, duke krijuar stereotipin e një ”krimineli ideal”, për njerëzit e ndershëm e të devotshëm s’ka asnjë lajm, asnjë admirim, asnjë opinion, përveçse si tepricë e shoqërisë, që shikohen me syrin injorues.

     Derisa televizionet kanë ftuar e promovuar në emisione gangsterë, vrasës, racistë, kriminelë lufte, recidivistë, dhunues grash, njerëz të korruptuar, njerëz të dyshuar për terrorizëm, për trafikim e për prostitucion, shërbëtorë të ish-regjimit, islamofobë që blasfemojnë, atëherë për cilën vlerë po flasim, për cilën liri dhe demokraci po flasim?

     Më e keqja këtu është admirimi i kriminelëve për gjuhën e dhunës, të forcës, të kërcënimit, të linçimit, të cilën ata e bëjnë ndaj rivalëve e armiqve të tyre, gjuhë kjo që imitohet në sub-kultura të ndryshme adoleshentësh. Sepse televizioni ende përjetohet si një lloj autoriteti moral që përfaqëson të vërtetën morale.

     Në një shoqëri tolerante ndaj krimit, monstrumët kanë shumë fat, sepse mbijetojnë gjatë me karrierën e tyre dhe procedurat penale policore, prokuroriale e gjyqësore i kryejnë si të ishin ceremoni.

     Në një shoqëri që nuk bën kompromise me ligjin, këta do të ishin duke vuajtur dënimin ose shoqëria dhe media do t’i injoronte duke i bërë të jetonin të getoizuar, në rast se vetë shteti nuk do të arrinte t’i korrektonte dhe t’i disiplinonte pas shumë dënimeve, protokolleve e procedurave. Sepse një qasje e gabuar stigmatizuese, kur kriminelët pas vuajtjes së dënimit nuk risocializohen, krijon kushte për përsëritje të krimeve dhe riprodhim të mllefit social.

     Kriminelët nuk mund të jenë të famshëm në shoqëritë e qytetëruara dhe të zhvilluara, ose të paktën nuk mund të shndërrohen në fenomene sensacionale që triumfojnë mbi ligjin dhe institucionet.

    Por ka një rregull që na tregon për fatin që i pret kriminelët: Zoti i lufton kriminelët me kriminelë tjerë. Ata vrasin njëri-tjetrin. Pra, njohim shumë raste kur kriminelët janë eliminuar nga kriminelë tjerë me të cilët kanë qenë në konflikt.

     Snobizmi i shoqërisë arrin kulmin kur këto profile marrin miliona ndjekës. Në tregun medial të idiotëve, këta persona të guximshëm, që vazhdimisht kanë konflikte me institucionet dhe me ligjin, që krenohen me ekstravagancë dhe me dhunë, me brutalitet dhe me kërcënim, janë më të famshmit dhe sensacion i internetit.

      Por nëse u afrohemi të famshmëve dhe ua shohim biografinë e tyre të vërtetë të skandaleve, të krizave dhe të veprave të tyre sekrete, do të shihni nga sa të pavlerë janë pushtuar televizionet tona; sa barbarisht përdhunues të vlerave estetike, qytetare e kulturore që janë; çfarë perversiteti mediatik e çfarë programe të pista; çfarë shfaqje artificiale e mashtruese – pseudo-artistike; i ofrohen shoqërisë për konsum kulturor, që kalbëzojnë Mijëvjeçarin e Tretë që po e jetojmë.

(Shkëputur nga libri ”Pasionet e idiotëve” i autorit Labinot Kunushevci)/KultPlus.com

‘Pasionet e Idiotëve’, libri i autorit Labinot Kunushevci që shpjegon mungesën ndërgjegjes kolektive

Libri ‘Pasionet e Idiotëve’ i autorit Labinot Kunushevci, është një libër i cili futet thellë në psiko-analizë dhe shpjegon mungesën e ndërgjegjes kolektive, shkruan KultPlus.

Afim Blyta- neuropsikiatër, i cili ka qenë recensues i librit ka thënë se autori ndonëse nuk është profesionist i domenit, ka arritur t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, duke dhënë një dimension krejtësisht tjetër më gjithëpërfshirës.

”Shtjellimi i koncepteve të shëndetit mendor kërkon kapacitet profesional dhe guxim intelektual edhe për profesionistët e fushës. Autori, ndonëse nuk është profesionist i domenit, arrin t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, jep një dimension krejt tjetër, shumë më gjithëpërfshirës dhe shumë më universal, si nga aspekti kohor, ashtu edhe hapësinor”, ka vlersuar neuropsikiatri Blyta.

Më tutje, Blyta ka vlerësuar se autori me saktësi frojdiane ka zbërthyer strukturën “biologjike”, si shkak i të gjitha fenomeneve të cilat paraqiten në shoqëri në tranzicion, ku emancipimi dhe qytetërimi janë vetëm reflektim sipërfaqësor i një brendie ende të pastrukturuar, primitive, të paemancipuar dhe joqytetare, që flet në të vërtetë për defekte serioze strukturale, të cilat kërkojnë kohë të maturohen.

Libri paraqet mungesën e moralit si fundament shoqëror i cili, shpërfaqet me personalen para shoqërores, vetën e parë njëjës “unë” para vetës së parë shumës “ne”, përemrin pronësor “imi” para përemrit pronësor “yni”. Shoqëri ku fytyra i nënshtrohet të pafytyrës, nderi të pandershmes, patriotizmi pseudopatriotizmit, si tipare tipike të shoqërive të cilat funksionojnë si bashkësi të individëve të pakoordinuar kundruall me ato shoqëri të cilat udhëhiqen me ndërgjegje kolektive.

Fondamenti i shtjellimit të temës është zbulimi i problemit, zbërthimi i tij, analiza dhe rrjedhimisht gjetja e zgjidhjes aq të nevojshme. Porosia bazike e saj në të vërtetë prezantohet në “moralin” si fondamentin më themelor të një shoqërie mbi të cilat mbivendosen superstruktura, të cilat nuk mund të mbijetojnë pa këtë themel bazik, thelbësor”, ka vlerësuar Blyta/KultPlus.com