Lady Gaga është rikthyer me albumin e saj të ri dhe kënga e parë nga këngët e saj të reja pritet të publikohet në tetor.
Në postimin e saj në Instagram ajo ka shpërndarë një foto të orarit të saj të shkruar në një faqe të hotelit ku po qëndron. Për muajin tetor, nën premierën e filmit në kinema, këngëtarja vuri në dukje ” Tetor XX: Kënga e parë LG7 “.
Lady Gaga publikoi së fundmi ‘Die With a Smile’ një bashkëpunim surprizë me Bruno Mars i cili nuk do të përfshihet në albumin e ri sipas përfaqësuesit të saj.
Edhe pse nuk ka shumë informacione për albumin e saj të ri, këngëtarja prej disa muajsh është duke punuar shumë për të, pasi ka shpërndarë disa foto në rrjetet sociale nga studio.
“Kam shkruar kaq shumë këngë dhe kam prodhuar kaq shumë këngë,” tha ylli në premierën e Chromatica Ball Film dhe shtoi për albumin e ri. “Është ndryshe nga çdo gjë që kam bërë më parë.”
“Ka diçka vërtet të bukur kur dihet se do të të duan pavarësisht se çfarë bën”, shtoi ajo./KultPlus.com
Këngëtarja e njohur Lady Gaga si rrallë herë ka rrëfyer historinë e jetës së saj dhe thashethemeve që qarkullojnë se ajo është anëtare e grupit ‘Iluminati’. Në dokumentarin që pritet të dalë së shpejti dhe titullohet ‘Gaga: Five Foot Two’, ajo ka thënë se është penduar që e ka ‘shitur shpirtin e saj te forcat e errëta të Iluminatit’.
Gaga gjithashtu tregon se vuan nga një sëmundje e rëndë muskulore e njohur si ‘Fibromialgia’, për të cilën beson se i është shfaqur për shkak se ka lejuar ‘djallin’ të hyjë në shpirtin e saj përmes organizatës sekrete të Iluminatit.
Sipas saj gjithçka nisi në vitin 2006 në New York, teksa pas një performance i ishte afruar një person i moshuar që i kishte thënë se ishte perfekte për t’u bërë e famshme në favor të disa kushteve.
“Ishte një shfaqje e bukur dhe mora shumë duartrokitje. Isha duke pirë cigare dhe mendoja se doja përsëri kokainë, ose më mirë, doja më shumë nga gjithçka, kur erdhi një burrë i moshuar me kostum, dhe më pyeti: ‘Mendoj se ti ke gjithçka që duhet. A e do ti këtë?’. Unë e pyeta për çfarë e kishte fjalën. Ai buzëqeshi dhe tha: ‘Gjithçka, suksesin, famën, pushtetin, paratë. A dëshiron gjithçka?’ Unë fillimisht nuk e kuptoja por pasi u binda që ishte shumë i fuqishëm, u ula në gjunjë dhe e pyeta se kë duhet të adhuroj. E pashë në sy dhe i thashë se doja të kisha gjithçka, se do të bëja gjithçka për ta pasur”, ka treguar ajo.
Ajo më tej shton se është penduar për kontratën e saj duke thënë se kërkon të ndërgjegjësojë të tjerë të mos bien nën këtë tundim. / KultPlus.com
Aktori i njohur George Clooney dhe këngëtarja Lady Gaga janë ndër këshilltarët e rinj për kulturë dhe art të presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë u bënë të ditur emrat e rinj të emëruar nga Biden në Komitetin e Presidentit të Arteve dhe Shkencave Humane, i cili këshillon presidentin për politikat e kulturës dhe artit.
Sipas kësaj, Komiteti i cili do të bashkëkryesohet nga producenti i famshëm Bruce Cohen dhe këngëtarja e famshme Lady Gaga, përfshin emra yjesh si aktori George Clooney, aktorja Jennifer Garner dhe muzikanti Jon Batiste.
Emrat e tjerë të emëruar në komision janë si më poshtë:
“Constance M. Carroll, Philip J. Deloria, M. Angelica Garcia, Nora Halpern, Steve Israel, Marta Kauffman, Ricky Kirshner, Troy Kotsur, Katie McGrath, Laura Penn, Amanda Phingbodhipakkiya, Arnold Rampersad, Shonda Rhimes, Kimberly, Horacio Sierra, Anna Deavere Smith, Joe Walsh, Kerry Washington, Pauline Yu”.
Ish-presidenti Donald Trump ka mbrojtur vazhdimisht shpërbërjen e Komitetit të Presidentit të Arteve dhe Shkencave Humane, i cili ka qenë joefektiv në proces. /KultPlus.com
Lady Gaga, e lindur si Stefani Joanne Angelina Germanotta në Nju Jork, u rrit në një familje të pasur me prindër artistë dhe u nxit të ndjekë karrierën e saj muzikore që në moshë të vogël.
Ajo performonte fillimisht në teatër, luante në shfaqjet e shkollës së saj, dhe studionte në CAP21 përmes Tisch School of the Arts të NYU, para se ta linte shkollën për të ndjekur karrierën muzikore. Pas largimit nga një grup rock dhe prishjes së një kontrate me Def Jam Recordings, Gaga punoi si një kantautore për Sony dhe ATV Music Publishing. Prej andej, artisti diskografik Akon vuri re aftësitë e saj zanore dhe e ndihmoi të nënshkruante një marrëveshje të përbashkët me Interscope Records dhe me KonLive Distribution ku edhe filloi punën në albumin e saj të debutimit “The Fame”, shkruan KultPlus.
Albumi u lirua në vitin 2008 dhe u bë një sukses i menjëhershëm në mbarë botën. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin Grammy për këngën e saj “Poker Face”, dhe karriera e saj filloi të ndizet si një zjarr.
Gaga vazhdoi të publikonte album pas albumit dhe këngë pas kënge, duke përjetuar suksesin me këngë të tilla si “Bad Romance”, “Born This Way”, “Applause”, dhe shumë të tjera. Ajo gjithashtu u bë një ikonë e stilit dhe modës, duke sjellë stile të reja dhe të ndryshme në modën botërore.
Në vitin 2018, Gaga ishte në një prej rolave kryesore në filmin “A Star is Born”, ku ajo dëshmoi talentin e saj jo vetëm si këngëtare, por edhe si aktore. Roli i saj si Ally, i cili vë në pah aftësitë e saj vokale dhe emocionet e thella, solli një nominim për Oscar dhe fitoi çmime të tjera të rëndësishme në botën e kinemasë.
Përveç karrierës së saj muzikore dhe kinematografike, Gaga ka qenë një mbështetëse e pashoqe e të drejtave të LGBT, si dhe një zë i fuqishëm kundër dhunës dhe keqtrajtimit seksual. Ajo gjithashtu ka qenë një aktiviste e rëndësishme në fushën e shëndetit mendor, duke ndihmuar në hapjen e një linje telefoni të ndihmës psikologjike për ata që vuajnë nga ankthi, depresioni dhe vetëvrasja.
Nëse shohim në tërësi karrierën dhe jetën e Lady Gagës, kuptojmë që ajo është një personazh i cili ka arritur të bëhet një ikonë në muzikë, modë dhe kinema, ndërkohë që është angazhuar edhe në fusha sociale dhe humanitare.
Me një fanellë të shkruar “Be Kind” (të jesh i këndshëm) në koncertet e saj, Gaga ka kujtuar njerëzit që në kohët e vështira, mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim jetës është të tregohen të këndshëm dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.
Sot, në ditën e saj të ditëlindjes, adhuruesit e saj vazhdojnë të urojnë dhe shpresojnë që ajo të vazhdojë të jetë një frymëzim dhe një zë i fuqishëm në muzikë, modë, kinema dhe në luftën për të drejtat dhe shëndetin e njerëzve në të gjithë botën. / KultPlus.com
Lady Gaga njihet jo vetëm për zërin e saj të bukur, por edhe deklaratat apo performancat e bujshme në evenimente. Në mbrëmjen e Oscars këngëtarja kishte veshur një fustan të zi që bënte kontrast me tapetin në ngjyrë shampanjë.
Marrë nga Versace, fustani dallohej për bustin e tij transparent dhe fundi i gjatë i zi, dhe një rrip në mes.Pavarësisht se mbërriti me vonesë, Lady Gaga nuk hezitoi të ndihmonte një fotograf i cili u pengua dhe ra në tapet. Ngjarja ndodhi teksa fotografi po përpiqej të kapte një foto nga afër të fustanit mahnitës të Lady Gaga-s.
Ndërsa përpiqej ta kalonte, ai u pengua dhe u rrëzua. Në atë moment këngëtarja ishte duke përshëndetur të pranishmit. Menjëherë më pas, ajo nxitoi për të ndihmuar fotografin.
Vetëm disa ditë pasi konfirmoi se ajo nuk do të këndonte gjatë ceremonisë së këtij viti, Oscars të dielën me të vërtetë mirëpriti Lady Gaga në skenë për një performancë (surprizë!) të baladës “Hold My Hand” të nominuar për këngën më të mirë origjinale.
Gaga u shfaq në orën e tretë të shfaqjes, e veshur me veshje të zeza dhe grim minimal, duke mbajtur një fjalim për rëndësinë e të qenit heroi juaj.
Me muzikë dhe tekst nga Gaga dhe BloodPop, “Hold My Hand” u shkrua për Top Gun: Maverick, i cili mori gjithsej gjashtë nominime në çmimet e 95-të të Akademisë, duke përfshirë filmin më të mirë, shkruan Tv Line, transmeton KultPlus.
“Hold My Hand” ishte një nga pesë meloditë e nominuara për këngën më të mirë origjinale këtë vit, përballë “Lift Me Up” nga Black Panther: Wakanda Forever (muzikë nga Tems, Rihanna, Ryan Coogler dhe Ludwig Göransson, me tekst nga Tems dhe Coogler); “Applause” nga Tell It Like a Woman (muzika dhe teksti nga Diane Warren); “Naatu Naatu” nga RRR (muzikë nga M. M. Keeravani dhe tekst nga Chandrabose); dhe “This Is a Life” nga Everywhere Everywhere All at Once (muzikë nga Ryan Lott, David Byrne dhe Mitski, dhe tekst nga Ryan Lott dhe David Byrne).
Më poshtë po ju sjellim videon ku mund të shihni performancën e Gaga-s në Oscar. / KultPlus.com
Këngëtarja e “Stupid Love”, ishte e ftuar në ceremoninë e 95-të të çmimeve Oscar, por iu desh të refuzonte ofertën për shkak të konflikteve të planifikimit me vazhdimin e Joker Folie à Deux, tha të mërkurën producenti i Oscars Glenn Weiss gjatë konferencës për shtyp të Ekipit Kreativ të Oscars.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Lady Gaga dhe ekipin e saj, por ajo është në mes të xhirimeve të një filmi tani, dhe këtu ne po nderojmë industrinë e filmit dhe atë që duhet për të bërë një film,” tha Weiss. “Pas një sërë hapash përpara dhe mbrapa, nuk dukej sikur ajo mund të bënte një performancë të kalibrit që ne jemi mësuar me të, me të cilën është mësuar dhe të gjitha ato gjëra.”
Weiss vazhdoi: “Pra, ajo nuk do të performojë në shfaqje, megjithatë, kjo është e gjitha, nga këndvështrimi ynë, për dikë që bën një film dhe ne e kuptojmë plotësisht se kjo është ajo që është prioriteti në këtë biznes, veçanërisht kur jemi duke nderuar filma.”
Përveç Gagës, kënga e nominuar e së cilës u shfaq në Top Gun: Maverick, të gjithë të nominuarit e këtij viti për këngën më të mirë origjinale janë konfirmuar të performojnë në ceremoni, shkruan People, transmeton KultPlus.
Ajo performoi për herë të fundit në Oscar 2019, ku kënga e saj “Shallow” nga A Star Is Born fitoi këngën më të mirë origjinale. Ajo u nominua gjithashtu atë vit për Aktoren më të Mirë, dhe gjithashtu mori titullin “Kënga më e mirë origjinale” në 2016 për “Til It Happens to You” nga The Hunting Ground. / KultPlus.com
“Joker: Folie à Deux” vjen me Joaquin Phillips duke u transformuar edhe një herë në Arthur Fleck, një rol historik në karrierën e tij. Paraqitja e Lady Gaga-s në vazhdimin e shumëpritur të filmit të suksesshëm të 2019-ës ka bërë që shtypi huaj të kërkojë qoftë edhe një foto të saj si Harley Quinn.
Me rastin e festës së të dashuruarve, regjisori i filmit, Todd Phillips u bëri një nder fansave të filmave “Joker” dhe publikoi për herë të parë një foto të Lady Gaga-s nga filmi. Përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, Phillips i jep pamjen e parë Harley Quinn-it të ri të Lady Gaga-s.
Klipi vjen nga një skenë puthjeje mes personazheve të Gaga-s dhe Phoenix-it. Në muajin Gusht, këngëtarja konfirmoi pjesëmarrjen e saj në filmin e ri përmes një postimi që bëri në rrjetet sociale. Ishte promoja e parë nga ‘Joker: Folie à Deux’ dhe konfirmoi se ajo do të jetë përkrah Joaquin Phoenix.
Duke folur për Harley Quinn-in e ri, Margot Robbie, e cila luajti Lady Gaga u shpreh se Harley të ishte ai rol që u shkon aktorëve të mëdhenj. Si me Batmanin dhe Makbethin. Premiera e filmit të shumëritur do të mbahet më 4 Tetor 2024./KultPlus.com
Lady Gaga u detyrua të ndalonte shfaqjen e fundit të turneut të saj Chromatica Ball në Florida pas një stuhie të fortë, transmeton KultPlus.
Ylli po i afrohej fundit të shfaqjes së saj kur rrufeja filloi të godiste rreth stadiumit Hard Rock të Majamit.
“Ne thjesht duhet ta ndalim shfaqjen për një minutë,” u tha ajo 65,000 fansave në shfaqje, duke i këshilluar ata që të jenë të qetë gjatë lëvizjeve të tyre.
Edhe pse ajo kishte shpresuar se stuhia do të kalonte, koncerti përfundimisht duhej të anulohej.
Gaga më vonë postoi një falje me lot për fansat në llogarinë e saj në Instagram.
“Ne vërtet u përpoqëm ta përfundonim shfaqjen sonte në Miami, por nuk mundëm sepse edhe kur shiu pushoi, rrufeja goditi deri në tokë aq afër nesh,” tha ajo, ende e veshur me veshjen e saj në skenë dhe duke fshirë shiun nga fytyrën e saj.
“Unë nuk e di se çfarë do të bëja nëse diçka do t’i ndodhte dikujt në audiencë ose ndonjë anëtari të ekuipazhit tim.”
Stadiumi Hard Rock postoi një deklaratë në Twitter, ku shkruhej: “Shfaqja sonte e Lady Gaga nuk mund të vazhdonte pas një pauze të shfaqjes në orën 22:50 në interes të sigurisë së tifozëve për shkak të motit të keq që përfshinte ndriçimin. Faleminderit për mirëkuptimin”. /KultPlus.com
Lady Gaga do të luajë krahë Joaquin Phoenix në rolin e Harley Quinn në ‘Joker 2’.
Lajmin e konfirmoi vet 36 vjeçarja përmes Instagramit. Ngjitur me postimin ajo ka publikuar trailerin e ‘Joker 2’
Në sfondin e videos, dëgjohej një e qeshur përkrah një instrumenti të hitit të Frank Sinatra, ‘Cheek to Cheek’.
Krijuesja e hiteve të ‘Poker Face’ më parë pranoi se kishte “diçka në mendje” kur vjen puna për të krijuar muzikalin e saj dhe shpjegoi se kur bëhet fjalë për aktrimin, ajo gjithmonë do të dëshirojë të tregojë historitë e grave.
“Kam diçka në mendje për [një muzikal], por nuk do ta zbuloj. Mendoj se gjithmonë do t’i tregoj historitë e grave, sepse unë jam një grua dhe gratë kanë kaq shumë histori për të ndarë. Gratë janë të fuqishme, dhe gratë janë të pambrojtura. Dhe të jesh e pambrojtur dhe e fortë në të njëjtën kohë, mendoj se është një gjë e veçantë”, ka thënë Gaga.
Joker: Folie à Deux pritet të dalë në treg më 4 tetor 2024./21Media/ KultPlus.com
Këngëtarja e shndërruar në aktore, Lady Gaga, e ka konfirmuar lajmin se do të luajë në filmin e dytë “Joker”, krahas yllit të kinematografisë Joaquin Phoenix.
Gaga, emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanotta, të enjten (4 gusht) e ndau një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i informoi fansat se ajo dhe Phoenix do të ketë role protagoniste në projektin e ri me titull, “Joker: Folie à Deux”.
Në qershor të këtij viti, regjisori Todd Phillips e konfirmoi lajmin se një vazhdim i hitit të vitit 2019, “Joker”, ishte në realizim e sipër. Ai e ndau me ndjekësit online ballinën e skenarit të këtij projekti, që vjen i shkruar nga ai dhe skenaristi Scott Silver. Menjëherë pas këtij lajmi, u raportua se Lady Gaga ishte një bisedime e sipër për t’u angazhuar me rolin e Harley Quinni në film, psikiatrja e Jokerit në spitalin “Arkham Asylum”, e cila bien ë dashuri me të, e ndihmon të largohet nga spitali dhe eventualisht bëhet e dashura dhe ndihmësja e tij në krim.
Ylli i muzikës pop ka luajtur në disa projekte filmike këto vjetët e fundit, si “A Star Is Born” ku luajti krahas aktorit të famshëm, Bradley Coper, dhe “House of Gucci”.
Konfirmimi i Gagas për përfshirjen e saj në projektin e ardhshëm kinematografik, vjen pak kohë pasi u bë e ditur data e lansimit të filmit. “Joker: Folie à Deux” pritet të fillojë së shfaquri nëpër kinema më 4 tetor të vitit 2024, saktësisht pesë vjet pas lansimit të filmit të parë dhe jashtëzakonisht të suksesshëm, “Joker”.
Sipas portalit “Deadline”, xhirimet e “Joker: Folie à Deux” do të fillojnë në dhjetor të këtij viti./koha/ KultPlus.com
Lady Gaga do të luajë Harley Quinn në vazhdimin e filmit “Joker”, i cili do të shohë Joaquin Phoenix të kthehet në rolin e tij kryesor, transmeton KultPlus.
Sipas Hollywood Reporter, Lady Gaga është në radhë për të marrë rolin e Harley Quinn-it, ish-psikiatres sw Arkham Asylum, e cila është shfaqur rregullisht në narrativat e lidhura me Batman-in si ndihmëse dhe e dashuruar pas Joker-it.
Margot Robbie luajti personazhin në filmin e vitit 2016 me titull “Suicide Squad”, si dhe në vazhdimin e tij të vitit 2021, “The Suicide Squad 2”.
Versioni i Robbiet ishte gjithashtu figura qendrore në filmin superhero të vitit 2020 Birds of Prey.
Nuk janë zbuluar detaje të komplotit të filmit, por “Reporter” thotë se Quinn e Joker 2 do të “ekzistojë në një univers të ndryshëm.
Reporter gjithashtu thekson se Joker 2 do të jetë “një muzikal”, megjithëse nuk ofron detaje të mëtejshme. /KultPlus.com
Legjenda amerikane, Tony Bennett, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Grammy Awards të këtij viti si pasojë e sëmundjes Alzheimer.
95-vjeçari është ftuar në ngjarjen e madhe muzikore që të performojë në skenën e Las Vegasit së bashku me Lady Gagan, por fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë.
“Ai është i gëzuar që albumi i tij, ‘Love for Sale’, është i nominuar në gjashtë kategori. Megjithatë, Alzheimeri e ka bërë të veten, prandaj kemi vendosur se është më mirë që ajo të performojë vetëm”, ka thënë djali i këngëtarit, Danny Bennett, për revistën Variety.
Sëmundja e Alzheimer është një formë e demencës që ndikon në kujtesën, të menduarit dhe sjelljen. Simptomat zhvillohen aq shumë saqë pengojnë në kryerjen e obligimeve ditore. Alzheimer është shkaku më i zakonshëm i demencës – një term i përgjithshëm për humbjen e kujtesës dhe aftësive tjera njohëse, aq rëndë saqë ndërhyn në jetën e përditshme.
Tony do ta përcjellë interpretimin e Lady Gagas të këngës “Love for Sale” nga shtëpia e tij në New York.
Bennett është diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2016, ndërsa disa muaj më parë kishte njoftuar se do të tërhiqet tërësisht nga jeta publike.
Për herë të fundit, legjenda ka performuar në gusht të vitit të kaluar në koncertin e quajtur “One Last Time” në Radio City Music Hall të New Yorkut./ KultPlus.com
Lady Gaga do të nisë turneun e saj botëror “Chromatica Ball” në qytetin perëndimor gjerman të Duseldorf më 17 korrik, njoftuan sot organizatorët e “Live Nation”.
Janë planifikuar koncerte në 14 stadiume në mbarë botën. Koncerti i hapjes në Dusseldorf do të pasohet me shfaqje në Stokholm, Paris, Londër, Toronto, Nju Jork, Çikago, San Francisko dhe Los Anxhelos, ndër të tjera.
Duseldorfi do të jetë i vetmi qytet në Gjermani që do të jetë pjesë e turit, duke lënë pas kryeqytetin e Berlinit dhe qytete të tjera të mëdha si Mynihu dhe Hamburgu.
Gaga, 12 herë fituese e çmimit “Grammy” ka shitur 36 milionë kopje dhe videot e saj kanë arritur 60 miliardë klikime në mbarë botën. Ajo ka mbi 55 milionë ndjekës në Facebook dhe 51 milionë në Instagram.
Në maj 2020, Lady Gaga publikoi albumin e saj të fundit dhe të gjashtë “Chromatica”. / KultPlus.com
Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit (BAFTA) ka zbuluar listën e saj të gjatë të të nominuarve në 24 kategori për çmimet e saj të ardhshme të filmit, përcjell KultPlus.
“No Time to Die”, “Belfast” dhe “West Side Story” janë ndër filmat kryesorë të shpallur sot pas raundit të parë të votave.
Siç u raportua të hënën, në asnjë listë nuk është i përfshirë filmi shumë i sukesshëm “Spider-Man: No Way Home” pasi “dështoi të përmbushte kriteret e pranueshmërisë”, sipas BAFTA. Filmi fillimisht kishte kërkuar konsideratë për kategoritë e filmit më të mirë dhe efekteve speciale më të mira. Kompania Sony nuk pranoi të komentojë.
Në anën tjetër, BAFTA ka bërë të ditur nominimet për shumë kategori, siç është edhe ajo për aktoren më të mirë në rol kryesor.
Votimi i raundit të dytë, për të përcaktuar nominimet në kategoritë e votuara nga anëtarët, do të hapet midis 14-27 janar. Nominimet do të shpallen më 3 shkurt. Kjo do të pasohet nga votimi i raundit të tretë, për të përcaktuar fituesit, i cili do të hapet midis 9 shkurtit dhe 8 marsit.
15 performanca do të vazhdojnë në raundin e dytë të votimit dhe gjashtë të tilla do të nominohen. Për të përcaktuar këtë listë të gjatë, në raundin e parë u votua kapitulli i aktrimit; 12 më të mirat u futën automatikisht në listën e gjatë. Tre vendet e mbetura janë votuar nga juria Longlisting, e cila ka marrë në konsideratë 10 shfaqjet e ardhshme të vendosura nga votimi i kapitullit.
Raundi i dytë votohet nga një juri që do të marrë parasysh gjashtë nominimet. Në raundin e tretë, anëtarësia e përgjithshme e votimit do të zgjedhë fituesin në këtë kategori. 82 shfaqje u dorëzuan për shqyrtim.
Jessica Chastain – “The Eyes of Tammy Faye” Olivia Colman – “The Lost Daughter” Lady Gaga – “House of Gucci” Alana Haim – “Licorice Pizza” Jennifer Hudson – “Respect” Emilia Jones – “CODA” Nicole Kidman – “Being The Ricardos” Jennifer Lawrence – “Don’t Look Up” Frances McDormand – “The Tragedy of Macbeth” Renate Reinsve – “The Worst Person in the World” Claire Rushbrook – “Ali & Ava” Joanna Scanlan – “After Love” Kristen Stewart – “Spencer” Tessa Thompson – “Passing” Rachel Zegler – “West Side Story”
Njëri ndër mediumet amerikane, Variety, kishte përfshirë edhe aktoren nga Kosova, Yllka Gashi, në këtë nominim, megjithatë gara e ngushtë rezultoi që Gashi të mos nominohet.
Çmimet BAFTA do të mbahen në qendër të Londrës më 13 mars /KultPlus.com
Lady Gaga ka shkëlqyer në tapetin e kuq gjatë premierës së “House of Gucci” që u mbajt të shtunën (13 nëntor), në Milano.
Këngëtarja dhe aktorja 35-vjeçare – e cila luan në filmin e drejtuar nga Ridley Scott si Patrizia Reggiani, gruaja famëkeqe për komplotimin e vdekjes së ish-bashkëshortit Maurizio Gucci, u pa e veshur me një fustan të personalizuar të “Versace”, i cili ishte me një stil të çarë deri në kofshë dhe pjesë të gjatë lëshuar prapa.
“E bërë nga saten mëndafshi, fustani merr frymëzim nga dizajnet e koleksionit Versace pranverë-verë 1995”, thuhet në llogarinë e stilistit në Instagram.
Këngëtarja e “Love for Sale” kompletoi dukjen magjepsës me taka të larta me platformë me ngjyrë të kuqe dhe bizhuteri ari, shkruan People.
“Kam qarë gjatë gjithë ditës duke u paraqitur për media në Milano. Jam shumë mirënjohëse dhe e përulur që jam në filmin tonë “House Of Gucci. Po vjen Dita e Falënderimeve!”, shkroi ajo në një foto nga premiera që postoi në Instagram.
Në numrin e dhjetorit të British Vogue, këngëtarja e “Rain on Me” foli për mënyrën sesi xhirimet e dramës, në të cilën luan edhe Adam Driver si Maurizio Gucci, e dëmtoi atë psikologjikisht.
“Kam pasur disa vështirësi psikologjike në një moment nga fundi i xhirimeve. Unë isha ose në dhomën time të hotelit, duke jetuar dhe duke folur si Reggiani, ose isha në xhirime, duke jetuar dhe duke folur si ajo”, kishte deklaruar Gaga.
“Më kujtohet se një ditë dola në Itali me kapele për të shëtitur. Kisha rreth dy muaj që nuk kisha bërë një shëtitje dhe më kishte zënë paniku. Mendova se isha në një set filmi”, tha tutje këngëtarja.
Filmi tregon pasojat e vdekjes së Maurizios pasi Reggiani punësoi një vrasës me pagesë për ta vrarë atë në 1995. Reggiani, tani 72 vjeç, kreu 18 vjet burg dhe u lirua në vitin 2016, por ajo ende pretendon se u dënua gabimisht.
Në “House of Gucci” luajnë gjithashtu yjet si: Al Pacino, Jeremy Irons, Jared Leto, Salma Hayek, Reeve Carney dhe Jack Huston . Filmi debuton në kinema më 24 nëntor. /KultPlus.com
Në Londër u shtrua qilimi i kuq glamuroz me rastin e premierës së filmit, “The House of Gucci”. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin aktorët e filmit dhe yje të shumtë të showbizit.
Para gazetarëve të pranishëm, këngëtarja e shndërruar në aktore, Lady Gaga, tha se përgatitjet e gjata për ta portretizuar Patrizia Reggianin në këtë film, mund të kenë lënë efekt të përhershëm tek ajo.
Me regji të Ridley Scottit, “The House of Gucci” bazohet në librin e vitit 1995 që flet për vrasjen me pagesë të nipit të Guccit, Maurizio, dhe gjykimin dhe dënimin e ish-bashkëshortes së tij, Patrizia Reggiani, e cila kreu 16 vjet burg për kontraktimin e vrasësit të burrit të saj.
“Në fakt kam qëndruar në rol për gjatë apo nëntë muaj, pra duke e ruajtur aksentin gjatë gjithë kohës, përfshirë këtu edhe gjatë intervistave. Njerëzit thonë që kam qëndruar në rol gjatë gjithë kohës dhe ndoshta ende vazhdoj të jem në personazh. Nuk e di kur do të largohet Patricia nga unë, por i njoh pjesët e saj të cilat më çdo kusht dua t’i lë pas dhe cilat dua mbaj pasi ishin të bukura dhe fuqizuese. Por, ajo ishte një grua e fuqishme e cila besonte se mund të depërtonte në një sistem patriarkal italian. Gjë të cilën edhe e kishte bërë, por kur ajo u përjashtua, të gjithë u përqendruan te paratë dhe jo te fatkeqësia e vërtetë, që ishte ajo”.
Filmi e përmban një kastë aktorësh yje të tillë si: Adam Driver, Jared Leto, Al Pacino, Salama Hayek, Jeremy Irons, Jack Huston, Camille Cottin dhe Madalina Ghenea.
Driver, i cili e portretizon Maurizion tha se ishte e emocionuar që e pati rastin të punojë me disa prej idhujve të tij.
“Unë gjithmonë e kam adhuruar aktorin Jeremy Irons dhe kam dashur të punoj me të. Kam punuar me Alin një herë në një film të kaluar, por isha i mpirë nga emocionet për ta shijuar dhe përjetuar atë eksperiencë. Prandaj, isha i lumtur që do të punoja sërish me të. Bashkëpunimi me Lady Gagan ishte po ashtu i mrekullueshëm. Isha shumë i emocionuar për këtë. Të gjithë pjesëtarët e ekipit të filmit i kam admiruar dhe anasjelltas. Kjo ishte një punë e ëndrrave. Të gjithë ishim të përgatitur shfaqeshim me kohë në punë, dhe kishim ide të mira”.
Jared Leto pësoi transformim të madh për ta luajtur rolin e Paolo Guccit, nipi i Guccio Gucci dhe drejtori menaxhues i markës së njohur të modës në vitin 1953, duke u bërë pothuajse i panjohur për publikun.
“E vlerësoj shumë këtë. Për mua është një kompliment të jesh tërësisht i panjohur nga publiku, për mënyrën si e ke portretizuar rolin. Më vjen mirë që njerëzit do ta shohin një personazh të cilin nuk e kanë njohur më parë. Kemi punuar vërtet shumë për të hulumtuar thellë dhe për ta sjell në jetë këtë artist të mrekullueshëm, siç është Paolo Gucci”.
Leto po ashtu tha se ky është një film i cili flet për familjen, dashurinë, tradhtinë dhe pasionin.
“Mendoj se është një film për fuqinë, tradhtinë, familjen, dashurinë, pasionin. Pra është një histori komplekse, shokuese dhe befasuese. Shumë njerëz nuk e njohin historinë e vërtetë të Guccit, por kur ta shohin filmin, do ta kuptojnë se është një histori jo e zakonshme dhe goxha e çmendur”.
Jeremy Irons, i cili e portretizon Rodolfo Guccin, më të voglin nga pesë djemtë e Guccio Guccit, para gazetarëve të pranishëm tha:
“Dua të them, historia dhe tragjedia e saj është shekspiriane në madhështinë e saj, dhe sigurisht, gjëja më e mirë e të pasurit Ridley Scottin si regjisor është se ai është mësuar të bëjë filma të mëdhenj epikë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe më të tregim në veçanti”.
“House of Gucci” debuton në kinematë e Shteteve të Bashkuara më 24 nëntor, ndërsa në Britani të Madhe fillon së shfaquri nga 26 nëntori i këtij viti. / KultPlus.com
Së fundmi këngëtarja Lady Gaga ka folur për rolin e saj në filmin ‘House of Gucci’.
Në një intervistë për ‘Vogue’, Gaga zbuloi se nuk ka folur kurrë me Patrizian pasi ajo mund ta bënte rolin e drejtë vetëm nëse lexonte midis rreshtave.
”Ndjeva se mund ta bëja të drejtë këtë histori vetëm nëse e qasja me syrin e një gruaje kurioze që ishte e interesuar të zotëronte një shpirt gazetaresk, në mënyrë që të mund të lexoja mes rreshtave se çfarë po ndodhte në skenat e filmit. Do të thotë se askush nuk do të më tregonte se kush ishte Patrizia Gucci, madje as Patrizia Gucci”, u shpreh këngëtarja. Patrizia u shpall fajtore dhe u dënua me 29 vjet për punësimin e vrasësit, i cili vrau ish-burrin e saj, Maurizio Gucci./KultPlus.com
Pak para premierës së filmit të saj të ardhshëm “House Of Gucci”, Lady Gaga, e realizoi një intervistë intime me revistën “British Vogue” e cila u publikua të martën më 2 nëntor.
Këngëtarja e shndërruar në aktore foli për portretizimin e Patrizia Reggianit në këtë film, një eksperiencë e cila e futi atë tërësisht në rol përgjatë gjithë periudhës së xhirimeve.
Gaga zbuloi se aksenti impresionues Italian të cilin e kishte përvetësuar për ta portretizuar Patrizian, nuk funksiononte kur ajo shfaqej me flokët e saj të bardha.
“M’u desh t’i lyej menjëherë flokët dhe fillova të jetoj në një mënyrë ku çdo gjë që shikoja, çdo gjë që prekja, fillova të kuptoja se ku dhe kur mund të shihja para. Fillova të bëj edhe fotografi. Nuk kam asnjë provë që Patrizia ishte fotografe, por e mendova si një ushtrim për t’i zbuluar interesat e saj në jetë, se do të bëhesha fotografe. Kështu që e merrja aparatin tim kudo që shkoja. Vura re që Patrizia i pëlqente gjërat e bukura. Nëse diçka nuk ishte e bukur, e fshija”, ka deklaruar Gaga.
Edhe pse ylli i njohur i muzikës u përkushtua e tëra në portretizimin sa më të saktë të rolit, ajo tregoi se asnjëherë nuk kishte tentuar të takohej personalisht me Patrizia Reggianin, për ta pasur një ide më të mirë të karakterit të saj në jetën reale.
“Ndjeva se mund t’i bëja vërtet drejtësi këtij tregimi vetëm nëse do t’i qasesha me syrin e një gruaje kurioze, e cila ishte e interesuar të zotëronte aftësitë e një gazetareje, në mënyrë që të mund të lexoja mes rreshtave se çfarë po ndodhte në skenat e filmit. Askush nuk do të më tregonte se kush ishte Patrizia Gucci. As vet Patrizia Gucci”, shtoi tutje aktorja.
Portretizimi i këtij roli për një kohë të gjatë prej 1 viti e gjysmë, kishte ndikuar goxha shumë në jetën e këngëtares së shndërruar në aktore.
“Kam pasur disa vështirësi psikologjike në një moment nga fundi i xhirimeve. Isha ose në dhomën time të hotelit duke jetuar dhe duke folur si Reggiani, apo isha në xhirime duke jetuar dhe duke folur si ajo. Mbaj mend që një ditë dola për të shëtitur nëpër Itali, kisha rreth dy muaj që nuk kisha bërë shëtitje dhe më kapi paniku… mendoja se isha në sheshin e xhirimeve të filmit”.
Lady Gaga dhe Adam Driver luajnë së bashku në filmin e ri emocionues i cili e rrëfen historinë e martesës jostabile të Patrizia dhe Maurizio Guccit, që qon tek një vrasje e profilit të lartë. Pjesë e kastës së filmit të bazuar në ngjarje të vërtetë janë edhe yjet: Jared Leto, Salma Hayek, Al Pacino dhe Jeremy Irons.
“House Of Gucci”, fillon së shfaquri për publikun mbarë botëror nga 26 nëntori. / KultPlus.com
Është publikuar paraqitja e dytë e shkurtër e filmit të shumëpritur “House of Gucci”, me aktorë Lady Gaga dhe Adam Driver. Shumë parashikojnë se filmi i regjisorit Ridley Scott do të jetë një hit i madh.
Skenari është i bazuar në librin e Sarah Gay Forden, “House of Gucci: A Sensational Story of Murder, Madndess, Glamour and Greed”, ndërsa është shkruar nga Roberto Bentivegna.
Filmi flet për kontroversen Patrizia Reggiani, e cila pasi u bë pjesë e familjes Gucci, u përpoq të përfshihej në biznesin e familjes, pavarësisht pakënaqësisë së bashkëshortit të saj, Maurizio Gucci dhe babait të tij.
Lady Gaga do të luajë pikërisht rolin e Patrizia Reggiani, ish-bashkëshortes së Maurizio Gucci – gjigantit italian të modës dhe njeriut të parë të brendit Gucci – e cila kaloi 18 vite në burg pasi angazhoi një vrasës me pagesë që të vrasë ish-burrin e saj.
Në burg e mori nofkën ‘Black Widow’ (Vejusha e zezë), ndërsa u lirua në vitin 2016.
Sipas komenteve të insertit filmik të publikuar në YouTube, këngëtarja Lady Gaga i ka gëzuar më së shumti njerëzit me aktrimin e saj. Komentues të shumtë e kanë lëvduar portretizimin që i ka bërë ajo protagonistes.
Jared Leto është një tjetër protagonist i këtij realizimi, i cili ka mahnitur me ndryshimin e tij të madh për rolin e Paolo Gucci, i cili dikur ishte nënkryetar i kompanisë Gucci. Jeremy Irons, Salma Hayek e Al Pacino, janë yjet tjera të këtij filmi.
Filmi për familjen Gucci, “House of Gucci”, do të nisë shfaqjen nëpër kinema nga 24 nëntori i këtij viti. /KultPlus.com
Këngëtari veteran amerikan Tony Bennett është tërhequr nga muzika në moshën 95 -vjeçare, ka thënë djali dhe menaxheri i tij.
Ai ka mbyllyr perdën pas një karriere të shkëlqyer shtatë-dekadëshe dhe në fillim të këtij viti zbuloi se kishte sëmundjen e Alzheimerit, transmeton KultPlus.
Djali i tij Danny tha se “vendimi i vështirë” për të anuluar datat e mbetura të turneut të vitit 2021 ishte marrë me “urdhër të mjekëve”.
Ai tha për Variety: “Shëndeti i tij i vazhdueshëm është pjesa më e rëndësishme e kësaj.” Ai shtoi se gruaja e Bennett Susan e mbështeti burrin e saj që të largohej nga skena./KultPlus.com
Yjet e muzikës, Lady Gaga dhe Tony Bennett, do të ribashkohen në skenë muajin e ardhshëm për dy koncerte speciale në New York City, të cilat njëkohësisht i shënojnë performancat e fundit për këngëtarin legjendarë.
Kjo dyshe bashkëpunoi në vitin 2014 në realizimin e albumit, “Cheek To Cheek”. Besohet se në fund të këtij viti do të lansohet edhe një incizim i ri i tyre.
“Ai ma shpëtoi jetën”, tha Gaga për muzikantin Bennett, teksa fliste për bashkëpunimin e tyre.
Muajin e ardhshëm, dy këngëtarët do t’i mbajnë dy shou në sallën ikonike të New Yorkut, “Radio City Music Hall”, të cilët i kanë titulluar “One Last Time: An Evening With Tony Bennett and Lady Gaga”, transmeton KultPlus.
Koncertet që e shënojnë paraqitjen e fundit të Tony Bennettit në skenë, fillojnë më 3 gusht të këtij viti, duke përkuar me ditëlindjen e 95-të të këngëtarit. Kurse koncerti i dytë mbahet më 5 gusht. Biletat tashmë kanë filluar të shiten dhe do të jenë në dispozicionin e të gjithë adhuruesve të vaksinuar.
“Jam e nderuar dhe tejet e emocionuar që bashkë me Tonyn do ta festojmë ditëlindjen e tij të 95-të, me dy koncerte speciale”, kishte shkruar Gaga në postimin e fundit në Twitter, që i paralajmëronte këto performance.
Bennett kishte vendosur ta incizojë edhe një album me Gagan, pas diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Në fillim të vitit, këngëtari 94-vjeçar e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet.
Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, transmeton tutje KultPlus.
“Jeta është dhuratë, edhe me sëmundjen Alzheimer. Falënderoj Susanën dhe gjithë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe revistën ‘AARP’ që e ka rrëfyer dhe ndarë me publikun historinë time”, kishte shkruar Bennett në rrjetin social Twitter.
Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me t’u lansuar në treg. / KultPlus.com
Legjenda e muzikës, Tony Bennett dhe ylli i muzikës pop, Lady Gaga, janë duke e realizuar një album së bashku.
Bennett po punon në këtë projekt pas diagnostikimit me sëmundjen e Alzheimer.
Këngëtari 94-vjeçar së fundmi e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet, dhe tani u konfirmuar lajmi se gjatë kësaj beteje private me Alzheimerin, Bennett e ka incizuar albumin e radhës së bashku me mikeshën e tij të afërt, Lady Gaga.
Ky projekt i ri muzikor vjen pas albumit të vitit 2014, “Cheek to Cheek”, dhe është incizuar ndërmjet viteve 2018 dhe 2020.
Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, por më në fund ai do të lansohet për publikun mbarëbotëror në pranverë të këtij viti.
Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me tu lansuar në treg./ KultPlus.com
Lady Gaga sapo performoi në inaugurimin e Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton KultPlus.
Këngëtarja e hitit “The Bad Romance” Lady Gaga këndoi himnin kombëtar në ceremoninë e Biden dhe Kamala Harris që po zhvillohet në oborrin e ndërtesës së Kongresit Amerikan.
Fituesja e Oscar, Lady Gaga është një mbështetëse e madhe e presidentit të sapozgjedhur Joe Biden dhe ka qenë një prej zërave kryesorë që e kanë përkrahur atë gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve. / KultPlus.com