Flamingot mbi ujërat e lagunës në Kune, Rama ndan pamjet

Flamingot janë rikthyer në lagunën e Kune Vainit në Lezhë dhe dhurojnë spektakël me fluturimet e tyre elegante dhe plot ngjyrime mbi sipërfaqen e ujit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fluturimi i flamingove mbi ujërat e lagunës.

Ndërsa vendi ka rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura që në pjesën më të madhe janë dhe habitatet e preferuara të shpendëve, prania e flamingove nuk është më habi.

Në lagunat e shumta që ndodhen nga jugu në veri, flamingot tashmë janë banorë të mirëpritur të këtyre ujërave.

Laguna e Kune-Vainit në Tale të Lezhës është zona e parë e mbrojtur në vend, e shpallur si e tillë gati 8 dekada më parë.

Laguna e Kune-Vainit ndodhet rreth 8 kilometra larg qytetit të Lezhës dhe shumë pranë Shëngjinit. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Laguna dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish.

Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve dhe 196 lloje migratore dhe të përhershëm, e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, dhe 23 specie gjitarësh./atsh/ KultPlus.com

Rama ndan pamje nga laguna e Vilunit në Velipojë

Vetëm 2 kilometra në lindje të plazhit të Velipojës, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 300 hektarësh, laguna e Vilunit.

Me një natyrë të paprekur dhe me pyjet shekullorë të pishave, laguna e Vilunit është kthyer në destinacion tërheqës për turistët e natyrës, qofshin këta vendas apo të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga buzëmbrëmja në këtë lagunë, e cila rrethohet nga ligatina dhe komunikon me detin përmes një kanali natyror.

Dikur kjo lagunë është quajtur laguna e Lundërzës, sepse ka pasur shumë lundra, një gjitar ujor që ushqehet me peshq.

Laguna është e pasur me peshq të llojeve të ndryshëm, ndaj edhe zgjidhet shpesh për të pasionuarit pas peshkimit.

Me rreth 200 lloje shpendësh migratorë dhe të përhershëm, laguna e Vilunit ofron një peizazh fantastik në çdo stinë. /atsh/ KultPlus.com

Laguna e Karavastasë, Rama: Vizitoni një nga veprat më të përkryera të natyrës

 Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit është kthyer në një destinacion të turizmit të vrojtimit të shpendëve dhe jo vetëm, ku dominojnë më shumë flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të flamingove mbi lagunën e Karavastasë, që gjithnjë e më shumë prej kur ky park u shpall zonë e mbrojtur, po tërheqin vizitorë të shumtë.

“Fundjava e parë e 2025 me diellin që shkëlqen pavarësisht të ftohtit, është një moment i mirë për të vizituar një nga veprat më të përkryera të natyrës, Lagunën e Karavastasë”, shkruan Rama.

Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.

Flamingot ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.

Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Laguna e Karavastasë radhitet në lagunat me rëndësi të madhe si zonë e rëndësishme për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues.

Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ajo është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.

Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove, të cilat ishin tepër të rralla./atsh/ KultPlus.com