Çmim Nobel për Kurtin e Vuçiqin nëse ka marrëveshje, Lajçak: Do të kualifikoheshin, s’kam dilema

Nëse do të arrihej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund armiqësive shumëvjeçare, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të mund të kualifikoheshin për Çmimin Nobel të Paqes.

Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në një intervistë për BBC-në në edicionin serbisht.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë për këtë gjë.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai, kur është pyetur nga mediumi.

BBC shkruan se e njëjta gjë shpresohej edhe në vitin 2018, kur negocionin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel.

Ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ajo që kishte spekuluar se Thaçi e Vuçiq mund të merrnin Çminin Nobel për Paqe në rast të një marrëvëshjeje të suksesshëm.

Përpjekjet për marrëveshje përfundimtare vazhdojnë edhe tani, pas 4 viteve, mirëpo siç shkruan BBC, shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë përveç rolit të Vuçiqit: bisedimet për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë janë hedhur poshtë, Hashim Thaçi mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, Federica Mogherini është larg dialogut dhe administrata Trump në SHBA ka rënë nga pushteti. /Express/ KultPlus.com

Lajçak: Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve mbetet urgjente

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë urgjente.

Ai këtë deklaratë e bëri pas vizitës së tij në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur në Prishtinë dhe pasi pa një shfaqje për këtë temë.

“Zgjidhja për fatin e më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente. Të gjithë të dashurit – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike – meritojnë që t’iu mbyllet çështja. . Kjo është arsyeja pse unë vizitova Qendrën e Dokumentacionit, u takova me Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur dhe mora pjesë në shfaqjen e “Water and Candles””, ka shkruar Lajçak në Twitter, shkruan Gazeta Express.

Lajçak dje në Prishtinë është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin ka folur për vazhdimin e dialogut me Beogradin, derisa e ka përgëzuar për marrëveshjen e arritur për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka shkruar Lajçak pas takimit me Kurtin. / KultPlus.com

Lajçak sot në Kosovë, zbulohen detaje nga vizita e tij

Emisari special evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën në datat 27 deri më 29 qershor.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, gjatë vizitës së tij, diplomati sllovak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, liderë të opozitës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Fjalimi për media i Lajçak është planifikuar për të mërkurën, datë 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftim.

Kjo është vizita e parë e Lajçak pas nënshkrimit të marrëveshjes për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të zhgënjimit të qytetarëve kosovarë me Bashkimin Evropian pasi sërish nuk u dha drita jeshile për vizat.

Vizita e Lajçak u tha se mund të jetë edhe në kuadër të përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, i cili është paralajmëruar se mund të ndodhë së shpejti./KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut. / KultPlus.com