Në Kinë del treni që ecën deri 620 kilometra për orë

Kina ka shpalosur një prototip të trenit të shpejtë “Maglev”, që është në gjendje të ecën deri në shpejtësinë prej 620 kilometrash për orë.

Treni ka fuqi të madhe përçuese sa që e bën të duket sikur “noton” në binarët e trenit.

Treni i gjatë 21-metra u zbulua para mediave në provincën Sichuan. Ai u krijua nga Universiteti i Jiatongut. Hulumtuesit nga ky universitet krijuan edhe një shteg 165-metërsh për të demonstruar funksionimin e trenit, shkruan CNN.

Profesori He Chuan u ka thënë gazetarëve se treni do të jetë në funksion brenda 3-10 vjetësh.

Kina është shtëpia e rrjetit më të gjatë të hekurudhave në botë, me më shumë se 37 mijë kilometra shtrirje.

Treni i parë i shpejtë, “Maglev”, nisi operimin më 2003. Ai arriti shpejtësinë deri 431 kilometra për orë. /Koha/ KultPlus.com

Pyetja kurioze e vajzes 3 vjeçare që dërgoi në shpikjen e kamerës “polaroid”

Kamerat sot kanë arritur një zhvillim tejet të madh, njësoj si gjithë paisjet e tjera dhe teknologjia. Mirëpo, kamera e parë e njohur si “polaroid” u shit para 75 viteve, shkruan KultPlus.

Ishte 26 nëntori i vitit 1948 kur kamera e parë nga firma “Polaroid” u shit për 89,75 dollarë në Boston në departamentin e dyqanit Jordan Marsh.

Kjo kamerë do ta kishte një rëndësi të veçantë, sepse do të kthehej në model për shumë kamera në 15 vitet e ardhshme.

Shpikësi i kësaj kamere është Edwind Land, ku edhe ky mjet pastaj e ka marrë emrin “Land kamera”, e cila është një model i vetë-zhvillimit të kamerës së filmit, e prodhuar nga firma “Polaroid” midis 1948 dhe 1983. Pas pensionimit të Edwin Land, emri ‘Land’ u hoq nga emri i kamerës.

Ndërkaq gjeneza e kësaj shpikjeje qëndron në pyetjen e vajzës 3 vjeçare të Landit, se pse ajo nuk mund ta shihte fotografinë që sapo e kishte shkrepur. Kësisoji, kjo pyetje e dërgoj Edwind Land në Kamera Polariod Land në vitin 48.

Modeli i parë i disponueshëm komercial ishte Modeli 95, i cili shtypi për 1 minutë foto me ngjyrë “sepia”. / KultPlus.com

11 vjeçarëve që ju ndal loja në gjysmë, u vranë vetëm pse ishin shqiptarë

11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.

Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po luanin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre. Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra”, zunë të shtinin në drejtim të Dragobilit.

Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk e meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.

Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.

31 vite më vonë, krimet serbe ndaj fëmijëve, grave dhe burrave shqiptarë vazhdojnë të jenë të pandëshkuara. Në vend të kriminelëve serbë po gjykohen luftëtarët shqiptarë, moshatarët e Dinit dhe Arsimit që vendosën të kapnin pushkët e lirisë për ta ndalur vrasjen e Dinëve dhe Arsimëve të tjerë.

Autor i tekstit: Fitim Salihu / KultPlus.com

Moska e kthen sallën e sporteve në spital

Qendra e sporteve dimërore në Moskë është kthyer në spital për trajtimin e pacientëve me koronavirus për shkak të ngritjes së numrit të rasteve në valën e dytë, njofton agjencia Reuters.

Mjekët rusë kanë thënë se palestra do të shërbejë si spital i përhershëm për shkak se kapacitetet ruse po tkurren për çdo ditë, si pasojë e ngritjes enorme të rasteve me infektime.

Në këtë qendër janë të vendosura të gjitha pajisjet mjekësore për diagnostikim dhe trajtim të pacientëve, ka bërë të ditur mjeku përgjegjës, Andrei Shkoda. Ai ka thënë se Qeveria ruse ka investuar në pajisje digjitale, që mjekëve të mos u mungojnë pajisjet dhe aparaturat e nevojshme.

Rusia po përballet me më shumë se 22 mijë raste të reja me koronavirus brenda një dite, duke ngritur alarmin nga radhët e mjekëve se vendi mund të ngelet pa burime të mjaftueshme për të gjithë pacientët e shtruar.

Rusia ka bërë të ditur javën e kaluar se vaksina “Sputnik V” ka rezultuar me 92 për shkallë efikasiteti në mesin e vullnetarëve, ani pse janë testuar vetëm disa dhjetëra sosh. Kremlini po mundohet të ruajë hapin krahas laboratorëve perëndimorë. Kompanitë “Pfizer” dhe “BionTECH” tashmë kanë bërë të ditur se vaksina e tyre ka rezultuar me 90 për qind shkallë efikasiteti gjatë testimeve në mijëra pacientë të prekur me koronavirus. /gazeta express/ KultPlus.com

‘’Jeta ime është një roman aventuresk, dua ta shkruaj para se të vdes’’, Mbreti Zog vdiq para se të mbaronte romanin e jetës

“Paris-presse” ka botuar, të martën e 11 prillit 1961, në faqen n°16, një shkrim në lidhje me ndarjen nga jeta të mbretit Zog në spitalin francez “Foch”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

‘’I lindur në një pallat, vdiq në një spital.Zogu i Shqipërisë ndërroi jetë para se të mbaronte romanin e jetës së tij’’

“Princi Leka është sot për ne Mbreti i ri i Shqipërisë. Por le të vazhdojë t’i përkushtohet detyrave të tij birnore.”

Z. Messore, ministri i Mbretit Zog I, ish-sovranit të Shqipërisë i cili vdiq dje pasdite në spitalin Foch, në Suresnes, këtë mëngjes mbron hyrjen në derën e morgut në të cilin Mbretëresha Geraldinë dhe djali i saj, Princ Leka, 22 vjeç, një gjigant prej 2.07 m, vëzhgojnë trupin e mbretit pa kurorë, i cili vdiq në mërgim në moshën 65 vjeçare nga një sëmundje shumë e rëndë e mëlçisë.

Ata duhet të vendosin sot ditën dhe vendin e varrimit. Sepse, për ironi të fundit të një fati të jashtëzakonshëm, ne ende nuk e dimë se ku do të prehet ky njeri, i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk arriti kurrë të vendosej diku.

Një oficer trim, kryeministër i urryer, monark absolut pastaj i shkurorëzuar, biznesmen i shkëlqyer dhe i përndjekur, Zogu i Shqipërisë shfaqet si një personazh i një romani të humbur në zhvillimet tepër reale të historisë bashkëkohore.

Kolonel austriak në 1914

Lindur në 1895, në një fshat të vogël në Ballkan, ai bëri një jetë me plot ngjarje teatrale, e cila e çoi atë nga një pallat i Tiranës në një spital në periferi të Parisit, duke kaluar nëpër kancelaritë e Evropës, oborri i Mbretit Faruk dhe pallatet (vilat) e Côte d’Azur.

I gjatë, bjond, me sy shumë blu, i cili luante tenis dhe poker me kaq zell, ky njeri me aktivitete të panumërta kishte shumë sharm dhe një elegancë imponuese.

Kur lindi, ai quhej Ahmet Bej Zogu. Një ish-student i Akademisë Ushtarake të Kostandinopojës, ai ishte një kolonel austriak gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas luftimeve, ai u kthye në vendin e tij dhe hyri në politikë.

Aftësitë e tij e bënë atë të zgjidhej kryeministër në 1923 dhe më pas ai vendosi ta çlironte Shqipërinë nga sundimi turk për ta bërë atë një shtet modern. U përpoqën ta vrisnin; Ai kërkoi përkohësisht sigurinë në Jugosllavi dhe u kthye vitin tjetër për të luftuar ata që e kishin dëbuar.

Ai më pas u martua me Geraldina Apponyi-n, një konteshë e re dhe e bukur hungareze, me të cilën kishte rënë në dashuri vetëm duke parë një foto dhe që ishte njëzet vjet më e re se ai.

I dëbuar nga Naseri

Për shkak të feve të tyre të ndryshme, ishte vetëm një ceremoni civile, por shkëlqimi i së cilës ishte verbues. Ishte viti 1938 dhe vitin tjetër, ditën pas lindjes së djalit të saj, trupat fashiste italiane pushtuan mbretërinë e tij. E gjithë familja e Zogut iku në Greqi, pastaj në Francë.

Por për t’i shpëtuar ardhjes së gjermanëve, ai shkoi në Angli, ku jetoi deri në vitin 1941, para se të arrinte në Egjipt. Në vitin 1955, ai erdhi të vendoset në Kanë, i dëbuar nga Naseri.

Sovranët e rënë jetonin në një vilë të madhe, “Les Pierres grises”, jo shumë larg nga ajo e Pablo Picasso-s. Jeta e tyre ishte e ngjashme me atë të borgjezisë së vogël.

Asnjëherë nuk i shihnim në mbrëmjet gala. Mbretëresha bënte pazarin, princi ishte student në Sandhurst, versioni anglez i Saint-Cyr, dhe kthehej vetëm për pushime. Mbreti shkruante “Kujtimet” e tij.

“Jeta ime, thoshte ai, është një roman aventuresk. Dua ta shkruaj para se të vdes.” Por vetëm dy nga katër vëllimet janë përfunduar./ KultPlus.com

Shfaqja “Audience by Vaclav Havel” vjen premierë në Teatrin Oda

Teatri Oda do t’i hap dyert e saj për premierën e shfaqjes ‘’Audience by Vaclav Havel’’, në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, shkruan KultPlus.

Publiku do të kenë rast të shohin shfaqjen më 18 nëntor duke filluar nga ora 16:00.

‘’Audience by Vaclav Havel’’ është shfaqje me skenar të shkruar nga Jeton Neziraj, regjisor Agon Myftari dhe me aktorë Shpëtim Selmanin dhe Dukagjin Podrimajn. /KultPlus.com

Një fshat i Mitrovicës po bëhet me mural artistik

Një ndër fshtatrave më të mëdha në vend, Kçiqit të Mitrovicës po iu shtohet një mural artistik në kuadër të Green Fest, shkruan KultPlus.

Kçiqi i cili është i njohur për numrin e madh të banorëve dhe kontributin e tyre në fushën e arsimit, ekonomisë, sportit e artit, shumë shpejt do të merr një pamje të re.

Në njërin prej trafove elektrike të fshatit do të realizohet një mural artistik nga Arbnora Skuroshi bashkë me artistë të tjerë, në kuadër të Green Fest

Edicioni i sivjetëm i Green Festival është fokusuar në temën e pabarazisë me theks të veçantë në pabarazinë urbane, gjinore, sociale dhe atë në arsim./ KultPlus.com

Katër tipat psikologjik sipas babait të psikologjisë individuale, Alfred Adler

Alfred Adler ishte mjek austriak, psikolog dhe themelues i shkollës individuale të psikologjisë.

Adler ishte në mesin e bashkë-themeluesve të lëvizjes psikoanalitike në bashkëpunim me Sigmund Freud dhe një grup të vogël nga kolegët e Frojdit. Ai ishte figura e parë e madhe që iu shkëput nga psikoanaliza froidian-e, për të formuar një shkollë të pavarur psikoterapie dhe teorie të personalitetit.

Katër tipa të personalitetit sipas Adler:

I pari është tip sundues.

Ata janë që nga fëmijëria e  tej të karakterizuar nga prirja për të qenë më se agresivë dhe mbizotërues ndaj të tjerëve. Energjia e tyre, forca e përpjekjeve të tyre pas interesit personal, është kaq e madhe saqë ata priren të rrëzojnë çdo gjë ose çdonjërin që hyn në rrugën e tyre. Më energjikët midis tyre janë prepotentët dhe sadistët, disi më pak energjikë ata, që dëmtojnë të tjerët duke dëmtuar veten e tyre ku përfshihen alkoolistët, të droguarit dhe vetëvrasësit.

I Dyti është tip i varur.

Ata janë njerëz të ndjeshëm, të cilët kanë zhvilluar një guaskë rreth vetes, e cila i mbron, por ata mund të mbështeten tek të tjerët që t’i mbartin nëpër vështirësitë e tyre. Ata kanë nivel të ulët energjie dhe kështu bëhen të varur. Kur janë të tronditur, tek ata shfaqen simptomat neurotike, fobitë, obsesionet, shtrëngimet, ankthi i përgjithshëm, histeria, amnezia, e kështu me radhë, duke u varur në detajet individuale të mënyrës së jetesës.

Tipi i tretë është shmangës.

Këta kanë nivel më të ulët të energjisë, dhe mbijetojnë në thelb vetëm duke iu shmangur jetës, veçanërisht njerëzve të tjerë. Kur shkojnë në ekstrem ata tentojnë të bëhen psikopatë duke u tërhequr përfundimisht në botën e tyre personale.

Tipi i katërt është i dobishëm dhe shoqëror.

Ky është individ i shëndoshë, i tillë që ka së bashku interesin shoqërorë me energjinë. Sipas Adler, pa energji ju nuk mund të keni më të vërtetë interes shoqëror, ashtu siç nuk do të ishit i zoti të bënit ndonjë gjë për këdo tjetër. / Albert Vataj /KultPlus.com

Spitali COVID-19 ende nuk është gati, klinikat e QKUK-së të mbushura me të infektuar

Mbi 9 mijë e 400 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë mbushur me pacientë.

Një spital i veçantë për këta pacientë, është i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, thonë në Klinikën Infektive në QKUK.

Për të gjetur një zgjidhje për këtë, më 20 shtator, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, tha se Spitali COVID-19 me 500 shtretër, do të jetë gati shumë shpejt.

“Po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë ditëve në vijim do ta bëjë gati ‘Spitalin për COVID-19’, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte shkruar ndër të tjera ministri Zemaj në profilin e tij në Facebook.

Por, ky spital me këta shtretër për të cilët kanë nevojë klinikat në QKUK, ende nuk është gati.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje gjatë së enjtes nga ministri Zemaj për të ditur më shumë se kur do të jetë gati ky spital, mirëpo ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përballjen me COVID-19 e ka cilësuar si ‘një situatë të luftës’, pas vizitës që bëri të enjten në Klinikën Infektive, bashkë me ministrin Zemaj.

Hoti ka kërkuar të rritet efikasiteti në ofrimin e shërbimeve në QKUK dhe në spitalet rajonale, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të valës së dytë të pandemisë.

“Jemi duke bërë përpjekje maksimale bashkë me stafin mjekësor që të përmirësojmë furnizimin me oksigjen, të adaptojmë klinikat me shtretër shtesë, të angazhojmë krejt stafin, mjekë nëpër fusha të ndryshme, që të bëjnë punën ekipore për t’u dalë në ndihmë pacientëve”, tha kryeministri Hoti.

Klinikat në QKUK, të mbushura me pacientë

Në dy javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i testimeve për COVID-19 dhe po ashtu është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të vdekurve.

Në shumicën e klinikave në QKUK, është duke u punuar me kapacitete të plota dhe ato janë të stërmbushur me pacientë. Situatë e njëjtë është edhe në spitalet rajonale.

Infektologu Salih Ahmeti tregon për Radion Evropa e Lirë se në javët e fundit, nuk kanë mundur t’i pranojnë në Klinikën Infektive të gjithë ata pacientë që kanë pasur nevojë për hospitalizim.

Ata janë dërguar në klinika të tjera, si në Pulmologji apo edhe në Mjekësinë Sportive.

“Në dhjetëditëshin e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë të domosdoshme për hospitalizim. Kryesisht janë raste të rënda, raste të cilat duhet të hospitalizohen dhe duhet të trajtohen me urgjencë. Në Klinikën Infektive ka dy javë apo dhjetë ditë që punojmë me kapacitete të plota”, thotë Ahmeti.

Infektologu Ahmeti thotë se një spital i tillë me 500 shtretër, është i domosdoshëm në këtë kohë, marrë parasysh se me fillimin e stinës së dimrit, situata epidemiologjike do të vështirësohet edhe më shumë.

“Është më se i nevojshëm dhe ai spital duhet të jetë në dispozicion tonin sa më parë. Dashtë Zoti të mos kemi nevojë ta shfrytëzojmë, por ne duhet të përgatitemi për rastet më ekstreme të kësaj epidemie. Ne kemi nevojë të kemi numër më të shtuar të shtretërve për personat që kanë nevojë për hospitalizim dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë nevojë për kujdes intensiv”, thotë Ahmeti.

Çfarë është Spitali COVID-19?

Me qëllim të rritjes së kapaciteteve për t’u përballur sa më mirë me pandeminë e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), synojnë të bëjnë gati ‘Spitalin COVID-19’.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, objekti i Klinikës Emergjente do të adaptohet për nevojat e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Spitali COVID-19 është paraparë të ketë 500 shtretër dhe do të hospitalizohen kryesisht pacientët me COVID-19.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 22 tetor, pati deklaruar se janë duke përgatitur infrastrukturën në QKUK, që të ketë sa më shumë shtretër në dispozicion për pacientët me COVID-19.

Kosova po përgatitet për rritje të rasteve me COVID-19

Krasniqi kishte thënë se janë në përfundim të punimeve në objektin e Mjekësisë Sportive, për t’u vendosur shtretër shtesë, si dhe është duke u bërë zgjerimi i rrjetit me oksigjen dhe furnizimit të pajisjeve me oksigjen për gjitha spitalet në Kosovë.

Që nga fillimi pandemisë në muajin mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 26,888. Prej tyre, 784 pacientë kanë humbur jetën dhe 16,685 janë shëruar, derisa janë edhe 9,418 raste aktive.

Të enjten, Qeveria e Kosovës miratoi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat do të hyjnë në fuqi të premten, nga ora 18:00. /gazeta express/ KultPlus.com

Festivali mbarëkombëtar i Preshevës “Ditët e Komedisë Shqiptare” bashkoi artdashësit

Dje pasdite ka ulur perden Festivali Teatror mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë Shqiptare” i cili u mbajt në qytetin e vogël por artdashës të Preshevës. Festivali u mbajt në skenën e teatrit “Abdulla Krashnica”.

Megjithëse në kushte shumë të vështira prej Covid-19, organizatorët e kësaj ngjarje u kujdesën që të zbatoheshin në mënyrë rigoroze të gjitha rregullat e përcaktuara në protokoll, por që gjithashtu ky festival të mbante edicionin e tij të radhës.

Ky festival pati një juri mjaft prestigjioze të përbërë nga artistë shumë të njohur të skenës teatrore si Fatos Berisha, Musa Isufi dhe Kastriot Saqipi. Në fund të këtij eventi u shpërndanë çmimet vlerësuese për disa nga shfaqjet qe u vlerësuan si produksionet më të mira.

Shfaqja “Sot 8 ditë” ishte produksioni i Teatrit të Metropolit i cili arriti të merrte tre çmime të rëndësishme. Kjo shfaqje u vu në skenë nga regjisorja Elona Hyseni dhe me aktorë si Ermir Hoxhaj, Xhino Musollari, Ermir Jonka, Margent Caushi, Klea Konomi, Alba Shtëmbari, Klodjana Keco, Ergys Baki, Glen Shutina, Valdano Bajrami, dhe Joana Omeraj.

Regjia më e mirë, shfaqja më e mirë ishin dy çmimet e rëndësishme në këtë shfaqje, por edhe aktori më i mirë që iu dha aktorit të njohur Margent Caushi i cili ishte pjesë e po të njëjtit produksion. /ata/ KultPlus.com

Presidenti i shtetit të varfër që i bën statujë ari qenit të preferuar

Presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov, ka inauguruar një statujë ari të racës së preferuar të qenit të tij në kryeqytetin e këtij vendi, Ashgabat, ndonëse një pjesë e madhe e popullit është në varfëri.

Kreu i shtetit të Azisë Qendrore personalisht e zbuloi statujën gjashtë metra të lartë. Raca Alabay është një racë e qenit të barinjve në Azinë Qendrore dhe cilësohet si trashëgimi kombëtare në Turkmenistan.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti turkmen e nderon këtë racë qensh. Vitin e kaluar, ai shkroi një libër për këto kafshë, shkruan BBC

Pavarësisht bukurisë së statujës, një pjesë e madhe e popullsisë së Turkmenistanit mund të mos i jetë gëzuar shumë kësaj vepre, sepse jeton në varfëri. Ky shtet radhitet në mesin e vendeve me më së paku liri të medieve nga organizatat ndërkombëtare, madje gjendet edhe më poshtë se Koreja Veriore.

Statuja e qenit është vendosur në një zonë banimi që është ndërtuar për shërbyesit civilë, ndërsa kostoja e objetit nga ari nuk dihet.

Mediet shtetërore thanë se kjo statujë i reflekton krenarinë dhe vetëbesimin e qenit Alabay.

Në dhjetor të vitit 2011, organizata “Transparency International” e vlerësoi Turkmenistanin si vendin e tretë më të korruptuar në botë. /gazeta express/ KultPlus.com

Përfundon edicioni i pestë i Novelave Grafike Shqiptare

Në ambientet e odeonit të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua konkursi i Novelave Grafike Shqiptare ku u ndan dhe 8 çmime për pjesëmarrësit.

Ky event i cili këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 5-të është kthyer në një traditë të përvitshme duke sjell pranë publikut krijime të veçanta dhe duke i dhënë një mbështetje të madhe artistëve të cilët punojnë dhe zhvillojnë këtë zhanër të grafikës.

Në këtë konkurs u ndan 8 çmime ditën e djeshme, ku tre prej tyre ishin çmimet klasike që u vlerësuan me një mbështetje materiale, në mënyrë që artistët të vazhdojnë të investojnë në rrugëtimin dhe talentin e tyre.

Me çmim të parë me punimin më të mirë në këtë konkurs u vlerësua Artiol Izri, me çmim të dytë Klejdi Domi dhe me çmimin e tretë Adrian Engjëlli. Çmimet e tjera ishin vlerësues dhe inkurajues që gjithashtu edhe për këta të fundit kishte një ndihmë financiare.

Në këtë konkurs morën pjesë 46 pjesëmarrës të moshës nga 14-18 vjeç. Pjesëmarrësit vinin nga shkolla artistike të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

Ky projekt vlerësohet nga Ministria e Kulturës e cila ishte edhe organizatore, si një mënyrë mjaft e mirë për të ndihmuar brezat e rinj të artistëve, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor nëpërmjet arteve. Konkursi i Novelave Grafike ka rezultuar shumë i suksesshëm në të pestë edicionet e zhvilluara. Duke parë interesin e madh të artistëve, Ministria e Kulturës disa ditë më parë ka hapur konkursin për edicionin e radhës që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. /aa/ KultPlus.com

Foto nga Shqipëria që u bë lajm në mediet botërore


Pikërisht një foto e Reuters, agjencisë britanike të lajmeve, është bërë virale në rrjetet sociale e mediat e huaja.

Ajo tregon një punonjës të ekipeve të shpëtimit teksa ngre flamurin shqiptar mbi rrënojat e një godine në Durrës pikërisht me 28 Nëntor 2019, që është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo është bërë foto hit në botë nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe disa media kryesore. / KultPlus.com