Skiatorja e Shqipërisë, Lara Colturi e 9-ta në botë

Skiatorja e Shqipërisë, Lara Colturi arriti rezultatin më të mirë në karrierën e saj në Kupën e Botës.

17-vjeçarja vendosi kohën më të mirë në zbritjen e dytë, 23 të qindtat më e shpejtë se Mikaela Shiffrin që fitoi garën.

Në këtë mënyrë Lara Colturi u ngjit me 17 pozicione nga zbritja e parë, raporton Tvklan.al.

“Jam shumë e lumtur për këtë garë. Më në fund arritja të bëj atë që kam dhënë në stërvitje. Në zbritjen e parë u nisa e 60 në radhë pista ishte jo në gjendje të mirë, por u kualifikova në të dytën ku dhamë maksimumin dhe realizova atë kohë”.

Ndalesa e radhës për 17-vjeçaren do të jetë fundjavën e ardhshme në Jasna të Sllovakisë.

Colturi merr pjesë në garat e Kupës së Botës nga Nëntori i 2022-tës. /KultPlus.com

Skiatorja Lara Colturi, paraqitje pozitive në garat e slalomit “World Levi Cup”

Skiatorja shqiptare, Lara Colturi ka regjistruar paraqitje tejet pozitive gjatë garave të slalomit “World Levi Cup” në Finlandë.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) bëri të ditur sot se, Colturi është renditur në vendin e 22-të gjatë ditës së parë mes 65 skiatoreve, ndërsa në garën e 30 skiatoreve më të mira të botës, ajo u pozicionua në vendin e 25-të.

Vajza e kampiones olimpike, Daniela Ceccarelli, u rikthye të garojë pas një dëmtimi të marrë në gju vitin e kaluar.

KOKSH nënvizon se, falë saj, Shqipëria po bëhet e njohur kudo në botë edhe në këtë disiplinë sportive.

“World Levi Cup” bën bashkë sportistët më elitarë të skive, duke u përfaqësuar denjësisht me paraqitjet e Lara Colturi-t. /KultPlus.com

Skiatorja Lara Colturi shpallet kampione bote në garën e Skive Alpine

 Skiatorja Lara Colturi u shpall kampione bote në garën e Skive Alpine, kategoria Super G, në Kampionatin Botëror të skive për moshat në Kampionatin Botëror për të Rinj që po zhvillohet në St. Anton am Arlberg të Austrisë, njoftoi sot Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Ajo shënoi kohën 1:01.64 duke lënë pas zviceranen Grob dhe italianen Calaba, duke triumfuar midis 37 konkurrenteve.

Kjo është medalja e parë që Lara Colturi merr si përfaqësuese e Shqipërisë.

Ndërsa ditën e djeshme Lara Colturi fitoi medaljen e artë në disiplinën e Downhill për moshat nën 18 vjeç.

Lara Colturi do të garoje edhe në kategorinë Gjigant të Skive Alpine, në datë 21 Janar dhe më pas do t’i drejtohet Kronplatzit për ndalesën e radhës në Kupën e Botës, bëri të ditur Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). /atsh /KultPlus.com

15-vjeçarja Lara Colturi, skiatorja më e re që garon në Kampionatin Botëror

Skiatorja Lara Colturi bëhet atletja më e re që garon në Kampionatin Botëror.

Lajmin e dha kreu i bashkisë së Tiranës, i cili u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “në moshën 15-vjeçare, Lara Colturi, bëhet atletja më e re që garon në Kampionatin Botëror”.

Veliaj theksoi se, “skiatorja e talentuar do të debutojë në Kampionatin Botëror në hapjen madhështore në Sölden, më 22 tetor”.

Laura Colturi që përfaqësoi Shqipërinë në garën në Kili u rendit në vendin e parë, në një garë ku morën pjesë 40 skiatorë. Ajo la pas vendin e dytë me mbi 6 sekonda, ndërsa arriti rekordin me 28.5 pikë për Shqipërinë. /atsh /KultPlus.com

Skiatorja shqiptare, Colturi fiton 4 medalje ari në Kili

Sportistja shqiptare Lara Colturi ka fituar 4 medalje ari në garat e skive që ka zhvilluar në Kili.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi uroi sot sportisten kuqezi duke u shprehur se sportistja ka tejkaluar çdo pritshmëri.

“Sportistja jonë kuqezi Lara Colturi arrin rezultate të jashtëzakonshme në 4 garat e saj që u zhvilluan në Kili. Ajo fitoi 4 medalje ari , 2 në Giant Sllalom dhe 2 në Sllamom, duke tejkaluar çdo pritshmëri nisur nga mosha 16-vjeçare”, u shpreh Kushi në një postim në rrjetet sociale.

“Lara tashmë është në Argjentinë, ku do të zhvillojë 4 garat e rradhës në kuadër të sezonit të Amerikës Latine. I urojmë shumë suksese Laras për këtë përfaqësim dinjitoz të flamurit shqiptar”, theksoi Kushi. /KultPlus.com