‘Seç u mbush e shkreta Vlorë, plot me krushq e me dasmorë’

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë. /KultPlus.com

37 vite pa Lasgush Poradecin, mungon shtëpia muze në qytetin e lindjes për poetin

Banesa që shihni mbrapa meje është shtëpia ku ka jetuar poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. Përpara 37 viteve ai do të largohej nga kjo jetë e sot, ai nuk nderohet me një shtëpi muze, ashtu siç është premtuar për dhjetëra vite nga Bashkia e Pogradecit.

Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë mbrapa një pasuri të madhe letrare për poezitë e letrat shqipe.

Poeti i madh pogradecar ende nuk ka një shtëpi muze, ku të vihen në pah për turistët e vizitorët vendi ku ka jetuar apo sende personale të tij.

Budjon Xhelo është njeri nga njerëzit që pati mundësinë ta njihte nga afër poetin, dhe sot e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze.

“Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit por edhe me gjerë, ministrinë e kulturës që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushi të gjallë, e kam nderuar të vdekur. Duhet ndërtuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, ka më turp?” tha Xhelo.

Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim pritet të jetësohet së shpejti, me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti.

“Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që bashkia Pogradec ta bëjë e me pare. Ajo është godine private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve. Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj”, u shpreh Paskalino Ziko, nënkryetar i Bashkisë Pogradec.

Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit nuk pati asnjë aktivitet në qytetin ku ai lindi e u rrit, për të cilin shkroi deri në frymën e fundit./euronews/ KultPlus.com

‘Mu zu një mall’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më zu një mall dhe sot,
E s’mund t’a shuaj.
Ri vasha largë-o Zot,
Që kaq po vuaj.

Kalojnë kot më kot
Muaj me muaj.
S’vjen vasha sot as mot,
Pa heq e vuaj.

Nuk vjen, e më s’di dot
Ç’t’i them t’i shkruaj!
Ah! mëndja po më lot
Që s’plas e vuaj!

Në vëndin t’im o Zot,
Jam vetë i huaj.
M’a sill ti vashën sot,
Që kaq po vuaj.

Përse të dua

Poezi nga Lasgush Poradeci

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.

Dhe të humba largë,
Dhe të ndoqa largë,
Dhe të gjeta largë-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

Kur të më jesh e zemëruar

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti m`u rrëfeve për sëpari shkrepëtimtare në stoli,
Un` ëndërrova se në zemër po më valon një mall i ri.
O, ç’ka që m`u venit qipalla me kaq të ngjethur të pafaj?
Haj!shkretëtirë-e-zemrës`s`ime! Dhe haj! e zeza jetë,haj!

Posi një yll i perënduar më pate humbur gjithë më larg…
Nga malli yt i thura fjalët gjith sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur vetëm n`ërgjënd e në flori,
O,vashë-e lotit të zhuritur që vetëtin nër syt` e mi.-

Prej largësisë së pa anë kalon durimi mot-me-mot…
Pas kaqe kohë dhemshurije,ndaj vëndi-i lum as eja sot!
Në gjirin t`ënd të llaftaruar m`a lerë mëndjen t`a humbas,
Të ndjej si zemra më gatohet plot me dëshir` e plot me gas.
Ti buzëqesh-më-zilitare,e më çkëlqe si vetëtim,
E më vështro me sy pëllumbi drejt mun në fund të shpirtit t`im;
Se gazi-i-kthjellt` i lumtërisë, që çel si lulja në mëngjes,
Si lule-e pastër do më mbijë në krahruar mun në mes:
Kur të më jesh e zemëruar, më shpirt të vrarë-e varfnjak,
N`e mbajç në zemër zembëratën, prej helmit t`ënd s`do heq aspak;
S`do psherëti n`e lënc të vdesë,a në `m`a thënc,në mos m`a
thënc:
Mjafton një mvrejtje-e buzës s`ate,që të më bësh të prishem
menc./ KultPlus.com

Syt’ e Lumtur

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ishe vogeloshe…isha mituri…
Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perendimi me te vagelluar
Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar.
Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur,
shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur.
Kur me pe se pari, more-e m’u largove,
Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove,
Kur me pe se treti, more-e me pushtove,
Te putha ne gushe, ti m’u turperove,
Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com

Shqipëri, të qofsha falë, të kam nënë e më ke djalë…

– Poezi nga Lasgush Poradeci

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë

Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë.

Zemërimi jonë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe,
Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re,
Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot,
M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-
Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:
Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,
Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri./ KultPlus.com

Syt’ e tu, vetëtimtarët

Poezi nga Lasgush Poradeci

Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi.
Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh.
Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh
Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.

Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar.
Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija:
M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija:
Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…

Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim;
Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte.
Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte,
Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.

Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht.
Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar.
Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar,
Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht./ KultPlus.com

‘Kush ta fali bukurinë’

Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë. /KultPlus.com