Me hidhërim të thellë njoftojmë largimin e papritur nga jeta të Latif Ajrullai, Presidentit të kompanisë ALBAS.
Latif Ajrullai u largua nga ne në kulmin e veprimtarisë së tij, kur kompania që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip. I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magjistër në Farmaci, për shumë vite ka punuar si profesor i kimisë.
Ai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë. Latif Ajrullai, si atdhetar e vizionar, së bashku me partneren e tij, poeten e mirënjohur Rita Petro, realizuan një ëndërr të tyren për të bërë tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në të gjitha trevat shqiptare. Ata ngritën që në vitin 2000 kompaninë e mirënjohur ALBAS në Shqipëri, me degët e saj në Maqedoni, Kosovë, Preshevë për të sjellë librin shqip sa më afër nxënësve e lexuesve shqiptarë në hapësira të ndryshme gjeografike, si dhe në diasporë.
Latif Ajrullai ka nxitur dhe ka përkrahur bashkëpunimin dhe punën me grupe autorësh, ku bëjnë pjesë studiues të njohur të fushave të caktuara të këtyre trevave, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.
Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të shquar si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore, për respektimin e konkurrencës së ndershme në tregun e librit, ka denoncuar hapur e me guxim çdo shkelje apo padrejtësi dhe ka ndikuar në përmirësimin e legjislacionit të teksteve shkollore.
Ishte largpamësia dhe këmbëngulja e Latif Ajrullait që për herë të parë në Shqipëri u ngrit platforma digjitale “Portali Shkollor Albas”, dhe u digjitalizuan të gjitha tekstet shkollore, duke ndihmuar në modernizimin e procesit mësimor. Gjatë muajve të fundit, veçanërisht gjatë izolimit prej COVID-19, kjo platformë zuri një rol kryesor në mbështetjen e mësuesve dhe nxënësve me lehtësinë e përdorimit online dhe shkarkimin e materialeve dhe librave të shumtë shkollorë. Në kërkim të rritjes së cilësisë grafike e të shtypshkrimit, ishte nisma e Latif Ajrullai për ngritjen e një prej shtypshkronjave më moderne, me standarde europiane në Shqipëri, me investim shqiptaro-kroat, Deaprint.
Si President i kompanisë ALBAS, do të kujtohet për këmbënguljen në zbatimin e ligjeve dhe të rregullave të biznesit, për mbështetjen e punonjësve, për ngritjen profesionale të tyre përmes trajnimeve, për autoritetin dhe për këmbënguljen në realizimin e të gjitha projekteve të kësaj kompanie në fushën e dijes.
Ajrullai ishte një biznesmen vizionar, që drejtohej sa nga përpikëria e fakteve, aq dhe nga zemra dhe dashuria për punën. Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten dhe do të vlejnë për t’i çuar edhe më tej projektet e tij të lëna kaq brutalisht përgjysmë.
I shprehim ngushëllimet familjes dhe i urojmë partneres së tij, Rita Petro, drejtoreshës së shtëpisë botuese ALBAS, të gjejë forcë për të përballuar një humbje kaq të madhe dhe për ta çuar para misionin fisnik të librit.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë Latif!/ KultPlus.com