Flonja Haxhaj
Sot në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur takimi i parë i ngjarjeve ‘Ora e shkrimtarit’, organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, ku u përkujtua poeti, profesori dhe veprimtari, Latif Berisha, shkruan KultPlus.
Në takimin ku u fol për jetën e veprimtarit Berisha, moderatori Binak Kelmendi, fjalën ia dha kushëririt të tij, shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, i cili e nis fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për veprimtarinë e tij.
“Ai ngreh kokën e fjalës së shtypur në një qiell të dendur. Në fotot e tij, edhe në tekste shkollore që do të përfshihet nga vitet 1960, madje edhe shumë vite më vonë, shquhet fotoja, me ngjyrën e zezë, sikur ky njeri të kishte jetuar në kohë të lashta. Por nga fotografia kuptohet sa butësia po kaq edhe rezgnimi i tij. Ai sikur jeton me njërën dorë në degën e optimizmit dhe me tjetrën, në degën e pesimizmit. Cfarë thonë 30 vjersha për lexuesin e paktë, për shkak të anlafabetizmit masiv, për të parë si mendon dhe komunikon estetikisht shkrimtari i ri thuajse, nga modesita, ireal. Një libër që botohet në Prishtinë nga një i ri që vinte nga një familje pa traditën revolucionare të zakonshme të shumicës së shkrimtarëve të kohës, dhe nga një ambient tradicional rural, por ai i arsimuar maksimalisht për moshën dhe ambientin.” – thotë Berisha.
Ibrahim Berisha më pas analizon poezinë e tij, ‘Tufa’ e cila sipas Berishës jep një mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale.
“Për të gjetur këtë harmoni, prandaj kanga e tij do të jetë mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale. Është në poezinë e tij, bota, që e ai e ndjen dhe e transmenton vetëm si jehonë të largët, ambientale, po aq edhe emocionale, e shkrirë në detajet e pasura të natyrës së jetuar të tij dhe të njerëzve të tij. Edhe memorie sugjestive, edhe ëndërr ndëshkuese, po edhe mendim i pakryer qëllimshëm.”- shton më tutje Berisha.
Publicisti Berisha gjatë analizës së jetës dhe veprës së Latif Berishës, vë në pah edhe katër tematikat që e kanë karakterizuar atë, e që sipas tij janë Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria.
E fjalimin e tij në përkujtimin e Latif Berishës, Ibrahim Berisha e përmbylli me një maksimë të Horacit. “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të. Profesor Latif Berisha edhe jetoi edhe vdiq për atdheun. Domethënë vazdon të jetojë përherë në të”-përfundoi ai.
Në takimin ku u përkujtua profesori Latif Berisha, i cili u vlerësua edhe për kontributin në çështjet e atdheut, ishte i pranishëm edhe doktori i Letërsisë, Sali Bashota.
“Latif Berisha ishte njeri i letrave. Trazimet dhe shqetësimet e hershme shpirtërore, fillimisht i manifestoi përmes poezisë, kur më 1957 e botoi edhe vëllimin “Tufa”. Gjatë jetës së tij nuk botoi me libra me poezi. Veprimtarinë e tij e funksionalizoi me studimin letrar duke shkruar për autoret e traditës poetike shqipe: Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Hil Mosi, Ali Asllani etj., ndërsa projektet e tij shkencore të pambaruara mbeten epoka e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, si dhe krijimtaria letrare e arbëreshëve.” – tregon Bashota, shkruan KultPlus.
Duke folur më tutje, Bashota e cilëson vrasjen e tij në vitin 1999 nga serbët, një humbje të madhe për tërë kombin shqiptar.
“Portreti tij poetit e intelektualit mund të përplotësohet me visaret më të çmueshme që ka njeriu. Ai nuk urrente, nuk kishte zili, as nuk hidhërohej. Gëzohej për sukseset e të tjerëve dhe e admironte punën e vërtetë krijuese, talentin, dijen, përkushtimin. Latif Berisha me kohë e kishte formuar identitetin intelektual, si një krijues pasionuar, i cili punonte në fushën e letërsise, te kultures, por edhe për çështjen kombëtare. Kishte respekt dhe dashuri të madhe te njerëzit. Ai ishte veçante ne jetë dhe në vepër. Vrasja e tij me 24 mars 1999 nga serbët është humbje e madhe për letërsinë, kulturën shqiptare dhe tërë kombin.” – shton ai.
Profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në këtë fjalin nuk lë pa e përmendur dhe analizuar veprën e tij e sidomos vëllimin me poezi ‘Tufa’.
“Dialogu me veprën e Latif Berishës pas me shume se dyzet vjetësh të botimit të saj, i ngjan kujtimit, i cili ringjallet tashti në formë të dhembjes për njeriun dhe te dashurisë për poetin. Ky karakterizim ka të bëjë me “Tufën”, vëllim qe ndahet në tre cikle: “Vargje për lin”, “Mbresa katundi” dhe “Gjurmave të rinise”. Frymezimet e poetit mbeshteten në fatin njerezor, ambientin rural, temat intime. Ne pamjen e pare “Tufa” e Latif Berishës shtreson ide dhe imazhe qe funksionalizohen me vrullet dhe çastet e zgjimit të shpirtit krijues. Fati atdheut i ka ushqyer simbolet e enderrimit të tij poetik dhe teme themelore bëhet gjithsesi liria.” –shton më tutje Bashota.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, i cili foli para pjesëmarrësve për jetën dhe veprimtarinë e Latif Berishës, të cilin fillimisht e pati professor e më pas edhe bashkëpunëtor.
“Unë kam qenë student i Latif Berishës, ai ka qenë një professor komplet, në kuptimin më të mirë të fjalës, për shumë vite kemi bashkëunuruar me të dhe Ibrahimin në LDK dhe unë për disa vite kam qenë i komanduar bashkë me Fatmir Sejdiun të punoj në degët e Skenderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Leposaviqit ku ai ka qenë kryetar i degës. Dhe ne kemi pasur situatën më komode ë Mitrovicë sepse ai ka qenë një njeri që e ka ruajtur unitetin, e ka ruajtur fuqinë e e veprimit. Dega e LDK-së në Mitrovicë,në mësin e shumë gjërave të tjera ka furnizuar edhe UÇK-në me ushqime dhe me furnizime të tjera që kanë pasë nevojë, dhe profesori Berisha ka qenë ideatori dhe njeriu kryesor që është marrë me organizime të kësaj natyre. Vrasja e tij më 24 mars dhe e Agim Hajrizit e ka një simbolikë për ndarjen e Mitrovicës sepse këta kanë qenë dy liderë shumë të rëndësishëm të Mitrovicës pa të cilët nuk do të mund të shpërbëej kompaktësia e Mitrovicës.” – thotë profesori Krasiniqi.
Për fund, fjalën e mori edhe vajza e tij, Fatmire Berisha, e cila rrëfeu momente nga jeta e shkrimtarit, dhe lidhjen e veçantë që ajo kishte me babanë e saj.
“Ora e Shkrimtarit, sikur më lidhi për një moment me një orë që e kemi ndoshta atë kemi të vetmen gjë që na ka mbetur prej Latifit, dhe më vjen mirë që dëgjova shumëçka që edhe unë si vajzë e tij në faza të ndryshme të jetës së tij dhe times i kam jetuar bashkë me të, ndoshta kjo është pak personale por unë fillimisht kam qenë student e fakultetit të mjekësisë mirëpo ajo lidhja e veçantë që e kam pasë me të më ka bërë të riorientohëm dhe të kthehem nga letërsia, dhe pa modesti e them që gjithmonë e kam pyetur vetën se a jam e vetëdijshme se çfarë njeriu kam afër vetes se vërtet qëndron ajo që e tha profesori Bashota, se ai ka qenë një njeri shumë shumë i veçantë. “-rrëfen ajo
Ajo ndan me të pranishmit edhe një rrëfim të përpjekjeve që ajo dhe profesori Berisha bënë për të fshehur dorëshkrimet e tij, që të mos digjeshin nga forcat serbe, e për të cilat dorëshkrime, vajza e tij Fatmirja thotë se i ka mbetur peng që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.
“Ka qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve, provuam unë bashkë me të dhe e hapëm një gropë, shtëpia jonë qëndron ende, në lagjen më promblematike të qytetit të Mitrovicës, aty ku kemi jetuar më tepër se 40 vite dhe provuam që t’i shmangim ato dorëshkrimet e tij dhe dolëm bashkë në oborr e hapëm një gropë të madhe në oborr dhe aty filluam t’i strehojmë, mirëpo ai e ka ditur shumë saktë çfarë do të ndodhë, e hapëm gropën, por shtëpia jonë ka qenë në mesin e fqinjve serb, e në mometin e fundit ai tha t’i lëmë aty ku janë, sepse po t’i vendosim këtu është si t’i vëmë në gojën e ujkut. “– thotë vajza e Latif Berishës e cila për fund thotë se më së shumti mërzitet që serbët i kanë djegur dorëshkrimet dhe bibliotëkën e tij, duke mos u mbetur asgjë si kujtim.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani./KultPlus.com