Latra Gashi prezantoi artin e saj në KultPlus Caffe Gallery, vizatoi fytyrat e fëmijëve për Halloween

Sot, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, artistja Latra Gashi prezantoi punën e saj artistike përmes ngjyrosjes së fëmijëve të cilët të entuziasmuar mezi prisnin të shndërroheshin në atë që ata kishin përzgjedhur për këtë Halloween, i cili duke pasur parasysh situatën pandemike erdhi shumë më ndryshe për ta, mirëpo nuk e zbehu kënaqësinë e tyre për asnjë moment, shkruan KultPlus.

Latra Gashi ka pesë vjet që realizon vizatime të tilla dhe talenti i saj veç sa shkon e merr formë duke e bërë atë një artiste të re por me potencial shumë të madh. Larta edhe pse studion në dy fakultete të ndryshme, në drejtimin e Logopedisë dhe atë të Gjuhës Shqipe, për të arti ka një vend të veçantë dhe gjasat që ajo të vazhdojë në rrugën e artit nuk janë të vogla.

Zakonisht puna me fëmijë shpesh din të jetë stresuese, duke u munduar që gjithmonë të u përshtatesh kërkesave të tyre, mirëpo, për Latrën kjo gjë ishte shumë e thjeshtë. Ajo me lehtësinë më të madhe, pikturonte mbi fytyrat e fëmijëve e komunikonte me dëshirat e tyre në një mënyrë të heshtur që rezultonte në një art të pashoq.

‘U kënaqa shumë, më pritën mjaft mirë që të gjithë. Fëmijët ishin shumë të sjellshëm dhe poashtu shumë bashkëpunues. Jam munduar që t’u përshtatem kërkesave të tyre dhe ata janë ndarë mjaft të kënaqur’, potencoi Latra Gashi për KultPlus.

Latra Gashi bëri një punë të mhanitshme në fytyrat e këtyre fëmijëve, ata nuk ndaleshin së qeshuri për asnjë moment e së komplimentuar njëri tjetrin.

Halloween është një nga festat më të preferuara të fëmijëve dhe të rinjve, kryesisht për shkak të veshjeve dhe ëmbëlsirat që ndahen atë natë. Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se si filloi kjo festë dhe pse është kaq popullore sot.

Ndërkaq, për ata që nuk e dijnë, vlen të theksohet fakti se fillimi i festës së Halloweenit daton që nga shekulli i pestë, kur keltët e lashtë festuan zotin e Diellit dhe zotin e Vdekjes. Më 1 nëntor, ata shënuan fillimin e vitit të ri.Keltët besonin se atë natë të vdekurit lanë varret e tyre dhe ecnin mbi tokë, dhe për të shmangur ndeshjen me ta, krijuan një zhurmë të madhe dhe u mbuluan me maska të frikshme. Besohet gjithashtu se të vdekurit po vinin pas ushqimit, kështu që ata mbetën në shtëpitë e tyre, duke lënë fasule ose patate dhe një qiri të ndezur.

Kjo ngjarje kulturore u mbështetet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com

Vizatim fytyre në KultPlus Caffe Gallery, Latra Gashi do të prezantojë punën artistike

Të shtunën, prej orës 12:00, në KultPlus Caffe Gallery do të organizohet një prezantim për fëmijët dhe të rinjtë, ku do të ndërlidhet kreativiteti i të rinjve në fushën e artit, shkruan KultPlus.

Në këtë prezantim artistik, procesi i vizatimit të fytyrës do të bëhet nga Latra Gashi, një talente e kësaj fushe, e cila tashmë e disa vite është duke e dëshmuar punën e saj në këtë fushë.

Të interesuarit mund ta shohin nga afër punën e Latrës, e cila do të demonstrojë punën e saj te një numër i vogël i fëmijëve.

Kjo ngjarje kulturore mbështetet nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë./ KultPlus.com