Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka ndarë lajmin se së shpejti në Tiranë do të zhvillohet koncerti i këngëtares së famshme amerikane Laura Pergolizzi, e njohur botërisht si LP.
“Këngëtarja me famë botërore Laura Pergolizzi, e njohur si LP, vjen në Tiranë për super koncertin e saj me hitet më të njohura dhe të dashura për publikun”, shkruan në rrjetet sociale kryebashkiaku Veliaj. Koncerti suprizë i LP, do të zhvillohet ditën e diel, datën 9 tetor, ora 20:00, në Pallatin e Kongreseve.
Laura Pergolizzi, e lindur në Long Island, në 1981, nga prindër italianë, preferon të njihet me emrin artit LP. Vlerësohet për aftësi të larta vokale dhe mjeshtërinë e fishkëllimës artistike. Megjithëse kishte vite që merrte pjesë në koncerte anembanë Amerikës, fama botërore i erdhi kur kënga e saj “Lost on you” kapërceu oqeanin dhe arriti Europën. Ajo është një nga 4 këngët më të kërkuara në aplikacionin Shazam. Emrin LP ajo e përdor edhe në jetën private, ku identifikon veten si gjini neutrale./atsh/ KultPlus.com