Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo, për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.
Në takim me Presidentin Cortizo, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.
Presidentja ka falënderuar Presidentin Cortizo për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror. “Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë” , theksoi Presidentja Osmani gjatë takimit.
Presidentja Osmani dhe Presidenti Cortizo gjithashtu kanë diskutuar për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën e ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës edhe më tutje në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, Presidentja përmendi edhe potencialin për investime të huaja në Kosovë, si mundësi e mirë e shkëmbimit ekonomik në mes të dy vendeve.
Gjatë vizitës zyrtare në Panama, Presidentja Osmani është duke realizuar takime me udhëheqës të lartë shtetëror, komunitetin e biznesit, ndërmarrës si dhe ka marrë pjesë në disa iniciativa të ndryshme kulturore. Presidentja Osmani gjithashtu do të përurojë shtatoren e Shën Terezës në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa. / KultPlus.com