Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen së shpejti për t’i dhënë gjallëri jetës kulturore në vend. Një prej aktiviteteve që pritet të nisin në muajin shtator, është EA Festival – Freedom & Transformation. Ky festival vjen në Shqipëri përgjatë Javës Kulturore Britanike.
EA Festival – Freedom & Transformation është një festival idesh kuruar nga Lea Ypi, profesore në Teori Politike ne Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, Profesore Nderi në Filozofi në Universitetin Kombëtar Australian, autore e librit “Të Lirë”, përkthyer në 30 gjuhë të botës. Festivali vjen në Durrës e Tiranë më 21 dhe 22 shtator.
“Liri dhe Transformim” është një event dyditor kulturor ku shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë do të diskutojnë mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.
Organizatorët e JKN ftojnë të bëheni pjesë e EA Festival për të përjetuar një pelegrinazh idesh drejt lirisë dhe shpresës pasi letërsia dhe arti kanë aftësinë magjike për të ndryshuar mendje dhe zemra./atsh/KultPlus.com
Lea Ypi është bërë anëtarja e parë shqiptare në Akademinë Britanike.
Përmes rrjeteve sociale, Ypi është shprehur se është shumë e lumtur dhe e nderuar që është zgjedhur anëtare e Akademisë.
“E lumtur dhe e nderuar që jam zgjedhur anëtare e Akademisë Britanike. (Shqiptarja e parë)”, ka shkruar Ypi.
Këtë vit Akademia Britanike ka mirëpritur 86 anëtarë të rinj ku ndër ta, dallohet edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi.
Presidentja e Akademisë Britanike Julia Black ka vlerësuar lart autoren shqiptare, duke i uruar mirëseardhjen në hapësirën më të lartë të kulturës britanike./KultPlus.com
Akademikja dhe shkrimtarja Lea Ypi ishte pjesë e panelit drejtues të Samitit të Qeverisjes Progresive që u mbajt në Berlin, një event historik, samit që mbledh bashkë intelektualë, aktivistë dhe vendimmarrës politikë.
Samiti u mbajt më 21 dhe 22 qershor, mbahet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Pjesë e panelit ishte edhe kancelari gjerman, Olaf Sholz, i cili iu përgjigj pyetjeve të shkrimtares dhe aktivistes shqiptare, Lea Ypi.
Scholz foli për politikat europiane dhe shprehu nevojën që ka Evropa për një debat për politikën evropiane, në të mirë të vendeve që bëjnë pjesë në bashkësinë Evropiane.
Lea Ypi ndërhyri për të thënë që nuk ka debat poltik në Evropë se në fakt nuk ka politikë, por vetëm politika.
Ky është një problem i madh, thotë Ypi dhe po prek më shumë edhe Shqipërinë, e cila aspiron të bëhet pjesë e BE-së.
Pjesë nga debati i Lea Ypit me Olaf Scholz:
Lea Ypi: Unë mendoj se ne nuk kemi një debat evropian për politikën sepse ne në fakt nuk kemi politikë. Ne kemi vetëm politika. Kemi humbur politikën. Dhe ky është problemi. Kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…
Olaf Shcolz: Për politikanët është diçka mjaft e vështirë për t’u pranuar. Por është një fjali e mirë.
Lea Ypi: Dakord. Më lejoni të jem edhe më konkrete. Janë politika partiake. Domethënë projekte parimore sesi shoqëria duhet të ndryshojë në dritën e krizës me të cilën përballemi. Unë realisht nuk shoh ndonjë shkëmbim ndërmjet projekteve parimore dhe palëve evropiane. Shoh që ka një lloj projekti që nuk i pëlqen kujt, që është e djathta ekstreme. Dhe shoh që ka një lloj narrative për konfliktin, për kulturën, për qytetërimet.
Gjithashtu shoh se progresistët thjesht e ndjekin atë narrativë në vend që të krijojnë të tyren. Pra, nuk e kuptoj realisht se si mund ta ndryshoni debatin evropian nëse në fakt nuk keni një lloj politike që mund të mbështesë Evropën në tërësi me një vizion për Evropën që është një vizion parimor socialdemokrat. Unë e them këtë me shqetësimin, sepse unë jam nga Shqipëria dhe siç e dini në Shqipëri kemi të gjitha këto diskutime për zgjerimin evropian. Nëse ndaloni ndonjë person në rrugë dhe pyesni, kur është takimi i ardhshëm i negociatave për anëtarësim? Ata do t’ju tregojnë saktësisht se kur është takimi.
Nëse i pyet se për çfarë është takimi, ata nuk do ta dinë. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm në nivelet e pyetjes së njerëzve në rrugë, por edhe në nivele shumë të larta, për fat të keq. Pra kjo sepse në fakt askush nuk e kupton vërtet se për çfarë shërben Evropa. Çfarë po bëjmë këtu? Pse jemi këtu? Çfarë projekti ka?
Dhe kjo është humbja e politikës, të cilën e gjurmoj që nga shembja e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe të gjitha modelet që u vunë në lëvizje dhe mënyra në të cilën, nëse doni ta quani neoliberalizëm, unë e quaj kapitalizëm në fazën neoliberale që e ka zbrazur politikën nga shoqëritë, sepse është zëvendësuar me parti që janë shndërruar në entitete menaxheriale teknokrate, në liderë që drejtohen vetëm nga çështjet e karizmës dhe këto lloj diskutimesh krejtësisht të cekëta, jo parimore se si duhet të jetë një lider dhe si duhet të jetë një parti.
I gjithë debati është për asgjë. Nuk ka asnjë substancë në këto debate. Ku është substanca?”, tha zonja Lea Ypi gjatë debatit me Olaf Scholz./ topchanel/ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa së fundmi ka rekomanduar një listë të librave që duhen lexuar për fundvit, shkruan KultPlus.
Përmes një insta story Lipa ka paraqitur një listë me 12 libra, me mbishkrimin “Dua’s 12 books of Christmas”.
Në mesin e këtyre titujve ajo ka vendosur edhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, çka është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga fansat e saj shqiptarë. Disa nga titujt tjerë që ajo ka rekomanduar janë: “Trust” nga Hernan Diaz, “Crying in H Mart” nga Michelle Zauner dhe “Beautiful star” nga Yukio Mishima./ KultPlus.com
Gjyshja ime Leman Ypi 13 vjeç ishte e vetmja vajzë në Liceun Francez të Selanikut. Cigaren e parë e tymosi kur ishte 15. 18, mori medalje ari për rezultatet më të mira në mësime. Kur u bë 20 qe e para femër në administratën shtetërore shqiptare. 22, Këshilltare e Kryeministrit. 28, bashkëshorte e një të burgosuri politik. 30, u dëbua. 32, nisi të punojë në kampet e punës në internim. 40, shumë prej fisit të saj u dënuan me vdekje, u vetvranë, të tjerë përfunduan në çmendina, në mërgim, ose në burg. 60, pothuajse vdiq. 87 humbi birin e vetëm.
Gjyshja më mësoi se dinjiteti s’ka lidhje me paratë, favoret, titujt. Më mësoi të jem modeste, të bëj çfarë është e dobishme, dhe jo të pres të shpërblehem. Ajo më mësoi të mos mposhtem edhe kur më duket se kam humbur gjithçka.
Kur e pyeta nëse ishte Zoti që e kishte ndihmuar në udhën e saj, m’u përgjigj se nuk e dinte çfarë ishte Zoti, por kishte besim në ndërgjegjen e saj.
Gjyshja ime ishte tepër krenare dhe gjithmonë e qetë. Ajo më mësoi gjuhën frënge. Kur vinin miq, bënte shaka dhe na mësonte Valz. Ajo rrinte gjithmonë zgjuar kur isha e sëmurë, ose kur punoja deri vonë. Gatuante Kekun më të mirë në botë. E donte një Whiskey të mirë. Sa herë jam në ankth pyes veten se çfarë do bënte apo do thoshte gjyshja ime në ato rrethana të vështira. Sa herë ndjehem e lumtur, më pushton dëshira që lumturinë ta ndaj me gjyshen time. / KultPlus.com
Shkrimtarja e njohur Lea Ypi do të jetë mysafire e Universitetit të Tetovës, më 31 maj në ora 11:00, shkruan KultPlus.
Lea Ypi është një prej figurave më kuptimplote e botës akademike shqiptare edhe pse funksionon jashtë botës shqiptare. Ajo është pedagoge e Teorisë Politike në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike në Londër dhe profesoreshë e filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ajo është diplomuar për filozofi dhe letërsi në Universitetin La Sapienza dhe ka përfunduar doktoraturën në Institutin Universitar Evropian.
Me studimet e saj ajo ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Lea Ypi është zgjedhur ndër dhjetë mendimtarët më të mirë në botë sipas Prospect Magazinë 2022. Ka dhënë mbi njëqind leksione si e ftuar, duke përfshirë Universitetin e Çikagos, Princetonit, Yales, Harvardit, Stanfordit, Kembrixhit, Oksfordit, Parisit, Romës, Frankfurtit, Berlinit, Pragës, Uppsalas, Barcelonës, Oslos, Montrealit, Torontos, Pekinit, Kiotos dhe Melburnit.
Lea Ypi është bërë e njohur së fundi edhe si autore e një libri që del jashtë kornizave të profesionit të saj primar. Libri i saj autobiografik “Free”, ose në shqip “Të lirë”, ka zgjuar interesim të madh kudo ku është botuar dhe hedhur në treg. Libri është botuar në anglisht, ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare dhe është vlerësuar lartë nga kritika ndërkombëtare./ KultPlus.com
Shkrimtarja e njohur shqiptare Lea Ypi që tashmë është shndërruar në një shkrimtare bestseller në shumë gjuhë të huaja ka vizituar Agroturizmin “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Shqipërisë, e cila nëpërmjet rrjeteve sociale ka shkruar se është mrekulluar me ekipin e Mrizit të Zanave, dhe sipas saj, po ky vend e bëri që të zbuloj një pjesë të Shqipërisë, që sipas saj nuk e dinte se ekzistonte.
KultPlus ju sjell të plotë postimin e saj origjinal.
Londra këto ditë po përgatitet të mirëpres “Fill Festival” pjesë e të cilit do të jenë edhe dy prej figurave më të njohura të letërsisë dhe artit shqiptarë, Ornela Vorpsi dhe Lea Ypi, shkruan KultPlus.
FILL është një festival i letërsisë dhe ideve që bashkon shkrimtarë dhe mendimtarë me prejardhje të ndryshme për të diskutuar letërsinë, politikën, migrimin, përkthimin dhe tema bashkëkohore në mjedisin frymëzues të një teatri të çmuar viktorian, The Coronet Theatre, në zemër të Notting Hill, në Londër.
Nisur në vitin 2017 si pasojë e referendumit të Brexit nga një grup i pavarur autorësh, gazetarësh, përkthyesish dhe akademikësh italianë me bazë në Londër, festivali tani po vjen me edicionin e tij të katërt.
Me një program ambicioz, festivali këtë vit paraqet një grup mbresëlënës emrash fitues të çmimeve, shkrimtarë të njohur dhe të rinj, diskutime në panel, shfaqje dhe ngjarje të veçanta.
Shkrimtarët tashmë po përgatiten që të ndajnë perspektivat e tyre unike dhe historitë magjepsëse me botën në këtë ngjarje të veçantë që do të mbahet më datë 22 prill.
Shqipëria ishte pika e fundit komuniste në Evropë, i vetmi vend në Ballkan ku regjimi zgjati deri në vitin 1991. Kur u përmbys, popullsia e saj duhej të përshtatej me ndryshimet e shpejta që sollën një krizë ekonomike, sociale dhe politike që çoi shumë njerëz në largohen nga vendi.
Mes tyre ishin shkrimtarja dhe artistja Ornela Vorpsi dhe shkrimtarja dhe studiuesja Lea Ypi, të cilat të dyja u larguan nga Shqipëria për në Itali përpara se të transferoheshin në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar përkatësisht. Të dy kanë shkruar libra që ngatërrojnë ngjarje familjare dhe personale me historinë e vendit të tyre të origjinës. Andaj, në këtë event të veçantë ata do të ndajnë mendimet e tyre për rritjen në Shqipëri dhe jetesën në vende të ndryshme, si dhe ndërthurjen e roleve të letërsisë, politikës dhe migrimit në formimin e atyre që janë bërë si intelektuale dhe artiste sot.
Ornela Vorpsi dhe Lea Ypi do të prezantohen në këtë ngjarje duke filluar nga ora 15:45-17:00.
ORNELA VORPSI
Ornela Vorpsi është një shkrimtare, fotografe dhe piktore shqiptare. Në vitin 1991 ajo u transferua në Milano për të studiuar Artet e Bukura dhe tani ajo është e vendosur në Paris. “Vendi ku nuk vdiset kurrë” (Einaudi, 2005), romani i saj debutues, është përkthyer në njëzet vende dhe ka fituar shumë çmime në Itali, ndër të cilat Grinzane Cavour, Vittorini Opera Prima dhe Viareggio.
LEA YPI
Lea Ypi është profesoreshë e Teorisë Politike në London School of Economics. Libri i saj i parë, Free: Coming of Age at the End of History (2021) fitoi çmimin Ondaatje dhe Çmimin e Biografisë së Parë më të Mirë Slightly Foxed dhe u përfshi në listën e ngushtë për çmimin Baillie Gifford dhe çmimin e Biografisë Costa. Është duke u përkthyer në njëzet gjuhë. Ajo jeton në Londër dhe kontribuon rregullisht në The Guardian. / KultPlus.com
Sot, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, feston 87-vjetorin e lindjes, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, shkrimtarja Lea Ypi e ka uruar Kadarenë duke e cilësuar atë si shkrimtarin që arriti t’ia rrëfejë botës komunizmin shqiptar si askush tjetër.
“Ismail Kadareja ka zbritur në ferrin e komunizmit shqiptar për t’ia rrëfyer botës si askush tjetër. Ka nga ata që nuk e falin dot pse doli gjallë. Me sa duket çjerrjet e hienave që u sorollaten varreve të viktimave, u hyjnë në punë më shumë se çlirimi i shpirtit të tyre në art. Nga unë, gëzuar ditëlindjen!”, ka shkruar Lea Ypi në Facebook./ KultPlus.com
Me termin “Oblomovizëm” zakonisht përkufizohet një lloj patologjie dembelzimi që e merr emrin nga Oblomovi, personazhi kryesor i romanit të Ivan Goncharov, të cilit jeta i duket aq e pakuptimtë sa çdo mëngjes e ka të pamundur të ngrihet nga shtrati. Pasi e lexon këtë kryevepër të letërsisë ruse fillon të mendosh se të sëmurë mbase janë ata që nuk arrijnë ta kuptojnë filozofinë e Oblomovit.
2. Stefan Zweig – Bota e djeshme
Shtetet përfundojnë në luftë, miliona të pafajshëm humbin jetën edhe kur duket sikur të gjithë po përpiqen ta mënjanojnë kasaphanën botërore. Një lexim i domosdoshëm që tashmë nuk tingëllon edhe aq si përshkrim i “botës së djeshme” se sa si paralajmërim tmerrues i asaj që mund të na presë.
3. Mark Mazower – Selaniku, qytet fantazmash
Historia e trishtë e Selanikut nga e kaluara e lavdishme si një nga qendrat kryesore të perandorisë osmane ku kryqëzoheshin kultura nga më të ndryshmet tek shkatërrimi i tyre si pasojë e lindjes së nacionalizmit në Ballkan.
4. Ismail Qemali – Kujtime
Një libër kujtimesh ku Ismail Qemali përshkruan veprimtarinë e tij si diplomat në shërbim të perandorisë osmane. Një lexim i detyrueshëm për të shkundur stereotipin nacionalist me të cilin është studiuar deri më sot një nga figurat kryesore të themelimit të shtetit shqiptar.
5. Alexander Lernet-Holenia – Baron Bagge
Një nga librat më të dashur të Stefan Zweig, Baron Bagge është rrëfim i dhimbshëm i absurditetit të luftës, kufirit midis jetës dhe vdekjes dhe dashurisë si përpjekje për të mbijetuar.
6. Claire Keegan – Vogëlsi të tilla
Në vetëm rreth 100 faqe që përshkruajnë Krishtlindjet e Furlongut, Keegan trajton me mjeshtëri temën e abuzimin të vajzave dhe grave prej kishës katolike në Irlandën e vitit 1985.
7. Machiavelli – Komeditë (Mandragola, Gruaja prej Androsit, Clizia) Machiavelli njihet më shumë si autori i Princit por sekreti i shprehjes së tij të famshme se “fati (fortuna) është femër” është i fshehur në këto komedi që janë sa të thella aq edhe zbavitëse.
8. Javier Cercas – Monarku i hijeve
Historia nuk është asnjëherë bardhë e zi dhe një nga meritat e rralla të këtij romani autobiografik të Cercasit, në gjurmët e vdekjes së xhaxhait të tij si ushtar falangist gjatë luftës civile në Spanjë, është gjykimi i pjekur rreth dilemave morale të individëve përballë një sistemi totalitar.
9. Javier Zamora – Solito
Rrëfimi tepër prekës i peripecive të një djali të vogël që udhëton i vetëm nga El Salvadori për t’u bashkuar me prindërit emigrantë në SHBA. Realiteti i dhimbshëm i kapërcimit të kufijve, përtej retorikës ksenofobe kundër emigrantëve të paligjshëm.
10. Annie Ernaux – Pasion i thjeshtë
Çfarë e dallon dashurinë e vërtetë nga pasioni i thjeshtë? Kjo mund të thuhet vetëm në fund të jetës. Por ndërkohë edhe ky libër i Ernaux ia vlen të lexohet për të patur disa parametra./politiko.al/ KultPlus.com
Mes dy zjarresh ka qenë i vendosur “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, pas publikimit të tij, por pa marrë parasysh kritikat e lëvdatat nga më të ndryshmet, së shpejti libri pritet të jetë në dispozicion në plot 26 gjuhë. Autorja, akademikja shqiptare dhe ligjëruesja e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics, Lea Ypi, ka ngjallë reagime të shumta pasi që botoi librin e saj për vitet e fundit të komunizmit, një libër ky që shënoi sukses të jashtëzakonshëm që në muajin e parë të botimit në nëntor të vitit të kaluar, duke shitur 10,000 kopje. Në roman, autorja është një 11 vjeçare për të cilën socializmi shqiptar i stilit sovjetik premtonte për një të ardhme të paracaktuar, teksa pamja fëmijërore e regjimit komunist të shembur të Shqipërisë shfaqet lirshëm. Në fokus vjen tranzicioni i jetës së një vogëlusheje në paralel me tranzicionin politik të një shoqërie komuniste në Shqipëri, por nuk mjafton thjesht me kaq, shkruan KultPlus.
‘Free’ – (Të lirë – Të rritesh në fund të historisë), fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur Ypi fillonte të shkruante, siç thuhet edhe në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”. Dëshira për të shkruar si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, qe e madhe. Pasi filloi të mendonte për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja e saj po kthehej gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi në të cilin ajo u rrit.
Të vërtetat në jetën e saj gradualisht i zbuloi vetë. Fillimisht, ndodhi papritmas kur komunizmi në Shqipëri u bë gati të shembej dhe se nuk kishte më kthim prapa. Atëherë, këndvështrimet e shtetit me të cilat ishte mësuar të jetonte nuk përputheshin me ato të familjes së saj. Përkundrazi, ishin në dy qoshet më ekstreme të mundshme. Nga kujtesa e saj, ajo flet për konfuzionin dhe shqetësimin e përjetuar kur të rriturit hezitonin për të folur hapur për politikën, teksa asaj i mbylleshin dyert në heshtje, për të mos dëgjuar se çka flitej prapa tyre.
Gjithë jeta e saj kaloi nëpër një të vërtetë të rreme. Ishte rritur në një familje antikomuniste, pa e ditur. Por, për të pranuar këtë ishte e vështirë, për shkak se deri më aty, Ypi veçse kishte krijuar një besnikëri patriotike, një ndjenjë e fortë që përshkonte në formimin e saj individual. Nuk e kishte përjetuar as pjesërisht shtypjen apo persekutimin, për shkak se prindërit e kishin mbrojtur nga kjo, por pas ndryshimeve drastike, për të u bë shumë e vështirë pranimi i së vërtetës që prindërit e saj e shpalosnin. Duke qenë e afërt me gjyshen dhe shpjegimet e saj se pse është dashur fshehja e së vërtetës, pas disa muajve, ajo nisi të përshtatej.
Natyrisht që kjo ndikoi në themelimin e identitetit të Ypit, të cilën ajo vetë e cilëson si njëfarë kultivimi skeptik për atë se çfarë konsiderohet e vërtetë, teksa tendencat për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga ajo se çfarë duket, ka zgjuar interesin e saj të mëvonshëm për filozofinë.
Detajet kryesore që shpalosen në ditarët e saj që ajo mbante pas viteve 90’, përshkruhen mbi shqetësime të jetës së përditshme e të zakonshme të saj, siç është fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e saj, e cila u bë viktimë e trafikimit seksual, që mbrëmjeve nuk mund të dilte dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmohej në rrugë, apo edhe se prindërit e saj vazhdimisht paralajmëronin se do të ishte e rrezikshme për shkak të shpërndarësve të shumtë të drogës.
Falë këtyre përjetimeve dhe mbi të gjitha, falë përjetimit të dorës së parë të valës së emigrimit në Durrës që kishte lënë gjurmë të shumta të gdhendura rrënjësisht në kujtimet e saj, kuptimi i një shoqërie të lirë ishte perceptuar ndryshe nga gjithsecili asaj kohe. Megjithatë, kjo e shtyu atë që dikur më vonë të bëhej një person më kritik.
Për mendimet e saj mbi përfaqësimin e Shqipërisë nëpërmjet një vepre, për botimin e një shtese “prequel” tjetër ku trajtohen edhe ngjarjet në Kosovë, për konceptin e lirisë së vërtetë të popullsisë shqiptare, për sukseset e shumta të librit sikurse që është vlerësimi me pesë yje në “Daily Mail” dhe “Daily Telegraph”, emërtimi si libri i vitit në “Sunday Times”, fitimi i çmimit “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë dhe fitimin e çmimit ‘mbretëror’ për Letërsi në Britani, pastaj për shpalljen e vetë autores në mesin e 10 mendimtarëve kryesorë botërorë të vitit 2022 nga revista britanike ‘Prospect’, e deri tek zbulimi i pasionit për letërsinë që nga mosha e vogël, një pasion ky që kishte nisur me Homerin, Eskilin, Sofokliun, për të vazhduar tek Dostojevski dhe Tolstoi, e pastaj edhe tek Kanti, Marksi, si dhe natyrisht për magjepsjet e saj më të mëdha nga autorët shqiptarë siç është me rastin e Kadares, do të keni rastin të lexoni më poshtë në një intervistë ekskluzive për KultPlus.
KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni rrugëtimin tuaj personal që nga nisja e deri tek botimi i romanit “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 26 gjuhë?
Lea Ypi: ‘Free’ fillimisht do të ishte një libër filozofik për idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste, por kur fillova të shkruaj, siç them në libër, “idetë u shndërruan në njerëz”.
Nga një këndvështrim filozofik, një nga bindjet e mia të vjetra ka qenë se, teksa shumë njerëz mendojnë për idetë socialiste si ide të barazisë dhe drejtësisë, kurse për idetë liberale si të përqendruara te liria, tradita socialiste që nga Marksi e këtej në fakt përpiqet të realizojë të njëjtën ide të lirisë që filozofikisht është në thelb të liberalizmit. Megjithatë, shpesh, veçanërisht në teorinë politike normative, me të cilën kam punuar kryesisht, ne priremi të angazhohemi me idetë si thjesht ide, duke menduar për meritat dhe kufizimet abstrakte të botëkuptimeve të ndryshme vetëm nga ana filozofike.
Por, unë jam gjithashtu e interesuar për historinë e filozofisë dhe për historinë, në përgjithësi, dhe kështu kam qenë gjithmonë kureshtare të shoh se si idetë pasqyrohen në institucione dhe se si institucionet ose tradhtojnë ose largohen nga qëllimet origjinale të ngulitura në promovimin e këtyre ideve. Pra, doja të shkruaja si për liberalizmin ashtu edhe për socializmin në një mënyrë që nuk ishte e verbër ndaj përvojave historike të frymëzuara nga këto ide, dhe kur fillova të mendoj për dështimet e demokracisë në rastin e socializmit ose për dështimet e lirisë në rastin e teorive liberale, mendja ime u kthye gjithnjë e më shumë tek shembujt konkretë nga vendi ku unë u rrita. Diskutimi i episodeve nga jeta ime m’u duk një mënyrë e frytshme për ta bërë këtë, për aq sa më mundësonte të reflektoja mbi shembuj konkretë.
Pjesa tjetër është historia me të cilën jeni njohur.
KultPlus: Keni deklaruar se romani flet për mënyrën se si zbulohen të vërtetat gradualisht. Por na tregoni se si ju i zbuluat ato?
Lea Ypi: Për mua ishte një zbulim i papritur që ndodhi kur u bë e qartë se komunizmi në Shqipëri do të rrëzohej dhe se nuk kishte kthim prapa. Vetëm atëherë kuptova se këndvështrimi i shtetit (nga i cili isha ndikuar nërpërmjet sistemit arsimor) dhe ai i familjes sime, në vend që të rreshtoheshin së bashku, gërryenin themelin e njëri-tjetrit.
Ajo që mbaj mend nga ajo kohë është një hutim i përgjithshëm dhe shqetësim se përse të rriturit dukej se hezitonin gjatë gjithë kohës, kuptoja që të afërmit kishin frikë të flisnin hapur për politikën dhe vija re se sapo hyja unë në dhomë, binte heshtja dhe unë izolohesha nga bisedat e tyre. Më pas, në dhjetor, kur i gjithë sistemi u shemb, prindërit e mi zbuluan një të vërtetë që e ndjenin se ishte e vërteta e tyre dhe thanë se ishte edhe e vërteta ime: gjithë jetën time isha rritur në një familje antikomuniste pa e ditur. Ishte e vështirë sepse deri në atë pikë, kisha dashur të isha një qytetare e mirë, një pioniere e mirë dhe ndjehesha besnike ndaj një sistemi që u shemb papritur.
Unë nuk e kisha përjetuar shtypjen dhe persekutimin që ata kishin përjetuar. Nuk e kisha përjetuar atë as pjesërisht pasi familja ime ishte munduar të fshehtë të vërtetën për të më mbrojtur nga pasojat e luftës së klasave. Ata kishin krijuar këtë strehë që kishte funksionuar ashtu siç donin të funksiononte, por që më pas, për shkak se gjërat ndryshuan kaq shpejt e kaq rrënjësisht, e vështirësoi identifikimin tim me të vërtetën e tyre. Përfundimisht, brenda disa muajve të ardhshëm, u përshtata. Unë i besova ato që më thanë dhe, duke qenë se kisha marrëdhënie shumë të mira me gjyshen, i besova kur ajo më shpjegoi arsyet pse duhej ta fshihnin këtë të vërtetë nga unë.
Por, nuk e di se çfarë i bën kjo identitetit të dikujt në një term afatgjatë. Ndoshta kultivon një lloj skepticizmi për atë që të vërtetat merren si të mirëqena dhe gjithashtu prodhon një tendencë për të menduar se diçka është gjithmonë ndryshe nga mënyra se si duket; se ekziston ky dualizëm midis dukjes dhe thelbit, i cili mund të ketë luajtur një rol në kureshtjen time të mëvonshme për filozofinë.
KultPlus: Romani është i ndarë në dy pjesë (komunizmi dhe Shqipëria liberale), dhe ju keni mbajtur ditarë pas viteve 90’. A mund të na tregoni disa nga detajet kryesore prej të cilave jeni frymëzuar ju, që t’i publikoni ato?
Lea Ypi: Ajo që bie në sy nga ditarët e mi të këtyre viteve është shqetësimi i jetës së përditshme, të zakonshme: për shembull, fakti që ishte zhdukur një nga shoqet e mia që u bë viktimë e trafikut seksual, që mbrëmjeve nuk dilje dot me miqtë nga frika se mos mund të ngacmoheshit në rrugë, ose se prindërit e mi vazhdimisht më paralajmëronin se duhej të kisha kujdes nga shtimi i shpërndarësve të drogës.
Ajo që la gjurmë tek unë ishin valët e emigrimit: jeta e Durrësit kushtëzohej nga ajo e portit të Durrësit, çka do të thoshte se emigrimi ishte një përvojë e përditshme. Të gjithë donin të largoheshin, por pikërisht në çastin kur ata ishin të lirë të largoheshin nga vendi, kufijtë u mbyllën dhe filloi vala e racizmit dhe stereoptipeve ndaj shqiptarëve që trajtoheshin si popull kriminel. Edhe kur është arritur për të dalë jashtë vendit dhe më në fund ka pasur qasje në të gjitha mallrat nga Perëndimi që të gjithë i kishin dëshiruar, kupton se të gjitha mallrat janë aty, por në fakt nuk mund t’i blije sepse nuk i ke paratë.
Më kujtohen mijëra shembuj të vegjël si ai, ku ndjeva se diçka nuk ishte në rregull, një lloj zhgënjimi i vazhdueshëm. Por nuk mendoj se në atë kohë unë i perceptoja këto si dështime të një sistemi ose se kisha mjetet intelektuale për t’i zbërthyer nëpërmjet një teorie të ndryshimit shoqëror. Njerëzit rreth meje kishin kuptime të ndryshme për atë që kërkon liria dhe ide të ndryshme se si duhet të jetë një shoqëri e lirë, dhe megjithëse mendoj se të gjithë vrojtonin se diçka nuk po ecte me tranzicionin, ata ishin të bindur se kishin lënë pas më të keqen, dhe çdo gjë tjetër konsiderohej një sakrificë e vogël që ia vlente në rrugëtimin drejt kësaj ëndrre të re lirie.
Përvojat e mia të jetuara më bënin dyshuese, ndoshta sepse i përkisja një brezi tjetër, por këto përvoja më dhanë materialin njerëzor mbi të cilin u ndërtuan reflektimet e mëvonshme.
KultPlus: Libri është bërë i njohur nga shumë medie prestigjioze ndërkombëtare. Sa është e rëndësishme për ju që pavarësisht barrës, të jeni përfaqësuese e një shteti nga vetëm këndvështrimi i juaj?
Lea Ypi: Do të ishte shumë fatkeqe nëse një shtet i tërë do të përfaqësohej nga një individ ose një vepër e vetme.Unë nuk mendoj se mund ose do të doja të përfaqësoja një komunitet të tërë: Unë shpreh pikëpamjet e mia për politikën, shoqërinë, artin e kështu me radhë, të cilat të gjitha vijnë nga një këndvështrim filozofik specifik.
Jo të gjithë do ta ndajnë këtë perspektivë, dhe unë jam plotësisht e vetëdijshme për këtë, ashtu siç jam e lumtur të debatoj me këdo që shtjellon një arsyetim të kundërt duke respektuar normat etike. Sigurisht, gëzohem nëse libri im e bën të dojë të lexojë më shumë dhe të zbulojë Shqipërinë, sepse mendoj se në Evropën Perëndimore ka shumë nevojë për të dëgjuar prespektiva dhe pikëpamje të shkrimtarëve nga kultura tradicionalisht të margjinalizuara.
Por libri im nuk është më shumë se kaq: një ftesë për t’u angazhuar me një kulturë shumë më të madhe dhe për të hyrë në debate shumë më komplekse sociale dhe politike. Një autor i vetëm mund të përpiqet të përfaqësojë atë kompleksitet, por dyshoj se ata mund t’ia dalin të vetëm.
KultPlus: “Të lirë” pritet ta ketë edhe një shtesë ku do të trajtohen ngjarjet në Kosovë. A keni filluar të shkruani diçka për këtë botim?
Lea Ypi:Unë jam duke punuar për një prequel. Libri fokusohet te gjyshja ime dhe diskuton konceptin e dinjitetit si në një person ashtu edhe në një komb në një kohë trazirash sociale dhe politike. Konteksti është kryesisht Shqipëria mes dy luftërave botërore dhe zhvillimi i shtetit modern shqiptar që nga pavarësia e tij nga Perandoria Osmane deri në fitoren e komunizmit.
Ashtu si tek ‘Të lirë’, është një përpjekje për të përshkruar zhvillimin personal dhe politik dhe për të reflektuar mbi temat e autonomisë, krizës dhe identitetit në kontekstin e përplasjes së projekteve ideologjike.
KultPlus: Keni thënë se ju nuk besoni që popullsia shqiptare jeton në një shoqëri të lirë. A mund të na tregoni më shumë lidhur me këtë konstatim?
Lea Ypi: Mendoj se kemi kaluar nga një gjendje moslirie në të cilën një agjent – shteti, partia, liderë të ndryshëm komunistë – ushtronin kontroll të drejtpërdrejtë mbi individët, duke i penguar ata të kuptonin vetveten, në atë ku kontrolli social ushtrohet nga struktura anonime që janë shumë më të vështira për t’u përcaktuar, por tepër të dëmshme për lirinë.
Jetojmë në shoqëri shumë të pabarabarta në të cilat fuqia ekonomike dhe politike janë të përqendruara në duart e një pakice, si brenda një shteti, ashtu edhe në ndërveprimet ndërmjet shteteve. Jetojmë gjithashtu në një periudhë krizash të shumëfishta, të ndërlidhura, kombëtare dhe ndërkombëtare, në të cilat shtetet e dobëta si Shqipëria apo Kosova nuk janë në gjendje të vendosin për të ardhmen e tyre pa ndërhyrjen e lojtarëve më të mëdhenj, të cilët shpesh instrumentalizojnë dobësinë e tyre për të realizuar qëllimet e tyre. Mendoj se liritë standarde që fituam pas rënies së komunizmit, si liria e fjalës, e organizimit, e votës e kështu me radhë, vlejnë relativisht pak nëse ka asimetri të thella pushteti që kushtëzojnë aftësitë e njerëzve për të ndikuar në vendimet politike.
Tridhjetë vjet pas ardhjes së demokracisë liberale, ka ardhur koha për të reflektuar mbi dështimet historike si të socializmit shtetëror, ashtu edhe të liberalizmit të tregut të lirë, dhe të kërkojmë për një model të ri. E kaluara është diçka nga e cila nuk duhet të kemi frikë, përkundrazi ne duhet të jemi në gjendje të mësojmë prej saj në shërbim të një modeli alternativ zhvillimi që merr parasysh specifikat rajonale dhe historike duke u integruar gjithashtu me një përpjekje më të gjerë, transnacionale për të nxitur drejtësinë globale.
Unë i shtjelloj këto ide në librat e mi të tjerë akademikë, por në të gjitha rastet thelbi filozofik është një nocion Kantian i lirisë si agjenci morale, e paredaktueshme në interpretimet pozitive apo negative të lirisë që janë përhapur në sisteme të ndryshme dhe nëpërmjet mjeteve të ndryshme ideologjike.
KultPlus: Romani mori vlerësime me pesë yje në ‘Daily Mail’ dhe ‘Daily Telegraph’ dhe u emërua libri i vitit në ‘Sunday Times’. Po ashtu fitoi çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë, si dhe çmimin ‘mbretëror’ për Letërsi, në Britani, ndërsa revista britanike ‘Prospect’ ka shpallur 10 mendimtarët kryesorë botërorë të vitit 2022 dhe në mesin e tyre jeni edhe ju. Sa përmbushës është ky sukses?
Lea Ypi:Është një varg në poezinë e Rudyard Kiplingut, “Nëse”, që më pëlqen shumë: “Nëse mund të takohesh me Triumfin dhe Fatkeqësinë dhe t’i trajtosh ata dy mashtrues po njësoj”.
Sigurisht që është shumë kënaqësi për mua të shoh se sa mirë po ecën libri, por një pjesë e konsiderueshme e imja pajtohet me Kiplingun: suksesi mund të jetë gjithashtu edhe një lloj mashtrimi. Duke qenë se kurrë nuk e dihet se sa zgjat dhe ku shpie, mundohem të përqendrohem tek idetë dhe projektet e ardhshme.
KultPlus: A mund të na shpalosni se si e zbuluat pasionin për letërsinë dhe ndani me ne disa nga magjepsjet e juaja më të mëdha nga autorë shqiptarë?
Lea Ypi: Kjo ndahet në periudha.
Si brez, ne jemi rritur me shumë pak televizor dhe unë më shumë isha e rrethuar nga librat: përralla popullore arabe, shqiptare, ruse e kështu me radhë. Por të preferuarit e mi ishin grekët: Homeri, Eskili, Sofokliu, të cilët i lexoja si përshtatje për fëmijë. Më tërhiqnin sidomos mitet greke, sepse nuk mund ta kuptoja se si heronjtë grekë ishin kaq të fuqishëm dhe kaq të pafuqishëm në të njëjtën kohë.
Më vonë, më pëlqente veçanërisht letërsia ruse e shekullit të 19-të, sidomos Dostojevski dhe Tolstoi, mbase pasi te këta autorë gjen të njëjtat tema të lirisë dhe domosdoshmërisë që shfaqet në mitet greke. Leximi i “Lufta dhe Paqja” në vitin 1997 luajti një rol kyç në vendimin tim për të studiuar filozofi. Mbase ju kujtohet se si “Lufta dhe Paqja” mbyllet me një kritikë të madhe gjithëpërfshirëse të filozofisë së historisë, në të cilën Tolstoi nënvizon se sa e kotë është të mundohesh t’i gjesh një kuptim historisë duke pasur parasysh konfliktin midis botëkuptimeve të ndryshme dhe pikëpamjet e mijëra protagonistëve të saj. Ky skepticizëm ndaj narrativave të mëdha ishte pikënisja ime filozofike por e braktisa shumë shpejt në universitet, kur zbulova traditën filozofike gjermane, veçanërisht Kantin dhe Marksin, që për mua janë alternativa më bindëse ndaj nihilizmit filozofik.
Për sa u përket shkrimtarëve shqiptarë, mendoj se Ismail Kadare është gjiganti mbi shpatullat e të cilit qëndron e gjithë letërsia bashkëkohore shqiptare. E kam lexuar “Pallati i ëndrrave” kur isha njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeç dhe më shpalosi një botë të tërë konceptesh, metaforash dhe simbolikash të panjohura dhe të paimagjinueshme deri aty. E lexova sërish para pak kohe dhe sërish u mrekullova. Vetëm një gjeni i pakrahasueshëm mund të dilte gjallë nga ferri i censurës komuniste pa sakrifikuar asnjë grimcë nga cilësia letrare, siç ka bërë Kadare në të gjitha veprat e tij, pa përjashtim. Kultura shqiptare e gjysmëshekullit të fundit i ka një borxh të pashlyeshëm.
KultPlus: Për fund, kush ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetja juaj më e madhe?
Lea Ypi: Familja ime. E di që më thonë gjithnjë të vërtetën edhe kur ajo nuk më pëlqen. / KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2023.
Albion Rrahmani, Detina Zalli, Kushtrim Koliqi, Tom Kuka (Enkel Demi), Shukrije Ramadani, Albana Krasniqi, Ilaz Bylykbashi, Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Besa Llugiqi, Elez Nikçi, Adelina Paloja, Mrika Nikqi, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Revista britanike ‘Prospect’ ka shpallur 10 mendimtarët kyresorë botërorë të vitit 2022 në mesin e tyre edhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi.
Profesoresha e Shkencave Politike zë vendin e 7-të në këtë listë duke lënë mbrapa ndërmarrësin e njohur amerikan Elon Musk, raporton Gazeta Express.
Lea Ypi është profesoreshë e Filozofisë Politike në “London School of Economics” (LSE) dhe profesoreshë e asociuar e Filozofisë në Shkollën e Kërkimit të Shkencave Sociale në Universitetin Kombëtar të Australisë.
Nga 50 mendimtarët sa ishin në listë, lexuesit kanë votuar për 10 nga ta, kurse listën e kryeson filozofja Kathleen Stock.
Themeluesi i Tesla, Elon Musk renditet në vendin e 8-të të listës së 10 mendimtarëve të botës./ KultPlus.com
Intervistë e Ulf Poschardt me filozofin bashkëkohor Peter Sloterdijk, në të cilën, ndër të tjera, filozofi flet edhe për librin ‘Të lirë’, të autores shqiptare Lea Ypi. «‘Të lirë. Të rritesh në fund të historisë’… është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme».
Intervistoi: Ulf Poschardt
Zoti Sloterdijk, ju kishit të drejtë në kritikën tuaj ndaj politikës së Merkelit për refugjatët. Përpjekja ime e fundit në idealizmin kombëtar ishte në vitin 2016. Kritika ime ndaj jush në atë kohë ishte e gabuar. Isha naiv për herë të fundit.
Peter Sloterdijk: Kujdes! Në rrethana normale njeriu bën vetëm naivitetin e parafundit. Fatmirësisht, pasi që është e rëndësishme të ketë mbetje naive. Duhet të jetojmë gjithmonë me një fond motivesh të pashpjegueshme.
Në ç‘kuptim?
Sloterdijk: Jeta e humb hijeshinë e saj kur gjithçka lahet në dritën pa hije dhe kur mund të shohësh deri në fund edhe në vendet më të thella në ujë. Nuk e befason më veten dhe kjo do të ishte e vetmja gjë që do të mbetej nëse, në moshën pas të 50-tave – që dikur konsiderohej si pragu i pleqërisë – vërehet rikthimi në rritje i së njëjtës, te vetja dhe te të tjerët. Në këtë rast e vetmja gjë që mbetet është besimi në një mbetje të errët.
Sipas kësaj edhe unë jam zyrtarisht i vjetër. Por gjëja e mirë e maturimit, siç më duket mua, është pranimi radikal i asaj që është: se nuk dëshiron të kesh më iluzione. Apo është kjo sërish vetëm një iluzion?
Sloterdijk: Mbizotërimi i iluzioneve mbi të menduarit është një nga karakteristikat e rinisë. Kur iluzonet bien, mund të shfaqet një realizëm më i qëndrueshëm. Në historinë e gjertanishme të njerëzimit, dikush e ka njohur këtë si një shenjë të moshës madhore. Kjo është arsyeja pse njeriu me të drejtë ndien keqardhje për fëmijët që u detyruan të rriteshin para kohës, për shembull nëpërmjet edukimit princëror, në të cilin dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë vjeçarët derseheshin për t’u rritur. Në atë kohë, pothuajse si Perëndia gjatë krijimit të Adamit, fillohej menjëherë me të rriturit dhe kështu u grabitej adoloshentëve, nëse jo gjithë fëmijëria, rinia po e po.
Psikanalitikët e dinë që më këtë atyre praktikisht u grabitej gjithçka.
Sloterdijk: Sigurisht. Por mendoj se e vërteta është se kur i lëmë pas vitet e larta të iluzioneve, ne rritemi. Kushdo që shkëputet nga iluzionet mitrore, fiton shkallë lirie në realitet, si dhe njohuri se si të përballet me vështirësitë. Dëgjoj thashetheme se pas moshës 70 vjeçare ka një rritje të lirisë nëse lëmë anash tunelin e shtrëngimit erotik. Atëherë do të duhej të bëjmë bisedën tonë të radhës.
Mos të lutem!
Sloterdijk: Mos u shqetesoni! Sipas Platonit, mosha 50 vjeçare është e mjaftueshme për të gjykuar gjërat thelbësore.
Me të vërtetë?
Sloterdijk: Platoni e thekson se nuk duhet t’i besohet askujt shteti para moshës 50 vjeçare, sepse deri në atë pikë zakonisht ka ende shumë impulsivitet papjekurie. Sipas teorisë së tij të edukimit, edukimi për t’u bërë një qytetar i mirë i polisit rezulton nga gërshetimi i andreia, me guxue, dhe sophrosyne, maturisë. Ky do të ishte arti i madh i thurjes, i cili rrallëherë arrihet plotësisht, sepse shpeshherë shumë çmenduri toksike mashkullore depërton në guxim dhe shumë butësi në maturi. Perikleu mund të ketë mbaruar disa vite para kohe, por në përgjithësi rinia mbetet mosha e çekuilibrit.
Libri juaj i ri, “Kush nuk e ka menduar akoma grinë”, ka një freski që nuk ekziston më në filozofinë e zakonshme. Aty, mendoj, sundon një mosqejf radikal në lidhje me ndjenjën e përgjegjsisë si në të menduar ashtu edhe në formulim.
Sloterdijk: Doja të bëja një libër që nuk përmban një fjali që nuk është e rëndësishme për mua dhe për të cilën nuk jam i bindur se do të ndihmonte për të hedhur dritë mbi situatën e përgjithshme. Sidomos në 30 – 40 faqet e para mund ta ndiesh qartësisht bollëkun letrar. Aty pretendoj teorinë e hijes së Platonit në alegorinë e shpellës, e cila është komentuar dhjetra-mijëra herë, për motivin gri – pak dhe me patosin e herës së parë. Gëzimi i zbulimit në diçka tashmë të njohur është i pranishëm nga rreshti i parë deri në fund. Libri është një kuti e shkëlqyer koleksioni për zbulimet në buzërrugën e historisë mendore.
Kam qeshur me zë të lartë me titullin e kapitullit “Mbi gri dhe grua”.
Sloterdijk: Më duhej të mbroja veten nga deklarimet jopopullore. Më dukej më e mençur të urdhëroja një shpërthim ere që do të frynte prenë nga dritarja.
A qeshni dhe Ju ndërsa shkruani?
Sloterdijk: Po, kryesisht ndiej kënaqësi. E dëgjon edhe gruaja ime, sepse unë shpesh lexoj me zë të lartë ndërsa shkruaj. Ajo është e lumtur që unë mund të jem kaq i dhënë pas punës.
Flisni ndërsa shkruani?
Sloterdijk: Nganjëherë flas me zë të lartë. Kjo ka të bëjë me faktin se unë më së shumti shkruaj me veshë.
Martin Heidegger ishte një ritmist i madh.
Sloterdijk: Ai ishte shpesh edhe i ngurtë. Stili im vjen nga bindja ime për të shkruarit. Si autor jam edhe lexues, nuk dua të mërzitem gjatë rileximit.
Shumë më rëndësi.
Sloterdijk: Dhe për fat të keq unë njoh një bollëk të të ashtuquajturave tekste që nuk do të dëshironit t’i lexoni për herë të dytë, përveç nëse shkruani një ese për mërzinë dhe kërkoni një referencë. Traktati i Heidegger-it mbi mërzinë në leksionin e metafizikës të viteve 1929/1930 mbetet i patejkalueshëm deri më tani, nuk ngopeni dot së rilexuari.
Suhrkamp,botuesi i librit tuaj, ofron plot shembuj të prozës së zymtë shkencore. Politikisht korrekte, e padurueshme.
Sloterdijk: Më vjen keq që e dëgjoj këtë. Për fat të mirë, kemi kundërshembuj aktual në shtëpi (fjala për shtëpinë botuese Suhrkamp, v.p.). Merrni librin “Të lirë. Të rritesh në fund të historisë”, nga Lea Ypi, një autore e re shqiptare, është një libër i mbushur plot me zgjuarsi zbavitëse, po, autores mund t’i jepet komplimenti disi i ngatërruar se nuk është në gjendje të shkruajë një fjali të mërzitshme.
Por e kuptoj shqetësimin tuaj. Ka tone me prozë gri të disponueshme nga të gjithë botuesit dhe shumë pak literaturë të mirë për grinë. Është e vështirë të mohohet se klima e krijuar e korrektësisë na ka futur në një epokë të censurës së dytë. Ka tepër shumë të atillë që i ndihmojnë inkuizitorët dhe censuruesit të vijnë në pushtet. Inkuizitori i jep vetes dy kompetenca. Së pari, heqja e thonjëzave, së dyti: ndalimi i përgjithshëm i ironisë. Ky i fundit vjen nga më larg. Përpara se vala e zgjimit të shpërthente në SHBA dhe të përhapej edhe tek ne, tashmë kishte një valë antironie atje.
Parë nga prizmi i sotëm, fushata përgatitore.
Sloterdijk: Që vërtetoi se intelektualëve nuk u lejohej më të fluturonin lirshëm.
Ironia i takon të djathtës?
Sloterdijk: Ironia së pari do të donte të shmangej lart. Por, nëse e mira është në të majtë dhe tek e majta serioziteti i ri ndihet në shtëpi, atëherë lart është djathtas. Levitimi i lirë gjithashtu ngrihet në të djathtë.
Në librin tuaj mund të gjeni fjalinë: “E ardhmja i përket një politike rregullatore eko-burokratike që përshkruan rrugën e shtetit drejt menopauzës së tij postdemokratike, i cili është sa nënkompetent aq edhe i mbingarkuar.” A është kjo e djathtë ironike apo e majtë serioze?
Sloterdijk: E kam shkruar në një kohë kur ende nuk e dija se kampioni i menopauzës Olaf Scholz do të arrinte majën. Por për sa i përket vlerave, ajo godet në vend. Në shtyp, shihet vazhdimisht udhëheqja e dyfishtë Baerbock/Habeck, e cila është më e lehtë për t’u përbirë se Scholz për shkak të vlerës së shtuar fotografike. Lindner ka një periudhë të vështirë në fillim, sepse ai duhet të marrë shumë vendime contre cœur që në fillim. Kjo vlen edhe për Habeck-un, por atij i falet më lehtë.
Njërzit e duan.
Sloterdijk: Për arsye të kuptueshme, ai godet në shenjë. Deri më tani ai po bën një figurë shumë më mirë sesa pritej. Kjo vlen edhe për Annalena Baerbock, për të cilën kohët e fundit fola pak më pa respekt. Këta politikanë tani po lëvizin në fusha të tjera të forcës nën stresin e realitetit. Në to, ata piqen më shpejt se shumë të tjerë që akoma qëndrojnë në periudhën e ëndrrave politike.
A duhet të ndjekë politika shkencën?
Sloterdijk: I nderuar zoti Poschardt, ju sigurisht se duhet ta keni të qartë që po hapni një kuti të Pandorës me këtë pyetje? Çështja e marrëdhënies midis politikës dhe epistemes është po aq e vjetër sa edhe vetë filozofia; ajo u bë e mprehtë në mosmarrëveshjen midis Platonit dhe studentit të tij të shkëlqyer Aristotelit. Aristoteli e kritikoi mësuesin e tij se kishte parasysh një epistemokraci, një pushtet ekspertësh. Si një mjet kontrolli për jetën private dhe publike, Platoni nuk zgjodhi një opinion që kërkonte diskutim, por njohuri që ishte më e lartë se diskutimi. Kur flet për mbretin filozof, ai nënkupton matematikanin në pushtet.
Filozofia shkëputet nga debati politik, sepse bazohet në të vërteta të tilla si ato të teorisë së numrave dhe gjeometrisë. Tek ta llogariten vetëm provat, jo votat. Por politika, ashtu si historiografia, sipas Aristotelit, mbetet një sferë e të mundshmes. Për momentin, njohuritë shkencore janë të pavend këtu. Studiuesit nuk e dinë më mirë se gjeneralët apo tregtarët se si do të dalë fushata e radhës kundër Spartës. Në politikë, gomarët mund të vendosin me shumicë se janë kuaj. Atëherë do të duhet të presësh që një ditë asinokratët të bëhen pakicë.
Shkenca po vepron gjithnjë e më shumë si një fraksion këshillues i qeverisë.
Sloterdijk: Kjo priret të jetë e rrezikshme sepse shkencëtarët në politikë shpesh shfaqin një objektivizëm pozitivist brutal.
Brutal?
Sloterdijk: Është e vështirë sepse disa shkencëtarë sillen sikur 100 vjet kritika ndaj pozitivizmit i kanë lënë të paprekur.
Dikush konsiderohet shpejt armiqësor ndaj shkencës nëse vë në dyshim tezat e virologëve dhe meteorologëve.
Sloterdijk: Ky nuk është domosdoshmërisht faji i shkencëtarit individual. Christian Drosten, për shembull, i bën nder disiplinës së tij, sepse ai e prezanton shkencën para publikut si një praktikë mësimore dhe të gatshme për rishikim. Ai nuk është pozitivist. Nga formimi i tij profesional ai tashmë e di se është e rëndësishme të lundrosh përpara valës së mutacioneve.
Por ai ndoshta nuk e kuptoi se ajo që thotë në Këshillin e Ekspertëve të Qeverisë Federale nuk mund të jetë thjesht shkencë.
Sloterdijk: Kjo është e saktë. Këshillimi politik nga shkënctarët ka qenë më i ndryshëm nga Projekti Manhattan se sa ishte më parë. Ishin shkencëtarët ata që vunë bombën atomike në duart e politikanëve të asaj kohe. Pas Ditës së Hiroshimës, u krijua një gjendje rrënjësisht e re. Nevoja për të rilidhur shkencën me përgjegjësinë mund të datohet që nga ai moment. Ky është një imperativ i ri që askush në vendin tonë nuk e formuloi aq urgjentisht sa Carl Friedrich von Weizsäcker. Shfaqja e tij shënon një pikë kthese në qytetërim.
Në çfarë mënyre?
Sloterdijk: Nga mesjeta e këtej, sfera politike u lidh me teknologjinë dhe teorinë e saj, mbi të gjitha nëpërmjet armatimit. Metalurgjia e tyre e avancuar i lejoi evropianët të ndërtonin topa dhe pushkë që i bënin ata superiorë ndaj kulturave të tjera. Ajo që quhet kolonializëm përshkruan një fazë të epërsisë së njëanshme në teknologjinë e armëve nga evropianët ndaj pjesës tjetër të botës. Në Luftën e Parë të Opiumit, disa anije britanike me topa detyruan Perandorinë Kineze të nënshkruante Traktatin poshtërues të Nanking në 1842. E gjithë Afrika shtrihej përpara grykave të pushkëve dhe topave të armëve evropiane si një madhësi lehtësisht e pushtueshme.
Çfarë del nga kjo?
Sloterdijk: Bota u bë gjithnjë e më evropiane kur teknologjia evropiane dhe baza e saj teorike, shkenca, u adoptua, jo vetëm në armë, por si inxhinieri e përgjithshme mekanike. Rezistenca kundër universalizmit të teknologjisë dhe shkencës është e kotë. Ndërkohë, në formën e klimatologjisë është shfaqur një disiplinë e re, e cila merret me meteorologjinë botërore me pretendime universaliste.
Kur një ngjarje gjeologjike si ndryshimi i klimës hyn në historinë njerëzore, ka arsye për të rishqyrtuar kalendarët e qytetërimeve. Termi Antropocene e shpreh këtë. Klimatologjia organizon një konferencë të përhershme dhe i imponohet politikës në formën e një brifingu shkencor. E ka këtë të përbashkët me një pjesë të filozofisë që është shfaqur si diagnostikim kohor dhe terapi kohore që nga thyerja e madhe e të menduarit në shekullin e 19-të.
Heronjtë Tuaj të të menduarit gri, Hegeli dhe Heideggeri, ishin real-politikanë për një kohë të shkurtër, Hegeli me interpretimin e Napoleonit, Heidegeri me mbiinterpretimin e lëvizjes naziste.
Sloterdijk: Hegeli e shihte historinë si vendin që mendja lë pas në rrugën drejt vetvetes. Për të, konsumimi i madh i jetëve njerëzore nga Napoleoni ishte vetëm një kapitull aktual në këtë kurs. Heideggeri e kishte keqpolitizuar veten sepse donte të dilte nga zona gri e periudhës së pasluftës. Ai u mbështet në vendosmërinë revolucionare në stilin kombëtar për të shmangur kalimin në arbitraritet liberal. Ai hipi në trenin e gabuar.
A ishte në pyetje sqima?
Sloterdijk: Jo aq shumë sqima, mendoj, më shumë dëshira për t’u prekur nga tabloja e madhe. Ai nuk ishte i vetëm në këtë. Është një tendencë që intelektualët të pëlqejnë të ndihen të vendosur në mes të rrymës së jetës. Ndjesia është droga më e fortë.
Si e përballoni tundimin për t’u bërë pesimist kulturor?
Sloterdijk: Kur dikush nuk ka besim në vlerën e tepërt të punës së tij, ai zhytet lehtësisht në depresion. Këto ditë po lexoj përsëri letrat e Heinrich Heine nga Parisi, duke filluar nga viti 1842 – ato janë të një gëzimi dhe virtuoziteti që hidhet përpjetë. Heine hamendet çfarë do të ndodhte nëse tendenca e rivalit të tij Ludwig Börne do të mbizotëronte. Ai parashikon cancel culture, konformizmin moralizues, fitoren e grisë së ditës së punës – zhdukjen e përgjithshme të bilbilave, zbehjen e këngëve të fundit të lira pyjore të romantizmit dhe diktatit të dobisë. Edhe atëherë një brez i ri jakobinësh kishte marshuar për të kërkuar nënshtrimin e të gjithëve ndaj kritereve të tyre. Heine e pa këtë me tmerr, por edhe me bindjen në papërmbajtshmërinë e lëvizjes që e çoi grinë drejt fitores nën flamujt e kuq.
Në kapitullin e librit tuaj mbi teorinë politike të ngjyrave të shekullit të 20-të ju vendosni afinitete të rrezikshme zgjedhore, njëra midis Leninit dhe Musolinit, tjetra midis Stalinit dhe Hitlerit.
Sloterdijk: Libri im, në pjesën e tij të dytë, trajton një ngjarje që unë e quaj zhvendosje kuq-gri – ai ofron një pasqyrim teorik me ngjyra të asaj që Eric Hobsbawm e ka quajtur “Epoka e Ekstremeve”. Unë e shpjegoj këtë kryesisht duke përdorur shembullin e RDGJ, shteti më gri nga të gjitha vendet gri post-sovjetike. Thinjëzimi i RDGJ-së ishte parafytyruar tashmë në Bashkimin Sovjetik; “Terrori i kuq” i Leninit i vitit 1918 u zbeh gradualisht në grinë e Stalinit, e cila u ngrit nga sinteza e terrorit, burokracisë dhe sundimit të shërbimit sekret.
Dëshmitari im kryesor për këtë interpretim është Marcel Mauss, një njeri me kredencialet e paprekshme të një të majti bujar francez. Sipas diagnozës së tij të formuluar në vitin 1936, sistemi sovjetik mund të kuptohej vetëm si “rregull i konspiracionit të përhershëm”. Ky është emri i vërtetë i “diktaturës së proletariatit”. Komploti i vazhdueshëm i qeverisë kundër popullit përshkruan situatën në hemisferën lindore që nga dhjetori i vitit 1922, momenti i themelimit të Bashkimit Sovjetik, dy muaj pasi Musolini erdhi në pushtet, dhe formula është ende e vlefshme sot. Ndër konstantet e saj ishte shtrirja e emrit “fashizëm” nga partia italiane në gjithçka jobolshevike.
Në këtë aspekt, Putini është ende i varur nga pika staliniste; për të, gjithçka që nuk është Putin është “fashizëm” i pastër, veçanërisht në Ukrainë. Sistemi i ngritjes së kornizës ka qëndruar gjatë gjithë shekullit, megjithëse u lëkund për një kohë të shkurtër në vitet 1990.
Me Jelcinin?
Sloterdijk: Saktë. Mëpastaj shërbimet e vjetra sekrete shtrënguan frenat dhe sundimi i komplotit u stabilizua përsëri. Putinizmi nuk është gjë tjetër veçse konspiracion i agjencive sekrete post-sovjetike. Nga ky këndvështrim, nuk ka nevojë të flasim fare për Kinën. Aty partia është përforcuar si komploti i të gjitha komploteve.
Në librin tuaj ka një formulim si “Shngjyrimi i të gjitha vlerave të ngjyrave”. Kjo elektrizon. Askush tjetër nuk shkruan kështu sot.
Sloterdijk: Të shkruarit, siç e kuptoj unë, është një lëvizje midis gjendjeve të lirisë të relaksuara dhe më rigoroze. Lëviz andej-këndej në një paralelogram midis pjekurisë dhe papjekurisë. Pjekuria garanton se ju respektoni gjendjen e artit, papjekuria e bën atë të tingëllojë si diçka që nuk e keni dëgjuar kurrë më parë.
Përktheu nga gjermanishtja: Valon Veliqi /Express/ KultPlus.com
Çmimi jepet për librat që ngjallin frymën e vendit shkon për veprën që kronizon ardhjen në moshë të autorit në Shqipëri gjatë rënies së komunizmit.
Kujtimet “me humor të hollë dhe thellësisht serioze” të akademikes, Lea Ypi, e cila në librin e saj shfaqet “aq goditëse për kohët që jetojmë”, ka fituar çmimin “Ondaatje” që akordohet nga Shoqata e Letërsisë Mbretërore.
Një çmim i tillë jepet zakonisht për libra që ngjallin frymëzimin e një vendi. Libri tregon vitet e para të fëmijërisë së Ypit në Shqipëri, në një kohë kur vendi i saj përjetonte një nga diktaturat e fundit staliniste të Evropës.
Në dhjetor 1990, statujat e Stalinit dhe Hoxhës u rrëzuan dhe jeta ndryshoi brenda natës për njerëzit, të cilët nga ai moment ishin në gjendje të votonin lirshëm, të vishnin atë që u pëlqente dhe të pëlqenin gjithçka që do të dëshironin.
Por ndryshimet politike gjithashtu u shoqëruan me problem ekonomike, humbje të vendeve të punës si dhe skemat piramidale që çuan derinë falimentimin e vendit si dhe u shoqëruan me trazira të dhunshme. Ndërsa zbulonte sekretet e familjes së saj, Ypi shpesh gjendej përballë dilemës se çfarë do të thoshte në të vërtetë liri.
Kryesuesi i jurisë që dha çmimin ishte poeti Sandeep Parmar, të cilit iu bashkua autori i “YA”, Patrice Laërence si dhe shkrimtari dhe avokati Philippe Sands.
Ata thanë për librin e Lea Ypit: “Duke lexuar dhe rilexuar ‘Lirinë’ e Lea Ypit, ne ndjemë fort se shqetësimet kryesore të librit – politika, historia personale, vetë kuptimi i lirisë – tregohen në një mënyrë kaq rezonuese për aktualitetin që jetojmë”.
Juria e përshkroi Ypin si “një mjeshtre” të ballafaqimit të rrëfimeve të mëdha dhe atyre personale. Ata vlerësuan gjithashtu edhe mënyrën se si “puna e saj me humor të hollë dhe thellësisht serioz” i detyroi “të reflektojnë mbi nevojën për vërtetësi rreth historive që na tregohen dhe se si ne negociojmë rreth tyre për vetë jetën tonë”.
Ypi, e cila është shpërblyer për çmimin me 10,000 £, është profesore e teorisë politike në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër si dhe profesor e asociouar për filozofi në “Australian National University”. Ajo u shpall fituese nga presidenti emeritus i RSL, Colin Thubron, në emër të themeluesit dhe financuesit të çmimit, Sir Christopher Ondaatje, në një event që u zhvillua në Londër.
“Liria” u zgjodh si fitues nga një listë e shkurtër prej gjashtë librash. Çmimi u fitua në vitin 2021 nga Ruth Gilligan me thrillerin “The Butchers”. Fituesit e mëparshëm përfshijnë ish-deputetin Alan Johnson për kujtimet e tij “This Boy” apo edhe gazetarja e ‘Guardian’, Aida Edemariam, mbi rrëfimin e historisë së jetës së gjyshes së saj, “The Wife’s Tale”. /gazetamapo/ KultPlus.com
Vlerësimi i një libri me frymë interpretuese dhe ideologjike haptazi marksiste mund të shihet si dy herë kontrovers. Së pari, për faktin që kundërshtitë ndaj qasjes së librit nuk kanë munguar në opinionin publik shqiptar nisur pikërisht nga vënia në diskutim e legjitimitetit të saj për të shqyrtuar regjimin diktatorial në Shqipëri, dhe së dyti, për vetë faktin që çmimi i dhënë kësaj radhë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mban emrin e një figure emblemë të anti-komunizmit shqiptar sikurse është Mid’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, një politikani të djathtë par excellence, njëherazi kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”.
Ndodhi të isha pjesë e kësaj vendimmarrje kontroverse në cilësinë e anëtares së jurisë për akordimin e këtij çmimi, pa qenë domosdoshmërisht dakord me idetë apo bindjet e autores Lea Ypi. Për më tepër që fusha e vlerësimit ishte ajo e publicistikës, eseistikes dhe studimore, ku pikëpamjet dhe qëndrimet janë edhe më të ndara. E patëm pak më të lehtë vlerësimin e një tjetër autoreje grua vetëm një javë më parë me një çmim kombëtar sikurse është Çmimi Letrar Kadare që akordohet nga Universiteti Europian i Tiranës, të cilin e mori libri “Pusulla letre” i Vera Bekteshit. Ky revansh i lehtë i autoreve gra është më tepër i vonuar sesa kontrovers, por sërish është një lajm i mirë, aq më tepër që të dy këto çmime shkojnë për herë të parë tek autore gra në dy fusha të ndryshme si letërsi dhe publicistikë, ku në garë ende dominojnë autorët burra, për hir të së vërtetës.
Përtej të ndjerit mirë për një vlerësim balancues, në rastin e Lea-s kënaqësia lidhet edhe me faktin se përfaqësojmë ekzaktësisht të njëjtën gjeneratë dhe thuajse të njëjtin formim akademik e rrugëtim profesional. Për më tepër, nuk mund ta mohoj që ndiej se më përkasin edhe mua ca nga ato rrëfime të vogla fëmijërie nga libri i saj, si pjesë e kujtesës kolektive të një brezi, të lidhur pa qenë takuar e njohur kurrë nga afër. Rituale të njëjta, po ato vende dhe ngjarje, një fat i përbashkët, edhe pse në nivelin e përjetimit dhe botëkuptimit krejt të ndryshme. Për sa më përket, në vend të nostalgjisë, është pështjellimi ai që mbizotëron në kujtimet dhe reflektimet e mia për atë periudhë të errët në përvojën tonë jo thjesht si fëmijë, por si individë. Një pështjellim të tillë dhe një reflektim të thellë për dinjitetin njerëzor të nëpërkëmbur në përvojën e ish-të borgosurve të regjimit komunist, e sjell me vërtetësi tronditëse në librin e tij “Jetë burgu” Fatos Lubonja, që u vlerësua gjithashtu në short-listën finale për këtë çmim.
Koncepti i lirisë dhe burgut janë dikotomia që ndoshta i bashkon të dy këto libra, edhe pse krejt të ndryshëm për nga stili dhe zëri i rrëfimit. Në rastin e Lubonjës auto-referenca thuajse mungon duke u dhënë zë historive të burgut të personazheve që ai ka njohur e takuar, pa i zbukuruar apo marrë në mbrojtje, në demistifikim të plotë. Në rastin e Ypi-t zëri i rrëfimit është tepër vetjak, ndërsa lexohet përpjekja për të interpretuar dhe shpjeguar gjithçka dhe gjithkënd në terma marksiste. Jo si diçka e keqe! Është për t’u vlerësuar fakti që ajo është e gatshme që t’i ekspozojë angazhimet e saj etike dhe ideologjike jo vetëm përballë ithtarëve të marksizmit në komunitete të ngushta sikurse ndodh zakonisht, por përpara një publiku të gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Pa i shmangur as strukturat e pushtetit, sepse në fund të fundit struktura e pushtetit është e pashmangshme, sidomos për një studiuese apo autore të angazhuar sikurse është Ypi.
Pavarësisht kundërshtive me të cilat është pritur në opinionin publik në Shqipëri libri i saj, ai mund të shërbejë më së paku për të provokuar diskutime etike apo ideologjike në lidhje me realitetet shqiptare të periudhës së diktaturës komuniste dhe të ashtuquajturit tranzicion demokratik. Ndoshta çmimi i akorduar rishtas do të ringjallë diskutime, pasi kritika për një libër është njëherësh edhe vlerësim për të. Mirëpo, ndoshta merita kryesore e librit të Lea Ypit është se ofron një mënyrë të re të kuptuarit të botës shqiptare për një audiencë të huaj, e cila kureshtinë më të madhe për Shqipërinë e ka të lidhur ende me periudhën e izolimit diktatorial. Përmes vetë-përfshirjes dhe rrëfimit thellësisht personal, libri ofron një strukturë shpjeguese të orientuar drejt një publiku të huaj, ndërsa qasja marksiste që në aulat shqiptare tingëllon kaq e përbuzshme, konsiderohet “fashionable” dhe madje influente në disa universitete e mjedise akademike, edhe në Angli. E shndërruar në një lloj sensacioni brenda fushës së saj, Lea Ypi është kudo në mediat e huaja dhe në promovime ndërkombëtare, duke ofruar një shpjegim “normalizues” dhe një reflektim bashkëkohor për atë që ishte përvoja e saj dhe e një brezi të rinjsh të rritur nën diktaturë dhe në kapërcyell të shndërrimeve demokratike. Dukshëm ka mbledhur tashmë një bashkësi mbështetëse për perspektivën e saj.
Së fundi, pa dashur të futem vetë këtu në diskutim me librin, për vetë faktin se ky tekst u konceptua si fjalë e shkurtër për ceremoninë e vlerësimit të autores me çmimin Lumo Skëndo, me duhet të pohoj se personalisht jam për një shpjegim objektiv dhe shkencor të përvojës tragjike që ne si popull dhe si individë kemi patur me komunizmin, ashtu si edhe me demokracinë pas rënies së diktaturës, më tepër sesa për një rrëfim me frymëzim apo qasje ideologjike. Gjykoj se vetë-përfshirja si pjesë përbërëse e konstruksionit ideologjik apo teorisë shpjeguese të autores është po aq një vegjë komunikuese e efektshme sa edhe një kufizim metodologjik, nga pikëpamja studimore, sidomos në rast se pretendimet e saj janë edhe shkencore. Sidoqoftë narrativa e saj fton për narrativa të tjera dhe për një kuptim-dhënie më të shumanshme dhe të plotë të përvojës së individit në kushtet e shtypjes dhe kufizimit të lirisë e cënimit të dinjitetit njerëzor.
*Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, UET dhe Profesore e ftuar në Universitetin e Oksfordit. / KultPlus.com
Lea Ypi një prej personazheve më të përfolur muajt e fundit me librin e saj “Të lirë” ka fituar çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë.
Çmimi për këtë libër u akordua për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor.
Në këtë libër autorja sjell kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të cilat janë vlerësuar se përcjellin vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor dhe meditim politik.
Kujtojmë se në garë për këtë çmim ishin dhe autorë si Fatos Lubonja me librin e tij të fundit “Jetë burgu”, Rubens Shima me “Posteri shqiptar”, Fatmir Toci me “Arbëreshët” dhe Kujtim Shala me “Zbulimi i Zef Pllumit”.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë një sërë figurash të shquara nga bota artit të shkruar si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. /gazetamapo.al/ KultPlus.com
“Si është të jetosh përmes një këputjeje në histori”, titullohet rishikimi i librit ‘Të Lirë: të rritesh në fund të historisë’ nga autorja Lea Ypi, që së fundmi është publikuar pikërisht në The New York Times, përcjell KultPlus.
‘Të Lirë: të rritesh në fund të historisë’ e autores Lea Ypi u rishikua për herë të parë nga redaktori Max Strasser, i cili e cilëson Ypin si një shkrimtare të bukur dhe një mendimtare serioze politike, dhe sipas tij në vetëm nja dyqind faqe të lexueshme, ajo merr radhën mes të qenit thumbues, në mos e errët, qesharake (ajo gërvisht stalinizmin dhe Bankën Botërore) dhe vërtet të thellë (ajo përpiqet të përgjigjuni pyetjes “Çfarë është liria?”).
“Kjo nuk do të thotë se kapitalizmi ishte më i keq – Ypi nuk e minimizon kurrë mizorinë dhe absurditetin e jetës nën shtetin stalinist të Hoxhës – vetëm se ishte një lloj tjetër i keq dhe se ndërsa të dy mund të premtojnë dhe të ofrojnë një lloj lirie, secili ka grupin e vet të kufizimeve”, thuhet në artikull.
Më poshtë KultPlus ua sjell të plotë artikullin e New York Times:
Ndoshta gjatë viteve të fundit, ndonjëherë keni pasur ndjesinë e të jetuarit nëpër histori, të përjetimit të një prej atyre këputjeve të rralla, të dëshmitarit të një momenti që “ndryshon gjithçka”. Mes zgjedhjeve populiste dhe mbylljeve pandemike, sigurisht që jam ndjerë kështu. Dhe më pas lexova “Free” nga Lea Ypi dhe e rimendova, shkruan Max Strasser, transmeton KultPlus.
Kujtimet e Ypit për rritjen gjatë tranzicionit të Shqipërisë nga komunizmi totalitar në kapitalizmin liberal janë historia e një fëmijërie të ndarë, ndonjëherë me dhunë, në para dhe pas. Në dhjetor 1990, pas ditësh demonstratash, diktatura ra dhe pothuajse brenda natës bota e saj u transformua: prindërit e saj i thanë se nuk e kishin mbështetur kurrë partinë, se historia familjare që ajo dinte ishte një gënjeshtër, se pika e fundit e lirisë njerëzore ishte. nuk duhet të jetë komunizëm. Siç shprehet ajo në mënyrë të përhershme: “Gjërat ishin në një mënyrë dhe më pas ishin në një mënyrë tjetër. Unë isha dikush, pastaj u bëra dikush tjetër.” OK, mendova, kjo është ajo që ndjen të jetosh përmes një këputjeje në histori.
Kjo ishte vetëm një nga zbulimet e shumta që pata ndërsa lexoja “Free”. Libri është i mbushur me njohuri, për familjen po aq sa për politikën. Ypi është një shkrimtare e bukur dhe një mendimtare serioze politike, dhe në vetëm nja dyqind faqe të lexueshme, ajo merr radhën mes të qenit thumbues, në mos e errët, qesharake (ajo gërvisht stalinizmin dhe Bankën Botërore) dhe vërtet të thellë (ajo përpiqet të përgjigjuni pyetjes “Çfarë është liria?”).
Në një nivel, “Free” është një histori klasike, emocionuese e moshës: Një vajzë bëhet grua, një familje lufton me vështirësitë. Intimiteti i librit vjen pjesërisht nga ditari i fëmijërisë së Ypit, nga i cili ajo merr për të rrëfyer kujtimet e klasave, dërrmimet e para dhe ankthin e adoleshentëve. Prindërit e saj dhe gjyshja që e ndihmuan në rritjen e saj janë personazhet e saj kryesore, të përshkruara me dashuri dhe gjallëri. Ata kanë ngecur me mua. Kjo ndihmon që familja të ketë një universalitet. Pavarësisht se isha rritur në periferi të Nju Xhersit, rreth 5000 milje nga porti i Durrësit, në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë, unë njoha Ypis: babain që ndërpret gjumin me shaka për politikën, nëna që e kanalizon stresin në punët e shtëpisë, pjelljet e veta. gjyshe me një klas që duket e një epoke tjetër.
Por, sigurisht, ka një botë shumë të ndryshme rreth tyre. Shqipëria, një nga qoshet më interesante dhe më të anashkaluara të Evropës, ndoqi një rrugë unike të çuditshme dhe shpesh të përgjakshme përgjatë shekullit të 20-të. Enver Hoxha, në pushtet nga vitet 1940 deri në vdekjen e tij në 1985, mbeti një stalinist i pa rindërtuar – Ypi u rrit duke mësuar sesi Stalini e donte atë dhe të gjithë fëmijët – shumë kohë pasi Bashkimi Sovjetik kishte lëvizur përpara. Pas vdekjes së Hoxhës, pasardhësi i tij ndoqi shembullin e tij. Qeveria ishte po aq represive sa ajo e diktatorit sovjetik: anëtarët e familjes u zhdukën në kampet e burgut; shokët e klasës dhe kolegët u dyfishuan si informatorë. Nxënësit e shkollave shkruanin raporte se cilat ferma kolektive kishin tejkaluar qëllimet e tyre të prodhimit të grurit sipas planit të fundit pesë-vjeçar.
Ky ishte çmimi për Hoxhën për ta kthyer vendin e tij në një kështjellë komuniste të vetë-mjaftueshme. Ai e kishte ndarë botën midis dy kampeve: “imperialistëve” të linjës së Uashingtonit dhe “revizionistëve” të linjës së Moskës. Shqipëria ishte po aq e mbyllur sa Koreja e Veriut sot. Përpjekja për t’u larguar mund të nënkuptojë të qëlloheni nga rojet kufitare.
Si pasojë, sendet nga bota e jashtme u bënë thesare. Shokët e klasës së Ypit kalonin rreth mbështjellësve të frutave të lëngshëm të hedhura nga turistët, duke thithur erën e ëmbël të një bote të largët për aq kohë sa ajo qëndronte e freskët; një kanaçe e zbrazët e Coca-Cola-s ishte kaq e çmuar, saqë Ypi-t patën një grindje me fqinjët e tyre të preferuar pasi u zhduk. Fqinjët ishin të rëndësishëm në një jetë me radhë për bukë, djathë dhe vajguri: “Ne u mbështetëm te miqtë dhe fqinjët për gjithçka.”
Dhe pastaj erdhi këputja. Pak më shumë se një vit pas rënies së Murit të Berlinit, kështu bëri edhe qeveria komuniste e Shqipërisë. Ypi ishte 11 vjeç dhe shalli i kuq i Pionierit që ajo mbante çdo ditë në shkollë «do të kthehej shpejt në një leckë me të cilën fshinim pluhurin nga raftet tona të librave».
Shqipëria do të ishte tani e lirë dhe e hapur – jo vetëm zgjedhjet e saj, por edhe tregjet e saj. “Komuniteti ndërkombëtar” (në formën e konsulentëve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) zbriti në vend, duke përshkruar liberalizimin dhe privatizimin e tmerrshëm, një strategji e njohur si “terapia e shokut” që u aplikua në të gjithë Evropën postkomuniste. Mund të jetë e dhimbshme pasi shteti i vjetër u shpërbë, mendimi shkoi, por ishte i nevojshëm. Ky ishte fundi i historisë dhe Shqipëria mund të ndiqte vetëm një rrugë: drejt kapitalizmit, demokracisë dhe lirisë.
Babai shumë i arsimuar i Ypit mori një punë prestigjioze drejt portit, por ai u detyrua të ndiqte “reformat strukturore” të Bankës Botërore dhe të pushonte nga puna qindra punëtorë, të cilëve më pas iu desh t’i kalonte çdo ditë teksa ata lypnin. Nëna e saj punoi për të rimarrë pronat që komunistët kishin shtetëzuar, por familja e saj, si qindra mijëra të tjerë, humbën kursimet e tyre për shkak të një skeme piramidale të përpunuar, e cila nga ana e saj ndihmoi në ndezjen e një lufte civile kaotike. Shqiptarët u larguan masivisht nga vendi, por disa herë emigrantët e mundshëm pushkatoheshin. Këtë herë rojet ishin në anën tjetër të kufirit.
Përvoja e Ypit në shkollën e mesme kulmoi në një skenë tragjike në një festë në fund të shkollës. Ajo u mbajt në plazhin “Hotel California”, i cili i përkiste mafiozëve vendas. Ypi reflektoi për miqtë e fëmijërisë që nuk ia dolën deri në diplomim: Njëri vdiq nga një aksident teksa luante me armë; një tjetër ishte trafikuar për prostitucion në Itali. Përpara se të fillonte një shtetrrethimi, Eagles filluan të luanin në sistemin e tingullit dhe gangsterët drejtuan armët drejt maturantëve të fundit të shkollës së mesme, ndërsa ata po nxirreshin nga hoteli. Kështu dukej liria?
Kjo nuk do të thotë se kapitalizmi ishte më i keq – Ypi nuk e minimizon kurrë mizorinë dhe absurditetin e jetës nën shtetin stalinist të Hoxhës – vetëm se ishte një lloj tjetër i keq dhe se ndërsa të dy mund të premtojnë dhe të ofrojnë një lloj lirie, secili ka grupin e vet të kufizimeve.
Pas diplomimit, Ypi, si shumë shqiptarë u largua nga vendi i saj. (Shqipëria ka një nga normat më të larta të emigrimit në botë.) Megjithatë, ajo ishte më me fat se shumica: Ajo shkoi në Itali për të studiuar filozofi dhe tani është profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Ndërsa ajo kurrë nuk shkruan si një akademike, pyetjet teorike janë të lidhura me “Free” në çdo faqe. A do të thotë liri zgjedhje? Apo është barazi? A është me të vërtetë rëndësi liria e brendshme, aftësia për të jetuar sipas parimeve të dikujt – siç bën familja e saj?
Këto pyetje mund të tingëllojnë si puna e një akademiku cinik që mat realitetin e çrregullt kundrejt teorisë së pastër. Në fakt, ata janë shpresëdhënës dhe “Free” i Ypit ka për qëllim të frymëzojë.
“Kur sheh një sistem të ndryshojë një herë,” shkruan ajo në epilogun e saj, “nuk është aq e vështirë të besosh se mund të ndryshojë përsëri.” Ky është lloji i qartësisë intelektuale që vjen nga të jetuarit e një këputjeje të vërtetë në histori, një moment kur, në fakt, gjithçka ndryshon./ KultPlus.com
Pas suksesit që po arrin në skenën ndërkombëtare që pas botimit, libri ‘Të Lirë: të rritesh në fund të historisë’ e autores Lea Ypi u promovua edhe para publikut në Prishtinë, në Librarinë Dukagjini.
Libri që trajton me ironi dhe shaka ngjarjet e dhimbshme të një Shqipërie komuniste të sjellur nga perspektiva e një vajze të vogël, ka për personazh kryesor vetë autoren, e cila ka rijetësuar përjetimet e asaj periudhe në një libër që bëri bujë të madhe duke u përkthyer në 15 gjuhë, shkruan KultPlus.
‘Të Lirë: të rritesh në fund të historisë’ u mirëprit shumë nga publiku në Prishtinë, e kjo u dëshmua edhe mbrëmë nga prezenca e njerëzve e të cilët nuk hezituan ta shfaqin kuriozitetin për të ditur më shumë sesa ajo që është transmetuar në libër, e kjo më pas ngjalli një diskutim tejet përmbajtjesor.
Autorja dhe profesoresha e teorisë politike, fillimisht falënderoi të pranishmit dhe shprehu lumturinë që libri i saj, tani është promovuar edhe në Kosovë.
Ajo vë në pah se ky libër është më shumë një përpjekje për të shkruar nga pikëpamja e jetëve njerëzore për një temë filozofike e që është ajo e lirisë.
“Romani quhet ‘Të lirë: të rritesh në fund të historisë’, e ‘të lirë’ është një titull ironik, e ironia është ajo e një fëmije që mendon se është e lirë, e në fakt zbulon që nuk është e tillë, e ky është fillimi i librit dhe i një populli që kërkon lirinë. Një popull që kërkon lirinë e që mund të jetë Shqipëria, mund të jetë Kosova, mund të ketë shumë vende të tjera që ndjehen të përfaqësuar nga këto përpjekje për të kërkuar dhe për të gjetur lirinë. Është gjysmë-roman, gjysmë-ese, gjysmë-autobiografi, të gjitha bashkë.” është një roman, një libër formimi, që flet për mënyrën se si ne zbulojmë të vërtetat gradualisht si individë, ashtu edhe si shoqëri, dhe ndonjëherë këto të vërteta që zbulojmë, nuk janë ato që duken, ndonjëherë janë të vërteta që na pëlqejnë, ndonjëherë të vërteta që nuk na pëlqejnë.” – shprehet autorja Ypi duke shpjeguar qëllimin e këtij libri, përcjell KultPlus.
Pavarësisht se liria në këtë libër transmetohet më një ironi, Ypi para të pranishmëve e jep definicionin e saj për lirinë, e që është ai i gjyshes së saj, të cilën ajo e konsideron si boshtin moral të këtij libri.
“Ideja e lirisë është edhe në një nga mesazhet kryesore që gjyshja përçon në libër është që në çdo lloj sistem shoqëror-politik, sado shtypës të jetë ai, njeriu nuk e humb kurrë dinjitetin njerëzor, dhe duke mos humbur kurrë dinjitetin njerëzor, nuk humb as lirinë e brendshme, pra lirinë për t’u bërë ajo që duhet. Duke mos humbur lirinë e brendshme, nuk humbë syrin kritik për të parë se çfarë nuk shkon në shoqërinë që na rrethon, pra çfarë u mungon institucionet në të cilat ne jetojmë dhe me të cilat rritemi. Pikërisht kjo liri e brendshme, na jep ato shkëputjet morale që për mua janë të domosdoshme për t’i vlerësuar si duhet shoqëritë në të cilat rritemi ose jetojmë, çfarëdo që të jenë ato, sido që ta kenë emrin, çfarëdo ideologjie që të kenë dhe me çfarëdo paketimi të vijnë idetë e asaj shoqërie dhe vetëm deri këtu shkon Lea, pra nuk mundohet që t’i bindë njerëzit që të jenë nga kjo anë e shoqërisë ose nga kjo anë tjetër që të përfaqësojnë këtë ide të lirisë ose këtë ide tjetër, por vetëm që të kuptojmë forcën e brendshme morale të çdo individi në çdo shoqëri sado shtypëse dhe nëpërmjet asaj force morale, të ndërtojmë kritika shoqërore në të cilën liria nuk shihet vetëm si liria e një individi, por ku kuptohet se në qoftë se të gjithë nuk jemi të lirë, asnjëri nga ne nuk është i lirë, pavarësisht sa dukemi se jemi të lirë” – thotë ajo duke dhënë mesazhin kryesor të këtij libri.
Ndërkaq, ajo që merr pothuajse vëmendjen më të madhe në këtë libër është padyshim shpjegimi i ‘kristaltë’ i ngjarjeve, nga një vajzë që në kohën e regjimit komunist ishte tejet e vogël për t’i kuptuar ato. Por, autorja thotë se pavarësisht se ishte shumë e vogël në moshë, disa ngjarje i kujton me kthjelltësi saktësisht se si kishin ndodhur.
“Libri është i ndarë në dy pjesë, pjesa komuniste dhe pjesa e Shqipërisë liberale. Për pjesën e dytë kam qenë shumë e sigurt në materialet, në mënyrën e përshkrimit pasi kam mbajtur ditar pas viteve 1990, nga viti 1990 deri në vitin 1997 kam ditar pothuajse të përditshëm dhe në ata ditarë, ka shumë rrëmujë, gjëra jointeresante, dilema, dashuri, gjëra që nuk i interesojnë shumë shoqërisë sot, por ka edhe reflektime politike-shoqërore të shpërndara aty-këtu.” – thekson Ypi duke shpjeguar metodologjinë e librit, përcjell KultPlus.
“Një nga episodet që mbaja mend fiks si ka ndodhur ishte vdekja e Enver Hoxhës dhe në fakt kur kam biseduar me bashkëmoshatarët e mi e që ishin edhe ata në kopsht ose në shkollë fillore, të gjithë kanë një kujtim shumë të qartë se ku kanë qenë atë ditë, çfarë anë thënë, çfarë kanë bërë prindërit, si e kanë parë dhe besoj se ka qenë një nga momentet e para të ndërgjegjësimit për fëmijët që ka diçka përveç asaj që na thuhet, pra nuk është vetëm propaganda, nuk është vetëm si e përfton ti nga televizioni. Unë mbaj mend një nga episodet që kam përshkruar në libër që gjyshja ime po më thoshte ‘po haje byrekun se e kam bërë shumë të mirë’ dhe unë që i them ‘si ka mundësi që të hahet se sot është një ditë shumë e tmerrshme’, pra janë disa momente kyçe të librit që më kujtohen.” – potencon më tutje aturoja e librit.
Botimi i këtij libri, pavarësisht suksesit ndërkombëtar, nuk u mirëprit nga publiku në Shqipëri, e për këtë pritje, Ypi thotë se nuk e ka me shumë dëshirë të flasë dhe një prej arsyeve pse ndihet e çliruar dhe më e lumtur në Kosovë është se nuk do t’i ketë këto paragjykime, nuk do ta ketë atë përballim dhe atë përfaqësim sepse siç thotë ajo, i ka shpjeguar disa herë motivet e këtij libri.
‘Të Lirë: të rritesh në fund të historisë’, është një libër, nga një persepektivë e një vajze që atë kohë ishte e vogël, por jo sa për të mos kuptuar se diçka nuk është në rregull. Por sa e përfaqëson i gjithë ky rrëfim prespektivën e një shoqërie të rërë.
“Kjo besoj se lidhet me suksesin e jashtëzakonshëm që ka pasur libr jashtë Shqipërisë, pikërisht pse ka qenë kaq i suksesshëm, ka pasur një pritshmëri që libri të jetë edhe përfaqësues, pra ky është një moment kur Shqipëria, jeta në Shqipëri, jeta në komunizëm, jeta në liberalizëm, bëhet i njohur nga mediat ndërkombëtare nga gazetarët dhe kjo i jep një barrë të jashtëzakonshme autorit sepse e bën autorin përfaqësues të një shteti të një perspektive të kaluar të atij shteti që është vetëm një perspektivë midis shumë perspektivash tjera. Çdo libër është një gur në një kala, nuk është e gjithë kalaja dhe debati është një debat që ngrihet dhe ajo ndërtohet nga shumë pjesë nga shumë autorë me shumë perspektiva të ndryshme, nëpërmjet kritikave të këtyre autorëve. Unë them që është edhe e padrejtë dhe e gabuar që të pritet nga një libër dhe një autor që të japë perspektivën e një shoqërie të tërë, aq më tepër të një shoqërie aq të ndarë dhe aq të vuajtur si shoqëria shqiptare.” – shton më tutje autorja Ypi.
Edhe pse botimi i parë i këtij libri ishte në gjuhën angleze, Lea vendosi që përkthimin në shqip ta bëjë vetë ajo, sepse siç shpjegon ajo ka dashur t’i përjetojë edhe njëherë ngjarjet në atë gjuhë që personazhet reale kanë folur.
“Kur e përktheja në shqip fjalët e librit, i rijetoja por i rijetoja me një intensitet emocional që nuk e kisha përjetuar kur i kisha shkruar në anglisht, pra kur i shkruaja në anglisht po shkëputesha nga jeta reale sepse dialogët po ndërtoheshin në një gjuhë që nuk ishte gjuha në të cilën ishin folur dhe kjo më jepte një lloj distance nga libri dhe një lloj ftohtësie për të shkruar dhe kur e përktheva në shqip kjo distancë ra pasi personazhet po flisnin në gjuhën dhe zërin që kishin folur gjithmonë, ose me zërin me të cilin unë i kujtoja dhe kjo e bënte edhe më të dhimbshëm këtë proces sepse disa personazhe për të cilët unë shkruaja nuk jetoni më dhe ishte një mënyrë për t’i sjellë në jetë, por për t’i sjellë në jetë si të vdekur.” – thotë autorja duke shtuar se një arsye më shumë pse e ka përkthyer vetë është se e ndjeu se një detyrim që i detyrohej, Shqipërisë, vendit ku kishin ndodhur këto ngjarje.
Autorja, Lea Ypi, poashtu ndau me pjesëmarrësit, se ky libër narrativ, i ngjarjeve të përjetuara nga vetë ajo dhe familja e saj, do të bëhet film, ndonëse ende nuk dihet se cili do të jetë produksioni e detajet e tjera.
E një prej kritikave pothuajse më të shumta që mori ky libër është padyshim mospërfshirja e Kosovës në bisedat dhe ngjarjet që rrëfehen në këtë libër, duke e ditur se ky libër trajton ngjarjet e viteve 1990-1997, vite këto jo të lehta për Kosovën e cila ato kohë ishte nën regjimin jugosllav.
“Vërtet, unë nuk e kam pasur në ndërgjegjen time Kosovën deri në vitin 1999, pra Kosova ka hyrë në ndërgjegjen time politike e morale vetëm në vitin 1999 dhe do të ishte e pandershme dhe jo e sinqertë që unë të thoja që kjo ka ndodhur në mes të vitit 1990-1997 në të cilat unë e trajtoj këtë libër. Kosova ka qenë e pranishme nëpër debate por s’ka qenë në ndërgjegjen time si Lea në këto vite kur trajtohet libri dhe po është e drejtë kjo kritikë sepse ky libër nuk flet për Kosovën por do të tregohesha e pasinqertë sikur të kisha thënë se u bë kjo bisedë për Kosovën dhe unë e mbajta mend.” – thotë autorja Ypi duke shtuar se ky libër do të ketë edhe vazhdimin ku do të trajtohen ngjarjet pasi ajo është ndërgjegjësuar për Kosovën, gjegjësisht pas vitit 1999, kur ajo filloi punën si përkthyese në Kryqin e Kuq.
E për ta plotësuar deklaratën e vajzës së saj, nëna e Lea Ypit thotë se për shkak të sistemit të asaj kohe, vajzën e tyre ajo dhe e gjithë familja e kanë ruajtur nga diskutimet për Kosovën.
“Unë kam qenë mësuese në një shkollë afër Durrësit dhe kisha një shoqe që jepte Gjeografi dhe në një moment në një mësim që jepte ajo, duke folur për hartën e Shqipërisë ajo tha se ne përkufizohemi nga Jugosllavia, Greqia, Italia dhe lart është Kosova që përpara ka qenë pjesë e jona dhe vetëm për këtë që tha ajo u pushua nga puna. Pra, terrori në Shqipëri ka qenë shumë i madh sa nuk mund që këtë t’ia përçonim Leas së vogël, dhe ne jemi ruajt në mënyrë absolute nga fëmijët dhe kemi folur me kode me njëri-tjetrin,” – shtoi ajo duke i dhënë më shumë kuptim asaj se pse Lea nuk e kishte Kosovën në ndërgjegjen e saj deri në vitin 1999.
Përderisa, në këtë libër, Lea shfaq një vajzë të vogël që mendon se është e lirë e që në fakt nuk është, ajo tregon për pjesëmarrësit në promovimin e mbrëmshëm se a ndjehet tani e lirë, 25 pas largimit nga Shqipëria.
‘Unë ndjehem e lirë në kuptimin që ndjehej gjyshja ime e lirë, pra ndjehem e lirë sepse ndjej përgjegjësi morale dhe saherë që njeriu ndjen përgjegjësi morale për mendimin tim është i lirë dhe ndjehet i lirë. Pjesa tjetër është ajo që nëse një shoqëri nuk është e lirë, individi nuk mund të jetë i lirë sepse ne nuk jetojmë vetëm për veten tonë, jetojmë për fëmijët, për shoqërinë, për të tjerët, jetojmë në emër të brezave të kaluar dhe për brezat e ardhshëm dhe kur jeton në një shoqëri ku ka padrejtësi, atëherë dhe një njeri që ndihet i privilegjuar, që ka pushtet e para, nuk mund të jetë i lirë. Pra edhe po edhe jo, jam e lirë sepse ndjehem e përgjegjshme por nuk jam e lirë sepse nuk besoj që jetojmë në një shoqëri të lirë.” – shpjegon ajo konceptin e saj për lirinë.
Ndërkaq, nuk u la pa u diskutuar edhe pikëpamja marksiste-kantiane që e karakterizon autoren Ypi, e që u vu në pah nga një pjesëmarrëse në promovim, e cila e pyeti se a ka ndikuar kjo pikëmapmje në shkrimin e këtij libri.
“Marksi është më pak pjesë e librit, më shumë është Kanti dhe teoria e tij ku thuhet se ideja e lirisë zbulohet përmes moralit. Arsyeja pse Marksi nuk është pjesë e librit është se nga ana filozofike dhe nga ana kritike e shoqërisë, ne nuk gjejmë asgjë tek Marksi që nuk e gjen te Kanti.” – u përgjigj Ypi.
E në këtë promovim në panelin e diskutimit përkrah autores Lea Ypi ishin edhe filozofi Shkëlzen Maliqi dhe gazetari, Lirim Mehmetaj./KultPlus.com
Në Zyrën e Kryeministrit Kurti sot ka shkuar Lea Ypin, profesoreshë e Teorisë Politike, e cila ngjalli shumë reagime pas botimit të librit të saj për vitet e fundit të komunizmit.
Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se sot ai e ka pritur në takim ligjëruesen e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics”, Lea Ypi.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe Ypi diskutuan mbi situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, sfidat dhe përvojat e qeverisjes.
Ypi, që njihet për bindjet e saj të majta, është pajtuar se “orientimi progresist në të dy shtetet duhet shprehur në reformë të thellë sociale dhe administratë publike cilësore”, thotë komunikata e lëshuar nga ZKM-ja.
Biseda e Kurtit dhe ligjëruesja së Teorisë Politike nuk është ndalur veç në politiken shqiptare. ZKM-ja njofton se Kryeministri dhe Lea Ypi folën për zhvillimet aktuale politike në Britani të Madhe, BE dhe më gjerë.
Lea Ypi ka ardhur në Prishtinë për të promovuar librin “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 15 gjuhë.
Kryeministri Kurti e përgëzoi Ypin për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit dhe i dëshiroi suksese të mëtejshme.
Libri “Të lirë” trajton periudhën e viteve ‘80, para rënies së komunizmit në Shqipëri, të shikuar nga sytë e një fëmije. Autorja ka lindur në dekadën e fundit të komunizmit. / KultPlus.com
Më 5 janar nga ora 18:00, në librarinë Dukagjini në Prishtinë do të bëhet promovimi i librit “Të Lirë”, ku do të marrë pjesë edhe vetë autorja Lea Ypi.
Libri “Të Lirë” nga autorja Lea Ypi sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm.
Ky roman është botuar në 15 gjuhë të ndryshme të botës./KultPlus.com
Lea Ypi thotë se pakica vokale e shqiptarëve ka dërguar një sasi të madhe ofendimesh në internet duke kritikuar bestsellerin e saj, “Të lirë”, shkruan TheGuardian, përcjell KultPlus.
Një memoar për rritjen para dhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri ka marrë komente pozitive në perëndim, por ka shkaktuar abuzime “të egra” nga një pakicë e zëshme e shqiptarëve, thotë autorja Ypi.
Në muajin e parë të plotë të shitjes në nëntor, libri me kujtime shiti 10,000 kopje. Është përzgjedhur në listën e ngushtë për biografinë e vitit të “Costa” dhe së shpejti do të jetë në dispozicion në 17 gjuhë, duke përfshirë koreanisht dhe mandarin.
Pavarësisht kritikave të tij për ndikimin katastrofik të ndryshimeve të tregut në Shqipëri, libri mori vlerësime me pesë yje në Daily Mail dhe Daily Telegraph dhe u emërua libri i vitit në “Sunday Times”.
Por në Shqipëri libri nuk u prit edhe aq mirë, saqë Ypi iu desh t’u bënte thirrje shqiptarëve që të ndalonin dërgimin e mesazheve të saj “fyese, akuzuese dhe shpifëse”.
Ajo tha për Guardian se zakonisht i pëlqente të merrej me kritikët e saj. Por ajo tha se ky abuzim ishte ndryshe sepse vinte nga njerëz që ose nuk e kishin lexuar librin ose e kishin keqkuptuar kritikën e tij ndaj kapitalizmit dhe komunizmit.
Libri tregohet nga këndvështrimi i saj si fëmijë në Shqipërinë e viteve 1980, kur ajo u mësua të adhuronte diktatorin Enver Hoxha dhe pikëpamjet disidente të familjes së saj u bënë të qarta vetëm pas rënies së regjimit.
“Një nga mesazhet më të rëndësishme në libër është se sado shtypës të jetë një regjim, ai kurrë nuk e dërrmon plotësisht dinjitetin njerëzor,” tha ajo.
Disa nga kritikët shqiptarë të Ypit i kanë gabuar idetë e tilla si një falje për komunizmin dhe e kanë akuzuar atë se ka përjetuar sindromën e Stokholmit. Kjo ka qenë veçanërisht e vështirë për Ypi për të marrë. “Të prek personalisht nëse ke një gjysh që ka kaluar 15 vjet në një burg komunist, të thuhet se po përpiqesh disi të rehabilitosh vrasësit komunistë,” tha ajo.
Disa nga reagimet kanë qenë seksiste – në një mesazh Ypi u tha se ajo dukej “më shumë si një showgirl sesa një akademike”. Një tjetër gërmoi një gazetë të vjetër që citonte Ypin si një 11-vjeçare që shprehte dëshirën për të ndihmuar vendin e saj dhe e akuzoi atë se ishte kthyer kundër vetvetes së saj të mëparshme.
Ajo tha: “Është një pakicë, por është kaq e zëshme, kaq personale dhe kaq e mbrapshtë, saqë ju ndikon shumë më tepër sesa përgjigjet e tjera që kanë qenë jashtëzakonisht pozitive.”
Në libër, ajo tregon se ishte ngacmuar si fëmijë, pjesërisht sepse fliste frëngjisht. “Është pikërisht i njëjti lloj i njerëzve që më ngacmonin kur isha fëmijë që po e bëjnë këtë tani,” tha ajo.
Ypi thotë se shumë nga kritikat erdhën pasi ajo lançoi versionin shqip të librit në ish-shtëpinë e Hoxhës në kryeqytet, Tiranë. “Për mua ishte si të imagjinoja Hoxhën në ferr, duke promovuar dikë nga një familje disidentësh një libër për trashëgiminë shqiptare. Ishte simbolikisht vërtet i fuqishëm,” tha ajo.
Por ironia e vendndodhjes u humbi disave, të cilët mendojnë se prona duhet të shkatërrohet dhe dyshohet se Ypi po përpiqet të rehabilitojë diktatorin.
Prania në nisjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe shumë prej ministrave të tij u keqinterpretua gjithashtu. Ypi tha: “Unë jam shumë kritik ndaj qeverisë shqiptare, por njerëzit mendonin se po manipulohesha ose po përvetësohesha prej tyre”.
Perceptime të tilla kanë nxitur edhe thashethemet e rreme se Ypi do të bëhet presidenti i ardhshëm i Shqipërisë.
Ajo tha: “Nëse vazhdoni të përsërisni lajme të rreme si ai, pothuajse bëhet si lajm i vërtetë. Dhe pastaj ajo gërryen kritikat konstruktive. Ajo që duhet të ndodhë me shtëpinë e Enver Hoxhës është një debat i vlefshëm, por nëse fillon ta bazosh në lajme të rreme dhe keqlexime, debati nuk ndodh kurrë.”
Ypi, i cili e ka shkruar librin paralelisht në anglisht dhe shqip, mendon se me gjithë komentet negative në internet, libri ka arritur të ndezë diskutime konstruktive për meritat e socializmit dhe kapitalizmit.
Ajo tha: “Nëpërmjet historive familjare, unë përpiqem t’i angazhoj të gjithë në një bisedë të madhe rreth lirisë – nëna ime ka një ide për lirinë dhe babai ka një tjetër. Kur funksionon, hap biseda të mëdha dhe nuk i mbyll ato. Dhe ka një brez të ri që shqetësohet se në çfarë lloj sistemi jetojmë.” /KultPlus.com
Më 5 janar nga ora 18:00, në librarinë Dukagjini në Prishtinë do të bëhet promovimi i librit “Të Lirë”, ku do të marrë pjesë edhe vetë autorja Lea Ypi.
Libri “Të Lirë” nga autorja Lea Ypi sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm.
Ky roman është botuar në 15 gjuhë të ndryshme të botës./KultPlus.com