Lebibe Topalli zbulon detaje nga edicioni i shtatë i MuralFest: Do të sjellim risi dhe murale të reja

Uranik Emini

Edicionet tashmë të përvjetshme të MuralFest Kosova kanë ndikuar që qytete e vende të ndryshme të marrin një dukje të re, duke shtuar përmes artit gjallëri, freski dhe buzëqeshje, shkruan KultPlus.

Drejtoresha ekzekutive e MuralFest, Lebibe Topalli, në një intervistë për KultPlus tregoi se viti 2021 ishte shumë i suksesshëm dhe kjo gjë ka ndikuar që të përgatiten edhe më shumë për planet që po vijnë këtë vit.

“Ngjashëm si viteve të kaluara edhe këtë vit MF do vazhdojë të sjellë projekte në të mirën artistike dhe kulturore të shoqërisë”, thotë ajo.

Topalli njofton të gjithë lexuesit e KultPlus se vitin 2022 do ta fillojnë me një projekt të mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, i cili do shënohet me ardhjen e një artisteje amerikane për të punuar së bashku me të rinjtë e Kosovës vendas jo vetëm murale, por edhe në cilësi të mentores në punëtori të ndryshme artistike.

Ajo njofton se përgatitjet për edicionin e ri veçse kanë filluar, derisa muralet i cilësojnë si pjesë më të rëndësishme të punës sonë dhe vazhdojnë të jenë prioritet për organizatë tonën.

“Këto përgatitje janë nisur duke caktuar temën e këtij edicioni, lokacionet e edhe ftesat për artistët pjesëmarrës. Sa i përket kësaj të fundit, gjatë muajit Shkurt do bëhet publikimi zyrtar për qytetarët rreth këtij edicioni”, shton tutje ajo.

Tutje, Topalli zbulon edhe detaje nga edicioni i shtatë duke thënë se tema do të jetë shumë më ndryshe nga hera e kaluar, derisa e lë në “enigmë” pjesën e figurave të reja kombëtare, duke shtuar se do të ketë shumë punë e risi nga ana e tyre.

Muralet në Kosovë kanë qenë të pikturuara nga artistë të ndryshëm nga Evropa, e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kjo traditë do të vazhdojë edhe për edicionin e shtatë.

“Ajo që vlen të theksohet për vitin që lamë pas është se brenda 2021 kemi realizuar 20 murale të përmasave të mëdha me temën HOME, e prej tyre 10 me artistë vendas. Si progres tanë vlerësojmë me krenari muralet nga artistët tanë”, e thotë me modesti të plotë Topalli.

Vitin 2021, MuralFesti e filloi me portretin e Rita Orës, derisa e mbyllën me figurën e jashtëzakonshme të Nexhmije Pagarushës.

Misioni i Mural Fest është promovimi i artit dhe kulturës në vend, duke e përdorur artin si mjet për ndërgjegjësimin për kauza të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë. /KultPlus.com

Ekspozitë e dy kosovareve në Zvicër

Lebibe Topalli dhe Pranvera Sylejmani vijnë me ekspozitë në Zvicër me temë “Arti dhe koha” dhe “Kthimi në natyrë”.

Në kuadër të ditëve të kulturës në diasporë, organizuar nga konzullata e Kosovës në Cyrih e me mbështetjen e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, mbrëmë është hapur, në ambientet e konzullatës së Kosovës në Cyrih, ekspozita e dy artisteve të ardhura nga Kosova, Lebibe Topalli dhe Pranvera Sylejmani

Në një fjalë përshëndetëse në hapje të ekspozitës, diplomate Shukrije Ramadani veçoi rëndësinë e kësaj ekspozite e cila sjell bukurinë e dashurinë për artin. Ramadani prezantoi artistet Lebibe Topalli dhe Pranvera Sylejmani, për të cilat tha se kanë sjellë këtu para nesh një mënyrë tjetër të të menduarit për natyrën dhe kohën.

„Jam veçanërisht e emocionuar se Pranvera është vajza e Gursel Sylejmanit dhe më kështu ajo vazhdon traditën që ka lënë Gurseli në gjysmë“, tha Shukrije Ramadani, e cila ne emër të konzullatës e shpalli të hapur ekspozitën.

Një njoftim më të gjerë rreth hapjes së ekspozitës dhe temave që dy artistet kosovare kanë trajtuar përmes ngjyrave, dha Kaltrina Haliti, e cila veç tjerash tha se në këtë ekspozitë nuk shohim vetëm problemet që i shkakton faktori njëri, por shohim edhe fenomene të bukura të cilat i ndodhin natyrës.

Lebibe Topalli u shpreh e lumtur që iu ka dhënë mundësia të sjell pikturat e saja në Zvicër.

„Është hera e parë që vijë me punime në Zvicër, ne kemi ndoshta teknika pak më ndryshe me njëra tjetrën, por janë gjithsesi piktura moderne, ashtu siç pretendojmë të jemi ne“.

Artistja Lebibe Topalli ne kete cikel tërheqë një paralele në mes të artistit dhe kohës, duke lënë të kuptojmë se njeriu mund të ekzistoj në kohën e pafundme, vetëm nëse krijon.

Pikturat e Lebibe Topallit dhe Pranvera Sylejmanit fusin adhuresit e artit mes dy koncepteve, “Artit dhe kohës” dhe “Kthimit në natyrë”. Kjo e fundit, është një klithmë që kërkon të ruajmë natyrën. Një zë protestues që kërkon vetëdijësimin e faktorit njëri për të ruajtur natyrën.


„Trajtimi i pikturave të mia është te kthimi në natyrë. Është një brengosje e madhe e shkatërrimit të natyrës, është një problem që po ndodh te ne. Përmes pikturës unë protestoj që të kthehemi prapë të natyra, sepse natyra është përfektja dhe përmes artit duke u munduar ta imitojmë natyrën, shpresoj të vetëdijësohemi e te kthehemi prapë të natyra, mos ta shkatërrojmë atë“, thotë për albinfo.ch piktorja e talentuar, Pranvera Sylejmani.

Regjisori Ben Apolloni, në analizen e tij për këtë cikel shkruan ” …me veprat e saj, ajo na e bënë me dije se koha është konstante, kurse ne, njerëzit, ndryshojmë, dhe ne jemi dhe mbesim në kohë, në përjetësinë e saj, vetëm përmes asaj që krijojmë”.

Ndërsa, te cikli “Kthim në Natyrë”, thënë figurativisht shohim natyrën në tranzicion në kuptimin e ndryshimeve klimatike si rezultat i një raporti jo reciprok që e ka vendosor njeriu përballë natyrës, dhe jo vetëm, në anën tjetër ky cikel punimesh na paraqet edhe fenomenet më të bukura që i ndodhin natyrës, si “Hëna e Zezë”, “Aurora”, “Eklips” etj.

Qëllimi kryesor i artistes është të përcjellë porosi për problematiken kryesore të këtij shekulli, ndotjen e natyrës, dhe ajo çfarë pretendon artistja është sjellja më e mirë nga faktori njëri, dhe në mënyrë të mirëfilltë “Kthimin në Natyrë“.

Ekspozita e do të jetë e hapur deri më 25 nëntor 2018./KultPlus.com

Në ambasadën e Kosovës në Bern u prezantua ekspozita e artistes Lebibe Topalli – Shabani

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, para të pranishme, dashamirë të arteve pamore, është hapur ekspozita e artistes nga Kosova, Lebibe Topalli-Shabani.

Me një fjalë rasti ekspozitën e ka hapur Ambasadorja Nazane Breca, e cila, veç tjerash tha se kjo ekspozitë është një dëshmi se artistët tanë kanë potencial të madh krijues dhe se Lebibe Topalli si një artiste e re, deri tash ka hapur një mori ekspozitash dhe ka fituar çmime të rëndësishme duke u vlerësuar lartë nga kritika.

Lebibe Topalli në përshëndetjen e saj para të pranishme, tha se ka sjellë në këtë ekspozitë të organizuar nga Ambasada e Kosovës këtu në Bernë, një cikël me piktura të cilën e ka titulluar “Nëpër kohë”. Ashtu siç e kam pasur një ekspozitë tjetër në një galeri të Gjenevës në këtë vit, edhe këtu në ambasadën tonë, jam shumë e kënaqur me hapjen e saj dhe me publikun artadashës, tha mes tjerash Lebibe Topalli.

Artistja Lebibe Topalli, në ekspozitën tematike “Nëpër kohë”, përmes paraqitjes së rrathëve, rrotave, shqiponjës, të shndërruara në simbole, ka shpërfaqur artistikisht lëvizjen nëpër kohë, lëvizjen e cila shtynë të ecën përpara si nxitje për ide të reja dhe për krijim të vazhdueshëm. E gjithë kjo, e shprehur përmes këtyre simboleve, në piktura me formate të mëdha dhe me një koloritë të harmonizuar, kjo artiste ka arritur të sjellë para artdashësve emocion dhe meditim të fuqishëm për kohën dhe njeriun.
Ekspozita “Nëpër kohë”, është e hapur deri në datën 7 tetor 2018, dhe mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9h deri në orën 17h, në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Adresa: Zähringerstrasse 25, 3012 Bern./ KultPlus.com