Agron Shujaku dhe Ledian Shala promovojnë veprat kosovare për piano 4 duar

Një mbrëmje për mos t’u harruar, një kurorësim i nismës së pianistit Agron Shujaku së bashku me pianistin e ri Ledian Shala, për të promovouar dhe dokumentuar veprat kosovare për piano 4 duar.

Pas publikimit të video-inçizimeve profesionale në kanalin Youtube muajin e kaluar , më 1 Prill 2022 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë është realizuar koncert pianistik me qëllim të promovimit të CD-së me veprat e kompozitorëve kosovarë Artan Hasani, Kreshnik Aliçkaj, Memli Kelmendi, Valton Beqiri, dhe Mendi Mengjiqi.

Mungesa e inçizimeve të performancave live të veprave të kompozitorëve kosovarë ishte shtytja kryesore për realizimin e audio-arkivimit/dokumentimit të veprave të kompozitorëve kosovarë.

Koncerti mblodhi dashamirë të muzikës, nxënës, profesorë si dhe kompozitorë të veprave në fjalë të cilët e çmuan dhe vlerësuan realizimin e koncertit. Shujaku deklaroi që kjo iniciativë do të vazhdohet edhe me tutje me projekte të reja që kanë synim dokumentimin e trashëgimisë kulturore muzikore.

Ndërsa pianisti Ledian Shala ndihet i lumtur për realizimin e projektit si dhe i motivuar për koncertin e ardhshëm solistik që do të realizojë si fitues i garës “Pianisti i ri 2021” në “Dam Festival”.

Ky koncert është realizuar përmes mbështetjes financiare të Drejtorisë së Kulturës, Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com

Agron Shujaku prezanton një pjesë të projektit që ka synim realizimin e veprave të kompozitorëve kosovar për piano 4 duar (VIDEO)

Piansiti Agron Shujaku së fundmi ka prezantuar një pjesë të projektit që ka për synim realizimin e veprave të kompozitorëve kosovar për piano 4 duar, përcjell KultPlus.

Bëhet fjalë për veprën për piano 4 duar “Pranvera në Prishtinë” e kompozuar në origjinal nga Musa Piperku, që është transformuar në një vepër të bukur pianistike nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Piansiti Shujaku tutje bëri të ditur se realizimi i projektit të CD me vepra të kompozitorëve kosovar është subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Te nderuar miq,

Po ju prezentoj një pjesë të projektit që ka synim realizimit të veprave të kompozitorëve Kosovar për piano 4 duar.

Është vepra për piano 4 duar “Pranvera në Prishtinë” e kompozuar në origjinal nga Musa Piperku, që është transformuar në një vepër të bukur pianistike nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Realizimi i projektit të CD me vepra të kompozitorëve kosovar është subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Faleminderoj poashtu Teatrin Profesionist “Istref Begolli” për kontributin e tyre si partner i projektit.
Një falemnderim i veçantë për Memli Kelmendi për kontributin e tij në si inxhinier zëri në realizimin e projektit. / KultPlus.com

Ledian Shala fiton çmimin kryesor në Pianisti i Ri

Edicioni i 14-të i Festivalit “Painisti i Ri’, që u mbajt në Prizren, po konsiderohet si një ndër edicionet e suksesshme të këtij festivali, pasi që në këtë garë u sfiduan 150-të pianistë, shkruan KultPlus.

Në mbrë;mjen finale ishte i pranishëm edhe Albin Kurti, kryeministri i Republikës së Kosovës i cili në këtë mbrëmje ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Ministrisë së Kulturës Hajrulla Ceku, dhe Sazan Cuakj, nga Komuna e Prizrenit.

“Interesimi në rritje i pianistëve të rinj dhe progresi i tyre ndër vite, është shtysë që festivali “Pianisti i Ri” të vazhdon traditën në profilizimin e pianistëve premtues. Një falenderim i veçantë i shkon Komunës së Prizrenit për mbështetje, shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” për bashkëpunimin, si dhe jurisë profesionale për vlerësimin: Herton Mikeli, Shkelzen Baftiari dhe Gent Kumnova”, ka thënë Vlora Baruti, drejtoreshë e këtij festivali.

Ndërkohë, më të suksesshmit e këtij edicioni dolën këta pianistë: Çmimi i I-rë “Pianisti i ri 2021” (300€) – Ledian Shala, çmimi i II-të (200€) – Riola Susuri çmimi i III-të (100€) – Jona Pireva,  çmimi “Fahri Beqiri” – Luna Shema, çmimi “DAM Festival” – Ledian Shala. Kurse pjesë organizative e këtij edicioni janë:  Vlora Baruti – Drejtoreshë Artistike Agron Shujaku – Menaxher Yllka Shyti – Administratore./ KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala me koncert pianistik në Kërçovë

Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, ku do të prezantohen vepra të kompozitorëve shqiptar për piano- 4 duar, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet në qendrën e kulturës ‘Koço Racin’ në Kërçovë me datën 28 maj me fillim nga ora 19:00.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Shujaku ka ftuar të gjithë artdashësit nga Kërçova që të prezantojnë në këtë koncert.

“I lumtur që do të performojmë në koncertin e ardhshëm në Kërçovë . Ftoj të gjithë artdashësit nga Kërçova të prezentojnë në Koncertin pianistik me vepra të kompozitorëve kosovar për piano – 4 duar”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Ledian Shala triumfues në Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës, rrëmben çmimin e parë në Londër

Ledian Shala, është shpallur fitues i çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar të Muzikës 2021, të organizuar në Londër, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga mentori i tij, Agron Shujaku, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, njoftoi ndjekësit e tij duke theksuar poashtu se ndjehet tejet i lumtur me suksesin e studentit të tij.

‘Jam i lumtur të ju njoftoj se studenti im Ledian Shala fitoi çmimin e parë të Konkursit Ndërkombëtar të Muzikës 2021 – “London” Grand Prize Virtuoso – me ftesë për debutim në Elgar Room, Royal Albert Hall në sezonin e ardhshëm 2021-2022’, shkruan Shujaku. / KultPlus.com

Koncerti i Agron Shujakut e Ledian Shalës, mbrëmë solli perlat e kompozitorëve botërorë


Qendrim Badalli

Përvoja e Agron Shujakut si dhe entuziazmi dhe talenti prej të riut të Ledian Shalës, u gërshetuan mbrëmë në koncertin duo pianistik të dhënë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

Një numër i konsideruar i të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe fëmijët ngase aty po luante edhe një bashkëmoshatar i tyre, dëgjuan interpretimin e Shujakut dhe Shalës të cilët luajtën veprat më të popullarizuara të Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma për rreth një orë.

Agron Shujaku, në një intervistë për KultPlus, ka folur rreth përgatitjeve për koncertin si dhe për arsyen se pse ky koncert u realizua në Prishtinë.

“Për këtë koncert kemi pasur përgatitje katër-pesë muaj intensiv. Unë e kam realizuar këtë program edhe më herët por me një pianist tjetër, dhe atëherë nuk kishim mundësi ta realizonim në Prishtinë, prandaj këtë herë e kam pa të nevojshme ta kurorëzojmë në Prishtinë”.

Ai, tutje ka treguar edhe sfidat e muzikës klasike dhe përgjithësisht botës së artit në Kosovë.

“Problemi më i madh në Kosovë është te mungesa e sallave, mungesa e mbështetjes për aktivitetet të tilla, sepse ne e dimë që muzika klasike ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme.”

Shujaku, e ka përmbyllur prononcimin duke dhënë një vlerësim për publikun aty si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut profesional në këto aktivitete.

“Mbështetja e publikut është gjithmonë e nevojshme, sidomos e atij profesional sepse ai e bënë barometrin të performancës dhe është njëfarë rregullatori joformal i interpretimeve skenike”.
 
Ky koncert ka përfunduar nën duartrokitjet e forta si shenje vlerësimi për performancën e tyre./ KultPlus.com

Agron Shujaku dhe Ledian Shala me koncert pianistik

Agron Shujaku dhe Ledian Shala do të prezantohen me një koncert duet pianistik, në të cilin do të prezantohen vepra të njohura klasike nga kompozitorë të famshëm, shkruan KultPlus.

Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma janë kompozitorët, veprat e të cilëve do të prezantohen në këtë koncert që do të mbahet më 26 shkurt, prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./KultPlus.com