Ditën e sotme është përkujtuar firmëtari i pavarësisë, filatelisti, poligloti, arkivisti, etnografi dhe politikani shqiptar Lef Nosi që lindi më 9 prill 1877 dhe ka vdekur më 15 shkur 1946.
Lef Nosi ka lindur në qytetin e Elbasanit, në një familje ortodokse. Studimet e larta i ka kryer në Athinë, në drejtimin “Farmaci”.
Pa përfunduar studimet, ai u kthye në Shqipëri, dhe u angazhua thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë dhe kulturës kombëtare.
Derisa ishte ende i ri, Nosi kishte në zotim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri. Ai themeloi gazetën “Tomorri” në Elbasan, dhe artikujt e botuar në të kishin frymë kombëtare që nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, që e arrestuan dhe e dënuan me vdekje.
Mirëpo, për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, ai u caktua kryetar bashkie i Elbasanit, mirëpo me largimin e Nolit, ai u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua botimit të dokumenteve me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.
Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946. Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./KultPlus.com