‘Njeriu nuk mund ta dijë kurrë çfarë duhet të dojë, sepse ai ka vetëm një jetë…’

Fragment nga ”Lehtësia e padurueshme e qenies” të Milan Kunderës

Përktheu: Saverina Pasho

Njeriu nuk mund ta dijë kurrë çfarë duhet të dojë, sepse ai ka vetëm një jetë dhe atë nuk mund as ta krahasojë me jetët e mëparshme as ta ndreqë në jetët e mëpasshme. Është më mirë të jetë me Terezën apo të rrijë vetëm?

Nuk ka asnjë mënyrë që ta provojë se cili është vendimi i duhur, ngaqë nuk ekziston asnjë krahasim. Gjithçka jetohet menjëherë për herë të parë dhe pa parapërgatitje. Si një aktor që hyn në skenë pa bërë kurrë një provë. Po ç’vlerë mund të ketë jeta, nëse prova e parë e jetës është jeta vetë? Prandaj jeta i ngjan gjithmonë një skice. Por edhe “skicë” nuk është tamam fjala e duhur, sepse skica është gjithmonë dora e parë e diçkaje, përgatitja e një tabloje, ndërsa skica e jetës sonë është një skicë e asgjësë, bocet pa tablo.

Tomasi përsërit me vete proverbin gjerman: Einmal ist keinmal: një herë nuk quhet, një herë është si asnjëherë. Të jetosh vetëm një jetë, është njësoj si të mos jetosh fare. / KultPlus.com

???????????????????????