Premiera botërore ‘Lejlek’ me regji të Isa Qosjes hap siparin e edicionit të 16-të të PriFest

Vjollca Duraku

Një mot me shi që s’kishte të ndalur, nuk ishte aspak pengesë për organizatorët e Prishtina International Film Festival- “PriFest”, për të mbledhur në konak edhe kësaj radhe artistët e teatrit dhe kinematografisë, për të çelë siparin e edicionit të 16-të me radhë, i cili këtë herë po mbahet në ambientet e Kino Armatës, shkruan KultPlus.

Premiera botërore e filmit “Lejlek” ishte ngjarja e parë që e shënoi hapjen e këtij festivali, i cili do të zgjasë për gjashtë ditë. Me regji të Isa Qosjes, kjo premierë botërore kishte zgjuar interesimin e mysafirëve të shumtë cilët u gjendën pranë kinemasë në dy orare, në atë të orës 19:30 dhe 21:30.

“Lejlek” është një film i cili paraqet jetën, mendësinë, kulturën dhe traditat e një fshati të thellë të Malit të Zi, banorët e së cilit fshat kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Filmi në përgjithësi paraqet jetën sfiduese për tre gra të cilat jetojnë në këtë zonë.

“Suta”, të cilin rol në mënyrë brilante e solli aktorja e njohur Arta Dobroshi, është një grua së cilës i vdes burri, ku përveç mërzisë për bashkëshortin asaj i duhet t’i rezistoj edhe presionit të vjehrrës së saj për tu martuar me binjakun autik të burrit tashmë të ndjerë. Si një grua e bukur në ato anë, asaj i duhej të shtypte energjinë e saj feminine, dhe nga fundet e fustanet të kalonte komplet në një energji mashkullore për t’iu shpëtuar ngacmimeve që mund t’i vinin në burrat e tjerë të fshatit, si dhe kunati i saj autik.

Shtrirja e saj mbi çati të shtëpisë, shënonte një moment të prehjes së shpirtit të saj, pasi vetëm atëherë ishte më pranë qiellit, e lirë, në botën e saj dhe larg mendësisë së rrethit ngulfatës në të cilin jetonte, duke i ikur edhe barrës kryesore që ajo tashmë e kishte mbi supe, praninë e kunatit të saj autik, të cilin rol në mënyrë mjeshtërore e kishte sjellë Donat Qosja. Roli i këtij personazhi “me nevoja të veçanta”, brenda vetes plot kreativitet, shpërfaqte mospërputhjen realitetit të tij me rregullat e shoqërisë dhe mjedisit në të cilin që jetonte.

Kurse Vezirja dhe Dranja janë gratë e një burri, i cili me gruan e dytë katolike ishte martuar duke e blerë nga babai i saj, pasi me gruan e parë nuk pati mundësi të kishte fëmijë. Jasemi (Shkumbin Istrefi) ishte një burrë i cili e kishte primatin e njeriut kryesor në familje. Kurse elementet si vetmija dhe ndrojtja e gruas së parë, pastaj xhelozia, inatet dhe lojërat ndaj njëra tjetrës për të “poseduar” burrin secila për vete, si dhe detyrimi për të bashkëjetuar, pasi burri i tyre vendosi të largohej, u sollën po ashtu jashtëzakonisht bukur nga aktoret Flonja Kodheli dhe Doresa Rexha.

Bjeshka, si sinonim i jetës së thellë, tërhiqte një paralele mes bashkëjetesës së fesë islame dhe katolike, tragjedisë dhe komedisa, një jete të prapambetur dhe të evoluar, ku teknologjia dhe lejleku ishin sinonim në kontrast i bartjes së informacioneve në dy realitete të ndryshme të botës. Paraqitja e një lejleku në atë zonë paralajmëronte ngjarje të papritura, kryesisht negative. Përderisa shtrirja e internetit prej shteteve perëndimore të zhvilluara, paraqiste një formë të sofistikuar të bartjes së informacionit nga një kontitnent tjetër, si ai në rastin e dy prindërve të moshuar të cilët pas shumë vitesh mund të komunikonin me djalin e tyre në Amerikë, përmes “Skype”.

Kumrije Hoxha dhe aktori tashmë i ndjerë Mirush Kabashi, vetëm përmes “Skype”-it mund ta shihnin imazhin e djalit të tyre, i cili për shumë vite jetonte në Amerikë. Brenga kryesore e tyre ishte kthmi i djalit të tyre (që i përkiste komunitetit LGBTI), për ta martuar me një vajzë të fshatit. Përmes ekranit ata kishin parë ndryshimin e djalit të tyre mirëpo, në mungesë informacioni për ndryshimet globale, prindërit nuk ishin të vetëdijshëm saktësisht për zgjedhjen që djali i tyre kishte bërë  në jetë.

Publiku e shijoi filmin dhe  performancën e mrekullueshme të të gjithë aktorëve për 97 minuta. Aktorët që morën pjesë në filim ishin: Arta Dobroshi, Donat Qosja, Shkumbin Istrefi, Arben Bajraktaraj, Flonja Kodheli, Doresa Rexha, Mirush Kabashi, Kumrije Hoxha, Zyliha Miloti, Luan Jaha, Selman Jusufi, Safete Rogova, Gentian Anastasi dhe Besa Tusha.

Filmi “Lejlek” është bashkëprodhim i Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në këtë ceremoni nuk kishte se si të mungonte edhe përkujtimi për regjisoren e ndjerë Vjosa Berisha, e cila për vite me radhe kishte qenë organizatore e festivalit dhe në përgjithësi një promotore e zhvillimit të filmit në vend.

Për të nderuar veprën e saj para se të fillonte premiera, u interpretua një këngë për të dhe Xhevdet Bajrën nga Shpëtim Sinani dhe Alban Nimani. Organizatorët e Festivalit u shprehën krenarë në nisje të “Prifest”, pasi sipas tyre Prishtina për një javë do të shëndrrohet në qytet të filmit, ku pjesëmarrës do të jenë edhe kineastë rajonal dhe evropian.

Drejtori i Festivalit “PriFest”, Fatos Berisha, në fjalimin e shkurtër të ceremonisë hapëse iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, duke i ftuar të shijojnë filmin premierë botërore i cili do të gjendej vetëm pas pak në ekranin gjigand të kinemasë.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij e përkujtoi regjisoren Vjosa Berisha, duke thënë që falë angazhimit të saj “Prifest” është një ndër organizimet filmike më të rëndësishme të Kosovës.

“Është një nder i madh të jem sonte këtu me ju, për të festuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme, kulturore. “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme Kosovën e pasluftës. Ky sukses është fryt i përkushtimit dhe vizionit të atyre që organizojnë dhe të gjithë neve që marrim pjesë. Padyshim që kontributi në angazhimin dhe përkushtimin e artistes Vjosa Berisha duhet ta kujtomë e përkujtojmë sa herë që mblidhemi për Prifest. Mungesa e sj vazhdon dhe rritet porsi “Prifest”-i.

Kryeministri Kurti me tej potencoi se Filmi është shpallur interes shtetëror dhe si i tillë do të ketë investime dhe rregullime të infrastrukturës së këtij sektori të rëndësishëm të artit.

“Sivjet nga Qendra Kinematografike e Kosovës janë përkrahur plotë 35 projekte filmike me shumë prej 1. 4 milionë euro. Është duke u punuar për përmirësimin infrastrukturor të kinemave publike, në fillim në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, “Lumbardhi” në Prizren si dhe “Kino Armata” në Prishtinë. Gjithashtu janë mbështetur shtatë filmbërës të rinjë për të vazhduar studimet e tyre në shtetin e Pragës”, ka thënë Kryeministri.

Ndërsa, drejtoresha e  Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, u shpreh e lumtur që edhe këtë vit vazhdojnë të jenë partnerë të “Prifest”, duke i ofruar festivalit mbështetje siç tha ajo me aq kapacitet sa ka QKK.

“Faleminderit shumë Fatos! Ne jemi vërtetë shumë, shumë të kënaqur që këtë vit do të kemi gjashtë filma që do të shfaqen në Prishtina International Film Festival- “PriFest”. Janë gjashtë filma që janë mbështetur nga Qendra Kinemtografike e Kosovës. Ne jemi të lumtur dhe krenarë që industria filmike është duke u rritur”, ka thënë drejtoresha Zeqiri duke potencuar se këtë vit do të organizohet  edhe një platformë me Workshop-e për aktorët si bashkëpunim me Filmmakers Europe, “PriFest” dhe  Universitetin të Prishtinës.

PriFest do të vazhdojë të mbahet deri më 15 shtator, në Kino Armata, në Prishtinë./ KultPlus.com