Në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘Leka’, artistja Fitore Syla sjell lekat në një format artistik ndriçues

Vjollca Duraku

Në KultPlus Caffe Gallery sonte është hapur një ekspozitë e veçantë nga artistja dhe dizajnerja Fitore Syla, duke sjellë në llampa ndriçimi lekat (pocërrkat) të cilat janë përdorur në të kaluarën në familjet shqiptare.

Kjo prurje e re artistike vjen si gërshetim i tradicionales me modernen, duke sjellë një format mjaft të veçantë të ekspozitës me një eco-design, plotë ngjyra dhe ngrohtësi.

Nën ndriçimin e lekave artistike, në mesin e shumë miqve dhe familjarëve të artistes Syla, ceremonia u shpall e hapur nga drejtoresha e mediumit KultPlus Ardianë Pajaziti, e cila tha se ndihej e mrekulluar për këtë ekspozitë shumë më të veçantë nga ato që zakonisht ekspozohen në galerinë e saj.

Të sjellim produktin e natyrës brenda një galerie për ne është hera e parë. Kjo ka ardhur nëpërmjet idesë së Fitores, e cila e ndërlidh edhe trashëgiminë tonë ndër vite qysh prej gjysheve e nënave tona, sepse në të kaluarën leka është përdorur për larje dhe për efekte shëruese”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Kurse, artisti Zeni Ballazhi ekspozitën e ka cilësuar si të veçantë duke i krahasuar objektet e ekspozuara me personazhe, për shkak të shumëllojshmërisë dhe ndryshueshmërisë së tyre.

Artistja na ka sjellë një ekspozitë mjaftë të veçantë, duke u nisur nga objektet apo personazhet, sepse mua po më duken si personazhe të ndryshme pasi që asnjëra nuk është e njëjtë. Mënyra e prezantimit të tyre është tepër e veçantë, ashtu siç është edhe vetë artistja në këtë rast”, ka thënë artisti Balazhi.

Më tej, ai e ka përgëzuar artisten Syla për këtë gjetje unike sipas tij, e cila ngërthen elementin e së bukurës dhe të vërtetës.

“Në këtë rast Fitorja me këto punime tregon që përveç objektit të gatshëm (nga natyra) të transformuar në një objekt ndryshe, siç janë llampat, e pastaj  duke e kthyer në një ekspozitë, në të cilën ne shohim qoftë edhe personazhe, apo zbulojmë diçka më shumë se sa ajo e përditshmja, mund të themi që kjo lloj ekspozite i posedon edhe të bukurën edhe të vërtetën”, ka thënë artisti Ballazhi duke e përgëzuar edhe drejtoreshën e Galerisë KultPlus e cila u ka ofruar artistëve një ambient shumë të ngrohtë.

“Fitores i uroj suksese, krijimtari të gjatë, në këtë hulumtim që nuk është i rastësishëm. Besoj që është një hulumtim edhe më i thellë se kaq, në aspektin historik dhe tradicional. Në aspekt tradicional shohim që këto nuk janë të rastësishme, në këtë rast të kthyera në një kreaturë mjaftë bashkëkohore moderne siç i shohim sot. Unë besoj që këto do të rrugëtojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Ballazhi.

Ndërsa, vetë artistja Syla nën emocione të shumta e ka treguar edhe lidhshmërinë që kanë lekat me të, familjen e saj dhe fshatin e saj të lindjes, Bresalc të Gjilanit.

“Është pak emocionuese sepse si produkt më shumë lidhet me anën familjare, emocionale se sa edhe me anën vizuele, edhe pse njerëzit mund ta shohin në këtë formë. Por, si storje qëndron te familja ime me vetë faktin që ne e kemi pasur një lidhshmëri me fshatin, e cila na ka sjellë deri te vlerat që ne i kemi kultivuar ndër vite ndaj punës, punës në fushë, në Prishtinë, shkollës, dijes, dhe kulturës”, ka thënë artistja Syla.

Ideja për të krijuar Leka ndriçuese artistes Syla i ka ardhur si pasojë e punës së saj në fushën e dizajnit.

Jam edhe dizajnere enterieri me profesion. Ndoshta ka qenë momenti i duhur që ka ardhur si produkti i parë në fokusin tim, dhe si i tillë ka për të qenë edhe në vazhdim. Është më i veçanti, por që i ndërlidh të gjitha elementet që unë si dizajnere dua t’i kem tash e tutje. Është një produkt që në të kaluarën është përdorur për tu larë, e që ka pasur edhe efekte shëndetësore pozitive. Në kulturën tonë lekat datojnë që janë shumë të lashta, të cilat familja jonë i ka pasur gjithmonë si dekore në shtëpi”, ka thënë Syla.

Ideja për të sjellë leka ndriçuese, ka qenë e lidhur edhe me dëshirën e saj për të krijuar diçka që lidhet me kulturën dhe historinë e vendit.

“Leka është gjetja e duhur dhe e nevojshme për çka më është dashur mua, pas tërë këtyre viteve përvojë që kam bërë. Besoj që edhe të tjerët e kanë mirëpritur. I ka vetëm gjashtë muaj që është lansuar. Është diçka me të cilën unë vazhdimisht jam duke punuar, pasi lejon të provosh dhe të eksperimentosh me të sepse si produkt po e prekë secilin. Është diçka që e ka krijuar edhe debat në shoqëri. Njerëzit kanë filluar të tregojnë histori të ndryshme se si janë larë prej gjysheve ose stërgjysheve të tyre me të. Në një farë forme e ka krijuar një koncept interesant në fushën e artit por gjithashtu edhe për mua si Fitore”, ka përfunduar artistja Syla.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, dhe lekat të cilat janë të ekspozuara në KultPlus Caffe Gallery janë në shitje./ KultPlus.com

‘Lindja e Princ Leka II, Mbretëresha Geraldinë, dashuria për Shqipërinë…’ — Intervista ekskluzive e Mbretëreshës Suzanë me rastin e lindjes së Princ Leka II

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…

Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.

Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.

Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.

Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.

Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës  dhe martesës së saj.

Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.

Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.

Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.

Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.

Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.

Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.

Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”

Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.

Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.

Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.

Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.

Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.

Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.

Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.

Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.

Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.

Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.

Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.

MARGARET GAGANAKIS

‘Në botën e fortesës së mbretëreshës Suzani…” — Një shkrim për Mbretëreshën Suzanë, nënën e Princ Leka II

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  7 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 14 prillit 1976, në faqen n°4, një shkrim asokohe për mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në botën e fortesës së mbretëreshës Suzani 

— ku Mbreti Leka mban një armë… dhe mbretëresha e tij australiane është gjithashtu qitëse e mirë.

Anne Matheson ishte mysafire në shtëpinë e tyre.

Fotografitë nga Alec Murray

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Mbreti Leka I i shqiptarëve hoqi një revolver të vogël elegant Colt të varur në një rrip lëkure të bukur dhe e lëshoi pa shqetësim në divanin pranë meje.

Për këtë Mbret dhe mbretëreshën e tij, australianen Susan Cullen-Ward, armët dhe rojet janë një pjesë e domosdoshme e jetës së tyre dhe e imja për fundjavën që isha mysafire e shtëpisë së tyre në Spanjë.

Leka lindi në një botë krizash, kërcënimesh për jetën e tij dhe armiqësi të pafshehura nga ata që nuk kanë asnjë simpati për qeverinë e tij në mërgim.

Vendi i tij është nën sundimin komunist dhe ai ka shumë kundërshtarë edhe në Spanjë ku ai dhe Mbretëresha kanë shtëpinë e tyre.

Festimet në Madrid pas martesës së tij me Susan Cullen-Ward në tetorin e vitit të kaluar u lanë në hije nga zhurmat politike spanjolle që nuk janë shuar që kur miku i tij i ngushtë Mbreti Juan Carlos hipi në fron pas vdekjes së gjeneralit Franko.

Tani edhe jeta e mbretëreshës Suzani është nën kërcënimin e armiqve të kauzës së çlirimit të Shqipërisë, së cilës i është përkushtuar Mbreti. “Unë e bëra zotimin tim kur u betova për besnikëri ndaj popullit tim,” tha ai. “Susan e dinte këtë përpara se të martohej me mua. Ajo e dinte rrezikun me të cilin do të përballeshim në jetën tonë së bashku.

Pra, është e kuptueshme që pasuria e tyre, 17 kilometra jashtë Madridit, duhet të ishte bërë një fortesë e sigurt.

Mbreti qëndron pranë portave të hyrjes prej hekuri me stemën mbretërore. Përveç një gardhi të lartë, prona ka sisteme të përpunuara alarmi. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Megjithatë, shtëpia, Finca Nuestra Sra de Guadalupe, nuk është një kështjellë mesjetare. Është një shtëpi simpatike koloniale spanjolle, e ndërtuar në një nivel në një shtrirje të gjerë, me një pamje të Madridit nga njëra anë dhe një pamje të maleve të bukura të Guadalupe nga ana tjetër.

Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Duket paqësore dhe këndshëm relaksuese, siç është në të vërtetë sepse puna e parë e mbretit Leka ishte të ruante shtëpinë dhe pesë hektarë tokë me një gardh 5 m (16 këmbë) dhe sisteme alarmesh të mbivendosura.

Ai vetë mban dy armë dhe shoqërohet nga një truprojë, një nga shqiptarët e lirë që e konsideron një nder të madh t’i shërbejë mbretit në mërgim. Ahmet Terpez shfaq një buzëqeshje të gjerë, miqësore, dhëmbët e tij të artë shkëlqejnë dhe bën përshëndetjen zogiste me krahun e djathtë përgjatë gjoksit për të formuar shkronjën Z të mbretit Zog, babait të Lekës.

Siguria e plotë

Ahmeti është në listën e rojeve të Mbretit. Ai erdhi nga Gjermania, ku ishte punëtor tekstili, për të kryer detyrën. Më vonë do të ketë dy truproja që do të jetojnë në kompleks, një për Mbretin dhe një për Mbretëreshën e tij.

Brenda pesë hektarëve, mbreti Leka po ndërton tani një sekretariat dhe shtëpi për oborrin e tij të shqiptarëve të lirë dhe stafin e tij. “Unë po shes zyrat dhe apartamentet e mia në qendër të Madridit dhe po përqendroj të gjitha operacionet e mia këtu në Pozuelo,” shpjegoi ai.

Atëherë do të jem në gjendje të siguroj gjithçka plotësisht.

Ai dëshiron që gjithçka të jetë e pavarur në çdo rast urgjence. Ata kanë ujësjellësin e tyre nga puset dhe po gërmojnë puse më të thella. “Ne kemi nevojë për më shumë ujë nëse duam të kultivojmë tokën dhe ta mbajmë pishinën të mbushur,” tha ai. Dhe ata prodhojnë energjinë e tyre elektrike.

Megjithëse Mbreti planifikon të kultivojë mjaftueshëm ushqim për t’i bërë ata të vetë-mjaftueshëm, kopshtari andaluzian e sheh këtë si një trill dhe vazhdon me rendin e tij të vendosur të mbjelljes së pranverës, duke vendosur pemë dhe lule zbukuruese.

Mbretëresha dëshiron një sipërfaqe të madhe të mbjellë me misër të ëmbël dhe pjepër australianë. “Ata duhet të rriten mirë këtu,” i argumenton mbreti kopshtarit. Por ai nuk e urdhëron.

Mbreti Leka dhe mbretëresha Suzani e mbajnë shtëpinë hapur gjatë fundjavave. Derisa të kenë ndërtuar dhoma për shërbëtorët e tyre dhe të sjellin stafin e tyre, shumica e ushqimeve për mysafirët e tyre përgatiten nga mbreti.

Unë isha mysafirja e vetme në shtëpi dhe thashë me habi kur mbreti Leka u shfaq nga kuzhina me një tas me spageti të shijshme në një salcë të shijshme për darkë : “Epo, është hera e parë që një mbret gatuan për mua dhe më servir një vakt.

Gjithmonë duhet të ketë një të parë,” tha ai me buzëqeshjen e tij djaloshare, e cila rri pezull mbi fytyrën e tij të çelur edhe kur ai është në gjendjen më serioze.

Dreka përbëhej nga një vakt shqiptar i përgatitur nga truproja i besuar, i cili ishte i lumtur t’i shpëtonte të gjitha atyre salsiçeve gjermane në Mynih ku punon. Ai bëri kosin më të shijshëm ndonjëherë, i cili më shndërroi në atë që e konsideroja fillimisht si një pjatë pa shije.

Pjata kryesore ishte një gjellë me copa të buta viçi dhe fasule të bardha të mëdha në një salcë pikante, me një pjatë anësore me qepë të papërpunuara. I kalova qepët; Mbreti hëngri dy me kënaqësi dhe mbretëresha shijoi të sajat.

Mbajtja e shtëpisë hapur nënkuptonte që të dielave të ftuarit vinin që nga mesdita. Ne hëngrëm një drekë byfe dhe në mbrëmje, rreth orës 21:00, mbreti dhe një nga të ftuarit e tij gatuan copën më të butë të viçit që kam provuar ndonjëherë.

Mishi i viçit ishte i mirë, i rrallë dhe i prerë në feta të trasha. Një copë e mirë viçi është e vështirë të gjendet në Spanjë, mësova më vonë. Dhe e tillë është mikpritja shqiptare, mbreti u ofroi fileta viçi mysafirëve të tij ndërsa ata niseshin.

Meqë ishim në Spanjë, ishte normale të bënim një sy gjumë pasdite. Nëna e mbretit, mbretëresha Geraldinë, erdhi për drekë dhe, pas një sy gjumë në dhomën e rezervuar për të, u kthye në shtëpi në kohë për një pije, një lojë bridge dhe darkë.

Dhurata e dasmës

Pranvera në Madrid ishte mjaft e ftohtë, ndonëse disa ditë ishin me shkëlqim. Mikpritësit e mi ishin jashtëzakonisht të sjellshëm dhe më thërrisnin për të parë një muzg të bukur, ose qenushin e tyre “boxer” të sapoardhur, dhuratën e dasmës së mbretëreshës për mbretin ose mjegullën që ngrihej mbi male.

Rutina e fundjavës për këtë çift të ngarkuar me punë është që të qëndrojnë zgjuar deri vonë natën dhe të zgjohen shumë vonë ditën, dhe biseda rrjedh natyrshëm. Ata nuk shohin televizor, megjithëse ka televizorë të vegjël të vendosur nëpër dhoma.

Disa nga historitë e mbretit për banditët dhe shqiptarët që qëllonin për të vrarë dukeshin të çuditshme, por ishin mjaft magjepsëse.

Ne e dimë që intrigat dhe atentatet janë një mënyrë jetese në Ballkan, por unë u habita kur më tregoi për një burrë të vogël që e kisha vënë re në dasmë, nervoz dhe energjik teksa mbante argjendin gjatë festës madhështore prej 200 kilogramësh havjar dhe 100 deshëve të pjekur të servirur para 1000 të ftuarve.

Ai kishte një piceri në Nju Jork,” tha Mbreti, “dhe kur mafia kërkoi para për mbrojtjen e tij, ai refuzoi. Ata dërguan gjashtë nga njerëzit e tyre për ta qëlluar, por ai mbërriti i pari atje dhe i shtriu të vdekur për tokë. Për të shpëtuar fytyrën e saj, mafia dogji restorantin e tij.

E pyeta mbretëreshën duke qeshur se si një vajzë e bukur australiane si ajo ishte ngatërruar me këta qitës profesionalë. “Unë vetë jam një qitëse e mirë,” u përgjigj ajo.

Finca Nuestra Sra de Guadalupe (Prona e Nënës sonë të Guadalupe) është ende e mobiluar vetëm pjesërisht. Susan Cullen-Ward, nga një familje fermere në Uellsin e Ri Jugor, ishte mësuese arti dhe dizajnere e brendshme përpara martesës së saj dhe mbreti Leka ishte koleksionist gjatë gjithë jetës së tij. “Së bashku gjetëm shtëpinë dhe së bashku e mobiluam,” tha Mbretëresha.

Koleksioni privat i qilimave persiane, ndoshta më i vlefshmi në botë, është i përhapur në katër dhomat e pritjes dhe gjetkë në shtëpi, duke përfshirë një Tabriz të artë që duket se ndryshon dhe shkëlqen kur e kap drita.

Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Dyert rrëshqitëse në dhomat e bollshme kryesore hapen për të krijuar një dhomë pritjeje të madhe për raste shtetërore. Ka tre “patios”, një sallë të vogël në hyrje me tualet dhe banjo, një bibliotekë, katër dhoma gjumi për mysafirë me banjo, si dhe apartamente private të çiftit mbretëror.

Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Ambientet shtëpiake aktualisht në ndërtim përfshijnë dy kuzhina, dhe shoferi, kopshtari dhe shërbëtorët do të jetojnë mbi garazhet.

Mbreti dhe mbretëresha Suzani do të largohen nga shtëpia e tyre në qershor në turin e parë mbretëror së bashku, kur do ta prezantojë atë para shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Bëhet fjalë për një turne katër javor. Më vonë ata do të vizitojnë Australinë.

Festa e Këngës Shqiptare, Gjergj Leka: Forca e këtij festivali është fjala dhe të rinjtë

Kompozitori Gjergj Leka në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për festën e këngës shqiptare tha se ka bërë së bashku 3 gjenerata, nga mosha 11 deri në moshën 80 vjeç, sepse muzika nuk ka moshë.

Leka tha se forca e këtij festivali është fjala.

“Është kënaqësi që të dëgjosh një vajzë 15 vjeçare që të këndojë një këngë me tekst, poezitë të Lasgush Poradecit apo Ismail Kadaresë”, tha Leka.

Ai u shpreh se përgatitjet për festën e këngës shqiptare përgatitjet nisin në tetor dhe përfundon në fund të gushtit.

“Nata finale do të jetë në 27 gusht. Bëhet një punë kolosale, jemi vetëm 6 vetë që merremi me këtë festival. Kam fatin që janë edhe 3 të huaj”, tha Leka, duke shtuar se forca e këtij festivali janë të rinjtë.

Sipas Lekës, festa e këngës shqiptare ka muzikë dhe tekste cilësore.

Kompozitori tha se ndoshta ka mangësitë që ka kënga shqiptare apo nga mangësitë që ka muzika shqiptare, shumë nga të rinjtë po mbështesin dhe angazhohen me festën e këngës shqiptare. Dhe në këtë kuadër ai tha se forca e festës së këngës shqiptare janë pikërisht të rinjtë.

Leka u shpreh se në datën 26 gusht, pra një ditë para finales, do të organizohen prova me praninë e publikut, një shfaqje falas. Leka tha se institucioni e ka mbështetur vazhdimisht është Bashkia e Tiranës.

“Vetë kryebashkiaku Erion Veliaj më ka thënë: Gjergj ke nevojë për gjë se po bën një festival. Unë si natyrë jam mosbesues, por kjo ka ndodhur”, tha Leka.

Në vijim ai tha se nga ky festival fiton mirënjohjen e të rinjve, dashurinë e prindërve të tyre, por edhe vlerësimin e kolegëve.

Gjergj Leka rikthen ‘Koha në pentagramin tim’ në formë koncerti

Emisioni i famshëm muzikor rikthehet në formën e një koncerti. Koncert që bëri bashkë në një buqetë harmonike zëra të njohur të muzikës së lehtë si Aleksandër Gjoka e Redon Makashi, emra të pedagogeve të kantos si Zina Zdrava apo Sonila Kurti dhe emra të tjerë premtues si Elisa Skarra, Paolina Pajollari, Dea Amoniku , Kejtlin Gjata, David Kerri, Aria Kolaveri e të tjerë.

Ishin vitet ’80 dhe “Koha në Pentagramin tim” me regji të Osman Mulës e drejtim artistik te kompozitorit Gjergj Leka ishte jo vetëm oazi muzikor, por edhe skena që spikaste talentet e rinj që më vonë do të ktheheshin në emrat më të dashur e popullorë të muzikës së lehtë shqiptare.

Gjergj Leka ishte nga ata artistë, që me talentin e tij dhe fuqinë e televizionit – për të shkuar te publiku i gjerë i menjëhershëm dhe intim – u bë i dashur për publikun dhe i dhuroi disa nga këngët më të paharrueshme, jo vetëm për atë brez.

U desh të zhdukeshin përbindëshat që te kjo tokë të vije ti… është varg i njohur për veshët e dëgjuesve të brezit të ri nga kënga “Në parkun që mbuluan fletët”, të cilën Leka e kompozoi dhe këndoi pikërisht në emisionin e famshëm, me vargjet e shkrimtarit Ismail Kadare.

“Ndoshta janë vargjet më të bukura që janë shkruar ndonjëherë për dashurinë”, do të shprehej kantautori në një ringjallje të emisionit televiziv muzikor. Kësaj here në formë koncerti, organizuar nga Leka dhe me mbështetje nga Bashkia Tiranë në sallën e Liceut Artistik, një vend nostalgjik për shumë artistë të këngës dhe po aq djep për talentet e reja. Një falënderim për mbështetjen që bashkia u jep nismave të tilla muzikore, që erdhi në formën e një kënge nga Gjergj Leka, që ishte ideatori dhe shtylla kryesore e këtij koncerti.

Koncert që bëri bashkë në një buqetë harmonike zëra të njohur të muzikës së lehtë si Aleksandër Gjoka e Redon Makashi, emra të kantos dhe pedagoge që përgatisin sot të rinjtë drejt muzikës serioze si Zina Zdrava apo Sonila Kurti dhe emra të tjerë premtues si Elisa Skarra, Paolina Pajollari, Dea Amoniku , Kejtlin Gjata, David Kerri, Aria Kolaveri e të tjerë.

Një koncert- tribut për shumë figura që gdhendën historinë e muzikës moderne shqiptare si Vaçe Zela me këngën “Moj e bukur Arbëri” , “Valsi i Lumturisë” apo këngë të tjera ikonike, tashmë pjesë e pasurisë kulturore dhe kujtesës kolektive si “Fqinja”, “Mësueset e fshatit”, “Pranvera me një lule s’vjen” apo “Ç’po dremit liqeni i kaltër”.

Përmes këtij koncerti, Leka nderoi edhe tekstshkruesit e poetët që kanë krijuar disa nga vargjet më të bukura të këngëve, duke e parë si një përbërës të rëndësishëm po aq sa tingujt. Ai vuri re me keqardhje që sot mungojnë penat e shquara si e Jorgo Papingjit apo Zhuljana Jorganxhi.

Ai gjithashtu, me humor, i kërkoi ndjesë poetes Adelina Mamaqi, pasi pak e dinë se pas vargjeve të këngës “Ç’po dremit liqeni i katërt” është pena e saj, duke e ngatërruar shpesh me atë të Lasgush Poradecit.

Ky koncert, i cili do të vijë i transmetuar në kanalin “News 24” solli edhe këngë shumë të dashura të pas viteve ’90, si “ Ditë Dimri” e “Zemra e një gruaje”, kënduar nga Aleksandër Gjoka i shoqëruar në piano nga Leka, ndërsa këngëtari ndau grimca kujtimesh nga fillimet e karrierës, por edhe tek të famshmet Këngët e Liqenit si një prej përfaqësuesve të atij grupi instrumentistësh dhe këngëtarësh që mblidheshin buzë liqenit dhe këndonin.

Gjoka solli në version a cappella një prej më të njohurave si “Anxhela”. Leka do ta lironte pianon për Redon Makashin, i cili po ashtu solli në version ndryshe këngën e tij “Ekziston”. Redon Makashi i njohur për baladat e tij romantike u ndal në fillimet e karrierës, duke nënvizuar si të rëndësishme epokën e “Koha në Pentagramin tim”.

Si një kantautor që kujdeset të kultivojë shijet e mira muzikore tek publiku, përmes këngëve që mbajnë firmën e tij, emisionit të përvajshëm “Na ishte njëherë muzika” dhe sipërmarrjeve si reality shoë “Talent Story” apo festivaleve të përvitshme si “Festa e Këngës shqiptare”, Leka u dha vend edhe prodhimeve të reja, të dala nga këto nisma si “Trokas” nga Elisa Skarra, e cila u shpall fituese e të rinjve, në edicionin e vitit të kaluar të “Festa e Këngës shqiptare” dhe “Në pyje vjeshta ndezi zjarre” nga Paolina Pajollari, po ashtu konkurrente në këtë festival, që këtë vit do të shënojë edicionin e tij të gjashtë. Me këngën “Korça ime”, Leka u bëri një homazh të gjithë artistëve të këtij qyteti, nga muzika, letrat e kinematografia, duke i përkundur spektatorët mes tingujsh jo vetëm të paharruar, por të dëshiruar aq shumë edhe nga brezat e rinj. Disa prej tyre i sjellin përmes vokaleve, të tjerë marrin shijen e mirë të një kohe kaluar me kombinimet e pafundme e magjike të pentagramit./TemA/ KultPlus.com

‘Testamenti’ i Leka Bungos, komedia e zezë shfaqet në fund të janarit! Viktor Zhusti: Një nga rolet më të vështira që jam përballur

Testamenti, një komedi e zezë, me autor dhe regjisor Leka Bungon dhe protagonist Viktor Zhustin, do të shfaqet në fund të janarit si premiera e parë e këtij viti në Teatrin Kombëtar.

Shfaqja pasi ka kaluar ne tavolinë është në procesin e provës. Nga interpretimi i Zhustit kuptojmë që personazhi, komunisti Kuqo, le një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të partisë komuniste e deri në vitin 1992.

Çfarë ishte komunizmi dhe komunistët, a ndryshoi më vonë shoqëria jonë? Si ju flet të rinjve kjo vepër?

Përgjigjet i jep vetë autori i veprës.

“Personazhi, i cili herë herë është edhe halucinant thotë gjithmonë të vërtetën. Jemi përpjekur që të trajtojmë të vërtetat që kanë ndodhur në shoqërinë tona”, tha aktori Leka Bungo.

“Është një nga rolet më të vështira që jam përballur”, shprehet aktori Viktor Zhusti.

Për më shumë se 60 minuta, i vetëm në skenë, me një monolog ndjellës Kuqo, personazhi jonë është sa real aq edhe surreal. Nëse do të vendosej në galeri do t’i përkiste grupit të Don Kishotit. Por ajo që e karakterizon atë është sidomos vërtetësia.

Komedia e zezë ‘Testamenti’ do të na sjellë një epokë të rrëfyer në një mënyrë krejt origjinale dhe të veçante me bashkëpunimin e hershëm dhe të suksesshëm Bungo-Zhusti./topchanel/KultPlus.com