Merre këtë të puthur në ballë! Dhe prej teje tash duke u ndarë, Më lejo të të them kaq fjalë— Ti nuk ke faj, që shpesh kujton Se ditë e jetës n’andërr m’kalon; Edhe nëse shpresa ka fluturu tej Në ditën, o në natën andej, Në një mirazh, o në askund, A është kështu më pak e fund? Krejt çka shohim ose vjen si vegim Është veç andërr brenda n’andrrim.
Midis gjëmimit të prajshëm ndal Në bregun e të rënkueshmes valë, Dhe në brendi të duarve mbaj Kokërrzat e rërës vesh në ar— Ashtu pak! Shkojnë duke u zvarritë Gishtave të mi ua prekin thellësitë, Tek shkrihem në vaj—në vaj tek zbrit! O Zot! A nuk mundem t’i afroj Ato më fortë në duar t’i shtrëngoj? O Zot! A nuk mundem veç një me shpëtu Që mos ta marrë vala që është duke u afru? Krejt çka shohim ose vjen si vegim A është veç andërr brenda n’andrrim?
Veprimtaria e shkrimtarit vështruar në disa domene, realizimi formal-përmbajtësor shpesh konsistent me përbrendësimin e aktualitetit, shkrimtari midis angazhimit nacional e human dhe vetëdija krijuese progresive janë aspekte kruciale që përbëjnë objektin e “Orës së shkrimtarit 2”, përmbledhje e shkrimeve të rastit të plejadës së studiuesve të decenieve të fundit.
Duke pasur për kriter kryesisht kronologjinë e shfaqjeve të autorëve si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli e Din Mehmeti qoftë në domenin poetik, publicistik apo edhe intelektual, vepra shpalos portretin që ata tashmë kanë formuar si identitete të pakapërcyeshme në letërsinë shqipe. Subjektet folëse në të vërtetë ndërtojnë kushtimisht një relacion më përmbledhës me objektet që trajtojnë kuptuar krejt natyrshëm kur dihet vetë kufizimi që ofron ideja e shkrimit të rastit. Të kuptuarit në esencë i aspektit aksiologjik të veprës e qenësisë së shkrimtarëve në kohën kur shkruajnë dhe vetë predestinimi i tyre për t’u bërë eminentë në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe bëhen pikat themelore ku takohen qasjet e studiuesve.
1.Aspekte të produksionit poetik dhe stilistik te vepra e Berishës, Gjerqekut dhe Shkrelit
(Sali Bashota, Milazim Krasniqi dhe Naime Beqiraj)
Në vështrimet e këtyre studiuesve bie në sy një planimetri e pasur metodash që kanë shfrytëzuar në qasjen e tyre, por është i pashmangshëm edhe fakti se ekziston një metodë dominuese të cilës ata i kanë dhënë a priorësi karshi tjerave. Njohja nga afër e figurës së Latif Berishës ka bërë që Sali Bashota të interferojë në qasjen e tij dromca të metodës pozitiviste me realizimin e një portreti më të plotë të tij duke nisur me një vështrim nga afër të asaj çka reflekton ai si karakter njerëzor, për ta nxjerrë kështu poezinë e Berishës si produkt të një shpirti të pastër, si diçka fisnike që lind po nga fisnikja.
Kjo hyrje e tij del si dytësore krahas rëndësisë që i jep Bashota vështrimit të stilit të Berishës në veprën poetike “Tufa”, diversitetit të produksionit të tij poetik me trajtimin tematik, të bukurën e universalen. Bashota shquhet me një stil detajizues e analitik në qasjen e tij çka i jep shkrimit të tij kritik një natyrë argumentuese dhe koncize. Ai e sheh poezinë e Berishës si një poezi që asocon me kujtimin që bart në vete dhembjen dhe dashurinë si dy paralele sa përjashtuese aq edhe të njënjëshme. Tematika e vendlindjes, kënga e atdhedashurisë, natyrshmëria e vargut, kërkimi i së bukurës si sublime në lartësimin e shpirtit dhe ngritja e poezisë së Berishës në nivel të përkushtimit dhe idealit njerëzor të cilat Bashota i specifikon si dominante në poezinë e tij dëshmojnë se ai e sheh atë si poet që frymëzimin nga lokalja arrin ta shndërrojë në përfytyrime poetike universale të fatit njerëzor.
Një qasje e ngjashme e Bashotës, pra fokusimi i tij në nivelin e realizimit formal-përmbajtësor të stilit të poetit derivohet edhe në shkrimin e tij kritik: “Lirika e Enver Gjerqekut”. Nga ky prizëm ai flet për tematikën e poezisë së Gjerqekut që tërhiqet midis dy binomeve: sociale-intime dhe histori-aktualitet. Në larushinë e poezisë së Gjerqekut, Bashota veçon poezinë përshkushtuese si tip poetik që i kontribuon vetëdijes krijuese të ngritet drejt përfytyrimeve sublime në rrafshin progresiv. Soneti si kod ligjërimor fundamental në poetikën e Gjerqekut në njërën anë dhe kontributi i Gjerqekut në kultivimin e vargut poetik shqip me gjuhën e zgjedhur figurative që ndërtojnë metaforat e avancuara poetike bëhen determinuese në përcaktimin aksiologjik që i bën Bashota vendit që zë vepra e tij në lirikën bashkëkohore shqipe.
Poezia e Gjerqekut bëhet objekt studimi edhe në fushën e rileximeve dhe rivlerësimeve të Milazim Krasniqit. Ky kritik e determinon leximin e tij aktual të Gjerqekut të ngjizur me kontaktin e parë me poezinë e tij si fëmijë, që vjen tashmë si reminishencë në përfytyrimet e tij për poetin. Çka e karakterizon kritikën e tij ndaj Gjerqekut është aplikimi konsistent i metodës formaliste gjë që del në a priorin që i jep formës në poezinë e poetit duke e cilësuar si përmbajtje në vete dhe në përdorimin e një qasjeje që nuk e imponon mendimin, pra duke mos e dhënë si finalitet, por thjesht si një aspekt të mundshëm në vështrimin e poezisë së Gjerqekut. Krasniqi potencon se te poetika e Gjerqekut vihet theksi në aspekte “si gjatësia e vargut, llojet e rimave, invencioni gjatë krijimi të magjistralit,etj., e më pak te informimi substancial për portretin njerëzor, moral të një figure që është tematizuar në vepër.”
Studimi i Naime Beqirajt që merret me stilin sui generis të poezisë së Azem Shkrelit, gjuhën plot finesa e stërhollime poetike të rafinuara që e ka ngritur poezinë e tij si art sipror divergjon me dy të parët, pra Bashotën dhe Krasniqin si ithtarë të një stili detajizues e argumentativ, meqë shquhet aty-këtu me reagime eseistike e konstatime në superlativen, p.sh: “e heshtura e tij nuk mbërthehet as zbërthehet, “poezia kjo mbretërishë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbetet eter i tij.”
Si dominancë e stilit poetik të Shkrelit theksohet pasurimi i leksikut të vargut shqip duke përdorur si rekuizitë leksikun popullor që i shërben për konstruktimin e përfytyrimeve moderne poetike që nuk lakmon modelet e oralitetit. Beqiraj e sheh famën dhe influencën e Azem Shkrelit si tregues aksiologjik që i ka siguruar eternitetin veprës së tij duke e mbajtur gjallë në “Olimpin e ngritur, bashkë më poetët e rrallë të letërsisë shqipe.”
2.Impakti i kontekstit në formimin e personalitetit krijues të Berishës dhe Shkrelit
(Ibrahim Berisha, Avni Spahiu)
Kritika e gërshetuar me dromca eseistike e pozitiviste që dominon në qasjen e Ibrahim Berishës ndaj personalitetit krijues e intelektual të Latif Berishës shpalos lapidaritetin e kësaj figure si fenomen në një periudhë që me nevojat e angazhimit dhe çështjen kombëtare të rrezikuar vjen si reminishencë e modelit romantik. Figura e poetit Berisha reprezentohet si qenësi krijuese që nën impaktin e kontekstit sociopolitik destruktiv për njeriun dhe artin përgjithësisht, flijon nga frymëzimet personale për të gjeneruar kështu figurën e poetit intelektual të angazhuar në aktualitetin. Qasja eseistike në një anë dhe ky shtrëngim i poetit kuptohet më së miri përmes parabolës së studiuesit Berisha: “(poezia e poetit Berisha) Edhe kur shtrinë në dukje lirshëm konstruktet poetike të ndërtuara në pastërti të natyrës lokale, aty duket sikur era e shqetësimit dhe vetëkufizimit, e shtrëngon në shpirt dhe e bjen në zgripin e marrjes së frymës.” Portretin fizik kolorit të poetit e sheh si të atillë që reflekton dy tensione psikologjike të poezisë së tij: optimizmin si stimulim e besim shpirtëror dhe pesimizmin si dëshpërim introvert e ekstravert.
Studiuesi Berisha shquhet me një ton të butë dhe sugjerues në kritikën e tij spikatur përmes përdorimit të shpeshtë të vetës së dytë që e afron me audiencën të cilës i drejtohet si dhe përmes shtrimit të pyetjeve që qartësojnë objektin dhe e ftojnë lexuesin që të mbajë vëmendjen në ligjërimin e tij. Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria të cilat studiuesi i quan preokupime tematike, nuk janë tjetër veçse aribute dhe angazhime të personalitetit të Berishës në mirëqenien e asaj çka është autentike dhe e dobishme për kombin. Çka bie në sy në këtë pjesë është toni lavdërues ndaj kontributit të tij, njohja intime me poetin, pra objektin e studimit kur tregon mbi modestinë dhe besimin që reflektonte ai në një takim me të në qytetin e Mitrovicës si dhe qasja sentimentale kur thotë “ua shëroi plagët që ndjenin deri atëherë dhembje.” Aspekt i stilit të studiuesit Berisha është edhe erudicioni që del përmes ndërfutjes së maksimave të Platonit mbi dijen si diçka e shëndoshë për shoqërinë dhe asaj të Horacit që e sheh të vetëidentifikueshme me jetën ideale të Latif Berishës: “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të.”
Një qasje të tillë koncize studimore Ibrahim Berisha do ta aplikojë edhe në shkrimin kritik “Publicistika e Azem Shkrelit: Kohë e shekullit të vocërr”, ku veçmas ndalet në dy përmbledhje të kësaj natyre që boton Shkreli nën petkun e intelektualit: “Zoti nuk është shqiptar” dhe “Muri përfundi shqipeve”. Berisha e cilëson publicistikën e Shkrelit të tipit ese, analiza opinione e intervista si vizionare për çështjet që trajton meqë sado aktuale në çështjet që trajton, zgjeron horizontin kohor të vështrimit të tyre. Pseudopatriotizmi, pseudointelektualizmi, monizmi serb, anarkizmi e nepotizmi piketohen nga Berisha si çështje në të cilat ndalet të vrojtojë, kritikojë e ofrojë zgjidhje publicistika e Shkrelit. Nga ajo çka përfshin ky vështrim i studiuesit del se ashtu si Kadare edhe Shkreli e sheh zgjidhjen te marrëveshja e shqiptarëve me vetveten, pra te tejkalimi i barrierave dhe puna në plotësimin e nevojave të tyre. Interesante në këtë pikë është se Berisha e paralelizon kohën e Shkrelit me të tijën dhe vë theksin në faktin se ato çështje që ka trajtuar publicistika e tij janë aktuale edhe për kohën e tij, pra situata kaotike nuk ka divergjuar për të mirë madje është intensifikuar në dëm të konstituimit të mirëqenë të shoqërisë e kulturës shqiptare.
Krahas Berishës që paralelizon kohën e tij më atë të objektit, në studimin e radhës “Azem Shkreli- i lidhur me fatin e njeriut dhe të atdheut” është vetë studiuesi Avni Spahiu që e situon veten si parcialitet të kontekstit kur shkruan Shkreli. Në pjesën e parë të studiuesit Spahiu interferohen biografema të Shkrelit; me të folurit në vetën e parë shumës ai përfshin bashkë me Shkrelin. veten dhe plejadën e disidencës intelektuale të viteve 90′ ta që mbronte dinjitetshëm idealin e lirisë, drejtësisë dhe tolerancës përballë faktorëve të brendshëm si: persekutimi, drama socio-politike, cenzurimi i ndjenjës dhe mendimit.”Azem Shkreli me veprën e tij jetësore e letrare, intelektualisht të angazhuar” bëhet figurë që ilustron idenë e Spahiut mbi utilitarizmin e altruizmin si virtytet më të larta të një shkrimtari dhe opusit të tij krijues.
Ashtu si Platoni, Spahiu e sheh krijimin në art si reflektim apo të lidhur ngushtë me realitetin, për rrjedhojë moralizimin, pra atë çka është e dobishme në art si primare, ndërsa të bukurën/estetikën si diçka krejt dytësore. Në pjesën e fundit të shkrimit ndjehet intimiteti i studiuesit me objektin përmes luciditetit në lavdërimin piedestal të figurës së Azem Shkrelit, madje duke e çuar deri në një shkallë mitizimi stoicizmin, vullnetin dhë këmbënguljen e tij, kur përfundon se “si poet dhe si njeri ishte qenie me fuqi të balancuara, njeri që nuk duronte pengesa përpara vetes, që shihej dhe ballafaqohej me atë që të tjerët e ëndërronin.”
3.Drama “Agu” e Din Mehmetit: çështje të zhanrit, mitit dhe karaktereve
Krahas poezisë e cila në shkrimet paraprake të studiuesve u cilësia si zhanër themelor me të cilën operojnë poetët emblematikë: Berisha, Gjerqeku e Shkreli, në studimin e Haqif Mulliqit lexuesi do të ndeshet me një konglemerat pikëpamjesh që flasin më gjerëisht duke pasur për trajtim vetëm një vepër dramatike: “Agun” e Din Mehmetit. Ai e nis shkrimin e tij me një konstatim absolut që shpalos një qëndrim aksiologjik ndaj veprës që trajton duke e cilësuar si vepër të atillë që “nuk bën pjesë në krijimtarinë më të mirë të Din Mehmetit.” Veçori kryesore e stilit të këtij shkrimtari është luciditeti përveçse në konstatime të tilla të prera dhe eksplicite edhe në titujtë sugjestivë e shpjegues të tezave.
Rifunksionalizimin e mitit të urës nga legjendat pagane, i atyre antike e biblike në kuadër të dramës së Din Mehmetit, Mulliqi e sheh në shërbim të idesë së dramës për të moralizuar mbi jetën me kundërthëniet e saj dhe fatin njerëzor në atë mënyrë që “ndjenjat e audiencës t’i shtyjë deri në ndërgjegjësim kolektiv. Pra, miti kthehet në një sistem të veçantë poetik që e ngrit në nivel gjuhën dhe qasjen spekulative të personazheve. Krahas trajtimit të mitit domeni tjetër i shkrimit kritik të Mulliqit merret me natyrën e karakterit që realizojnë personazhet në dramë. Në ndërtimin e tyre ai shquan qasjen subjektive, thënë më drejt shndërrimin e karaktereve në “objekte hetimore” të autorit duke derivuar modele të njeriut që i nënshtrohet në vazhdimësi transformimeve në kontakt me të tjerët dhe pamundësinë e njeriuit që t’i kundërvihet fatit dhe fakticitetit si determinues të ekzistencës së tij.
Mulliqi në një pjesë të mirë merret me realizimin e zhanrit dramatik në veprën e Din Mehmetit, duke e cilësuar si një zhanër të papërfunduar për dy arsye: në rend të parë për përmbajtjen e elementit epik me kanunin si pikëreferim për personazhet çka e rrudh dramatikën brenda veprës dhe e orienton drejt një zhanri jo të pastër, si dhe për faktin se ajo si vepër nuk jeton në kohën zero, pra nuk ka përcjellë evoluimin e teatrit dhe dramaturgjisë, por ka mbetur diku në mes. Krahas që studiuesi Mulliqi shquan një mozaik nëndramash që e ndërtojnë arkitektonikën e dramës “Agu” si pasuri të saj, faktin se Dini nuk e çon veprimin e personazhit deri në fund, nuk e zbërthen ndonjë enigmë, por e përballë lexuesin thjesht me një finale të përgjithësuar e specifikon si të metë të dramës që ndikon në mosrealizimin e mirëfilltë të strukturës së saj zhanrore.
Kjo plejadë e intelektualëve dhe kritikëve të decenieve të fundit bëhet treguese e një shumësie qasjesh vetanake që ngjasojnë në tipin e metodës, por divergjojnë në situimin e saj çka edhe shpalos para lexuesit vështrimin e autorëve nëpër domene të krijimit ku ata janë përfaqësues. Jo një herë është parë lidhja triadike poet-shoqëri-realitet si diçka e patejkalueshme në studimin e veprës letrare të krijuar në kronotopose dinamike. Konteksti determinon figurën e intelektualit të angazhuar për të piketuar e trajtuar çështje të aktualitetit në një anë dhe shkrimtarit që nga lokalja përpiqet të ndërtojë universalen poetike, duke shkruar shpesh poezinë me nentekst që kamuflon përmbajtjen e saj eterike për lirinë dhe humanen si reakson ndaj një periudhë destruktive që tentoi ta shabllonojë letërsinë e artin.
Qasja me dromca pozitiviste, formaliste e zhanrore , stili që varion nga detajizimi drejt luciditetit, përskaj me vështrimin e utilitares në poezi si dicka a prior të bukurës/estetikës janë dominantat e këtyre shkrimeve kritike që me relevancën qe i japin objektit dhe segmenteve që përftojnë qenësinë e tij i kanë siguruar vetes një vend subtil në kritikën aktuale shqipe e paralelisht kanë ngritur në piedestal vlerat e shkrimtarëve të trajtuar.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
-Teksa idetë e para mbi konditat rreth të cilave duhet të ndërtohet një shtet në një rrafsh universal janë plasuar qysh në antikitet me veprën e Platonit, në historinë e publicistikës shqiptare interferohet me një vlerë kolosale vepra e Branko Merxhanit, e cila gjithashtu angazhohet në dhënien e tabllos së një shteti, por i cili për dallim nga ai i Platonit ekziston si tanësi e veçantë sado që jashtëzakonisht kompleks në qenësinë e tij.
Formula e Neoshqiptarizmës sublimon idealet e një intelektuali, Branko Merxhanit për rikuperimin e atdheut të tij, Shqipërisë. Vepra, e cila mund të cilësohet fare mirë si një traktat i natyrës socio-politike përbërë nga shkrime të botuara në revistën e autorit me po titullin Neoshqiptarizma, plason një tanësi idealesh, të ashtuquajtura reforma, që kanë për qëllim të orientojnë Shqipërinë drejt përparimit, më saktësisht drejt shkrirjes së saj me kulturën e Evropës të cilën autori insiston ta quajë Qytetërim.
Ngjashëm si Kadare edhe Merxhani trajton gjerësisht problemin e kthimit të Shqipërisë në kontinentin mëmë, por për dallim prej të parit i cili e shkruan si një fakt historik, pra si diçka tashmë të kaluar, Merxhani angazhohet me tërë qenien e tij që ta zgjidh këtë problem që është aktualitet i tij. Neoshqiptarizma mund të definohet si një pararojë e një kombi që do të rimëkëmbet, do të shkruajë një histori të re duke marrë çka ka shpëtuar nga gërmadhat. Me reformën ajo nënkupton kryerjen e një varg detyrash për të plotësuar nevojat kombëtare e përparimtare të kohës.
Vendi i së kaluarës në rrugën e Qytetërimit
Lexuesi shqiptar është mësuar që në veprat me karakter të tillë ideologjik rëndom të ndeshë në një glorifikim të së kaluarës e madje insistim që të shfrytëzohet si model për të hedhur pluhur mbi mjerimin socio-politik aktual. Merxhani, përkundër ideologëve romantikë të cilët gjejnë prehje në evokimin e së kaluarës dhe theksimin e kontrastit të mësipërm, sugjeron që ndërtimi i Shqipërisë së re të mendohet pa vështruar të kaluarën e cila në thelb për të derivon vetëm një epokë vuajtjesh, e mbi të gjitha një epokë të errët sa i përket kultivimit të dijeve dhe veçorive progresive shoqërore.
Neoshqiptarizma e vetëdijshme për zakonin e popullit shqiptar që ta fajësojë robërinë shekullore për mbetjen aq mbrapa shteteve të tjera të qytetëruara evropiane, tregohet një kritikuese e ashpër, por në thelb realiste, kur etiketon këtë përligjie si vetëgënjeshtrim të shqiptarëve që mbulon faktorin kryesor të këtij konservatorizmi: pezmin, pasivitetin e popullit për të punuar për vendin e tyre. Merxhani citon Trubeckoin si mbështetje të mendimit të tij ku thotë: sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë, e madje e plotëson me një ton ironik, kur thotë po ne u treguam nxënës të këqij; nuk këmi mësuar as letrën A, duke aluduar kështu në mungesën e emancipimit, shkollave të mirëfillta për zhvillimin e mendimit intelektual si dhe vetë hartimin e vonshëm të alfabetit.
Fanatizmi me të cilin shkolla jezuite angazhohet e mbron çështjen pellazgjike shqiptare, thumbohet indirekt duke u parë si ngecje në kohë evokimi i idesë mbi vjetërsinë e shqiptarëve si popull. Theksohet ideja që shqiptarët ashtu si Neo-Grekët e Neo-Turqit ta afirmojnë veten si Neo-Shqiptarë.
Kritika vjen duke u zgjeruar e bërë madje substanciale për t’i hapur rrugë përparimit përmes vështrimit të të metave të shoqërisë shqiptare në një dritë të pastër. Merxhani është idealist në esencë, por ai insiston që të rendet pas idealeve vetëm pasi njeriu shqiptar të ketë pranuar qenësinë e tij lakuriq ashtu siç është. Ai vë theksin në nevojën e rehabilitimit të anomalive psikologjike, siç quan jetën e zbrazët intelektuale pa ideale, pa shkolla, konservatorizmin e theksuar dhe njeriun e vrazhdë shqiptar që ka krijuar jeta në male. Sugjeron që të punohet me rrënjët; të ndërtohet diçka e re duke shartuar atë çka sado që origjinare zhvesh vlerat e shoqërisë dhe i bëhet gur në rrugën e përparimit. Në këtë kontekst Neoshqiptarizma krijon analogji me Koliqin, i cili gjithashtu në tekstet e tij kritike sugjeron vazhdimisht që e reja të ndërtohet duke kultivuar nga e vjetra gjjithçka cka është dobiprurëse për Qytetërimin të konceptuar si të ardhme.
Mirëpo teksa njeriu shqiptar këshillohet vazhdimisht që të vështrojë nga e ardhmja, progresiviteti i tij në asnjë rast nuk shihet i shkëputur nga jeta kombëtare, qenësia ekzistuese e saj. Një shtet i cili kultivon përparimin, idetë që çojnë drejt Qytetërimit, duke shpërfillur shpirtin e kombit sipas Merxhanit zvetënon portretin harmonik të tij para botës. Pra, a prior është realiteti i jetës kombëtare, ndërsa përparimi del si a posterior, ose kushtimisht ai nuk del mirëfilli i realizuar nëse nuk pranohet e punohet me të parën, pra realitetin e jetës kombëtare.
Religjioni në hendekun e Orientit dhe Oksidentit
-Merxhani e interferon religjionin si pjesë të pashkëputshme të palcës shoqërore që ka luajtur përherë një rol aktiv në arkitektonikën e botës. Shtrimi i pikëpamjeve personale mbi religjionin e filozofinë shpërfillet për shkak të interesit që konceptimi i religjionit t’i përshtatet nevojave të shqiptarëve të kohes. Siologjizmi i tij mbi religjonin nis nga vështrimi i tij në rrafshin universal, si ushqim shpirtëror që ka plotësuar kaherë nevojat e shoqërisë ndër shekuj, për të vazhduar me labilitetin e shqiptarëve në raport me të. Për ta plotësuar e precizuar qëndrimin e shqiptarëve në raport me religjionin shtrohen dy terma kryesorë: materialja dhe shpirtërorja.
Njeriu shqiptar e ka vështruar religjionin veçmas gjatë sundimit osman, si rrugë për sigurimin e përfitimeve materiale, çka ka penguar edhe pranimin e lidhjes shpirtërore me të. Kështu edhe dalëngadalë ka marrë fytyrë figura e shqiptarit i cili është labil në aspektin religjioz e duke qenë i paaftë të lidhet me ideale shpirtërore, ai domosdo do të tregohet i varfër në përfytyrimet dhe angazhimin për Qytetërimin.
Heterogjeniteti religjioz del si tregues i këtij joserioziteti, por edhe si faktor krucial që pengon konvergjencën kombëtare. Uniteti religjioz shtrohet si kusht për unitetin nacional. Shqipëria quhet figurativisht një Saharë e Evropës, pa asnjë hije, pa asnjë pemë, pa asnjë pikë ujë, duke bërë aluzion kështu për shterpësinë e shqiptarëve si nacion në fushën e ideve religjioze, idealeve kombëtare e shkencore.
Për Neoshqiptarizmën asnjë religjion nuk është superior në raport me tjetrin, por për sa kohë nuk shkrihen në një ose të angazhohen në unanimitet intelektual e kombëtar larushia e tyre është shpërfytyrim i një kombi të bashkuar, çka edhe e largon edhe më tepër Shqipërinë nga ëndrra e Qytetërimit. Prandaj edhe lexuesit nuk i vjen çudi entuziazmi me të cilin Branko Merxhani shkruan për martesën e Jan Bashos, një mjeku të krishterë të pallatit mbretëror dhe Zejnep Maliq Bej Frashërit, një muslimaneje të shkolluar. Për Merxhanin kjo martesë realizon idealet e Neoshqiptarizmës në një zinxhir si: tejkalimi i ndasive fetare, konvergjenca kombëtare dhe hedhja e filizave të familjes së qytetëruar.
Në tekstin e tij vërehet një antipati ndaj Orientit osman, thënë më drejt ndaj kulturës së tij, e cila qëndron larg lavdisë së popujve të vjetër oriental sumerë e egjiptianë, prandaj edhe si e tillë nuk u pranua gjerësisht në Evropë, dhe nuk arriti të mbijetojë karshi kulturës kolosale që pohon ai të derivojë Oksidenti. Ani pse përdor me ironi epinomin dualizëm sentimental për kulturën religjioze të Orientit dhe Oksidentit, Merxhani nuk kursen në asnjë rast parabolat e Frojdit, Augustit o filozofëve të tjerë për të potencuar edhe njëherë rëndësinë e religjionit në qarqet shoqërore, si reflektues i shpirtërores, devocionit, humanes dhe dashurisë.
Roli i intelektualit në prurjen e Qytetërimit
-Neoshqiptarizma pranon se sado që ajo angazhohet në mirëqenien e popullit në esencë kërkesat e saj nuk i drejtohen atij, por njeriut të mendimit, siç e quan ajo intelektualin. Për të bazë e ndërtimit të një kombi është shoqëria e cila niset nga parime kolektive efektive, për dallim prej individit i cili niset nga parime asociale, rrjedhimisht vetjake. Mirëpo individi i determinuar shpesh si qenie egocentrike kur shikohet i shkëputur nga shoqëria, është i prirë ta tregojë superioritetin edhe rëndësinë e tij në mirëqenien e shoqërisë në kohë kataklizmash socio-politikë. Kjo është dëshmuar veçmas në periudhën e romantizmit, kur çdo intelektual e artist ka shembëllyer më parë sesa pikëpamjet e veta mbi botën materiale o shpirtërore, ato që u janë përgjigjur nevojave të kohës, duke barazuar funksionin e tyre me atë të apostujve Nisur nga kjo sakrificë e artit mund të thuhet se figura e intelektualit e lidhur me palcën e shoqërisë, me realitetin shtrëngohet të braktisë botën kaotike të fantazisë së tij.
Gjithë filozofia e Neoshqiptarizmës bazohet në ideale shoqërore, të konceptuara si faktorë të parë të jetës. Ideali shoqëror realizon divergjencën e njeriut shqiptar duke e transformuar atë nga të qenurit një qenie egoiste në një qenie me primesa utilitare. Merxhani spikat se ideali nuk është diçka ireal që ushqehet nga fantazimet e njeriut mbi mirëeqenien vetjake, por një realitet që i përket shoqërisë.
Djalërinë ose fazën infantile të njeriut shqiptar, ai e determinon si hapësirë produktive për t’u rrënjosur e kultivuar idealet shoqërore të Neoshqiptarizmës. Shfaqet kundër mësimit konvencional dhe thekson nevojën që të ndryshohen kriteret pedagogjike të mësimdhënies, të observohet më tepër me botën e ideve dhe shpirtërore të Djalit shqiptar. Jo rastësisht përdoret kjo sintagmë, që s’ka qëllim tjetër përveçse ta vë spikamën edhe njëherë në diferencën midis Djalit Shqiptar dhe atij Evropian, si përplasje midis konvencionales dhe modernes.
Hovi i intelektualëve për të instaluar filozofitë e huaja aq të përparuara, për të përkthyer në një vend ku mungon një abetare adekuate thumbohet si një mendjelehtësi që del veçmas me krahasimin që u bën Merxhani vetë atyre me virgjëreshat e çmendura të dashurisë e të dehjes. Intelektuali shqiptar, rëndom i formuar jashtë atdheut në rrugën e kthimit të tij në popull gjithmonë duhet të mbajë gjallë dëshirimin për të depërtuar në shpirtin e popullit, për të kuptuar kështu botën e ideve dhe ndjenjave të tij, besimet e traditat dhe të gjitha këto t’i marrë si një shkollë në vete që do t’i shërbejë për të njohur kushtet e terrenit ku synon të plasojë idetë e Qytetërimit. Por, jo çdo dukuri që ka zhvilluar Oksidenti është shembull i Qytetërimit. Kështu Merxhani thekson se liria dashurore që ka zhvilluar Evropa, duke insistuar në të drejtat e femijëve të jashtëligjshëm, në konsumimin e dashurisë pa pasur ndonjë kondiktë morale, nuk është veçse një degradim shoqëror që rrezikon madje vetë qenësinë e Familjes, konceptuar qëkur si bërthamë e shoqërisë.
Kudo nëpër tekst ndjehet simpatia e Merxhanit ndaj Gëtes, e madje ai duket sikur është i vetëdijshëm për këtë rënie në sy prandaj edhe i kushton një kapitull të tërë, ku tregon njohjen e parë të tij me Gëten dhe arsyet pse ai e admiron aq shumë. Njohja e tij me Gëten vjen si reminishencë nga fëmijëria, gjatë rrëfimit të së cilës autori nuk mund t’i përmbahet shpërthimit euforik, duke dhënë gjithë madhështinë e botës së pafundme të ndjenjave që ka zbuluar në Verterin si fëmijë, përmes simbolikës së pemës dhe dehjen me të cilën ai admironte lulet shumëngjyrëshe të prera nga ajo: të puthura qiellore ranë mbi mua.
Vizatimi i tillë i portretit të Gëtes i shërben edhe përpjekjes së autorit për të demonstruar figurën e një intelektuali që rend pas ideleve qoftë shoqërore qoftë letrare, duke përjetësuar kështu jo vetëm emrin e tij, por edhe bërë të njohur botërisht e vlerë sublime qytetin e vendlindjes së tij, Ëeimarin. Merxhani përmes tij dëshiron të tregojë edhe njëherë impaktin e një jete idealiste dhe rolin e rëndësishëm që luan intelektuali në njohjen e kombit të tij para botës, ne vetë pasqyrimin e vlerave të tij.
Në kujtimin tjetër, fokalizimi i intelektualit në veprim bartet nga Gëte tek vetvetja. Merxhani interferon skena nga një udhëtim në Stamboll, për të treguar lidhjen e tij intime me profesionin e gazetarisë dhe se si mund të punohet me të në dobi të jetës kombëtare. Krahas ambientit sentimental me të cilin autori jep portretin e Stambollit, theksi vihet veçmas në dhënien e pamjes së një realiteti kaherë ekzistues: shqiptarët e mërguar në Turqi dhe rreziku i asimilimit të tyre. Ajo për çka mund të kritikohet këtu Neoshqiptarizma është vështrimi i të mërguarëve më tepër në një kontekst material se sa shpirtëror, më tepër se sa si pjesë e pashkëputshme e palcës etnike, si resurs ekonomik për vendlindjen, për mbajtjen e të cilit duhet të mos kursehet asnjë rrugë.
Branko Merxhani në veprën Formula e Neoshqiptarizmës arrin të derivojë fytyrën e intelektualit nga të vështruarit të tij në një kontekst më të largët thjesht konceptual, për të elaboruar më tutje duke e vështruar nga afër, prekur figurën altruiste të intelektualit përmes shkrimit të kujtimeve. Ai bëhet ideolog që afirmon atë çka duhet të përbëjë figurën e intelektualit në shumë plane: atë moral, religjioz, shoqëror e atdhetar.
Stili i Neoshqiptarizmës
-Duke zgjedhur si formë reflektimi të tij prozën mendimtare me karakater socio-politik, jo rrallë edhe me premisa filozofike, Branko Merxhani bëhet ndërtues i një platforme ideologjike që vështron Qytetërimin si utopi. Pavarësisht vështrimit të tillë të saj si përmbajtje, ajo çka bie në sy në vepër është edhe forma, sistemimi i pikëpamjeve mbi fenomenet shoqëore nëpër kapituj të veçantë, çka edhe krijon një lidhje kauzale midis tyre dhe shtron në një rrjedhë logjike problemin. Jo rrallë bie në sy përsëritja e ideve, e cila vërehet veçmas në shtrimin e problemeve të njëjta nëpër kapituj të veçantë, mirëpo kjo nuk bën që stili i tij të kalojë në monotoni, por i shërben plotësimit dhe theksimit të ideve.
Stili i tij më tepër se praktik, konkret është abstrakt, teorik dhe kjo vie si rrjedhojë se Merxhani nuk rrëfen, me përjashtim të ca pjesëve që lidhen me kujtimet ku ai tregon ca prirje prozaike, në përgjithësi stili i tij anon nga proza shkencore, mendimtare. Mirëpo teksa kësaj proze shkencore i mungon gjerësisht rrëfimi prozaik, nuk i mungon gjuha figurative. Errësira dhe drita përbëjnë dy simbolet dominuese, që në thelb shënojnë kontraste kohësh, kulturash o idealesh. Këto Merxhani i përdor pa kursim për të treguar pikërisht përmes këtij kontrasti vështirësitë dhe nevojën e menjëhershme të të punuarit me realitetin kombëtar.
Toni sarkastik e ironizues është veçmas karakterisitk kur u drejtohet bashkëkohësve të tij dhe moskuptimit që tregojnë ata ndaj Qytetërimit, si dhe ndaj të kaluarës dhe qëndrimit glorifikues të shqiptarëve ndaj saj. Ky ton ndryshon kur kalohet direkt në lidhjen e tij intime me atdheun, nga ai revoltues në atë melankolik i cili realizon plot emocionalitet një përshkrim romantik të tij, dukë gërshetuar glorifikimin e natyrës me lidhjen e pashkëputshme biologjike që gëzon njeriu me vendin e tij:
ku janë të varrosura kockat e stërgjyshërve t’anë, atje në hirin e gjakut të hidhërimit, ku ka rënë loti i parë i mëmave tona në pyllin e dashurisë që na çeli misterin e jetës në kohën e djalërisë-atje është atdheu ynë. Siç shihet ritmi, melodia e fjalëve që hyjnë në marrëdhënie i japin shprehjes së tij ngjyrime patetike.
Reagimet prozaike letrare përveçse lidhen me reminishencat e lartpërmendura, nuk mungojnë edhe përbrenda shkrimeve sado që në një masë rudimentale nëse krahasohet me Mosmarrëveshjen e Kadaresë. Për shembull ja si përshkruan Merxhani gjendjen e tij emocionale pas kritikës që i bën njeriut shqiptar:
Ndjej se maja e gishtit më djeg. Dhe ç’të djegur! Dridhem i tëri. Vura gishtin tim mbi një plagë, e cila ka lodhur dhe egërsuar pa rreshtur shpirtin e kombit.
Vepra fund e krye shquhet për diskursin erudit, që shpaloset qysh me paratekstet që përmban çdo kapitull. Ato realisht bëhen sugjeruese të përmbajtjes së pjesës para së cilës vendosen. Kështu nuk mungojnë paratekstektet nga Gëte, Niçe, Svela, Ruso e Kanti, por edhe intertekstet e Frojdit, Dukheimit, Artur Messerit, Emil Ludvigut, Marksit e sa e sa përfaqësuesve të tjerë qoftë të pikëpamjeve psikanalitike, sociologjike, materialiste e idealiste, të cilat provojnë për një intelektual të shquar, që nuk kufizohet në dijet e fushës së tij, por vazhdimisht anagazhohet që të vjelë më tepër nga gjeneralët e Qytetërimit, për t’i kontribuar kështu jetës shoqërore të vendit dhe ndërtimit të platformës së përparimit për kombin, çka del fund e krye e realizuar në këtë vepër.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Publicistikë letrare”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Ah e thyme âsht kupa e florinjtë! shpirti ka fluturu përgjithmonë! Le t’jehojë kâmbana!–në lumin stigjian nji shpirt engjëllor po noton; Dhe, ti i fejum i saj, si s’nxjerr lot?– vajto tash ose kurrë mâ! Shif! atje zymtë dhe shtangët n’çivur e dashuna jote, Lenorë u thâ Ejani! le të nis riti i varrimit-vajtimet le t’marrin erë!– Nji himn për dekën ma mbretnore që ka ngja ndoj’herë– Nji elegji për dekën e dyfishtë pse kaq e re u bâ e ndjerë.
“Të mjerë! e deshët për kamjen e saj dhe i patët smirë kryenaltësinë, “Dhe kur vinte tu u tret shëndetligë, e nemtë- sa vdiç çupëlinë! “Si t’nis, atëherë, kjo ceremoni?–si t’knohet ky psalm “Nga ju- nga sytë nakar t’juj,–nga llapitja juj e përdalë “Që bânën me dekë nji çupë, kaq e re pa faj?”
Kemi m’katnue; mos shfreni veç kshtu! nisni nji kangë t’shtunës s’bekume T’kumboj dej te Zoti sa vetë deka t’duket e gabume! E âmbla Lenorë ka “shku m’parë” me Shpresën ngjit ngat Tu ta lanë ty marrinë për çupën e artë që ke mujt nuse me pas– Për ta, të ndershmen dhe shpirtmirën, që shtrihet tash poshtë; Jeta vezullon mbi floktë e saj verdhak, por jo mrena syve t’saj foshnjor– Jeta aty hale, mbi flokët e saj– deka shtri mbi sytë e saj skaj m’skaj
“Ikni! Sonte zemra m’o zdrit. S’kam m’i ngrit asnji elegji, “Por përcillne me nji himn apollonian shpirtin e saj prej engjëlli! “Mos t’jehojë kâmbana-që shpirti i saj i âmbël, midis haresë t’hyjnume, “Të arrijë t’klithë, sa t’ik nga kjo Botë e mallkume. “Për miqtë e qiellit, nga djajtë e tokës nji hije e xhindosun krejt e gri– “Nga Ferri ngrit midis Parajsës vesh n’madhështi– “Nga lot e ofshama, në nji fron të artë tash ngat Zotit rri.”
Qysh fmi s’kam pas nji natyrë me tjert’-S’ kam kqyr Si tjert’ kanë kqyr- S’kam mujt m’i vezullu- Pasionet e mia nji pranverë me ta tu dashunu Nga nji burim rranjë s’ka lshu Dhembja jem- S’kam mujt me zgju N’zemrën tem me knu me ta nji melodi- Dhe krejt çka kam dashtë- E kam dashtë n’vetmi Vërtet’-n’fmininë tem-n’ag Midis furtunash jeta- m’u shfaq Nga nji oqean engjëjsh dhe djajsh Me nji fshehtësi që hale m’përqas- Nga nji çutërr o nji shatërvan- Nga nji shkamb i kuq n’malin azgan- Nga nji diell që m’vinte rreth mbi fron Me të artë e nji vjeshte kur agon- Nga shndrritja e qiellit n’terrim Që m’kaloi para syve fluturim- Nga bubullimë e rrebesh- Që lind renë gollomesh (Kur gjithë parajsa ish e kaltër) N’sytë e mi si djall me flatër.-