Roze Kukaj, e afërme e Nënës Terezë që jeton në Australi, i ka ofruar meshtarit shqiptar Don Marjan Marku disa letra që Nënë Tereza ia kishte shkruar nënës së saj, në gjuhën shqipe.
Don Marjan Marku, famullitar në Zvicër, ka takuar kohë më parë një të afërme, të bijën e dajës të Nënë Terezës, e cila jeton në Australi. Me këtë rast, bashkë me lajmin për kontaktin me familjaren në fjalë, Marku na sjell, ekskluzivisht për albinfo.ch edhe një letër në gjuhën shqipe që Nënë Tereza i kishte shkruar të afërmes së saj në vitin 1972. Letra bën fjalë për vdekjen e nënës së Nënë Terezës, Drane Bojaxhiut.
“Në shkurt dhe në mars të këtij viti isha për dy muaj në Australi për shkollim të mëtutjeshëm dhe me këtë rast pata kënaqësinë për tu takuar me një ilake (familjare të afërt) të Shën Nënë Tereza nga Kalkuta, me zonjën Roza Kukaj. Roza ishte një zonjë në një moshë të thyer, por e fortë dhe e fliste shumë bukur gjuhën shqipe, fliste një gjuhë të ëmbël qytetare. Gjyshi i saj (i Rozës), pra baba i nënës së saj dhe nëna e Shën Nënë Terezës ishin vëlla dhe motër”, shprehet Don Marjan Marku për albinfo.ch.
“Pas vdekjes së Kolë Bojaxhiut, pra të babait të Shën Nënë Terezës, ata ishin shumë të afërt me njëri – tjetrin, natyrisht se nëna Drane kishte nevojë për përkrahje nga vëllai i saj. Në bisedë me të, ajo më njoftoi për vizitën e nënë Terezës në shtëpinë e tyre. Sa herë që vinte në Melburn, ajo e vizitonte edhe vajzën e dajës, zonjën File Kukaj, tregon e bija, Roze Kukaj. Ajo mi tregoi edhe disa letra që nënë Tereza ia kishte shkruar nënës së saj, të cilat me lejen e saj unë edhe i fotografova. Këto letra të nënë Terezës ishin të shkruar në gjuhën shqipe. Njëra nga këto letra ishte edhe njoftimi i vdekjes së Dranës në Tiranë, pra vdekjes së nënës së nënë Terezës”, thotë më tutje meshtari shqiptar për albinfo.ch.
Ai bën të ditur se zonja në fjalë kishte po ashtu edhe një fotografi të shtëpisë ku ata jetonin në Shkup, para se të shpërnguleshin në Australi.
“Pasi që letra të shkruara në gjuhën shqipe nga shën Nënë Tereza ka shumë pak, sivjet në përvjetorin e 20 të vdekjes së saj po e publikoj një letër të saj të shkruar në gjuhën shqipe, me të cilën njofton bijën e dajës për vdekjen e nënës së saj”.
“Motra jeme e dashtun, Filja jeme. Nana loke ka shkue n’shpi te Zoti dashtun. Qe tash e kam fitue nji telegram. Agia ka shkrue: “12 Korrik ora 05, Nana vdiq – Agia» Tash na e kemi loken mu lut për ne.
Unë e di – se si Ti e ke dasht loken, si motra jeme e vogla. Sakrificionet e lokes na kan ndihmue – dhe tash ajo ka sigurisht me na ndihmue ma tepër – t’lutem lute argjipeshkvin Knox dhe motrat e jona mu lutë për loken. Si jeni ju – unë jam mir me shnet vetem qetash kam shum punë. Shkruj Ages dhe Lazri. Lutu per Agen shum, me shum dashni, motra jote – m. Teresa”.
Në letër janë të shkruara edhe adresat e tyre, e Ages në Tiranë dhe e Lazrit në Palermo.
(Letra është shkruar më 12 korrik, 1972)