Të hënën, më 19 gusht, do të fillojë Seminari XLII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, dhe këtë vit shënohet përvjetori i 50-të jubilar. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
“Rreth 200 studentë dhe studiues të shkencave albanologjike nga vende të ndryshme të botës nga 19 deri 30 gusht 2024, do të qëndrojnë në Universitetin e Prishtinës dhe gjatë këtyre ditëve do të ndjekin kurset e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe do të shpalosin hulumtimet e tyre shkencore në fushën e albanologjisë”, thuhet në njoftim.
Në këtë seminar përveç që do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme kulturore e shkencore, do të ligjërojnë edhe disa nga shkencëtarët më të njohur të dijeve albanologjike në botë.
Në këtë edicion do të mbahen këto ligjërata shkencore:
– Paul Heggarty: A New Database, Family Tree and Origins Hypothesis for the Indo-European Language Family — What Place for Albanian, E MARTË, 20 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Yll Rugova/Belgjikë: Alfabeti më i vjetër origjinal i shqipes: në dritën e një burimi të ri, E MËRKURË, 20 GUSHT 2024, ora 11:00 (Biblioteka Kombëtare)
– Shaban Sinani/Shqipëri: Një vështrim krahasimtar letërsisë sociale në Ballkan në periudhën mes dy luftërave, E ENJTE, 22 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Oliver Jens Schmitt/Austri: Prishtina and Kosova in the late Ottoman period – the view of Austro-Hungarian diplomats, E HËNË, 26 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Salla e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës)
– Jose M. Floristan/Spanjë: The Albanian communities of Naples and Sicily (16th and 17th c.): between the Balkan revolt and the service to the Spanish crown, E HËNË, 26 GUSHT 2024, Ora 18:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Ranko Matasović/Kroaci: Latin Loanwords in Albanian: Problems of Relative Chronology, E MARTË, 27 GUSHT 2024, Ora 11:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Francesco Altimari/Itali: Realizime dhe projekte të katedrës së shqipes të Universitetit të Kalabrisë në shërbim të albanologjisë dhe komunitetit arbëresh, MËRKURË, 28 GUSHT 2024, Ora 09:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Rexhep Ismajli/Kosovë: Studimet e shqipes në ish-Jugosllavi, E ENJTE, 29 GUSHT 2024, 09:00 (Fakulteti i Filologjisë)
– Phil Hubbard/Amerikë: Memories of the 1977 seminar: How it influenced my life’s path, E PREMTE, 30 GUSHT 2024, 9:00 (Fakulteti i Filologjisë)
Ndërsa më datë 26 GUSHT, ora 19:00 në ambientet e Fakultetit të Filologjisë do të organizohet një tryezë shkencore për Ismail Kadarenë.
Organizatorët e Seminarit kanë njoftuar se të gjitha aktivitetet do të jenë të hapura për publikun./ KultPlus.com
Etiketë: Letërsia
Shkrimtarët për fëmijë takim në QKLL, sfidat e kësaj letërsie
U mbajt sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit një diskutim i frytshëm mbi letërsinë për fëmijë.
Ky takim që bëri bashkë shkrimtarë të letërsisë për fëmijë erdhi pas hapjes së thirrjes (më 1 qershor) së Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2024, një fond i përvitshëm që mbështetet nga QKLL.
Pjesë e tryezës së diskutimit ishin fitues të këtij fondi ndër vite si: Xhahid Bushati, Rovena Rozhani, Teuta Dhimarko Kasoruho, si dhe shkrimtarë të afirmuar të letërsisë për fëmijë si Adelina Mamaqi, Lefteri Lloshe, Natasha Poroçani, Anila Mullaj etj, të cilët ndanë me të pranishmit sfidat e kësaj letërsie si një letërsi e domosdoshme në rritjen dhe edukimin e brezave që vijnë.
Ata ngritën shqetësimin që kjo letërsi të mos ngelet e izoluar por të mbështetet vit pas viti, pasi mbi të gjitha këto krijime për fëmijë kanë edhe vlera pedagogjike.
Sipas tyre, kjo letërsi nga njëra anë zhvillon aftësitë njohëse të fëmijës, u zgjeron horizontin mendor, në anën tjetër, zhvillon imagjinatën pasi, krijime të tilla i përshtaten mirë të menduarit konkret dhe ende të pazhvilluar të fëmijëve.
Prej 3 vitesh, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e mbështet këtë letërsi përmes një fondi të dedikuar.
Nëpërmjet këtij fondi, QKLL-ja synon të promovojë letërsinë për fëmijë, pasi krijuesit për fëmijë janë ata që rrisin dashurinë te fëmijët për librin, që ngacmojnë te fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, hapin dyert e botës fëmijërore, ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar dhe për të dashur gjuhën.
Fitues të këtij fondi ndër vite:
Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Libri “O trumcak bredharak!”, Xhahid Bushati
Libri “Arushi Oja”, Eleni Birçaj
Sevi Agolli me librin «Hajdutja e buzëqeshjeve»,
Fatmir Gjestila me librin «Lotët e Marit»,
Zimo Krutaj me librin «Jona dhe deti».
Teuta Dhimarko Kasoruho me librin “Aventura e Bebit”
Rovena Rrozhani me librin “Arinjtë duan të fluturojnë”
Xhahid Bushati me librin “Alfabeti i Bletës”./ balkanweb/ KultPlus.com
Dallimet mes letërsisë së Shqipërisë e Kosovës, Ligjerata e Krajës, identitetet politike e rrymat letrare
Letërsia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës është parë në kontekstin gjeografik e politik duke gjetur pika të përbashkëta dhe dallime. Nga variantet e gjuhës te identiteti politik, terësia dhe ndryshimet u morën në shqyrtim në një ligjëratë nga kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës.
Kreu I Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja ka mbajtur në bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ligjëratën me temë “Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës”, ku u ndal në tërësinë dhe dallimet.
“Letërsia e Kosovës dhe e Shqipërisë janë një, se funksionojnë brenda një gjuhe, por janë dy përvoja letrare. Këtë duhet ta themi menjëherë për të mos krijojmë iluzione për një tërësi kohezionesh që shkojnë përtej gjuhës, te ideja. Gjuha shqipe ka variantet e saj, letërsia shqipe ka përvojat e saj”, tha Kraja.
Ndërsa gjykon që jemi një popull i vogël për të zhvilluar dy letërsi e dy kultura të ndara, Kraja vëren se absurdi i ndikua politikisht në një kohë identitetesh politike të detyrueshme.
“Nuk është vetëm gjuha, por mbetet linja themelore rreth të cilës kemi bërë diskutime. Ndonjëherë jemi marrë vesh por ka pas edhe keqkuptime. Keqkuptimet kanë konsistuar në atë që letërsia e Kosovës është konsideruar si një letërsi në një gjuhë të pamjaftueshme”, tha Kraja.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, Kosova pas 1956-ës, si një vend nën ndikimin jugosllav, doli nga dogma e realizmit socialist dhe u njoh me rryma letrare të perëndimit njëkohësisht me Europën.
“Më 1964, vepra e Beketit, “Duke pritur Godonë” vihet në Paris, më 1968 e kemi shfaqje në Prishtinë”
Por malli për tokën e premtuar, duket se pati ndikimet e veta jo aq të frytshme.
“Letërsia e Kosovës një sy e mbante nga Shqipëria, nga letërsia e Shqipërisë. Brenda letërsisë së Ksoovës kishte autorë që kultivuan realizmin socialist sikur të ishin në Tiranë”.
Ndërsa autorët shqiptarë që dilnin nga dogma dënoheshin ose u ndalohej botimi, te autorët në Kosovë bashkëjetonin realizmi socialist dhe rrymat e reja./ballkanweb/KultPlus.com
George Bernard Shaw, i papërmbajturi i letërsisë
George Bernard Shaw (1856 –1950) ishte fëmija i tretë dhe më i vogli (i vetmi djalë) i George Carr Shaw dhe Lucinda Elizabeth Gurly Shaw. Teknikisht, ai i përkiste “pushtetit” protestant – zotërinjve irlandezë pronarë tokash, por babai i tij qe një tregtar i pasuksesshëm, kështu që George Bernard u rrit në një atmosferë goxha të varfër.
Shaw kultivoi njohuritë për muzikën, artin dhe letërsinë, si rezultat i ndikimit të nënës së tij dhe vizitave të tij në Galerinë Kombëtare të Irlandës. Në 1876, Shaw vendosi të bëhej shkrimtar, ndaj iu bashkua nënës dhe motrës më të madhe (e vogla kishte vdekur) në Londër. Në moshën e rinisë, në të 20-at, ai vuajti zhgënjimin dhe varfërinë e vazhdueshme. Pasditet i kalonte në sallën e leximit të Muzeut Britanik, duke shkruar romane dhe duke lexuar atë që kishte humbur në shkollë, ndërsa në mbrëmje mësonte autodidak ligjëratat dhe debatet që karakterizonin aktivitetet bashkëkohore të klasës së mesme në Londër.
Një fragment i botuar pas vdekjes si “Një roman i papërfunduar” në vitin 1958 (por i shkruar në vitin 1887-‘88) ishte fillimi i fundit artificial në letërsinë artistike. Kur Shaw filloi të shkruante për skenën angleze, dramaturgët më të shquar ishin Sir A.W. Pinero dhe H.A. Jones. Që të dy po përpiqeshin të zhvillonin dramën moderne realiste, por nuk kishin fuqinë e duhur të largoheshin nga subjektet artificiale dhe karakteret konvencionalë të pritshëm nga adhuruesit. Shkroi “Henrik Ibsen”, “Don Zhuani në ferr”, “Dishepulli i djallit” (1897) etj.
Lufta e Parë Botërore ishte çast vendimtar për Shaw. Në fillim ai reshti së shkruari drama, duke botuar pamfletin e diskutueshëm: “Domethënie vulgare rreth luftës”, ku e quante Britaninë e Madhe dhe aleatët e saj njësoj fajtor me gjermanët dhe argumentonte për negociata dhe paqe.
Në dramat e tij të mëvonshme Shaw intensifikoi eksplorimet në simbolizmin tragjikomik dhe jorreal. Krijoi “The Apple Cart” (1929), një komedi futuriste, që thekson konfliktet e brendshme të Shaw-ut midis jetës së politikës radikale dhe mosbesimit të tij konservator në aftësinë e njeriut të zakonshëm për të qeverisur veten. Pas një ndërprerjeje gjatë kohës së luftës, Shaw, shkroi edhe më shumë shfaqje.
I papërmbajtur, mospërfillës dhe gjithmonë njeri i rrëfimit, Shaw përdori zgjuarsinë e tij të gjallë për të qëndruar në sy të publikut deri në fund të 94 viteve të tij; figura e ashpër, mjekra e famshme dhe bastuni, ishin po aq të njohur në mbarë botën sa edhe dramat e tij.
George Bernard Shaw nuk ishte thjesht dramaturgu më i mirë komik i kohës së tij, por edhe një nga dramaturgët më të rëndësishëm në gjuhën angleze që nga shekulli i 17-të. Disa nga veprat e tij më të mëdha për skenën “Cezari dhe Kleopatra”, episodi i “Don Zhuani në ferr” i “Man dhe Superman”, etj. shquhen për seriozitet të lartë dhe bukuri proze që nuk kishin të krahasuar me bashkëkohësit e tij të skenës. Një vizionar dhe mistik, filozofia e të cilit ishte pasioni moral, konflikti intelektual i përhershëm, Shaw ishte edhe pamfleti më i ndjeshëm që nga Swift, kritiku më i lexueshëm në anglisht, kritik i mirë i teatrit të gjeneratës së tij, një mësues i mrekullueshëm dhe eseist mbi politikën, subjektet sociologjike dhe një nga shkrimtarët më të pangopur në letërsi. Duke sjellë një inteligjencë të guximshme kritike në shumë fusha të tjera të interesit, ai ndihmoi të krijonte mendimin politik, ekonomik dhe sociologjik të tri gjeneratave./Hejza/KultPlus.com
Vendi i Mihal Gramenos në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare
Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.
Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.
Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.
Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.
Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj
Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.
Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.
* * *
Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.
Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.
Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.
Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.
E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.
- Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.
Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimit, që botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.
Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.
Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.
Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.
Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.
Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.
Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liri, Ardhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.
Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.
Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.
Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.
Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.
Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.
Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.
Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.
Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu. Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), Duvaxhinjtë, I gjori Ibrik, Xinxifkë pasha, Xhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.
Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.
Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.
Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.
Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.
Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.
Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.
Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.
Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.
Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.
Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).
Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.
Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.
Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f., edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.
Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.
(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.
Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës
Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!
Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.
Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.
Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) / KultPlus.com
Kandidaturat e çmimeve kombëtare të Letërsisë
Në prag të ndarjes së çmimeve kombëtare të Letërsisë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit publikoi në rrjetet sociale të gjitha kandidaturat, të ndara në gjashtë kategori.
Për çmimin “Romani më i mirë i vitit” garojnë Agron Tufa me “Ngjizja e Papërlyeme”, Bashkim Hoxha me “Një shaka e vogël me vdekjen”, Mira Meksi me “Kutia e Agatha Christie-t”, Ridvan Dibra me “Gruaja që deshe” dhe Stefan Çapaliku me romanin “Mbyllur për pushime”.
Në kategorinë “Vëllimi më i mirë me tregime i vitit” kandidatët për çmim janë: Arb Elo me “Fugu”, Durim Taçi me “Nga një derë tjetër”, Edmond Tupja me “Jehona ngacmimesh të çuditshme”, Nasi Lera me “Vetmia e syve të qenit” dhe Ndue Ukaj me vëllimin “Mbretëria e ëndrrave”.
Në kategorinë “Vepra më e mirë e vitit studimore letrare”, gjejmë Bardhosh Gaçe me “Universi poetik i Fatos Arapit”, Gazmend Krasniqi e Vjollca Osja me “Arti i poezisë”, Persida Asllani e Dhurata Shehri me “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”, akademikun Shaban Sinani me “Shekulli letrar i Ismail Kadaresë” dhe Xhevat Lloshi me “Vështrime stilistike”.
Për çmimin “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” kandidaturat janë: Adelina Mamaqi me “Qielli shkundte yjet”, Nurie Emrullai me “Në orën moderne të perëndive”, Preç Zogaj me “Një e tretë, dashuria” dhe poeti Visar Zhiti me “Dorëshkrimet e burgut”.
Në kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” kandidatët janë: Anna Kove për përkthimin e Herta Muller me “Teposhtë”, Erion Karabolli për përkthimin e “Shtatë të çmendurit”, Korab Hoxha për përkthimin e “Pasqyra dhe drita”, Saverina Pasho për përkthimin e “Njeriu i parë”, i Albert Kamysë dhe Sokol Çunga me përkthimin e “Antologji e poezisë bashkëkohore greke”.
Në kategorinë “Libri më i mirë për fëmijë i vitit”, kandidatët për çmim janë: Anila Kadija me “Ninulla e zemrës”, Natasha Poroçani me “Bëmat e Estes dhe Kokosë – Ditari i Estes”, Rudina Çupi me “Piratë dhe paratë”, Sazan Goliku me “Kërkimi” dhe Xhahid Bushati me “O trumcak, bredharak”. Renditjet e kandidatëve janë bërë sipas rendit alfabetik. /atsh /KultPlus.com
Naim Frashëri, figurë qëndrore e letërsisë së Rilindjes dhe ‘bilbil i gjuhës shqipe’
Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën.
Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj. Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789: lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.
Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.
Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij.
Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike.
Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut.
Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë. Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre.
Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike. /KultPlus.com
Sot mbahet tryezë e rrumbullakët mbi letërsinë dhe kulturën mes Kosovës dhe Spanjës
Sonte me fillim nga ora 19:00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, zhvillohet ‘Tryeza e Rrumbullakët Mbi Letërsinë dhe Kulturën mës Kosovës dhe Spanjës’.
Në këtë tryezë do të diskutohet gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.
Për këto tema do të lfasin, Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe njohëse e botës latino-amerikane, dhe Sylë Maxhera, ish sportist i njohur në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant dygjuhësh, në shqip e spanjisht. /KultPlus.com
“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Kamberi: Edhe në rastin e luftës së Kosovës, pak është shkruar
Uranik Emini
Më 1 shkurt, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, PEN Qendra e Kosovës zhvilloi me shumë sukses akitivitetet e saja kulturore e letrare paraparë për projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, shkruan KultPlus.
Temperaturat e ftohta nuk ndikuan që të pranishmit të zënë vendet e tyre dhe rrjedhimisht të fillojë edhe debati rreth temës “krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë”, ku të pranishëm në panel për të diskutuar më gjerë në një anë studimore, ishin: shkrimtarja Nerimane Kamberi, profesori dhe dramaturgu, Haqif Mulliqi, si dhe moderator i debatit, profesori universitar, Sali Bashota.
Me vëmendje të plotë nga numri i pranishmëve, debatin e filloi profesori Bashota, i cili bëri prezantimin e panelistëve dhe më pas ia dha fjalën shkrimtares Kamberi.
Kjo e fundit e hapi këtë debat me një thënië të shkrimtarit të njohur, Franz Kafka, për të dalur gradualisht edhe te letërsia franceze dhe gjithashtu edhe shkrimtarët shqiptarë.
“Shpesh kam menduar se mënyra më e mirë për të jetuar për mua do të ishte të ulem me një llambë dhe atë që më duhet për të shkruar në mes të një bodrumi të madh të izoluar. Do të më silleshin ushqimet dhe di t’i linin gjithmonë shumë larg vendit tim, pas derës më të jashtme të bodrumit”, Kafka në letrën Felices. “Këtë titull kumtese mund ta ndryshoja ) “Krijimtaria letrare në kohë lufte”, sepse ajo që përjetoi bota dhe po vazhdon ta përjetoj ishte një luftë speciale. (Presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se jemi në gjendje lufte”, tha mes tjerash Kamberi.
Kamberi përmendi edhe krjimatrinë franceze, ku shtëpitë botuese atje parapanë se do të rritej fluksi i librave në botim gjatë pandemisë.
“Në Francë, ku kemi një traditë shkrimtarie, shtëpitë botuese parapanë së do të rritet fluksi i librave për botim, vepër e parë apo vepër e re e një autori të afirmuar. Por disa prej tyre nuk deshën të botojnë libra me tematikë pandemie, si lloj ditarë lufte, sepse deshën vepra që do të zgjasin në kohë, ndoshta edhe që do të mbesin në historinë e letërsisë, qoftë kombëtare qoftë ndërkombëtare, jo diçka të përkohshme, që lidhej me aktualitetin e atypëratyshëm”.
Tutje, shkrimtarja përmendi edhe faktin se në rastin e luftës së Kosovës, më shumë ka të krijuar filma sesa shkrime për këtë ngjarje kaq madhore për vendin.
“Edhe në rastin e luftës së Kosovës, pak është shkruar, kaluan njëzet vjet, ndoshta kaq e ndoshta edhe më shumë i duhet njeriut për të treguar, për t’a shndërruar një përjetim në një rrëfim…Do të shkruhet menjëhere, njëkohësisht, si një nevojë emergjente ( Bashota dhe poezia e tij, Kamberi dhe tregimet për dhe rreth pandemise në portale kulturore (Lejeune, Petit écran). Nëse krijimtaria letrare nuk qe e madhe me tematikën e pandemisë, u rilexua Murtaja e Kamysë e tash më shumë si një alegori e pushtimit gjerman u pa thjesht si një epidemi dhe si solidariteti I njërëzve, u rilexua « Njëqind vjet vetmi » të Markezit, u rilexuan « Memoaret e Hadrianit » ndoshta për të kërkuar një gjendje të ngjashme me atë që po e përjetonte njërëzimi në shekullin XXI , gjë që do t’a ndihmonte sadopak që të kuptoj e të di se si të sillej, kërkohej një refleksion I thellë, nga parardhësit e shkrimtarëve të sotëm”, tha ajo në fund.
Ndërkaq, profesori Mulliqi, në një formë të eseut e filloi fjalimin e tij për këtë natë të debatit.
“Që nga fillet e mija si shkrimtar, disi, e kam përjetuar veten time si një nxënës që ka prirje për tragjedinë, dhe i cili, përmes tragjedisë antike e vështroja atë thënien monumentale të S. Beket se: Nuk ka asgjë më qesharake se sa fatkeqësia e njerëzve”.
Mulliqi beson se në letërsi është shkruar për epidemi të ndryshme, ndërsa letërsia shqiptare popullore është e mbushur plot e përplot tregime të këtilla të rrezikshme ku rrëfehen legjenda mbi fatalitetin, individual dhe kolektiv.
“Kur po e shkruaja këtë ese, mu kujtua, një ngjarje që nga koha kur vdiq Perikleu (në shekullin e V para epokës së re). Të dhënat thonë se ai vdiq nga një epidemi e rëndë e asaj kohë, dhe kur, mbi shtratin e tij të vdekjes, mjeku i ri, Hipokrati, e mbajti fjalimin mbresëlënës për të, e sipas të cilit fjalim, sot ekziston sintagma që e quhet, Betim i Hipokratit, me atë rast ai kishte thënë se: shumë epidemi nëpër botë, në të gjithë mijëvjeçarët që do të vijnë, dhe se, në fund, më e rëndësishmja për të gjithë që do të na mbetet, do jetë, Liria e shpirtit e cila, duhet të jetë mbrojtja më e fuqishme e krenarisë njerëzore”.
Ai thotë se puna e shkrimtarit nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me kushtet dhe rrethanat e jashtme nga të cilat do të varej procesi i të shkruarit që bëjnë shkrimtrarët.
“Puna e shkrimtarit nuk është diçka ekskluzive. Kjo punë, në asnjë mënyrë, nuk ndërlidhet me kushtet dhe rrethanat e jashtme nga të cilat do të varej procesi i të shkruarit që bëjmë ne. Për aq më shumë, të shkruarit nuk e nënkupton as pjesëmarrjen e publikut, gjë që s’është rasti me artet vizuale dhe skenike, të cilat, esencialisht kanë nevojë për galeritë, teatrot, sallat e koncerteve apo ato të kinemave. Ne, faktikisht, shkruajmë sipas një dinamizmi intim që kemi, duke luftuar me demonët tanë, ndërsa me ata, kjo pandemi nuk ka as edhe një lloj lidhje”.
Në fund, profesori shton se letërsia i posedon mekanizmat e vetë që të mbrohet nga banalizuat e këtillë dhe ta luaj rolin e saj në shoqëri.
Biseda u zgjerua edhe më shumë kur publiku u ftua për t’u inkuadruar në diskutim, derisa shkrimtari dhe profesori universitar, Avni Spahiu, së bashku me Ibrahim Berishën, bisedën e zgjeruan tutje me mendime dhe analiza të ndryshme personale për të krijuar kështu një atmosferë debati. E gjitha kjo u zhvillua nën prezencën e ngrohtësisë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery dhe pikturave të artistit Sadri Morina, ekspozita e të cilit ende po vazhdon të qëndrojë e hapur për admiruesit.
Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer. /KultPlus.com